More
    KreuLetërsiShënime mbi libraPoezia e Andoni Fostierisit

    Poezia e Andoni Fostierisit

    Një nga filologët më të spikatur grekë, Ioanis Sikutris (1901-1937), ia përkatësoi jetës poezinë, duke përshkuar vetë jetën e tij të shkurtër si një kalim poetik midis dritës dhe errësirës. Iu referuam si shembull këtij personaliteti tragjik, sepse jetoi si poet, i rritur në skëterrën e skamjes, duke zbuluar me forcat e tij dritën – një dritë të shkëlqyer, dritë verbuese – dhe duke përzgjedhur të zezën si kapërcim të një të përditshmeje të përcaktuar nga jashtë, meskine e të ulët, të një jete që hiqte poezinë, e shkëpuste nga jeta reale.

    Poezitë e poetikës, siç është bërë zakon të emërtohen nga teoricienët e letërsisë, janë diçka që del nga thellësia e shpirtit të krijuesit, duke tërhequr e distancuar shqetësimet e tij ekzistencialiste, duke zgjuar aspekte të fjetura të artit të tij të fshehtë. Janë rrëfime ankthesh deprofundis. Bëhet fjalë për dëshirën e pashuar të këtyre profetëve të veçantë për të zbutur fantazinë e për të formësuar me fjalë ligjërimin e brendshëm, të pashprehur e të parrokshëm, të përcaktojnë, gjithashtu, fuqinë magjike të poezisë si modus vivendi, si rregullator i marrëdhënies midis qenies dhe mosqenies, si pararendës, përfundimisht, të kalimit nga e “këtushmja” e palëvizshme në të një “të përtejme” të papërcaktuar e të pakohë.

    Bëmë një përshkrim të përgjithshëm për të vendosur poezitë e botuara në këtë libër të Andoni Fostierit, njërit prej poetëve më të njohur, sidomos nga më elegantët e njëkohësisht më të kultivuarit e poetëve të brezit të viteve ‘70. Bëhet fjalë për të përdorur një shprehje të tij të përzgjedhur për poetët grekë që sot gjenden afro të shtatëdhjetave dhe që u identifikuan, me dallime të theksuara sipas rasteve personale, me kontenstimin dhe reagimin, sa kundër regjimit diktatorial në Greqi (1967- 1974), aq edhe, mbi të gjitha, me përballjen kundërshtuese me sistemin pasdiktatorial, i cili  zhgënjeu të rinjtë me cektësinë, por edhe me veprimet që e ushqyen në kohë lëvizjesh progresiste, shqetësimesh e ndryshimesh në rang botëror.

    Paralelisht në këtë përshkrim hyrës, u përpoqëm që të dalë në pah shqetësimi i thellë i poetëve, si Fostieri, rreth marrëdhënies poezi-jetë, të poezisë e cila, bazuar në teoritë kozmologjike të lashta e të sotme, endet në fillesat e errëta e të pashpjegueshme të botës dhe hulumton fundin akoma më të errët, e pashprehur, e pakonfirmuar me sistemet e shumta qetësuese të përkohshmërisë njerëzore, duke lënë ndërkaq të dallohet kotësia e njeriut  mburravec apo jokompetent që këmbëngul për të parë kohën e ndërmjetme midis lindjes e vdekjes, që përbën jetën e tij, si diçka e përzgjedhur, duke injoruar faktin që ngjyrimet e theksuara tokësore të çastit e të papërfillshme për rregullsinë universale e të patrazuar nuk janë asgjë më shumë sesa ndarja e së zezës, së zezës me kushtet e natyrës që prodhon këtë shumëllojshmëri ngjyrash false, e cila risintetizohet qëndrueshëm në formën e saj të errët fillestare.

    E parë në mënyrë sintetike, poezia e Andonis Fostierit paraqet “Udhëtimin tonë të madh”, me pikë fillese Asgjë-në dhe me mbërritje tek e njëjta Asgjë, me destinacione të pasigurta, të pakonceptueshme nga mendja njerëzore, që këmbëngul të vetëzhgënjehet, duke përbuzur ligjin që rregullon në mënyrë shpirtërore e joshpirtërore. Në këtë rast bëhet fjalë për realizimin e tij të veçantë, aspak materialist, dramatikisht të vërtetë dhe mjerisht bindës. Pikërisht ky vështrim miratues i botës përbën origjinalitetin e tij dhe e bën veprën e tij shumë njerëzore, “padurueshmërisht” njerëzore. Jetë me njohje të përkohshmërisë dhe kotësisë, me vetëdije të thellë për fundin, por edhe luftë për pasqyrimin e këtij fundi, vetëm si ankth i padurueshëm mund të kuptohen nga njeriu mosveprues. Kjo ngarkesë emocionale e poezisë së Fostierit me origjinalitetin e saj të ngrysur veçon pozicionin e tij sa nga nihilistët aq edhe nga utopistët e nga vizionarët e së pamundurës.

    Rastësia, herë e ngulitur  midis veprimeve tona e herë e fshehur pas çasteve të bukura kalimtare, apo intuita e një agnosticizmi kontradiktor që shpon të panjohurën me shpresën e kotë të njohjes së mendimit josubjektiv, e bëjnë jashtëzakonisht dramatike poezinë, më drejt, sistemin poetik të Fostierit. Sepse i gjithë rrugëtimi i tij është i orientuar, është i menduar, është i evoluar drejt Asgjë-së, drejt pafundësisë, dhe madje nga thonj të butë, d.m.th. nga disproporcionaliteti i pjekur rinor i simbolikës tek “Të familjes së Harpieve”, të këtyre përbindëshave fluturues “të pamëshirshëm”, tek e cila janë spermatikisht dukshëm hiperrealiste teoritë e tij, e deri te poezitë e tij të fundit, ku boshllëku i madh e i pazgjidhur i jetës së shkurtër na udhëheq përzishëm në njësimin e jetës me vdekjen, në barazimin e ekzistencës me mosekzistencën:

    Zefiri i verandës së gurtë

    Na solli përsëri zogun e papërshtatshëm

    Me thonj të argjendtë brenda në dhomë

    para se të buçasin akoma

    retë që vetëtinë

    E ndjeva

    Konkretisht në një sqep kockor

    Të gdhendë vendime të dhimbshme

    Dhe ekuacione me rrënjën e zeros apo të infinitit

    Mbi sipërfaqen e materies sime gri.

    “Vendime të dhimbshme dhe ekuacione me rrënjën e zeros ose të infinitit” ishin të gdhenduara qysh herët në mendjen e poetit, kur ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç, kur thurte poezinë e mësipërme, programatike, sipas mendimit tonë, deponim i hershëm për çka u formësua me kohën në një të tërë, në formë të plotë bioteorike e poetike, shpirtërore e trupore. Me një apati të qetë dhe turbullimin për ironinë e tij fine – aliazh  konsensusi gjakftohtë dhe këndvështrimi me përvojë – do të shkruajë në një nga poezitë e tij të fundit për mundimet e kota shekullore njerëzore për të provuar të paprovueshmen, duke shënuar kuptimin për fundin. Titulli i saj karakteristik: “Ç’poezi”, dëshmi e rëndësisë themelore që ka për poetin si prijës i jetës, si vetëvlerësim, si ngushëllim apo ars poetica:

    Nëse nuk ekzistonte,

    Nëse vërtet nuk ekziston

    Një jetë e dytë,

    Nëse të gjitha fillojnë e përfundojnë në tokë

    Në tokë i mbjellë

    E i pambjellë

    Me një frymë shpirti jep shpirt

    Atëhere ç’mrekulli fantazie

    Ç’poezi

    Ato asfodele në vend freskie

    Udha e bekuar

    Libacione e bukë e bekuar

    Para piedestalit

    Të së madhes Asgjë

    Mbi greminën

    E Zbrazëtisë së pashtershme.

    “I pambjellë, me një frymë, shpirti jep shpirt”. Nuk bëhet fjalë për oksimor, por për sentencë heraklitiane, e zbuluar që në kërkimet spermatike të poetit, d.m.th. te poezia “Të familjes së Harpieve”: “Udha nga lart a nga poshtë është po ajo”.

    Iu referuam karakterit paramitik të poezisë, për të theksuar se Fostieri nuk është poet pesimist, Asgjë-ja e madhe së cilës i referohet nuk përbën formë dëshpërimi e as pranim të dorëheqjes. E trishton fakti se edhe poezia tërhiqet zvarrë dhe qëndron pezull në këtë hon të zbrazëtisë së papërcaktuar, se është e dënuar në Asgjë-në e saj. Pavarësisht këtyre, ndërsa zbërthen edhe atë, me dashje ose jo, i beson si mbështetje e vetme, si mjet lehtësimi çlodhës gjatë kohës së kalimit tonë për atje. Si njeri është dukshëm i dobët që të mos shikojë brevitatem vitae, por shumë i fortë si krijues duke mos devijuar të vërtetën e hidhur, përpjekjen dëshpëruese të njeriut për të fituar mbi kohën e ndërtuar në masën e tij. E këtë të vërtetë shëron.

    Fostieri jeton bindshëm si poet i vërtetë – e ka realizuar duke lënë mënjanë karrierën e tij të pasur si jurist. Është nga të paktët e përkushtuar, jeton brenda poezisë, duke zbuluar vazhdimisht rrugët ku shkelën hapat e saj. Titullimi i njërit prej vëllimeve, Poezi brenda Poezisë e quajti, që në kohën e formimit të tij (1977), nuk përbën rastësi. Njohës i traditës poetike greke dhe asaj botërore, si dhe prodhimtarisë së sotme, i mirinformuar në vazhdimësi nga ana gramatologjike, e ka shndërruar funksionin poetik në çlodhje serioze, në strehë, në mënyrë joshëse jetese, duke veçuar idenë nga rezultati, frymën nga forma, Poezinë me germën nistore të madhe nga poetika e nga poezia. Me këtë mendim e lamë të duket qartë që në fillim se poezitë e tij nuk mund të klasifikohen thjesht në termin ideologjik “poezi të poetikës”. Shumë përtej kësaj, e shqetëson, e mundon, do thoshim, me kuptimin e lashtë të fjalës, funksioni i papërpunuar i trurit që lind në bashkëpunim me ankthin e mundimshëm të poetit, si një mami për suksesin e lindjes, fakt ky që korrespondon me hapjen e atyre poreve të vogla, të cilat nuk do interpretojnë të painterpretueshmen, por, të paktën, do japin njëfarë kuptimi në ekzistencën tonë në këtë botë paradoksale.

    Poezitë që përfshihen në këtë vëllim përbëjnë një udhëtim të shkurtër, por gjithëpërfshirës në poezinë dhe poetikën e Andoni Fostierit. Vijnë nga të gjitha vëllimet e tij, argument i studimit të thellë të tij për rëndësinë e rolit të Poezisë në jetë. Pasqyrojnë mënyrën se si vëzhgon poetikisht jetën, nga anët e thjeshta të përditshme të saj e deri te shqetësimi i njeriut të sotëm, për fatet e papërcaktuara të tij dhe zhytjen filozofike në thellësitë e pakufishme të qenies, me qëllim që një cilësi e tillë ta shoqërojë e ta pajtojë me vetminë e tij prometeiane, pa e shtyrë drejt fushave të rreme që e bëjnë të padurueshme. 

    Poezia e Fostierit është shumëplanëshe. Dashnor i së pakufishmes dhe  interpretues i së pafundmes dhe shumanshmes, nisur nga bërthama e fortë shtrihet drejt plotësimit të saj, i angazhuar me anët e shumta të saj, të dhëna mes poezive të tij, si proces i idesë, si nevojë e të shkruarit, si funksion shumë i rëndësishëm, si aplikim i  natyrshëm, si gjuhë, por edhe si përjetim pa dijeninë e saj, si objekt erosi dhe admirimi, por edhe sarkazme e urrejtjeje, si kamerë zmadhuese e një pamjeje të tjetërllojtë, si energji jetësore që tejkalon vetveten, si një fuqi shpërthyese që djeg dhe vetëdigjet. Dhe këto si cilësi të pjesshme, me mendjen të kthyer në mënyrë konstante tek tërësia e saj solide.

    Përkthimi nuk e ka të lehtë të sjellë gjetjet gjuhësore, poliseminë e fjalëve, humorin e hidhur dhe përdorimin aluziv të gjuhës së poetit, gjithmonë në altarin e qartësimit të funksionimit të hollë të këtij ligjërimi, sa në intelektin aq edhe në kujtesën e njeriut. Fostieri është mjeshtër i shkëlqyer i gjuhës dhe përdorues i ndjeshëm i saj. Shkathtësia e mprehtësia e fjalës së tij nuk është një çështje e lehtë përkthimore. Ndërkaq, edhe lexuesi i huaj do ta konstatojë këtë diversitet të dhënë nga një njohës i gjuhës greke dhe shqipe si z. Vangjel Zafirati. Por kryesisht do ndihmohet  për t’iu qasur përmbajtjes universale të poezisë së tij, të hyjnizimit nëpërmjet kësaj Poezie me P të madhe si një dhuratë hyjnore mistike, pikërisht falë supremacisë së tij gjuhësore.

    “Savan i mirë poezia”, pohon me të drejtë poeti në një nga poezitë e tij të para në këtë vëllim; qefin, d.m.th. që “mbështjell” të vdekurin në varr. Është ngushëllimi kundër kotësisë, e cila nuk zgjidh në thelb asnjë problem tonin ekzistencial, thjesht e sposton. E bën njeriun të pavdekshëm në një përpjekje për ta shpëtuar e të vdekur me mënyrën që Simonidi dorëzoi në kujtesën tonë të vdekurit e Termopileve: “Këtyre heronjve/ emrin, nderin dhe lavdinë / nuk mundet t’ua errësojë as koha gjithënënshtruese”.

    Fostieri, e përsëritim, lëviz i baraslarguar nga mesi, zbret duke ngjitur dhe pret të papriturën.

    Tek të vdekurit e dashur funeral të shkëlqyer bën Poezia

    Me solemnitet edhe shkëlqim mitik

    I varros thellë. Përshëndet me muzikë.

    U hedh kurora, një pllakë të ftohtë,

    Pas vargjeve kortezhi i pafund

    Dhe sipër një Histori epitafike…

                                 nga Theodhosis Pilarinos 

     Profesor Nderi i Letërsisë Neohelenike

     Gusht 2019

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË