Ai na jepte lëndën e vizatimit. Ishte një piktor i njohur dhe pasionant. Në lëndën e tij ndiheshe mirë, ndryshonte nga mësuesit e tjerë, ishte hokatar, rrezatonte mirësi dhe frymëzonte. Vizatonte në dërrasë të zezë figura nga më të ndryshme me një lehtësi të labitshme. Nganjëherë shkonte gjithë ora, duke parë sesi ai vizatonte, sesi e përdorte shkumësin dhe si i hiqte vijat. Pastaj fillonte komentet dhe na përmendte emra që i mësonim për herë të parë. Jo rrallë na ftonte në studion e tij; për të gjitha tablotë, peizazhet, portretet, tregonte ndonjë histori,fakt, ngjarje, njohje konkrete. Ngjyrat, herë të qeta e herë lëbyrëse, të tërhiqnin dhe ne thonim sa i zoti, madje ia kishim zili këtë talent. Kur shihte punët tona, kurrë nuk kritikonte, nuk thoshte keq, por sikur ta bëje kështu, a s’do qe më mirë?…
Dhe atë ditë ai duhej të vizatonte, por u ul pranë katedrës dhe po mendohej.Dukej që ishte i turbulluar, se ç’kishte, nuk mund ta kuptoje. Klasa jonë ishte në katin e parë të shkollës, përballë një oborri të gjerë,rrethuar me pemët e blirit dhe një brez i ngushtë lulesh aromatike. Na tha se atë ditë kishim temë të lirë.Shokët hapën fletoret e vizatimit dhe filluan.Po unë çfarë do vizatoja? Papritur, nga dritarja gjysmë e hapur, pashë një vajzë që rrinte rrëzë blirit dhe po shihte rrugën. Ia ngula sytë. Vajza, vështronte s’dihej se ku dhe ose rrinte kot, ose dikë priste, a nuk i shkohej gjëkundi.
Po mendoja se mbase rrinte për mua. Marri, po gjithesesi besoj ndonjëherë në marrinë time aq përpikmërisht, sa kur ndodh diçka e përafërt me atë që kam besuar, kuptoj se marritë nuk janë iluzione të kota, por vegime orientuese. Dhe nuk e ngrita kokën për të parë se ç’bënin shokët, profesori, aq isha përthithur në vështrimin drejt asaj vajze, sa edhe kisha harruar shoqen që rrinte me mua. Ishte e bukur, gjoksi më gufonte me një entuziazëm prej adoleshenti, që të përfshin në humbellën e tij me një ndiesi të ëmbël.Vajza kishte trup të gjatë, bel të hollë, gjoks të zhvilluar dhe qafë të gjatë. Nën rrezet e diellit mëngjesor flokët e saj biondë bëheshin më të largët, treteshin në vegullinë e një drite të përjetshme-hutuese. Fillova të hedh vijat e para, më tepër të shoh andej, sesa në fletore. Më dukej se gjendesha para një sfide që do më rrënonte, por që më tërhiqte, edhe pse në vizatim, sipas profesorit, isha më i miri në atë klasë.
Si për ta zgjatur torturën time vajza iku, por kjo nuk kishte rëndësi, ajo kishte lënë tek unë imazhin e saj,ndonëse në formë të turbullt. Po i formëzoja konturet, këmbët, duart, qafën, gjoksin dhe flokët e saj si një ujëvarë diellore. Mendova se nuk doli një punë e keqe,ndoshta puna ime më e mirë, por kur ngrita kokën pashë nga profesori. Në dërrasë të zezë ai kishte vizatuar atë vajzë. O zot çfarë mrekullie, ndonëse e vizatuar me shkumës, ajo ngjante si e gjallë, sikur, pasi iku, kishte ardhë aty duke hyrë në lëndën e drunjtë.Kuptova se në të njëjtën kohë unë dhe profesori ishim frymëzuar njëjtit objekt, për ta tematizuar e realizuar në llojin e portretit. Dhe kjo kishte ndodhur pa e vënë re njëri-tjetrin se çfarë pikturon. Ajo vajzë e kishte fajin që ishte shfaqur si një drenushë para gjahtarit në një lëndinë malore dhe, duke shpërndarë hutinë e efektit prej pamjes së saj, pamëshirshëm ishte larguar. Ndjeva dobësi dhe turp nga marria ime artistike, po gjithsesi edhe një farë lumturimi prej kalimit të atyre çasteve.Profesori tha:
– Sapo kaloi një vajzë këtu dhe unë bëra portretin e saj… Çasti, gjithmonë është një shkëndijë e frymëzimit….
Pastaj ai filloi të kontrollonte punimet tona. Fliste për secilën me detaje dhe inkurajonte. Kur erdhi pranë meje, mendova se nuk duhej t’ia tregoja. Çfarë të shihte? Por i duhej paraqitur puna. Profesori ndaloi gjatë. Ai nuk po fliste. E mbylli fletoren time, e hapi prapë dhe kundronte. Kjo heshtje po më tensiononte.
-Bukur e ke pikturuar, – tha.
Lëvizi dy hapa më tutje, dhe u kthye sërish.
-Ti nuk e ke vizatuar si unë, – vijoi ai, – unë e kam vizatuar më mirë, më të gjallë, më realiste, por ti ke freski, njomështi, ndjenja, që nuk i përkasin asaj vajze, por ty për të. Nuk mund të them se çfarë piktori do bëhesh, por për një gjë jam i sigurt, ti je artist!
Dhe më ledhatoi kokën e më ra mbi sup si të përshëndeste triumfet e ardhshme që atëherë nuk i besoja dhe s’dihet pas kaq vitesh nëse i kam arritur….