More
    KreuHistoriPra, në të vërtetë, nuk qenka Gutenbergu ai që shpiku shtypshkronjën

    Pra, në të vërtetë, nuk qenka Gutenbergu ai që shpiku shtypshkronjën

    M. Sophia Newman

    Nëse një libër do të cilësohej “i njohur botërisht si më i rëndësishmi nga të gjithë librat e shtypur”, cili prisni të jetë? Nëse do të ishit Margaret Leslie Davis, përgjigja do të ishte e qartë. Edhe libri i saj me titull “Gutenbergu i humbur: historia befasuese e Odisesë pesëqind vjeçare të një libri”, botuar në mars 2017, fillon pikërisht me këtë cilësor. Libri rrëfen sagën e kopjes së vetme të Biblës së Gutenbergut, njërës nga disa kopjet e mbijetuara të Biblës 450 vjeçare, shtypur nga Johan Gutenbergun (Johannes Gutenberg), shpikësi i hamendësuar i shtypshkronjës, një nga projektet e tij më të hershme, kopje të cilat rrugëtuan gjatë shekullit të 20-të pasi u shitën, u zotëruan nga koleksionistët, bibliotekat dhe arkivat.

    Davis citon Mark Tuenin (Mark Twain), i cili në 1900 shkroi, një letër me rastin e hapjes së “Muzeut Gutenberg”. Për Davis-in, fjalët e Tuenit ishin “shumë me vend.” “Çfarë është bota sot,” shkroi Tuein, “me të mirën dhe të keqen, ia detyron Gutenbergut. Gjithçka e ka zanafillën tek ky burim…” Në të vërtetë, risia e Gutenbergut është parë për një kohë të gjatë si pikë kthese në historinë njerëzore, risi e cila shtroi rrugën për Reformën Protestante, Rilindjen, revolucionin shkencor, përhapjen në masë të arsimit, dhe mijëra ndryshime të tjera që prekin thuajse çdo gjë që njohim sot. Ky është i vetmi problem?

    Pohimi i përbotshëm bërë më lart, në të vërtetë, nuk është edhe aq i përbotshëm, dhe Gutenbergu vetë është vetëm njëri nga burimet e shtypshkrimit dhe jo burimi i vetëm. E vërteta është se risitë themelore në atë që do të përbënte ndryshimin rrënjësor në teknologjinë e shtypshkrimit nisën në Azinë lindore, me punën e bërë nga fisnikët e dinastive kineze, budistët korean, dhe pasardhësit e Xhengis Khanit, dhe, kjo është një vërtetë të cilën Davis e pranon me fare pak fjalë, ndërkohë që puna e tyre filloi disa shekuj para se të lindte Gutenbergu.

    Në një shtypshkronjë tradicionale, pllakëza të vogla metalike me shkronja të krijuara në anën e prapme, të njohura si shkronja të lëvizshme, përshtateshin në një kallëp të mbuluar me bojë, i cili vendosej në një copë letre. Pas heqjes së letrës, mbetej faqja e shtypur. Ky proces përsëritej aq herë sa faqe kishte libri, për të patur një libër të shtypur. Dhe nëse kjo përsëritej edhe me librin, libri shtypej shpejt dhe në shumë kopje.

    *

    Shtypshkronja shpesh thuhet se është krijuar nga Gutenbergu në Mainz, Gjermani, rreth viti 1440 pas Krishtit, dhe filloi të zërë rrënjë në Evropë në vitin 1450 me shtypjen e Biblës së lartpërmendur. Vetë librat kishin qenë të pranishëm në Evropë shumë kohë më parë, natyrisht, por vetëm vëllimet e kopjuara me dorë, të cilat në pjesën më të madhe binin në duart e pjesëtarëve të klerit. Qasja ndaj librave të prodhuar në masë ndryshoi rrënjësisht në fund të viteve 1400, me përhapjen e shkrimit dhe leximit duke e ndryshuar fenë, politikën, dhe stilin e jetës në të gjithë botën.

    Së paku, kjo është historia që tregohet në shumicën e librave, duke përfshirë, në pjesën më të madhe të librit, “Gutenbergu i humbur”. Por një fjali e vetme nga fundi i librit tregon për një histori më të gjatë: “Shkronjat e lëvizshme ishin shpikje kineze e shekullit të 11-të, e çuar më tej në Korenë e vitit 1230, para se në Evropë të krijoheshin rrethanat në kohën e Gutenbergut që të lulëzonte shtypshkrimi”. Kjo fjali minimizon dhe paraqet në mënyrë të gabuar çfarë ka ndodhur.

    Hapat e para të zhvillimit të shtypshkrimit filluan afërsisht 800 pas Krishtit, në Kinë, ku teknikat e hershme të shtypshkrimit përfshinin krijimin e një faqeje tekti të plotë në një kallëp druri, me bojë, duke shtypur faqet në kallëpin e drurit. Rreth vitit 971 pas Krishtit, në Zhejiang, Kinë, u prodhua një makinë shtypi e standartit budist e quajtur “Tripitaka” me këto kallëpe druri të gdhendura, duke përdorur 130.000 kallëpe (një në secilën faqe). Përpjekjet e mëvonshme do të krijonin lloje të mëhershme të shkronjave të lëvizshme duke përfshirë përdorimin e suksesshëm por të pamjaftueshëm të ideogrameve të gdhendura në dru dhe një përpjekje të shkurtër, të pafrytshme për të krijuar shkronja prej qeramike.

    Ndërkohë, importet perandorake nga Kina i sollën këto risi për sundimtarët korean të quajtu Goryeo (emrin e të cilëve ka sot Korea), të cilët kishin rol vendimtar në hapat e mëpasmë të historisë së shtypshkrimit. Pjesa e tyre e historisë ka shumë shembuj risish gjatë pushtimit.

    Së pari, në 1087 pas Krishtit, një grup nomadësh të quajtur Khitans u përpoqën të pushtonin gadishullin korean. Kjo bëri që qeveria Goryeo të krijojë Tripitakan e saj me shtypshkrim me kallëpe druri, ndoshta me qëllim ruajtjen e identitetit korean budist përballë pushtuesve. Përpjekja do të ishte largpamëse. Ajo ruajti konceptin dhe teknikën për vitet e mëvonshme, kur arritën shumë më shumë pushtues. Në shekullin e 12-të dhe 13-të, sundimtari Mongol, Xhengis Khan kishte krijuar perandorinë më të madhe në historinë njerëzore, e cila shtrihej nga Bregu i Paqësorit në Azi, drejt perëndimit deri në Persi. Pasi vdiq në 1227, pasardhësi i tij, Ögedei Khani, vazhdoi duke pushtuar territore që nuk i kishte pushtuar Xhenghis Khani asnjëherë më parë. Në vitin 1231, Ögedei urdhëroi pushtimin e Koresë, dhe në 1232, trupat pushtuese mongole arritën në kryeqytet. Gjatë pushtimit, ata dogjën kopjen koreane të Tripitakas duke e bërë shkrumb e hi.

    Dinastia Goryeo e rikrijoi menjëherë librin. Mendohet që të ketë qenë libër me “Lutje fuqisë së Budës për mbrojtjen e kombit nga mongolët pushtues”, siç shkruhet në një tekst të Thomas Christensen-it, por u bë edhe me qëllimin për ta ruajtur kulturën e dinastisë. Dhe kjo ishte e rëndësishme sepse sulmet nga mongolët do të vazhdonin edhe 28 vjet më pas.

    Me ribërjen e Tripitakas ishte menduar të merreshin murgjit korean të cilët duhet ta përfundonin deri në vitin 1251 pas Krishtit, ndërkohë që sundimtarët filluan të shtypin libra të tjerë. Në vitin 1234 pas Krishtit, ata i kërkuan pastorit civil të quajtur Choe Yun-ui të shtypte një libër budist me titull “Tekst këshillues i ritualeve për të kaluarën dhe të tashmen” (Sangjeong Gogeum Yemun). Por ky libër i gjatë kërkonte një numër të madh kallëpesh druri, kështu që Choe propozoi një zgjidhje tjetër. Duke u mbështetur në përpjekjet e mëparshme kineze për të krijuar shkronja të lëvizshme, ai zbatoi një metodë që ishte përdorur gjatë prerjes së monedhave prej bronzi për të krijuar shkronja tri përmasore në metal. Pastaj këto pjesë i rregulloi në një kornizë, i mbuloi me bojë dhe i përdori për të shtypur fletë letre. Pas kësaj, ai mund të riorganizonte shkronjat metalike, duke hequr nevojën e nevojshme për kallëpe druri të gdhendura. Ishte proces deri diku më i shpejtë. Ai e përfundoi projektin në vitin 1250 pas Krishtit.

    Është e rëndësishme ta pranojmë se çfarë do të thotë kjo. Risia që Gutenbergu thuhet se ka krijuar ishin kallëpe të vogla metalike me shkronja të ngjitura prapa, të rregulluara në një kornizë, të lyera me bojë dhe të shtypura në një copë letër, e cila lejonte që librat të shtypeshin më shpejt. Por Choe Yun-ui e bëri këtë para tij dhe ai e bëri 150 vjet para se të lindte Gutenbergu. Ndoshta duhet të jetë Choe Yun-ui, emri që duhet të mbajmë mend, jo ai i Gutenbergut.

    Sidoqoftë, librat e shtypur të Koresë nuk u përhapën me shpejtësi, siç do të përhapeshin librat e Gutenbergut 200 vjet më vonë. Kjo ngaqë Koreja ishte e pushtuar, gjë që  i pengoi ta përhapnin këtë risi të shpikur nga ata. Për më tepër, shkrimet koreane, të mbështetura më pas shumë tek kinezishtja, përdorën një numër të madh shkronjash të ndryshme, të cilat e bënin krijimin e pjesëve metalike dhe bashkimin e tyre në faqe, një proces të ngadaltë. Më e rëndësishmja, sundimtarët e Goryeo-s synuan që pjesa më e madhe e projekteve të shtypjes së librave të përdorej vetëm nga fisnikëria.

    Megjithatë, ka mundësi që teknologjia e shtypjes së librave të jetë përhapur nga Lindja në Perëndim. Ögedei Khan, udhëheqësi mongol, kishte një djalë të quajtur Kublai i cili e kishte shpallur veten si sundimtar në Pekin. Kublai Khan kishte mundësi ta përdorte teknologjinë koreane dhe kineze të shtypjes së librave, dhe mund t’ia ketë përcjellur këtë njohuri nipit tjetër të Xhengis Khanit, Hulegu-t, i cili në atë kohë sundonte pjesën perse të perandorisë mongole. Kjo mund ta ketë zhvendosur me mijëra milje teknologjinë e shtypjes së librit nga Azia Lindore në perëndim. “Mongolët thjesht prireshin ta merrnin teknologjinë e tyre kudo ku shkonin, dhe ajo bëhej pjesë e kulturës lokale, nganjëherë e pranuar, nganjëherë jo”, shpjegon profesori historisë aziatike në universitet, Colgate David Robinson.

    Për të kaluar nga Azia Lindore në Persi asokohe udhëtohej përmes Rrugës së Mëndafshit. Në mes të asaj rruge shtrihej atdheu i popullit ujgur, një grup etnik turk i rekrutuar në ushtrinë mongole shumë kohë më parë. “Nëse kishte ndonjë lidhje me përhapjen e shtypjes së librave midis Azisë dhe Perëndimit”, shkroi studiuesi Tsien Tsuen-Hsien në librin “Shkenca dhe qytetërimi në Kinë në vitin 1985, “ujgurët që përdorën si shtypjen dhe shkronjat e lëvizshme kishin mundësi të mira për të luajtur një rol të rëndësishëm në këtë proces”.

    Kjo pasi, në shekullin e 13-të, ujgurët shiheshin si njerëz të dalluar, të kënduar, nga ata për të cilët shtypshkrimi mund të ishte një risi e mirëseardhur. Ata kishin gjithashtu diçka të cilën askush tjetër nuk e kishte pasur deri atëherë: një alfabet, një grup i thjeshtë me deri diku pak shkronja për të shkruar çdo fjalë që dëshiroje të thoshe.

    Gutenberg

    Në perandorinë perëndimore mongole nuk pati lulëzim të shtypshkrimit. “Nuk kishte treg, nuk kishte nevojë që udhëheqësit të komunikonin me nënshtetasit nëpërmjet librit, nuk kishte nevojë të mblidhej ose investohej kapital në një industri të re”, thekson historiani John Man në librin e tij, “Revolucioni Gutenberg”. Megjithatë, shtypshkronjat me shkronja të lëvizshme të ujgurëve, u zbuluan në këtë hapësirë dhe janë tregues se teknologjia është përdorur atje.

    Për më tepër, mongolët mund ta kenë kaluar teknologjinë jo vetëm përmes ujgurëve dhe territorit persian, por edhe në Evropë, duke përfshirë Gjermaninë. Perandoria mongole e pushtoi Evropën rreth viteve 1000 deri në 1500 pas Krishtit. Ajo periudhë shënoi hyrjen e mjaft ushtarëve dhe robërve të Azisë Perëndimore duke u bërë shkak për futjen e shumë fjalëve nga gjuhët turke në ato evropiane. “Në përgjithësi, nëse diçka kalon nga Azia Lindore [në perëndim], është e vështirë ta imagjinosh pa mongolët”, shprehet në një intervistë Christopher Atwood, profesor në në universitetin Indiana (Indiana Unievrsity) për Euro Azinë Qendrore.

    Ideja fantastike që vetëm Gutenbergu e shpiku shtypshkronjën shpërfill një kontinent të tërë dhe përpjekjet e bëra për disa shekuj. Përfundimisht, kapitalistët e hershëm në Evropë investuan në sipërmarrjen e biznesit të Gutenbergut, i cili kombinoi teknologjinë e njëllojtë me të shkronjave të lëvizshme të zbuluara nga Choe Yun-ui, me një mekanizëm spiral që shtrëngohet me vida njësoj si ai që përdoret për të prodhuar vajin e ullirit dhe verën, duke i dhënë shtypshkrimit shpejtësinë që kërkonte tregu. Gutenbergut iu deshën dekada derisa kjo nismë të jetësohej, më pas u detyrua të falimentonte dhe kjo çoi në procese gjyqësore me investitorët të cilët e paditën për t’u kthyer paratë. Siç vëren Davis në “Gutenbergu i humbur”, nga këto dëshmi e njohim Gutenbergun dhe Biblën e tij: “Origjinën e librit më të famshëm e njohim pak. Historitë që tregojmë për njeriun dhe si u shtyp Bibla, janë krijuar mbështetur në disa dokumente ligjore dhe financiare, dhe për shekuj me radhë stduimet kanë plotësuar vetë zbrazëtinë çfarë mungon”.

    Në të vërtetë, e gjithë historia e shtypshkronjës është plot me zbrazëti. Gutenbergu nuk e tregoi historinë e tij për librat e shtypura në shtypshkronjën që krijoi, arritjen më të mirë të njohurive modern. Ai nuk la asnjë shënim për punën e tij. Dhe nëse Gutenbergu la pas heshtjen, mongolët, bashkatdhetarët e tyre ujgur dhe krerët e qeverisë së Azisë Lindore e bënë këtë edhe më shumë.

    Por nëse dyshimet janë të natyrshme, atëherë rezultati që kemi prej tyre nuk është. Ideja fantastike që vetëm Gutenbergu e shpiku shtypshkronjën shpërfill një kontinent të tërë dhe disa shekuj përpjekjesh të rëndësishme dhe nuk bën asnjë përpjekje për të kuptuar se si ose pse teknologjia mund të ishte përhapur më parë. Në një studim të teknikave të krijimit të shkronjave nga Gutenbergu, programuesi kompjuterik Blaise Ag yera y Arcas theksoi se sa e çuditshme është kjo: “Ideja që një teknologji shfaqet plotësisht e përfunduar që në fillim është mashtrim. Kushdo që merret me teknologjinë e di se teknologjia nuk funksionon kështu”.

    Makina e Gutenbergut

    Davis, ka meritën se thekson të njëjtën gjë, duke e shpjeguar: “Ndoshta imazhi i Gutenbergut si gjeni i vetmuar i cili e shndërroi kulturën njerëzore është tërheqës sepse ndryshimi ishte kaq i jashtëzakonshëm sa ngjan gati mitik dhe i duhet një histori të tillë origjine për të përkuar me të”.

    Por Davis, e cila nuk ishte e gatshme të intervistohej pët këtë artikull, bën shumë pak për ta korrigjuar këtë të vërtetë tek “Gutenbergu i humbur”. Ajo e përmend Kinën vetëm disa herë dhe Korenë vetëm një herë dhe nuk përmend fare mongolët, ujgurët dhe aspektet jo-të krishtera të historisë së shtypshkrimit. Në të vërtetë, ajo nuk e shpjegon fare se Bibla e Gutenbergut nuk pranohet në të gjithë botën si libri më i rëndësishëm në histori. Ashtu si nuk shpejgon se nuk janë kopjet e Biblës librat më të vjetër të krijuar me shkronjat e lëvizshme që ekzistojnë edhe sot – megjithëse lexuesit mund t’i krijihet kjo përshtypje nga “Gutenbergu i humbur”.

    Përkundrazi, libri më i hershëm i shtypur me shkronja të lëvizshme është libri me autor korean Baegun Hwasang Chorok Buljo Jikji Simche Yojeo (“Antologjia e mësimeve Zen të priftërinjve të mëdhenj budist”). Ajo daton në vitin 1377 dhe ka shërbyer si pikënisje e studimeve për origjinën e shtypshkrimit me shkronja të lëvizshme.

    Koreja e sheh këtë libër dhe vëllimet e tjera antike si pjesë e krenarisë kombëtare sepse ato renditen ndër librat më të rëndësishëm. Por vetëm kohët e fundit, kryesisht në dekadën e fundit, pikëpamja e tyre dhe fakti që aziatikët krijuan teknologji shtypi shumë më herët kanë filluar të pranohen. Shumica e autorëve që e pranojnë përfshin edhe Davis-in, e cila nuk pranoi të intervistohet me arsyetimin, “Kam frikë se s’kam çfarë të them tjetër për temën e shtypshkrimit në kohëra të lashta” – ashtu si autorët e tjerë, ende nuk e di historinë e plotë.

    Përktheu Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË