I përktheu nga origjinali: Agron TUFA
Shiu
I kushtohet Papa Gjon Palit II
Shiu bie,
e na thonë, se Zot s’ka! –
tha një plakë e viseve tona,
teto Vara.
Ata që thanë se Zot nuk ka,
ndezin tash qirinj,
porosisin lutësorë,
u shmangen të pafeve.
Teto Vara rri shtrirë në varrezë,
e shiu bie,
i madh, pjellor, pajadá,
bie e bie,
kujt në derë s’i troket.
Nga libri “Këngë të vjetra”
1. Fyerja
Ç’është me ty, moj fyerje e ligë?
Unë dremis e ti s’mbyll sy,
Unë hap sytë – ti zgjuar qëkur.
Dhe sytë m’i kall si një fallxhore.
Mos rreh t’më thuash kush më ka fyer?
S’ka të tillë, mbi ne të gjithë – veç Zoti një.
Kujt i duhet – Ai ia jep vullnetin,
Kujt s’i duhet – ia merr.
Mos jeta nuk më deshi?
Ah, s’është e vërtetë: më do e i dhimbsem,
më ruan në një vend të fshehtë
dhe më nxjerr, sapo të dojë
të më shohë, sikundër askush nuk di.
Ç’është me ty, fyerje e ligë
që para meje qëndron si një fallxhore?
Mos do të më thuash se kot po frymoj,
që fyej të sëmurët dhe fatkeqët?
2. Kali
Ecën udhëtari nëpër rrugën e errët,
ecën e ecën pa nguti.
Pyetmë, gjogu im, çka do,
pyetmë çka të duash e unë të përgjigjem.
Njerëzit kurrë nuk do të më dëgjojnë,
Edhe pa rrëfime Zoti di gjithçka.
Shumë, po shumë e çuditshme kjo punë:
Përse vallë zjarri digjet në dritë,
përse mesnatës i trembemi
dhe ndodh ndokush i lumtur të jetë?
Avitu ti, o kohë përdëllyese,
dehjen time rinore ktheje me fund,
hiqma thumbin e djalërisë
prej plagës së freskët përvëlimtare –
aherë më i mençur se të tjerët do të jem!
Kali nuk flet, por përgjigjet;
zgjatet e zgjatet udhë e pamatë.
Dhe i lumtur askush s’do të jetë.
Por të palumtur, gjithashtu, mbeten pak.
3. Fati
Kush vallë e diti ç’fat i ra për pjesë?
Ai ia qëllon – nuk e vëren.
Ndoshta dhe ti do të më kujtosh
kur për ty harruar do kem.
Dhe atëherë do të hyj pa ndjerë,
ashtu si të vdekurit vijnë tek të gjallët,
dhe do të të them se unë di diçka
që ti kurrë nuk ke për ta ditur.
Dhe mandej dorën ta puth
ashtu si skllavi zotnisë.
4. Fëmijëria
E kujtoj fëmijërinë e hershme
dhe gjumin ndër çarçafët e artë.
Shajni a e vërtetë të ketë qenë?
dikush më pikasi,
prej kopshti vrikthi mësyu
dhe u ndal buzagaz para meje.
– Bota, – më thotë, – është shkretëtirë.
Zemra e njeriut – është gur.
Njerëzit dashurojnë atë që s’e njohin
Por ti, mos më harro, Olga,
dhe unë kurrë s’të harroj.
5. Mëkati
Mund ta mashtrosh qiellin e lartë –
qielli i lartë nuk i sheh të gjitha.
Mund ta mashtrosh tokën e thellë –
toka e thellë fle dhe s’dëgjon.
Orakujt, fallxhorët dhe fallxhoret –
por vetveten dot s’e mashtron.
O, nuk e duan njeriun mëkatar
pasqyrat, dhe qelqet, dhe ujët e malit:
Aty gjaku i huaj herë vrapon si era,
herë spërdridhet si gjarpën i sëmurë:
-Nesër do të ngrihemi më herët,
do të shkojmë te fallxhorja me nam,
do t’i japim për mundin para,
që të na thotë
se asgjë nuk dallon.
7. Ngushëllimi
Mos qit fall për vetë vdekjen tënde,
as mos u gëzo që humbi gjithçka,
mos ço ndërmend si do të të qajnë,
si do t’i grijë ata keqardhja e vonë.
Ky është një ngushëllim i keq,
Një argëtim fyes për tokën.
Më mirë thuaj e mendo:
çfarë po lëbardh në atë mal të blertë?
Në malin e blertë kopshtijet lodrojnë
dhe gjer buzë ujërash mbërrijnë,
mu si qengjat me dajre të arta.
Qengjat e bardhë në malin e blertë.
E vdekja do vijë, pa pyetur askënd.
8. Grindja
A mos pak po gjalloj në këtë botë?
e tmerrshme ta thuash se sa.
E prapë kjo zemër nuk ma deshi veten.
Përpëlitet si një rob në qeli, –
e në prezore çfarë s’të shohin sytë!
Pati folë njëherë një plakë:
-Mirë e ngrohtë është në këtë botë të Zotit.
Mu si bizelet brenda bishtajave
frymojmë ne në dorë të Perëndisë.
Dhe gjithkujt t’i lutesh – nuk kthehet.
Dhe çfarë të shestosh – s’e përmbush.
E t’i gëzohesh kësaj zemre,
mu sikur zogut në kafazin e shkruar
farëra t’ëmbla t’i kenë hedhur –
nuk është, aspak, dhuratë e kotë!
Tunda kokën, po me vete thashë:
-qepe ti, moj plakë e rrjedhur.
Gjithçka bën vaki, e vakia s’ka të sosur.
10. Fjala
Dhe ai që do të dojë, atë do ta duan,
ai që do shërbejë, atij do t’i shërbejnë –
jo tani, herëdokur, më vonë.
Po më i lumë ka me qenë i falenderuari,
ai që pasi ka shërbyer, do të shkojë pa Rakelën
zemërdlirë nëpër kodrat e blerta.
fjalë, o ti petk mbretëror,
fustan i shkurtër i durimit të gjatë –
më e lartë se qielli do të jesh,
më gaztare se dielli.
Sytë tanë nuk do t’i shohin
ngjyrat e të shtrenjtit tënd,
fëshfërimat e palave të tua të gjera
nuk do t’i ndjejë veshi i njeriut,
Vetëm zemra vetë vetes do t’i flasë:
-je e lirë dhe e lirë do të jesh,
para skllevërve s’ke asnjë borxh.
3. Gruaja e pabesë
Ç’prej asaj dite kur ktheve në shtëpi
dhe në sy nuk më sheh
brenda meje gjithçka u përmbys.
Mu si ai qeni i sëmurë
që ka tre ditë shtrirë, heq shpirt –
ashtu dhe shpirti im rënkon.
Mëkatarit gjithë bota i del krah,
e të pamëkatit – veçse mrekullia.
Mrekullinë paça dëshmitar!
Kallzoja, Zot, atij të vërtetën,
Kallzoma pafjninë time!
Atëherë qenushi, kjo kreatyrë e ngratë,
vrikthi shkundi kokën,
hareshëm asaj iu avit,
dorën ia lëpiu gjithë dhele
dhe ra përtokë i vdekur.
Di Zoti për njeriun
Çka mendja e robit s’e di.