More
    KreuTeatërPrimo Shllaku: Coriolanus, nji mega-spektakël në Teatrin Kombëtar

    Primo Shllaku: Coriolanus, nji mega-spektakël në Teatrin Kombëtar

    Prej disa javësh trupa e Teatrit Kombëtar së bashku me një numër të madh studentësh të fakultetit të artit skenik (Master 1+2) dhanë me shum sukses shfaqjen “CORIOLANUS” të W. Shakesperare-it. Këtë fundjavë që shkoi, vargu i shfaqjeve u përmbyll dhe mbarimi i “ciklit jetësor” të shfaqjes na lejon përfundimisht të rreshtojmë disa fjalë të përgjithshme, por edhe të përveçme rreth kësaj shfaqje që u dallue për një mori risish të aktualizimit, të ndërtimit regjisorial, të elementëve teatrorë e, padyshim, edhe të lojës aktoriale, e cila e kunorëzon të gjithën me vulën e njeriut-personazh.

    Regjisori i mirënjoftun Altin Basha, i cili për të gjashtën herë merret dhe ven në skenë Shakespeare-in, na kishte rezervue nji befasim ambicioz dhe nji realizim po aq të suksesshëm sa ambicja e tij krijimtare. Ai kishte vendosë të bante nji shartim të guximshëm mes dy arteve kaq popullore siç asht teatri dhe kinemaja, tue përballue rreziqe financiare, debordim afatesh, lodhje të aktorëve dhe mbetje në gjysmë të ndonji realizimi. Por kjo nuk ndodhi falë seriozitetit që Shakespeare-i dhe regjisori i imponuen gjithë kësaj ndërmarrje kolosale, e cila u mishnue në nji shfaqje komplekse, të larmishme, tronditëse dhe të pazakonte në pikëpamje të mjeteve dhe aksesorëve që u përdorën për ringritjen e nji epoke, e cila, me pak retushime dhe spostime të logjikës, i binte tamam kohës sonë dhe aktualiteteve politike të periudhës që po kalojmë.

    Regjisori dukshëm ka përzie me masë por edhe me guxim teknikat filmike me ato teatrore. Shfaqja i ka kthye shpinën teatrit pëshpëritës dhe fjalës së luejtun nën za e me frymë pak. Koncepti regjisorial e ka ndie nevojën ta shqyejë gojën e skenës dhe të krijojë nji hapësinë të madhe, jashta zakoneve e konvencioneve të skenës, për të impostue atje nji colossal teatror me farefisni të dukshme filmike që sugjerohet nga shum elemente që në teatrin tonë konvencional – të paktën – zhvillohen mbas kuintash e u ndigjohet vetëm rrapëllima e poterja. Regjia ka dashtë që gjithçka të ndodhë në skenë, spektatori të jetë i pranishëm në duelet, në përplasjet e falangave ndërluftuese, në dialogët, në fjalimet, në skenat ma të heshtuna dhe ma intime – deri tek puthja. Doza e dramaticitetit këtë herë na duket ma shum si nji diagnozë e randë që rri varë mbi kokën e spektatorit i cili, edhe pse dashamirës i teatrit, nuk i merr ende mesazhet e lirisë dhe të përgjegjësisë me daljen e tij nga salla.

    Regjia ka vendosë ta rrisë dozën me anë të tronditjes, me anë të lëvizjes, me anë të muzikës, me anë të përplasjes fizike në mesin e një skene ku veprimi i zgjedhun ia zmadhon edhe fizikisht, edhe virtualisht hapësinat. Bokaskena  kthehet në nji ekran cinemascope dhe na ndihemi të sulmuem prej ekranit, prej krismave, prej britmave, prej batërdisë së armëve si nji ogur i keq për lëkurëtrashët. Teatri i afrohet kësisoj funksioneve të veta primordiale: tronditës, shkundës, zgjues dhe  batërdisës. Ndoshta hamendësim regjisorial i nji epoke fillestare kur teatri ishte kudhra mbi të cilën farkëtohej i nxehtë edhe i skuqun njerëzimi parak.

    *  *  *

    Coriolanus asht nji tragjedi “romake” e W. Shakespeare-it e shkrueme më 1607. Ajo flet për nji luftar patric të quejtun Kaj Marci, i cili u kishte pri ushtrive të Romës dhe kishte shtrue qytetin e Koriolës. Për këtë ai ishte mbiquejtë Koriolanus ose Coriolanus. Ngjarja ndodh në periudhën republikane të Romës rreth pesë shekuj para Krishtit. Pra jemi në epokën heroike të kombeve europiane. Coriolanus-i kishte tregue trimni të rrallë në luftë dhe ishte rritë si personalitet i randësishëm. Populli dhe bashkëpunëtorët e tij e shtyjnë të vejë kandidaturën për konsull. Por ai nuk ndihet mirë që të zgjidhet prej popullit të cilin e përbuz. Mania e madhështisë dhe përbuzja ndaj popullit janë karakteristika të nji autokrati. Virtytet e tij të kohës së luftës nuk ujdisin me kërkesat në kohë paqe. Virtytet e paqes nuk mund të jenë virtyte të kohës së paqes. Paqja ka ligjet e veta dhe nji luftar si ai mendon se kontributet në luftë automatikisht duhen shpërblye me ofiqe në paqe. Nuk i kupton zgjedhjet e as fushatat zgjedhore. Ndjejmë krizën e republikës romake, e cila po fuqizohet dhe, pa dashjen e saj, po kërkonte diktator që ta printe. Kjo periudhe e gjatë do të vazhdonte deri me Jul Qesarin në shek. I para erës së re, kur vrasja e tij do t’i jepte fund republikës dhe do të fillonte era e perandorëve.

    Shakesperare-i na duket sikur na i cilëson si shum ma të ndryshme sesa i dimë na periudhat e paqes dhe të luftës.  Sikur na thotë se njerëzit e luftës i përfshin deliri i madhështisë dhe në kohë paqe ata vazhdojnë me sy mbyllë andrrën e tyne ngjitëse derisa kthehen në nji fatkeqësi shoqnore. Lavdia e pakufi që sigurohej në lojën e randë me vdekjen, zhvillon mbrenda individëve të tillë nji të drejtë të pakufishme që, përfund, i shkatërron ata vetë dhe mbas tyne edhe demokracinë dhe ekuilibrat shoqnorë. Tragjedia shpërthen në sprovimin e heroit të luftës në përpjekjen për t’u kthye në administrator të paqes. Ky pohim, me të gjithë tragjizmin e tij, rreshtohet dramaturgjikisht me të gjitha pikat e nxehta ku shpërthen tragjedia që nga lashtësia e deri tek klasicizmi francez kur kjo gjini hyni në klimaks dhe nuk e mori veten ma.

    Gjetja dhe theksimi i paraleleve dhe analogjive të thelbit të kësaj drame me aktualitetin tonë shqiptar ka qenë pjesë e ndritshme e inteligjencës regjisoriale për ta rrokë nji hark kohe ma se 80vjeçar shqiptar me bamat dhe hatatë që na rezervoi historia e kësaj periudhe. Aktualizimi dhe kontekstualizimi i kësaj tragjedie me dramatikat e realitetit shqiptar në një hark bukur të gjatë kohë tregon për angazhimet e forta të regjisorit Basha në ndriçimin e epokës me dritën universale të gjenisë shakespeare-iane.

     *  *  *

    Nji trupë fort e zgjedhun aktorësh asht thirrë për të jetësue nji variant kaq të nxehtë e tronditës të tragjedisë së Coriolanus-it. Autori i veprës ka skalitë karaktere komplekse e me frymë të gjatë. Kushdo që të ishte regjisor do të ndalohej para dilemave dhe iluzioneve të zgjedhjes së aktorëve për të marrë nji vendim personal e me perspektivë suksesi.

    Coriolanus: Ky rol epik e heroik na vjen në interpretimin e aktorit dhe pedagogut të artit skenik, Gazmend Gjoka.  I nisun nga prestacione fizike dhe aktoriale jo të zakonshme, regjia i ka caktue këtij aktori të ishte epiqendra e veprimit dramatik dhe skenik. Me trup përmbi mesataren, por me fizik të zhvilluem e me shtat të zhdërvjellët, të gjimnazuem dhe me volume të ndjeshme muskulore, Gazmend Gjoka hynte në këtë produksion me disa virtute të gatshme aktoriale dhe karakteriale. Coriolanus-i ishte luftar dhe atlet – sipas kulturës dhe kërkesave të përgatitjes ushtarake greko-romake -, me fizik të bashëm e të bukur, të zhdërvjellët e me të ramen e hidhtë të krahut, kur ai krah mban nji shpatë apo nji mburojë të randë. Ky personazh ka dy anët e tij të dukshme që shtrihen mbi linjën e madhe të ndarjes së punëve të luftës me ato të paqes. Ai asht i turrshëm dhe i pandalshëm në duele dhe mësyn si luan në zulmën e luftës. Duket si një perëndi lufte, nji Mars i vërtetë sikurse afërsisht e ka edhe emnin e tij të pagëzimit. Anmiqtë i tremben, askush nuk do që të gjendet tek e tek para shpatës së tij mizore. Por në kohë paqe ai zotnohet prej sekrecioneve të fshehta të shpirtit të tij, nga përbuzja dhe përçmimi i turmave, i popullit dhe i masës, të cilën e përbajnë edhe luftarët e paqes për demokraci e pushtet të ballancuem.  Në kohën e paqes ai nuk i përfill, ka turp që t’u kërkojë votën dhe ndihet i poshtnuem që ai, goxha luftar i vijës së parë, të tregohet “lypës” i votës së njerëzve që ai nuk i njeh si të të tillë. Në veshët e tij ka gjithnji zanin e të amës, Volumnias, e cila e shtyn sa në luftë e sa në kohë paqeje. E shtyn drejt pushtetit me argumentin e virtytit të tij të pamohueshëm luftarak.

    Gazmend Gjoka e ka mishnue mirë këtë personazh, me nji përkushtim e seriozitet që duhet të bahet etalon i punës së aktorëve ma të rij në realizime kaq ambicioze dhe serioze sa Coriolanus-i. Asht shum pozitive që ky aktor i ka bishtnue me dashje emfazës dhe gërvalljes që këto personazhe të shkruem në shek e XVII e sjellin me vete si rrezik të vendosjes në epokë. E foluna e tij buron nga gjoksi, fuqishëm, me fraza të preme dhe të shkurta që nuk e ngulfatin aktorin. Vihet re nji lëvizje totale e trupit në momentet kur ai reciton në rol. Kjo ia kompenson heroiken e mungueme nga eleminimi i emfazës dhe kantilenës, të cilat ai dhe regjia i kanë shmangë me projekt.

    Të ndalemi pak tek maska ose portreti i Coriolanus-it alias Gazmend Gjokës.  Nëse duhet ndonjiherë t’i përmbahemi historizmit të figurave deri tek detajet dhe tek imtësitë e tyne për të ndërtue diçka realiste dhe deri diku edhe të njoftshme në kodet njerëzore e vizuale të një epoke, mendojmë se figura e paflokë, pra e qethun zero, e Coriolanus-it kërcet disi. Duhet të sjellim ndër mend se figurat mashkullore e burrnore me kokën e qethun zero ose të rrueme në lashtësi janë ato të barbarëve që sulmonin qytetnimin romak, por jo vetëm. Kokërruemit ishin edhe kriminelët e keqbamësit e randë që, ose mbaheshin përjetë në qeli, ose ndodheshin në prag të ekzekutimit. Coriolanus-i nuk ishte asnjeni prej këtyne. Periudha romake asht periudha e estetizimit të figurës mashkullore dhe e krijimit të nji arketipi formal të mashkullit 20-50 vjeç. Pra shpatullgjanë, muskuloz, me qafën e trashë dhe me kokën e mbulueme me flokë të shkurtë e të krehun për poshtë mbi ballë e mbi tamtha. Ky të paktën asht ajo që marrim nga mija portrete skulpturore të antikitetit romak, si dhe nga studimi e kanunizimi i kinemasë hollivudiane që ka xhirue me mija filma me kostume e atmosferë romake. Mbase autorët e shfaqjes sonë e kanë gjetë nji rrethanë lehtësuese tek filmi Coriolanus i 2012 me aktor kryesor Ralph Fiennes, i cili gjithashtu ka kokën e shogët sikurse Coriolanus-i i Teatrit tonë Kombëtar. Por në atë film regjia dhe konceptimi i përgjithshëm e ka zhvendosë ngjarjen në kohët tona, me armë moderne automatike dhe uniforma të ngashme me ato të marinsave amerikanë. Kësisoj puna ndryshon. Por nji hero romak kokërruem asht nji mosrespektim i kodit të historizmit.

    Grupi grave, përkatësisht Volumnia – Luiza Xhuvani dhe Elia Zaharia –  janë në vendin e tyne por në gjithë atë tension që mbahet shfaqja shpesh herë na duken si atone dhe anemike prania e tyne si karaktere. Volumnia asht nji nanë heroi dhe si edukatore e tij ajo ndihet paksa e mefshtë dhe  pa nerv për djalin që nuk po i bindet dhe që, për shkak të prepotencës së tij, nuk konformohet me anën formale të zgjedhjeve, ku konsulli i ardhshëm duhet t’u “bahet urë” zgjedhësve.

    Elia Zaharia luen gruen e shqetësueme për fatet e burrit, por gjithsesi ka shum statizëm dhe ngurtësim. Ajo nuse e re duhet ta dëbonte sadopak me qenien e praninë e saj atë duhmë maskiliste të kazermës dhe të fushëbetëjës.

    Viktor Zhusti, një aktor gati 80vjeçar, por me përvoja të gjata në skenë e sidomos në teatër, e luajti me korrektesë teatrore atë rol, rolin e ndërmjetësit (edhe pse xhaketa e tij e gjelbër nuk kish asgja romake e, ashtu, ma shum dukej si ndonjë personazh i Molierit). Por regjistri i naltë i toneve të kësaj megashfaqjeje kërkonte njilloj tjetër pranie të tij, ma energjike, ma në sintoni me të tanën, ma këlthitëse ndoshta. Megjithatë plastika e tij aktoriale ishte e pajtueshme me rolin e tij delikat që kishte ai personazh mes palëve.

    Helidon Fino ka krijue  figurën interesante të Aufidius-it, një figurë të çuditshme dhe ka nji transformim kaq të skajshëm sa nuk na mbetet veçse ta admirojmë për këtë lloj tranferimi në një rol të vështirë, por edhe tërheqës në variantet që ai ofron për interpretim. Personazhi  asht dinak, diplomat, di të presë dhe di të “peshkojë”. Aftësia e tij prej politikani pragmatist deri në të paskrupull bën që ai ta marrë pas vetes Corolianus-in dhe ta përdorë atë për të sulmue Romën. Në fund Coriolanus-i asht ba tradhtar i qytetit të vet dhe nuk i duhet gja askujt. Aty Aufidius-i edhe e vret Corolianus-in. Maska e këtij përsonazhi si e ndonji magjistari apo shamani të mbetet në mendje. Ftyrës së pastër e krenare të Corolianus-it i përgjigjet në skajin tjetër ajo e Aufidiusi-t, me gërshetat e gjatë dhe shikimet e fshehta.

    Çifti Hervin Çuli dhe Genci Fuga që shfaqen literalisht si çift kudo bashkë janë dy personazhe që po u themi negativë për vetë faktin se ata shfaqen në kohë rrëmujash e në çaste kritike për të ndërruar e deformuar opinionin publik, për të intrigue e për të dezinformue. Këto dy figyra shfaqen kur s’e pret dhe mbijnë nga çdo vrimë ku mund të kalohet. Aja janë depërtues dhe rezultativë. Janë fryma e padukshme e korrupsionit që ka fillue me bre demokracinë e brishte romake, kur politikanëve u ka lindë nevoja të manipulojnë turmat dhe votat e tyne. Si dy brejtës të stërmëdhej ata e brejnë ndërtesën e demokracisë për interesat e një pakice, e cila nuk shfaqet në skenë, por ndihet aroma e prishjes së lojës dhe e rregullave të lojës demokratike.

    Ndoshta këta personazhe me kumt të trishtë për demokracinë  mund të ishin pak ma të kursyem në rrëshqitjet e tyne groteske. Ata po e gërryenin demokracinë dhe historikisht ia arritën ta shembin atë dhe të sjellin perandorët e tmerrshëm të Romës. Pra nuk mendoj se dozimi sado i vogël me grotesk do t’i bante ata ma interesantë ose ma të afërt me mendimin e kujtdo, si të autorit, ashtu edhe të regjisorit.

    Një rol të randësishëm në këtë shfaqje kishte edhe turma e popullit, e votuesve ose edhe e ushtarëve që ngrehin përleshje mes tyne në mesin e skenës me shpata e mburoja punue me çelik të fortë balestrash. Ajo ishte një masë e madhe që hynte delte, sulmonte, ulej, rrëzohej, qeshte, brohoriste, këlthiste dhe kësisoj i dha shfaqjes në fjalë nji energjizëm të papamë dhe nji ritëm masakrant që tronditi platenë. Kjo masë e disiplinueme figurantësh dhe jofigurantësh ishin në masën dërrmuese studentë të artit dramatik, Master I dhe II, si dhe absolventë të dy viteve të fundit. Këta studentë ishin Urim Aliaj, Ermir Hoxhaj, Griseld Kapllanaj, Juxhin Plovishti, Bujar Hoxhaj, Theodhora Dhimo, Andërrjon Nazifi, Sinan Lila, Altea Dulellari, Asiana Koka, Arlin Capi, Anxhela Muça, Flobensa Bezati, Ina Zoto, Ivigina Hatija, Eraldo Malaj, Amedeus Xhizdari etj.

    Për studentët e masipërm vumja në skenë e kësaj pjese ka qenë nji përvojë dhe nji shkollë e madhe. Atyne iu dha mundësia të punonin efektivisht përveçse pedagogjikisht me pedagogët e tyne në nji shfaqje të madhe, të madhërishme dhe shakespeare-iane. Disiplina e punës, sinkronizimi i skenave, ndërrimi i koordinatave skenografike, pjesëmarrja në rolin e një turme që metamorfozohet fillim e mbarim kanë qenë nji përplasje e fortë me detyrat e skenës dhe me nevojat e inskenimit të risive bashkëkohore. Në nji bisedë me aktorin dhe pedagogun Gazmend Gjoka ai deklaroi me kënaqësi se mobilizimi i këtyne studentëve që kishin nji rol dhe nji funksion të randësishëm në staturën e kësaj shfaqje ka qenë maksimal dhe disiplina e tyne ka qenë shembullore  në përcjelljen me të gjithë vemendjen  e provave të gjata për jetësimin e kësaj shfaqje. Nji shfaqje e tillë me regji e staf aktorësh të tillë do të ketë qenë për studentët nji shans i rrallë, sepse shfaqje si kjo janë të rralla dhe të kushtueshme. Përfitimi i studentëve nga kjo shfaqje dhe i shfaqjes nga studentët ka qenë i barazpeshuem dhe i ndërsjellë. Vumja në skenë e kësaj shfaqje ka qenë ndoshta si nji shtesë masteri për të gjitha ata që u angazhuen në të.

    Tashti dy fjalë për skenografinë dhe kostumografinë e shfaqjes.

    Mund të them se nji risi e padiskutueshme ka qenë skenografia e Iliriana Loxha Bashës. Ndërtimi funksional i skenave të lëvizshme në formë karrelash që shtyhen dhe rreshtohen simbas idesë regjisoriale, ka qenë nji mënyrë që i ka dhanë mundësi kalimit nga hapësina teatrore në ato kinematografike. Gjithçka e langët, e lëvizshme, gjithçka që rrjedh si fjalët e Heraklitit: panta rei.

    Në kinetizmin e hatashëm që kishte kjo shfaqje për nji shpikje fatlume të regjisë dhe të skenografes, edhe lëvizja e karrelave me shtyllat vertikale që sillen nëpër skenë si titanë mitologjikë ka kontribue me ruejtë zhurmën, ritmin dhe kinetizmin e lojës së aktorëve ndër mizanskena. Ato pirgje të bardhë që lëviznin herë para, herë mbrapa e që rreshtoheshin me shpejtësi herë paralel e herë diaagonal, krijonin mbyllje e hapje, korridore e shtigje prej kah aktorët delnin ose ku ata edhe zhdukeshin. Rreshtimi i tyne diagonal e zmadhonte hapësinën skenike dhe krijonte korridore  edhe ma të gjata, sepse shkallat zbritëse e ngjitëse ishin vjedhje e hapësinës dhe thellim i skenës. Por kemi nji ngatërrim të stilit. Kolonat mbi karrelat ishin me seksion katror ose drejtëkandësh, çka nuk na e sugjeron epokën romake dhe stilet e shtyllave të arkitekturës monumentale të asaj kohe. Skenografia asht pikturë dhe piktura ka kodet e saj. Nji shtyllë cilindrike na çon fill tek epoka greko-romake që janë kaq të ngjashme e kaq të nënvaruna. Devijimi nga tipologjia arkitektonike e Romës nuk na e sugjeron Romën. Ajo lëvizje e hatashme masash vertikale na sugjeron luhatjen e ekuilibrave socialë dhe defektet e asaj loje demokracie, pra kemi trandje shteti e jo trandje familjare si në dramat. Jemi në terren tragjik dhe në lojë nuk janë disa ndjenja a disa ndjesi, por asht struktura e nji qytetnimi dhe ky qytetnim ka shenjat e veta të pagabueshme që e identifikojnë. Kolona me seksion kandrejtë asht ma e vonë, mbase e epokës së betonarmesë. Po të mos përmendej në dialoget Roma si kryefjalë e atyne  rropatjeve me fjalë e me armë, nga shenjat vizuale Roma na mungon si sugjerim  lokacioni.

    Po kështu mund të themi edhe me kostumografinë. Kostumet romake dhe kostumet e shfaqjes janë në mospërputhje vizuale dhe konvencionale.  Ka plot manuale me tipologjitë e veshjeve të klasave e të krahinave të ndryshme italike të kohës së Romës. Mbase ushtria ose plebejtë, shtresat e vorfna mund të jenë veshë me ato potura apo branavekë me gjinat e ulëta sikurse duken në shfaqje, por ideja e ngulitun që kemi na për veshjet romake urbane asht krejt tjetër. Pra konvencionalja i shërben teatrit, jo autentikja. Romakët identifikohen me tunikat e bardha ose të kuqe me pëlhurë të hjedhun krahëve e me mangët që sajohen nga gjatësia e pëlhurës. Kurse veshja romake e ushtarëve që mbanin shpatë ka qenë ajo ma mashkullorja e ma burrnorja e mundshme. Pancira prej lëkure buelli e çatisun me pulla bronxi e me basorelieve luanësh, rripat e kryqëzuem e pafkat e po kësaj lëkure që i zbresin ushtarit deri në gjysmë të kofshëve dhe ia mbrojnë ato nga shigjetat apo goditjet e shpatave. Ajo turmë ushtarësh ngjyrë kafe e murrme na sugjeronte ma shum ushtarin aziatik të përtej Eufratit sesa ushtrinë romake ashtu siç e jemi mësue me e pa ndër filmat e Hollywood-it.

    Mbi versionin e parë teatror shqiptar të Coriolanus-it, mbas kaq javësh shfaqje, këtë fundjavë që kaloi ra sipari përfundimtar. Krijuesit e kësaj megashfaqje e dinë se çfarë ndodh me shfaqjet në përgjithësi. Vjen edhe nata e fundit dhe gjithë ai mund, gjithë ajo shtrydhje e fantazisë gremiset në hiçin e lindjes së nji shfaqje tjetër. Për Altin Bashën, regjisorin e shfaqjes, Coriolanus-in ma shum po e vret sipari  sesa shpata e Aufidius-it. Ai do të donte që ky produksion të shfaqej edhe pak…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË