Nga Shqiptar Oseku
“lëre derën hapur
mbaje dritën ndezur në zemër
që ta di se ku të kthehem”
-Xhevdet Bajraj
Ekziston një teori e diskutueshme, determinizmi nominativ, që thotë se personaliteti i njerëzve sajohet nga emërtimet: nga fjalët me të cilat pagëzohet njeriu a vendi ku është rritur ai. Në rastin e poetit Xhevdet Bajraj, kjo teori mund të jetë dyfish e saktë. Emri i tij, si shumë tjerë të proveniencës muslimane, është nga arabishtja dhe dmth Ekselent, në shqip mbase do të thonim Shkëlqim a Shembullor. Emërtim ky i goditur për një nga poetët më të shkëlqyer të poezisë shqip në Gegërinë e veriut, të lindur më 1960, i cili u shqua që në poezitë e para si zë origjinal, me gjuhë idiosinkretike e mesazh të emancipuar e të ankoruar në rrymat letrare të kohës. Tri përmbledhjet e tij të para në Prishtinën e pushtuar të viteve 1990 ishin kumtare të një pranie të re poetike; përmbledhja e tretë “Emblema e Vdekjes” (1993) fitoi cmimin e librit më të mirë të poezisë nga Shoqata e shkrimtarëve të Kosovës.
Që atëhere, Xhevdet Bajraj ka fituar edhe një sërë cmimesh tjera, një cmim të dytë të Shoqatës së shkrimtarëve më 2000, cmimin ndërkombëtar të Goliardos për poezi më 2004, cmimet Katarina Josipi më 2010 dhe atë të Festivalit Monodrama në Vlorë më 2013 për dramat më origjinale në shqip, si dhe cmimin për librin më të mirë në panairin ndërkombëtar të librit në Prishtinë më 2015, midis tjerash. Që nga dëbimi nga Kosova gjatë luftës më 1999, kur atij iu dha strehë letrare në Meksikë, Xhevdet Bajraj punon si ligjërues me orar të plotë i shkrimit krijues pranë universitetit në Meksiko City, ndërsa poezia e tij është përkthyer në spanjisht, anglisht, gjermanisht, polonisht, hungarisht, serbisht, turqisht, sllovenisht, e danisht. Dy botimet i tij të radhës në anglisht, përmbledhja poetike “We Fall Like Children” (2018) dhe drama në vargje “Slaying the Mosquito” (2020), u botuan në përkthim kongjenial nga Ani Gjika e Alice Whitmore tek shtëpia botuese amerikane Laertes Books.
Mirëpo, teoria për ndikimin deciziv të emrit mund të argumentohet edhe me vendlindjen e tij parajsore, qytezën e Rahovecit. Banorët e atjeshëm janë shumica pasardhës të shqiptarëve të dëbuar nga cepet më veriore të Gegërisë, që u shpopulluan nga Serbia më 1878. Ndodhur në mes të artë midis Gjakovës e Prizrenit, Rahoveci ka ngelur në hartë me emërtimin e sajuar sllav Orahovac, shqip: arrishtë, ndonëse atje arrat s’janë kultivuar kurrë. Pokorny Julius, tek Indogermanisches Etymologisches Wörterbuch (1959) aludon se toka e shndrydhur dhe e lërueshme, në shqip “ara” nga protoindoeuropianishtja “harah”, do t’i kenë dhënë atij vendi emërtimin e vet të parë. Lugina ku ndodhet qyteza e vogël ka kushtet klimatike të Burgundisë franceze, me kombinim të përsosur të diellit e dëborës gjatë vitit. Anët ku është rritur Xhevdet Bajraj janë treva e vetme në tërë Siujdhesën ilirike ku ka gjetur kushtet të rritet si në shtëpi të veten hardhia Pinot noir, ky princ i ndieshëm i Burgundisë. Jo rastësisht, poezia e Xhevdet Bajrajt është e mbarsur me hardhi e musht ujze (rakie) e vere, e histori hijesh që rreken të mbijetojnë emrin e vet, si dhe dëbimet e vdekjet e veta. Këto kanë stampuar si sigla të fatit edhe vargjet e Xhevdet Bajrajt.
Te ExLibris sot, mund të lexojmë për herë të parë pesë poezi të pabotuara nga Xhevdet Bajraj, pjesë nga një përmbledhje në dorëshkrim. Poezia e mirë nuk sajohet dot në vakuum letrar. Kritiku i vëmendshëm lektrar te poezia e Bajrajt i ndien ndikimet e eminencave gri të epokës, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Vasko Popa, Danillo Kish, Paul Valery, e Casllav Millosh, por edhe ato të lirikëve latinamerikanë. Vetë Bajraj në një intervistë te Epoka e Re (“Kërkues kokëfortë i parajsës së humbur”, 2019) u referohet autorëve Vincent Huidobro, Juan Rulfo, Juan José Arreola, Carlos Fuentes, e José Emilio Pacheco, si objekt të studimeve të tij. Por lajtmotivi i përsëritur i poezisë së Bajrajt, parajsa e shkretëruar dhe lufta e qenies njerëzore për një fije dinjitet mbi gërmadha, të kujton edhe antologjinë e Manuel Monteros (1973) mbi poetët latinamerikanë që shkruan për drejtësi sociale, Octavio Paz, Juan Banuelo, e Efrain Huerta meksikanë, Alfonsina Storni e Francisco Urondo argjentinianë, César Vallejo e Alejandro Romualdo peruanë, si dhe Gabriela Mistral e Pablo Neruda kilianë. Përmbledhja “Poemas y antipoemas” nga Nicanor Parra (1975) që është përkthyer edhe anglisht është thuase në dialog poetik ndër kohë e hapësirë me opusin e Xhevdet Bajrajt.
KAFE ME NËNËN
Frynte një erë plakë në vjeshtën që po lindtte
Është ditëlindja e Irfanit të vrarë para njëzet vjetëve
gjethet e pjergullës biejnë
mbi flokët e zbardhura të nënës
ajo nuk sheh mirë
nuk dëgjon mirë
jemi vetëm në mes të parajsës së djegur
derisa ajo në kujtime e saja gatuante bukë për babain tim
për mua dhe për veten
në Tiranë në banesën e Martin Cukallës
unë pija raki Skrapari me Nexhat Dibrën
Piku një mollë dhe e theu heshtjen
bir
pse disa viteve u mungjojnë muajt
Rashë nga qielli i shtatë
në këmbë
si mace që i kishte mbetur vetëm një shpirt
Nga molla e rënë doli një krimb si derr i luftës
që e kishte majmur liria
Pije kafenë nënë
pije
janë vite të krimbura
SHTËPITË E BRAKTISURA
Nga dritarja po e shiqonte qytetin
qiellin Zoti para se ta braktiste
e kishte pastruar me fshisë
kështu që ishte i pastër
si loti i një burri
që po fliste me të vdekurit e tij
Sorrat të majmura krrokërisnin në degët e pemëve
nëpër oborret e shtëpive të braktisura
që shumica e banorëve të tyre kishin ikur
për të mos u kthyer kurrë
dyert i kishin lënë të hapura
çelësat ishin në dyer
dritaret ishin të hapura
që njerëzit nëpër fotografitë e varura në mure
të merrnin frymë
DE NIRON DO TA VRASIN
NË FUND TË FILMIT
Mes rrënojave të asaj që dikur ishte parajsë
bën ftohtë
aq ftohtë sa që edhe pemët dridhen
i hedhin frutat
Brenda shtëpisë
nëna po vdes ngadal e ulur në kolltuk
duke e shikuar një film me De Niron
Jashtë
bëhet fushatë politike
janë zgjedhjet
votohet për vrasës
(me dhe pa pagesë)
për hajna
për mashtrues
dhe për skllevërit e tyre
Hoxha ia fut ezanit kot
kot bien edhe këmbanat e kishës
Zoti na ka trajtuar me dinjitet
duke na dhënë vullnet të lirë
fuqinë për të marrë vendime tona
politikanët nuk na japin këtë mundësi
Nënë
De Niron do ta vrasin në fund të filmit
po dal unë ta pi ndonjë birrë
të lutem për ne të dy
në njërën nga kafenetë e qytetit
mos ke dert
nuk do të pi nëpër rrugët
që mbajnë emra heronjësh të shpifur
sapo mora vesh që në rrugën Shën Nëna Terezë
një vrasës e kishte hapur një tavernë të re
dhe të lutem
lëre derën hapur
mbaje dritën ndezur në zemër
që ta di ku të kthehem
SA HERË E KUJTOJ ATDHEUN
Është ujku i zbutur
brenda një peizazhi të xhunglës urbane
që pikturoi një fëmijë demon
Sa herë e kujton atdheun e parë
brenda gjoksit të tij
zoti i ujqërve të zbutur ulërinë
Kjo këtu është një lule egër
e cila edhe pse për herë të parë ka çelur
këtë e ka bërë në mënyrë të përsosur
Shumë shpesh e kujton atdheun
e kur ndodh kjo
e liron një aromë të përsosur
Ky këtu jam unë
për nevoja të mia e kam zbutur ujkun
dhe lules ia kam dhënë emrin e nënës sime
Sa herë ta kujtoj atdheun
e ndjej mëngën e majtë të vdekjes
duke ma fshirë gjakun nga hunda
KUR BOTA ISHTE TEPËR E MADHE
Mendonte se i duhej të thoshte diçka
në letër
diçka të thellë
por nuk i binte asgjë ndërmend
Pas pak iu kujtua koha
kur luante me këmbë të zbathura
në rrugë
deshi të thoshte diçka në lidhje me këtë
kur bota ishte tepër e madhe
e ëndrrat tepër të vogla
Një sorrë krrokati në dritaren e hapur
uni lirik i tij i zgjati duart
dhe ia nxori kokën me rrënjë
Në pasqyrën në mur trupi i tij dridhej
para se të binte në tokë
pa kokë
Ca muzikantë rruge
e këndonin një këngë që kishte korr sukses
atë verë
të zymtë