More
    KreuLetërsiBibliotekëPoezi nga Ballsor Hoxha

    Poezi nga Ballsor Hoxha

    Duke kërkuar “A Clean Well Lighted Place”

    Se si në disa momente para mbrëmjes
    Kur dhemb aq mirë
    Hapet qyteti
    Si mushkëri universi
    Si fyt mendjehumbur
    Si zemër në ndërmjetësinë e ëndrrës

    Dhe është rrezik
    Dhe është paqe
    Dhe është rrëshqitshëm, si në hënë
    Dhe nuk mund ta ndalë veten
    Nuk mund të mos dalë
    Te troshitet deri në asht
    Nga kjo hapësirë

    Njerëzit faqet pakthyeshem si era
    Asfalti jehon, artikulon kujtimin, vetë dhembjen
    Ndërtesat janë pështjellë, humbur në gjumë, me batanije
    Dhe të gjitha, të gjitha kafenetë pamjaftueshëm të ndriçuara


    Shkëputur nën hapësirën e lirisë së dhembjes

    Çka është kjo, banesë, pa derë
    Pa hyrje pa dalje
    Me hyrje me dalje
    Terri ndërmjet banorit, apo banorëve si elefant i ulur
    Çuditërisht i prekshëm, i përshkueshëm
    Drita, përkundrazi, zbuluese, verbuese
    Si muri nga ku goditet, jehon shikimi i banorit, apo banorëve
    Dyshemeja e gjelbër si lum i dërmuar
    E gjelbër si kokë e kthyer anash
    Dritaret, në këtë banesë, shfaqjen e ikur
    Shfaqjen që e shpërbën qielli
    Çka është kjo banesë
    Hyrjen pa numër
    Daljen pa emër
    Ndoshta është hija e shpirtit?


    I liruar nga liria

    E kafta e tavolinës shpaloset, oqean
    Dy bishtat e cigareve të tymosura para
    Gjigantë, dy balena te lehta, mbi ujë
    Duke rrotulluar cigaren e radhës, me maje të gishtave, mbi ta
    Shpërbëhem në tymin përreth
    Sa më shumë qe i prekë me gacë,
    derisa zbuten, sikur mblidhen
    Aq më shume rrah zemra
    E zbuluar theqafëse si gur i rrokullisur
    Kafshon hapësirën si qen
    Pastaj fiki dhe të tretën cigare
    Zhyten balenat, janë hiç
    Hiç janë
    Hiç bëhen
    Hiç janë bërë
    (assesi të ketë kuptim kjo gjë!)
    Shkëputem
    Ti, tjetri, si reflektim i lirisë
    Ritëm, apo gjurmë e saj
    Nuk ishe për këto momente


    Të vuash lirinë, (qoftë me Borgesin apo pa të)

    Është në burg
    (qoftë me leopard, qoftë pa të)
    (qoftë me Borgesin, qoftë pa të)
    Muret e bëjnë të lirë pafundësisht
    Dhuna e rendit, ndonjë thyerje e krahut etj, edhe më shumë
    I zoti dhe shërbyesi, i burgosuri
    Shërbyesi i lirë nga frika prej vdekjes
    I lirë nga mundësia e lumturisë
    (dhe për këtë i lumtur)
    (dhe për këtë pafundësia brenda mureve)

    Fluturojnë vitet, çdo vit një tullë e hequr
    Ia hapin derën, “i lirë je”, i thonë me një të shtyrë
    Tërë ditën e parë, tërë ditën e vetme
    Kërkon një derë, jo për ta hapur
    Por për ta mbyllur
    Hapësira, liria, kjo robëri e pa peshë
    E udhërrëfen për në kopsht zoologjik
    Ku shitet për tigër
    Në tërë lehtësinë e pafundësisë brenda mureve të burgut
    I janë lëkurëzuar vijat e uniformës së burgut, si tigër
    Apo, si duket, nga lehtësia e pafundësisë
    eshtrat nga brenda i janë vijëzuar si linja tigri
    (ndërmjet njeriut tigër dhe determinimit të lirisë)


    Përballë lisit

    Shkoqur
    Një copë lëkure
    Sa thellë, sa qenie e zezë, e prekshme
    E mbanë në dorë dhe shikon lisin
    Shfaqen lëngjet, rrëshira që rrëzëllejnë në trung
    Zbulojnë gjallimin e tij
    Por copa që mbanë në dorë e pakthyeshme
    Në prekje
    E në gjallim
    Në mëvetësinë e saj kthehet në arkë
    Në të vërtetë, i marrë nga shkëlqimi i gjallimit të lisit
    Arkë, në arkë i duket vetja
    Bashkë me luhatjen e trungut, degëve, gjetheve
    Arka luhatet si barkë

    I lumtur është, i mjafton ta quaj liri
    Shkoqur copën e lëkurës, zbuluar prekjen
    E lisi mvetëson
    Luhatet, luhatet, luhatet


    Determinimi i lirisë

    Duke tymosur pyetet ç’ është liria
    E kjo, robëri
    (tymosja?)
    (pyetja?)
    (apo liria?)
    (apo çdo gjë?)
    “le të themi”, e jep, e vendosë, “liria është lumturi”
    Tymosë
    Në thellimin më të madh të lumturisë
    Përballë, shiun e majit duke rënë rrëmbim
    Tymosë
    Brenda në akustikë druri norvegjez
    Dëgjon banesën duke frymëmarrë
    Bashkë duke lundruar në xhaz
    Tymosë
    Dhe i bllokojnë mushkëritë në moment
    Kollitet, i dhemb
    Më nuk është i lumtur
    Më nuk është i lirë, mendon
    Por tymosë
    Nuk e din
    E ndjek dhembjen si flutur bezdisëse
    Se dhembja e liron nga çdo gjë!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË