More
    KreuLetërsiBibliotekë"Poemë e marsit", nga Shqiptar Oseku

    “Poemë e marsit”, nga Shqiptar Oseku


    I.
    Një prej të vdekurve në ëndrrën time ishte një djalë i vogël.
    I goditur në tamth, skaj veshit,
    me gjakun që i njomte flokët përreth plagës,
    ai më vështronte pareshtur.
    ”Ç’kish ndodhur më parë?” më pyeti terapistja.
    ”Asgjë”, i thashë.
     
    Mandej, m’u kujtua gjithçka.
     
    II.
    Psikologët thonë se njeriu në ëndrra
    përpunon stimuli nga orët pararendëse.
     
    III.
    Arsyeja e vrasjes qe banale: u ishin rrasë brendë
    e u kishin kërkuar çelësin e veturës.
    I zoti i shtëpisë ua jep mënjeherë.
    Mandej ua marrin lekët.
    Mandej ua marrin stolitë.
    Mandej u thonë të zhduken prej aty,
    se përndryshe!
     
    Kur dalin janë në formë, me veturë të re.
    Por ishte mars lufte. Vetura s’ka benzinë.
    Kështu që nisen me bidon gjer te pika e karburantit.
     
    U merr nja gjysëm ore,
    pse atje luajnë pak me pronarin
    para se ta vrasin.
     
    Çelësin e veturës e kanë lënë brenda.
     
    IV.
    Një nga fqinjtë në lagje i ka parë tek largohen.
    Ai del tinëza dhe ua merr çelësin.
    S’u nginjët  duke grabitur, more të poshtër!
     
    Dikur fqinji luante futboll me vrasësit.
    Tashti struket në qilar prej tyre,
    i ndien si ngushëllim se do të japë një sihariq
    sa të mbarojë lufta.
     
    Edhe ai vdes atë natë, nga një bombë kuturu.
    Çelësin e shkrumbuar e merr me vete
    që t’ia tregojë Zotit.
     
    V.
    Kur ata vijnë dhe shohin se mungon çelësi,
    kthehen në shtëpinë ku kishin marrë veturën.
    Në oborr marrin një hu të trashë.
     
    Rrasen brenda, e i mbysin të gjithë që hasin
    duke u mëshuar me hu, e me qyta armësh.
     
    Djalin e gjejnë të fundit, të fshehur
    nën shtrat.
     
    VI.
    Mandej kërkojnë kudo çelësin e veturës.
    Ndër trupat e vdekur. Në sirtarë. Nën palë rrobash.
    Por s’e gjejnë dot.
     
    Të irrituar nga ajo ditë e gjatë,
    derdhin benzinë mbi trupa e u fusin flakën.
    E ndalen përjashta dhe admirojnë ca kohë
    bukurinë e zjarrit.
     
    VII.
    Atë natë e mbijeton vetëm zonja e shtëpisë,
    pse s’rastis në shtëpi.
     
    Unë e has plakën në rrugë, vite më vonë:
    e në mbrëmje më fanitet biri i saj.
     
    (Ai djalë do ta kërkojë gjithmonë
    nënën e vet.)
    VIII.
    Gjyshja ime thonte se ëndrrat janë shenja.
     
    IX.
    ”Ç’kish ndodhur më parë?” më pyet terapistja.
    ”Asgjë”, i them.
     
    X.
    Por më kujtohet,
    gjithçka.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË