More
    KreuEkspozitaPrej te Marubi përtej Marubit: tradita e artit fotografik te...

    Prej te Marubi përtej Marubit: tradita e artit fotografik te ne

    nga Ardian Ndreca

    Do të ishte e pafalshme me kalue në Shkodër në këtë periudhë dhe mos me vizitue ekspozitën “Fotografë të juglindjes shqiptare” të kujdesueme prej Gjergj Spatharit, e cila do të jetë e hapun deri me datën 27 tetor 2019 pranë Muzeumit Kombëtar të Fotografisë Marubi. Bahet fjalë për tetë fotografë, disa prej të cilëve pothuejse të panjohun, me origjinë nga Korça, Dardha, Opari, Voskopoja, Kolonja dhe Mborja. Artistat, veprat e të cilëve ekspozohen, janë Kristo Sulidhi (1859-1938), Petro Dhimitri (1886-1953), Perikli Kaçauni (1870-1940), Dhimitër Vangjeli (1872-1957), Vani Burda (1875-1949), Kristaq Sotiri (1883-1970), Thimi Raci (1886-1966) dhe Mandi Adhami Koçi (1912-1988).
    Kjo ekspozitë nderon nji muzeum si Marubi, i cili ka frymë kombtare dhe promovon vlerat e artit të fotografisë në të gjithë hapsinën shqiptare. Përzgjedhja dhe kujdesimi i veçantë nga ana e Gj. Spatharit, bashkëpunimi i ngushtë me ente kombtare dhe lokale, me privatë dhe koleksionista kanë shenjue suksesin e kësaj nisme kulturore.

    Ajo që i bashkon të gjithë këta pionierë të fotografisë asht fakti që e kanë përvetësue artin e fotografisë në emigracion, në Athinë, Stamboll, Odesë, Kajro, Bukuresht, SHBA. Megjithatë secili ka shpalosë talentin personal dhe ka përcaktue objektet e interesit të vet. Mes 125 fotove të ekspozueme, disa të shtypuna prej vetë autorëve e shumica të nxjerruna sot prej negativave në xham që kanë ardhë deri në ditët tona, gjejmë njerëz të thjeshtë e të panjohun, gra emigrantash që fotografohen për t’ia dërgue fotot bashkëshortëve në mërgim, funerale, foto martese, luftëtarë të lirisë, autoportrete, momente festash fetare dhe civile, peizazhe urbane dhe rurale, foto historike të Luftës së Parë dhe të Dytë Botnore, ambjente qytetare etj. Disa prej fotove kanë ardhë deri më sot tue u përshkue në rrugëtime aventureske, si për shembull 1300 negativat në xham të Dhimitër Vangjelit të cilat kanë fjetë për gjashtë dekada në nji arkë municionesh në nji shtëpi në Kolonjë.

    Çdo foto pasqyron jo vetëm objektin e fiksuem por edhe pjesën e shpirtit të artistit që asht derdhë në të. Çasti i shkrepjes, drita, shprehia e subjektit, kompozimi, shtresëzimet e planeve, detajet e theksueme me dashje dhe ato që flasin vetvetijshëm na përcjellin emocione të veçanta.

    Skenat e jetës korçare të Kristaq Sotirit, portretet e Vani Burdës, talenti unik i Perikli Kaçaunit – që shkëlqen në 9 fotot e ekspozueme, syni delikat i Dhimitër Vangjelit, na bajnë me mendue se fatmirsisht në Shqipni nuk ka ekzistue vetëm dinastia e Marubëve por ka pasë nji “konstelacion të fotografëve të traditës”, siç i quen vetë kujdesuesi i ekspozitës. Marrim si shembull foton “Ceremonia mortore” të Dhimitër Vangjelit, i cili ka mbërrijtë me përçue me shkrim kaligrafik takmin e jetës me vdekjen. Fotoja asht pa datë dhe vendshkrepje, por me shumë gjasa e bame në nji fshat të Kolonjës në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XX. I vdekuni, nji burrë i ri rreth të tridhjetave asht i shtrimë në arkëmort dhe simbas traditësh së lashtë ka nji monedhë mbi buzë, afër tij e bija e mitun me duert e lidhuna mbi bark prezantohet tragjikisht për herë të parë me vdekjen në nji mpimje totale dhe duket sikur po eksploron e shtangun ndryshimin radikal që vizitorja e paftueme i ka shkaktue tashma jetës së saj. Ankthi i pafajnisë së asaj vajze, mosnjohja e efektit shkretues të vdekjes, janë shumë ma tragjike se nji oqean me lot dhe me britma. Në sfond nji plak me ballin e rrudhun sheh me ma shumë interesë dhe kureshtje objektivin sesa vdekjen që i asht ndalë krejt pranë, tue qenë se ai prezantimin me vdekjen e ka ba me kohë dhe pret vetëm rradhën e tij.

    Disa prej fotove kanë thjesht vlera dokumentare, disa të tjera janë artistiko-dokumentare, dikund drita ka fiksue imazhin, dikund tjetër drita ka shkrue artistikisht realitetin e kjo gja na ban me udhtue në kohë tue përjetue subjektivitetin krijues të “vendit” që paraqet fotografia. Ato “vende” sot janë transformue, gjurmët kanë humbë pse fytyrat, veshjet, rrugët, ceremonitë janë kthye në “jo-vende” (non lieux) – për me përdorë nji topos të antropologut Marc Augé, të cilat nuk na lejojnë ma me dekodifikue gjurmë identitare të forta. Kjo asht edhe arsyeja pse në format e sotme të këtij arti e kemi shumë ma të vështirë me zbulue e me u thellue, pse homogjeniteti – tue nisë nga teknikat, aparatet, subjektet – mbulon çdo dallueshmëni. Fati i fotografisë asht i lidhun ngusht me përmasat globale në të cilat konsumohet ekzistenca jonë sot, ne vetë jemi ma pak autentikë dhe drita që na përshkron në mënyrë digjitale e ka të vështirë, në mos të pamundun, me zbulue diçka esenciale tek ne. Miliona shkrepjet e sotme janë miliona byte, por kurrsesi miliona vepra arti, tue qenë se kur bahet fjalë për artin sasia dhe saktësia nuk prodhojnë kurrë cilësi. Pasunia e kompleksitetit asht shumë ma e randësishme sesa qartësia dhe univociteti – do të kishte thanë Robert Venturi. Acidi i fotografisë së dikurshme duket se mbërrinte me gdhendë ma thellë dhe me mshehë mrekullisht nën palat e dritëhijeve nji semiotikë jokonvencionale, gja që sot precizioni i algoritmeve kompjuterike injoron vetvetijshëm.

    Asht kënaqësi me kundrue në Shkodër artistat e arealit korçar. Nga Shkodra në Korçë na lidhë nji “fil rouge” që na ban me dallue cimat që kanë ankorue artin e fotografisë shqiptare tek tradita e artit botnorë.
    E gjithë kjo asht e mundun falë zellit të nji kolektivi dinamik të Muzeumit Marubi i cili drejtohet me shumë pasion prej disa vitesh prej Luçjan Bedenit.
    Shpresojmë ndërkaq që nji të nesërme me mbërrijtë me pa të ekspozuem në Shkodër koleksionin në xham të fotove të Kolë Idromenos, i cili u pat dërgue para gadi 50 vjetësh prej etnologut Rrok Zojzi me u ruejt në Tiranë, por që sot s’ka ma asnji arsye për me ndejtë larg shtëpisë së vet, ku tashma ekzistojnë kushtet e ruejtjes me kritere bashkëkohore si edhe ato të digjitalizimit dhe të ekspozimit.
    Kemi nevojë me zbulue traditën e fotografisë shqiptare, pse ato negativa në xham janë dokumente thellësisht pozitive të shpirtit dhe qytetnimit tonë europian.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË