Persiatje mbi romanin “Varret” të shkrimtarit Erjon Muça
Thuhej se Poliandër Mele i paskësh thënë mikut të tij Petraq Bubarit, se një studiues fatsjellës, nga një qytet antik i rrënuar në brigjet e Mesdheut perëndimor, i paskësh dhuruar një libër kryetarit të shoqatës së po asaj bashkësie njerëzish që ishin autoktonë.
Ky libër, i cili fliste për tre breza të tërë që kishin jetuar mbi ato toka apo kodrina, paskëshin takuar edhe paraardhës të kryetarit. Deri diku ky paska qenë në dijeni, por donte të dinte ende më tej. Ndoshta do duhej zbuluar mbi rrënjët apo “Varret” siç quhej edhe ky libër apo ndoshta edhe më tej, të zbulohej mbi bazën autoktone të kësaj prejardhje. Jo se Poliandri i dinte mirë këto gjëra, por gjatë diskutimeve me Petraqin diçka edhe e kishin zbardhur.
Në një qytet të Italisë jeton një shkrimtar që është po aq autokton sa vetë njerëzit që jetojnë në bashkësinë e Mesdheut perëndimor, por që rrefimet e tij i kishte mbledhur dhe kamufluar në trajtë romani, që nuk ka historian që mund ti krijojë.
Duke qenë se kryetari interesohej për çështje të rëndësishme, ai u habit por njëkohësisht u mendua sesi miku i tij studiues fatsjellës kishte qenë në dijeni dhe në zotërim të këtij romani. Bashkë me librin paskan ekzistuar në qytetin antik të rrënuar mistere dhe sekrete me prejardhje të panjohura. Jo vetëm mistere dhe sekrete të okultizmit dhe të astrologjisë, por më tepër të teknikave artizanale të prodhimit dhe të përpunimit të produkteve dhe të sendeve. Një mister i tillë thuhej se ishte edhe një teknikë e përpunimit të lëkurëve.
Disa banorë me prejardhje nga malësitë të quajtur lumjanë, kishin sjellë delet dhe dhitë e tyre në ultësirat bregdetare. Pas ritualeve të therjes dhe marrjes së mishit, lëkurat i liheshin vendasve. Duke qenë pranë kriporeve të shumta, kishin zbuluar se në kriporet e Dajlanit, siç quhej zona aty pranë, lëkurat e deleve dhe të dhive regjeshin nga dielli mesdhetar i përzier me kripën e detit duke u kthyer kështu në produkte të kësaj punishteje të teknologjisë së mirëfilltë.
Më pas këto lëkura shiteshin dhe transportoheshin me anije nga porti drejt e në perëndim. Tregtarët e vendeve europiane i blinin ato për t’i përdorur, por pa e ditur dhe pa e shpjeguar misterin sesi arrinin ta merrnin atë cilësi. Kurse mjeshtrit që kishin zhvilluar këtë teknikë të mistershme përpunimi kishin filluar të quheshin punues të lëkurave nga delja e dhia. Vetëm këta mjeshtra mund ta arrinin këtë cilësi.
Por cili ishte ky sekret kaq i panjohur që ata kishin zbuluar!? Dikur thuhej se nje astrolog nga orienti kishte nxjerrë një sekret të ngjashëm nga yjësia e dashit, por gjithashtu mendohej se edhe një tjetër zbulim do të kishte ardhur nga yjesia e peshqve. A thua peshqit të mbanin sekrete?! Po, paska qenë e vërtetë, ky sekret paska ardhur nga peshqit. Në një vend bregdetar, çdo gjë pritet të vijë nga deti, ashtu siç kishin ardhur disa peshq të një thellësie të njëjtë, nga një rryme e ngrohtë detare. Këta peshq kishin në kurrizin e tyre shenja si të zebrës, vija-vija, që peshkatarët i kishin dalluar.
Ky lloj peshku kishte marrë emrin “Skumër” dhe peshkatarët e kishin tharë atë. Në të njëjtën mënyrë kishin vepruar edhe me lëkurat në kriporet e Dajlanit, duke i tharë sipas thatësirës ose lagështirës stinore përzier me nivelin përkatës të kripës. Teknika ishte aq shumë e zhvilluar saqë kishin filluar të shpjegonin dukuritë e ndryshimit të motit dhe të lagështirës së ajrit vetëm nëpërmjet zgjerimit apo tkurrjes së lëkurave.
Tregtarët në perëndim s’kishin sesi ta kuptonin këtë dukuri ndaj dhe kjo interpretohej si një lloj enigme e pashpjegueshme mbi zgjerimin apo tkurrjen e tyre. Ato kishin lexuar vetëm per tkurrjen diabolike të lëkurës së shagrenit që ndiqte dëshirat e një shoqërie të orientuar nga pasuria dhe dëfrimi i çthurur. Horrat e shoqërisë së lartë kishin shtrirë zotërimet e tyre mbi pasuritë dhe pronat shekuj më parë, kur morali në brigjet e Mesdheut perëndimor ishte në zhvillim. Ato kishin kujtuar se kishin pushtetin e gjithësishëm, madje edhe mbi virtytet e natyrës dhe universit. Por ato ende nuk kishin kuptuar misteret e përtejme, ndaj po rrudheshin si lëkurat e tkurrura e të thara të egos së tyre përtej dëshirave dhe pasioneve.
Këto gjëra nuk shkruheshin qartë në libër dhe shkrimtari që jetonte në Piza i kishte shpjeguar shkarazi ato, pasi nuk mund ti rikthej zbulimit të sekreteve të lëkurave, sikurse shkrimtari tjetër që kishte pas shkruar në mënyrë më të thelluar për sekretet dhe lëkurat e shagrenëve në librin e tij. Të gjithë kujtuan se kishin zbuluar gjëra që kishin të bënin me këto mistere, por nuk po arrinin ende të konkuldonin për çështjet që kishin të bënin me prejardhjen e tyre autoktone.
Gjynah që ai shkrimtari i lëkurave dhe i shagrenit nuk foli kurrë për mjeshtrat e Kazazëve, Deliallisëve, Kacanëve apo Karagjozëve. Këtë do ta bënte dikush tjetër, shekuj më pas.
Këtë vijonte të diskutonte Poliandri ndërsa miku i tij Petraq po thonte se ai studiuesi kishte zbuluar në librin e shkrimtarit nga Piza një ekuacion të padukshëm, që barazonte rrënojat e qytetit antik me varret e njerëzve! Ndryshe nga shkrimtari i lëkurave të shagrenit që rrënojat e njerëzve dhe të shoqërisë aludonte ti groposte nëpër varre, ky shkrimtari i ri dukej sikur varreve i jepte jetë, i jepte kuptim. Këto paradokse dihet që krijojnë tronditje nëse lihen të lira të përhapen masivisht. Por duke qenë se tronditje njëra pas tjetrës filluan të ndodhnin se fundmi në qytetin e rrënuar, duket sikur çështja e varreve, lëkurave dhe mistereve ishte lënë në hije.
Tharja e lëkurave ishte vetëm njëri nga misteret që Poliandri dhe Petraqi kishin zbuluar. Kurse kryetari do të gjente aty jo vetëm këtë, por edhe një pjesë të historisë së dy shekujve të fundit të autoktonëve të lidhur me këto mbiemra, që përdoren e ruhen ende dhe sot.
Këto gjëra Poliandri i pohonte ndonjëherë në heshtje, kurse miku i tij Petraq kishte insistuar që të mos harxhonte shumë kohë dhe energji me të pazgjidhshmet por të merrej edhe me të zgjidhshmet. Kurse zgjidhshmet ishin gati aty. Dy gota me birrë të freskët u ngritën në tavolinë, u dëgjua një trokitje e lehtë dhe më pas disa gllënka.