“Aty ku ka ndryshime dhe përplasje, aty ka edhe ngjarje, e pikërisht nga këto ngjarje marrin shkas të gjitha këto shkrime”
I.
Poliandër Mele u ngrit nga tavolina e një taverne gjysëm të braktisur buzë Adriatikut me një libër në dorë dhe u drejtua për nga biblioteka. Libri nuk e kishte tërhequr aspak edhe pse kishte ndenjur me orë të tëra në atë tavernë me pamje nga horizonti i thellë. Ashtu të thella ishin disa gjëra që bluante në mendje. Pasi të dorëzonte librin në bibliotekë do shkonte të takonte mikun e tij Petraqin, i cili i kishte folur për një tjetër libër të ri që kishte filluar të qarkullonte në qytet. Po çfarë lidhje kishte ky libër me tavernën e tij? Këtë priste t’ja shpjegonte ai miku i tij që e kishte futur në këto gjëra të mendueshme dhe njëkohësisht të çuditshme.
Në qytet gjithashtu qarkullonte në gazeta një lajm me një tavernë të lashtë romake dhe me një foto e me ca shpjegime të tjera. Kështu që Poliandri, sapo mbaroi punë në bibliotekë dhe i tha “mirutakofshim” asaj punonjëses së buzëqeshur dhe me edukatë, kaloi menjëherë nga pika e shitjes së gazetave që të gjente fillimisht atë artikullin e çuditshëm. Sapo mori gazetën në dorë dëgjoi një zë nga pas.
– Ec pra mo, se kam gjys ore tu t’prit. Ec tashi ta pim i kafe!
Ishte Petraqi me një libër në dorë. Libër i çuditshëm, dukej që nga kopertina. Pasi u ulën në një lokal modern, në rrugicat e qytetit antik, në një tavolinë ku binte hija e një qeparisi më të gjatë se ndërtesa trekatëshe, i thërritën kamarierit:
– O çuno, ec na bjer dy kafe ene dy raki, se kena ca muhabete të reja me bo!
– Ky është libri, – i tha, – për të cilin të tregova. Kurse në gazetë është artikulli.
Ishte i njëjti autor!
II.
Pas disa ditësh, Poliandri rrinte të tavernën e tij të preferuar, me pamje nga horizonti. E kishte lexuar disa herë librin, madje kishte bërë edhe nënvijëzimë. Në rrugicat e Dyrrachiumit antik kanë kaluar njerëz të ndryshëm, të çuditshëm. Bashkë me to, të çuditshme edhe të ndryshme kanë qenë edhe mendimet që ato mbanin. Por jo kaq i çuditshëm, sa shkrimtari për të cilin fliste ky libër, i shkruar nga një shkrimtar po aq i çuditshëm, i cili fliste për ngjarje por njëkohësisht edhe për taverna. “A thua se kjo ishte taverna e tij. Le që ç’i duhen tavernat atij!” Ngushëllohej që kjo të paktën nuk ishte ajo taverna e fotos mbi artikullin që pa në gazetë, edhe pse peshkatari që sillte peshkun aty ishte i njëjti. Do të ketë ndryshuar diçka.
Aty, ai kishte mësuar që ky shkrimtari i çuditshëm paskësh pas shkruar për amanete, fisnikë dhe horra, pyje dhe ahe. Kish shkruar për të gjallët e të vdekurit, që nga Dantja e të tjerë, përtej mitologjisë deri në problemet më aktuale të pajtimit dhe mashtrimit. Për këto shkrime madje kishte marrë edhe tituj nderi dhe ishte bërë pjese e një legjioni. Madje këtu kishte luajtur rrol të rëndësishëm edhe karakteri i tij ushtarak me eksperiencë pasi vinte nga një prejardhje luftarakësh me tituj nëpër luftëra dhe beteja. Nga këto të fundit kishte marr shkas që të botonte mjaft ngjarje me tregime dhe romane me pushkatime, arratisje e rrëfime. Po kush do ti kuptonte këto po të mos kishte jetuar në kohëra të vështira ndryshimesh të sistemeve apo të kulturave. Gjithmonë, aty ku ka ndryshime dhe përplasje, aty ka edhe ngjarje, e pikërisht nga këto ngjarje marrin shkas të gjitha këto shkrime. Pothuajse ashtu, siç ishte shkruar dikur në një libër: “Meqenëse nga fronet vjen errësira, le të vijë nga varret drita!” Si erdhi drita për Shën Françeskun e Asizit që kishte mësuar këngën e zogjve, apo për Aristofanin që shkruante komedi për kafshët.
Kamarieri kishte sugjeruar një gjellë të veçantë mesdhetare, një tavë me bamje të pjekura në furrë me dru. Kurse për verën mendonte se vetëm në plantacionet e rrushit te një kepi me emrin e hyut të detit, Rodon, mund t’i sillte atë shijen e freskët dhe të ëmbël. Kjo lloj trullosjeje nuk dihej të ishte provuar në vendet e ftohta, ku dita është e shkurtër dhe dielli mezi del. Kjo karakteristikë dehëse fillesat e saj mund ti ketë patur edhe përpara se këtë mrekulli ta kishte zbuluar vetë ciklopi Polifem, siç e kishte përshkruar Homeri në këngët e Odisesë. Padyshim që ky i fundit, duhet të ketë qenë tavernaxhiu më i madh i Mesdheut, pasi u end për vite me radhë brigjeve, nga një cep në një cep tjetër, duke ngrënë peshqit më të freskët që kapte në det. Ndryshe nga udhëtimet e Odiseut, udhëtimet eseistike të shkrimtarit të tavernave, zbulonin anë të tjera të vendeve dhe ideve që ato nxirrnin në pah. Ato dinin të ruanin origjinalitetin dhe tradicionalen, njësoj si tavat e pjekura me erëza dhe shije pikante. Kurse sot tavën e peshkut dinë ta ndryshojnë sipas kulturave të reja apo stileve të bakalasë.
Tani shkrimtari i tavernave kishte shkruar një libër për shkrimtarin tjetër të çuditshëm. Por edhe ky i çuditshmi kishte shkruar për njerëzit e qytetit antik dhe ngjarjet që ishin zhvilluar këtu, për ndryshime të brezave dhe të kulturave. Për këtë arsye një grup studiuesish dhe shkrimtarësh të rinj të Dyrrachiumit e kishin cilësuar këtë shkrimtarin e çuditshëm si një humanist të madh dhe e kishin emëruar si kryetarin e lidhjes së shkrimtarëve dhe poetëve të rinj.
Madje një herë, këta të dy së bashku me botuesin e tyre kishin nisur një udhëtim. Kishin marrë me vete edhe një shkrimtar të ri, që sapo kishte botuar një libër me dinozaurë dhe aventura. Pasi i ranë vendit kryq e tërthor e nuk gjetën asnjë shenjë apo fosil, atëherë ata të katërt ia mbathën e përfunduan në veri. Atje, pasi kishin dorëzuar disa libra të rinj në librarinë qendrore, ishin ulur më pas në një qebabtore allaturke mesjetare. Këto gjëra ja kishte treguar Petraqi.
– Por asnjë qebaptore, nuk krahasohet me tavernat e Mesdheut! – i kishte thënë Petraqit shkrimtari i tavernave. – Paska qenë dikur një barake, ku bufisti ishte peshkatar dhe një profesor aty jepte mësime për poetë me shumicë. Por pasi bufisti peshkatar e kishte përzënë profesorin, një tjetër poet me kollare të trashë i kishte thirrur nga larg: “E mër profesor, ku e ke baraken!”
III.
Në tavernën e tij me pamje nga horizonti, Poliandri rrinte gjysëm i dehur dhe nuk e kuptonte sesi mund të krahasosh tavën e peshkut me kebape, hallalle, sufllaqe apo kultura të tjera të orientit të thellë, me specifika të tjera por të papërshtatshme për shijet e tija bregdetare. Këto çudira mund të ndodhin normalisht në qytete kozmopolite, aty ku ndërthuren kulturat me kultet, vlerat me rrënimet, kebabet me peshqit e freskët dhe tavernat me gjellëtoret. “Ndihet mungesa e detit në ato gatime të rënda,” – mendonte, – “ndihet mungesa e hyut të detit. Duket qarte se ky hy i mban me hatër banorët e tij, duke i treguar marifete të shijeve dhe hijeve. Ku ka hije ka dhe shije.” Pamja e horizontit të tij ishte nga perëndimi!
“Ky shkrimtari i çuditshëm, që paska shkruar mbi shtatëdhjetë libra, paska mbledhur në një libër të veçantë shkrime nga mitologjia me të cilat dinte t’i interpretonte këto sjellje dhe ngjarje të miteve dhe të njerëzve. Edhe pse ato do të konsideroheshin si gojëdhëna, brenda tavernave çdo legjendë do të kthehej në të vërtetë dhe çdo e vërtetë do të lëshojë lëngun e saj me të cilin ushqehet shpirti i lirë dhe i pamposhtur. Ky lloj transformimi që i bën taverna të vërtetës është magjik dhe kjo është magjia e tavernave. Këtu çdo shkrimtar shpesh herë do të interpretohet ndryshe. Por ne s’mund të analizojmë çdo interpretim në detaje të pa analizueshme, pasi rrezikojmë të humbasim magjinë. Ne nuk jemi as shkencëtarë të sprovuar dhe as manipulues të fshehur. Ne jemi shijues dhe kërkojmë burimin e shijes. Përderisa shija e kësaj magjie na deh, atëherë çdo bletë duhet të ushqehet me nektarin e saj dhe mjalti që prodhohet në mënyrë të pashpjegueshme do të jetë padiskutim çudibërës.”
– Ec pra mo, se kam gjys ore tu t’prit. – Si gjithmonë, ishte Petraqi. – O çuno, na bjer nja dy raki, se kena ca muhabete të reja me bo!
Dyrrachium
15 Shtator 2021
*Pol Milo është autor i librit “Shtegtimi i dinozaurëve fluturues”