Përktheu Ilirian Dahri
Poeti italian Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli. San Mauro di Romanja 31.12.1855 – Bolonja 06.04.1912), është një prej autorëve më të rëndësishëm të letërsisë italiane dhe bashkë me Gabriele D’Annunzio është cilësuar si poeti dekadent më i madh italian.
Braktis Kolegjin në Urbino për të frekuentuar Liceun Klasik në Rimini dhe falë një burse studimi fillon Universitetin në Bolonja ku ndjek edhe leksionet e Karduçit (Carducci). Fillon si mësues i greqishtes dhe latinishtes dhe më pas fillon si pedagog në Universitet.
Në vitin 1891 boton përmbledhjen e tij të parë poetike Myricae (së cilës i përkasin poezitë e përkthyera), në 1897 Poemat dhe në 1903 Këngët e Kastelvekios.
Paraqitet si një poet i vetmuar dhe jo shumë i interesuar për poezinë europiane duke qenë në të njëjtën kohë mbështetës i figurës të njeriut të thjeshtë.
Paskoli e sheh poezinë si një fole që e mbron nga bota përreth dhe kjo shfaqet edhe në poezitë e tij me motive nga fshati, ku mbretëron mjegulla dhe qetësia e shoqëruar përherë edhe me një dritë përëndimi të diellit duke dhënë në të njëjtën kohë edhe shpirtin e poetit që paraqitet shpeshherë i trazuar dhe me pamje dramatike.
MBRËMJE TETORI
Ndanë udhës shihen mbi gardhe
tufa të purpurta dëllinjash lojcake:
arave të lëruara kthehen në grazhde
lopë përtace.
Vjen udhës një i ngratë që të avashtin
hap zvarrit ndër gjethe vjeshtore:
arave një vajzë ia merr mes erës avazit:
lule gjembore!…
DIJA
Ngjitej mendueshëm majës së vetmuar
ku folenë e saj ka shqiponja dhe burimi,
dhe qendra e largësisë së errësuar
rri, në çaste reflektimi.
Oh! vëzhgon përreth të panjohurve hone:
ku sa më larg syri i mendimit të shpjerë,
më pranë avitet ajo që percepton:
hije dhe mister.
LËROJNË
Në arë, ku e kuqerremtë mes rreshtit
ndonjë gjethe hardhie ndrin, dhe shkurret
thuajse nxjerrin tym nga mjegull e mëngjesit,
lërojnë: me britma të avashta, njëri të ngadaltat
lopë shtyn; tjetri mbjell, një tjetër godet
me të durueshmin shat të tij brazdat;
dhe ndërkaq zogut të sprovuar zemra i gëzohet,
e gjithçka përgjon nga degët e zhveshura të manit;
dhe gushëkuqi: nëpër gardhe dëgjohet
tringëllima e mprehtë e tij si ajo e arit.
VETËTIMA
Dhe qielli dhe toka u shfaq siç ishte:
toka dihatëse, e nxirë, lëkundëse
qielli i rënduar, tragjik, i mjerë;
bardhore bardhore në heshtjen trazuese
një shtëpi u duk u zhduk përnjëherë:
si një sy, që, i zgurdulluar, tërë tmerr;
u hap u mbyll, natës së zishme.
BESIM
Kur shkëlqente e purpurta mugëtirë,
dhe selvia dukej ar, ar i kulluar,
nëna i tha të voglit bir:
Atje lart është krejt si kopsht i zbukuruar.
Fëmija fle, dhe ëndërron degët e arta,
pemët e arta, pyjet e arta;
ndërsa selvia në natën katran
përpëlitet në erë, qan në tufan.
NATË
Ulen vashat në qerthuj gumëzhitës.
dhe bishtuku kokat e verdha i praron:
kokat e verdha, sytë e zinj yjendritës
nga dritarja herë pas here i çojnë:
presin ato kalorësit shtegtarë
që terrin e zëshëm kaptojnë?
Flasin për dashuri, për fisnikëri, magjistarë:
e duke folur në pritje të aurorës qëndrojnë.