Mihalis Pieris, krijuesi qipriot shumëdimensional u nda nga jeta këto ditë në Nikosia.
Poet, përkthyes dhe lektor universitar Mihalis Pieris lindi në Eftagonia (Qipro) në vitin 1952. Studioi filologji e teatër në Selanik dhe Sidnei dhe ka punuar si hulumtues dhe pedagog në shumë universitete e qendra studimore në Greqi, Europë, Amerikë dhe Australi. Është themelues i Greek Theatrical Workshop në Universitetin e Sidneit (1979) dhe i Studios Teatrore të Universitetit të Qipros (1997), ka përshtatur dhe vënë në skenë vepra të letërsisë mesjetare dhe të Rilindjes, si Kronikën mesjetare të Qipros të Leontios Maheras dhe Erotokriton,vepër rilindase e Viçenso Kornaros (Vincenzo Cornaro). Nga viti 1993 dha leksione poezie dhe teatri në Universitetin e Qipros.
Mihalis Pieris është një dijetar i njohur në shkallë ndërkombëtare i kulturës greke dhe letërsisë qipriote. Me kulturë dhe arsim të thellë humanist u shërben me ndershmëri dhe pasion letrave greke dhe ka hapur horizonte të reja për Qipron shpirtërore, se ka shkruar dhe botuar studime duke theksuar ndërkombëtarisht veprat-stacione të letërsisë qipriote. Ishte nismëtar për themelimin e Fakultetit Filozofik, Shkollës së Gjuhës Greke, të Qendrës Kulturore dhe Studios Teatrore të Universitetit të Qipros, të cilat i drejton prej shumë vitesh.
Mihalis Pieris është ndër hulumtuesit më të shquar të poezisë së Kavafisit dhe Seferisit, dhe ka dhënë një vepër themelore në fushën e hulumtimit dhe interpretimit filozofik. Vepra e tij letrare (poezi, tregim, teatër, përkthim, përshtatje) ka gjetur miratimin mbarëgrek dhe një shtrirje ndërkombëtare. Ai ka botuar njëmbëdhjetë vëllime me poezi dhe ka përkthyer poezi të huaj dhe dramaturgji antike greke. Vepra e tij poetike është përkthyer në shumë gjuhë, si në italisht, frëngjisht, spanjisht, rusisht, rumanisht, bullgarisht, në gjuhën angleze në Australi dhe në shqip. Sidomos në poezi shfaq një aftësi të veçantë dhe unike duke transmetuar mjeshtërisht dhe bërë universalisht të kuptueshme ndjeshmëritë personale, përvojat dhe ndijimet intuitive.
Ligjërimi i tij poetik është subversiv dhe konfrontues, dhe mbizotërohet nga një ndjenjë e lartë morali poetik, i cili është kundër çdolloj mekanizmi tjetërsimi. Në gjuhën poetike të Pieris poeti dhe kritiku Jani Varveris zbulon një aspekt kosmopolitizmi dhe një “disponueshmëri gjuhësore vezulluese: nga elementet fjalë deri te zhargoni, nga dialekti qipriot deri në dhimotikinë e rrjedhshme dhe nga toponimet e huaja gjer në leximin e respektuar të një guri antik, në një gjuhë që krijon valle shumëngjyrëshe muzikore që të tërheq nëpër ëndrrat ekzotike të udhëtimit dhe pasionit erotik”.
Petro Çerkezi
Poezitë janë shkëputur nga vëllimi “Metamorfozë qytetesh” botuar nga NERAIDA në vitin 2017 dhe përkthyer nga greqishtja nga Petro Çerkezi.
Në kafen e qytetit
Pjesën e fatit të viteve të mia e kam marrë.
Çfarë më takonte erdhi tek unë dhe iku.
Tani rri vetëm. As tymos as pi.
Rri vetëm në kafene. Libra të sapofilluar
dhe shkrime të lëna gjysmëshkruar
Tekste që s’mund t’i mbaroj kurrsesi.
Vitet e mia ikën, morën fund.
Fuqia e trupit, e mendimit ka shteruar.
Kufomë që rri në kafen e qytetit
vështron lëvizjen nga qelqi i mjegulluar
hutimshëm. Filxhani bosh i kafesë
mbi tryezën e lëmuar
që shkëlqen mbi mermerin e ftohtë
të akulluar…
Odiseane
(ose ndryshe: poema dhe gratë që dashurojmë)
Mjeshtëria ime këtu e një mijë
(ndoshta dy mijë) vjet
të ngul vështrimin në sytë e grave
rrobat e tyre tek bien dalëngadalë
t’i shoh lakuriq e gjysmëlakuriq
tek shkëlqejnë aromëdehëse. Mandej
t’i strehoj sundues për pak kohë
të jenë të gjitha gruaja ime
të më vështrojnë në sy si dëbora…
Sonte do të gatuaj atë që të pëlqen
do të të vesh për gjumë këmishë nate të bukur
pastaj do të varros duke të vajtuar si të vdekur
sepse të desha duke të urryer
si kohën që ikën. Ndaj të gdhirë
do nisesh përsëri e di.
Nuk do të zvarritem në derë me dënesë.
Tërheq me një litar anijen e errët
duke shpresuar në mjegullën e një bregu tjetër.
Shumica e njerëzve nuk të njohin. Shiu
rreh dritaret dhe uji shtëpitë e tyre
se ke fuqinë n’ avull të shndërrohesh
si mjegulla. Hap petale dhe komplote erotike
me belholla e shtojzovalle mpreh dhëmbin
në zhavorr të mprehtë, vjen dhe rivjen sërish
por nuk je më burri im. U dashka shumë kohë
të të njoh. Zëri yt është tjetërsuar
dhe fryma jote ngjan e huaj.
Është puna ime, thua përgjërimi
me aroma dhe ngjyra mëndafshi
dete të largët dhe lumenj
me valëzim të lehtë. Poema
ka lindur në shtegtimet e mia.
Ende pikon gjak grash të dashura
që shpuan gjoksin tim e zemrën
pastaj më hodhën në greminë
por mbeta gjallë. Por ato
humbën. Që të jetë kjo poemë.
Natë në Moskën e ngrirë
Të pagova dhe të preka duke belbëzuar
përpara çdo fjale dhe aroma dehëse
më çonte shumë larg vogëlush i njomë
në papafingon e errët, – ishe a nuk ishe prostitutë
u përkula dhe t’u fala për një çast
të mbajta lart dhe nuk mbeti atje
asgjë e shëmtuar, por vetëm bukuria
e paprekur e një kënaqësie bujare.
Gjersa mes mpirjes së thellë
çfarë bën o i marrë thirre dhe unë
duke u zgjuar vështrova nga dritarja
pashë dritë dritën e mbytur të qytetit
dhe kuptova. Nuk isha në shtëpinë
e braktisur në fushën e largët
por gjendesha në një greminë të lartë
kati i trembëdhjetë në Moskën
e ngrirë. Dhe kur m’u fanitën
lot në sy, ke sy të bukur më the
nga ata do të të kujtoj dhe tani
më duhet të shkoj dhe ike
dhe nuk të pashë më sërish
dhe nuk do të shoh më kurrë.Drejt Limasolit
Kur dashuria fillon diçka si kopsht
zhurmëron. Kur dashuria mbaron.
Ekzistojnë rrugë të largëta të mbyllura
pa komunikim. Rrugë që nuk të nxjerrin
asgjëkund. Të mbyllura dhe të pashkelura.
Diçka i detyrohem një rruge të tillë.
Kthesa natore të vreshtave që të sillnin
pranë meje dhe të prekja e më prekje
fshehtazi. Diçka si melodi mistike
e kënaqësisë, drithërimë që kujtesa donte
ta mbante ngrohtë që të rikthehet
pas njëzet vjetësh, të sjellë erën e lagësht
të jugut, dënesën mbrëmësore të trumzës
dhe spazmën e kurmit tënd, ndërsa
xhipi zbriste ngadalë drejt Limasolit.
Drejt Limasolit. Po e shoh tani nga lart
qytetin ku u rrita. Drita të zbehta
më udhëheqin në prehrin e tij lëngues.
Prostitutë e pagjumë më vështron, në shtrenjtësi
luksi dhe në shëmti mbytur
qyteti që kam dashur. Një qytet i huaj
kallp, qytet i shitur.
Por xhipi zbriste qetësisht nëpër natë
plot me miq nga e shkuara që asgjë
s’dëgjonin. Nga shkundja e tij dridhej brenda meje
pasioni. Puthja e fshehtë që përgatitej
lumë lumë i thatë që fryhej heshtur
dhe do shpërthente në çastin e pashmangshëm.
Kur ashensor i dëshirave
përgatit ngjitjen.
Dehje në BORDEUX
Do mbërrijmë me diell the dhe kështu ndodhi
dhe ujërat llamburitën me të vërtetë,
të mora dorën dhe hymë në qytet.
Duke shtyrë dallgët hynte deti
në lumin e thellë dymëngësh
në ditë gri rrotullohej rrota
në këtë qytet të harruar në shi
tek ngjitej kujtesa si dredhkë
në shtëpinë e Moriakut. Kodra sërish
kodra të ulëta, vreshta pa fund
toka e bekuar që treti shumë shekuj.
Anglezë dhe franceze të dehur me verë të mirë
për katërqind vjet avullonin
çdo mendim për rebelim, me verën
i kemi në dorë thoshin më të urtët
e vendësve në atë breglumë.
Natën vonë në Café Dy Port
ngjyrën e verës krahasonim në çdo gotë të re
ngrohtësi e thellë në flakë ëmbëlsie narkotizuar
dhe atëherë kërkove trupin e saj të errët
ajo s’u dorëzua por propozoi
buzë të përndezura dhe sy lozonjarë
“së pari do të pish verën e mirë
të ndiesh aromën sa të luash mendsh
në thellësi fatale që eliminon kujtesën
dhe pastaj në përqafim të fortë të ndiejmë
praninë e vdekjes, në pasion të çmendur
shpirtdehur kënaqësive të furishme”.
Qyteti qen besnik
Dhe natyrisht vetëm qyteti mund të jetë
qen besnik. Qyteti partner
dhe qyteti ndihmëtar. Të fal
për çdo tradhti dhe të pranon sërish
në krahët e tij. Të çlirohesh
nga trupi që dëshiron plot zjarr
dhe nuk e ke.