Poezia e Uran Kostrecitështë një poezi ku analiza psikologjike e gjendjeve shpirtërore të autorit zë një vend qendror. Forma e zgjedhur është ajo e sonetit, të cilën ai nuk e ndryshon dhe që lot pak a shumë rolin e një boshti koordinativ për tërë poetikën e tij, brenda pentagramit të të cilit ai luan me virtuozitet të gjitha variacionet e mundura rreth temës qendrore të një përjetimi jo të zakonshëm të realitetit, atë të një njeriu me ndjeshmëri të hollë e me shpirt fisnik.
Ka një “shifër” në poezinë e tij, zbërthimi i së cilës kërkon njohjen e një konteksti jo gjithmonë të dukshëm, të paktën për ata që nuk ndanë bashkë me autorin tmerret e murtajës së kuqe. Por, ndonëse një nga viktimat më të vuajtura të kohës së errët që lamë pas, motivi politik nuk duket se është kryesor në sonetin e Uranit dhe kjo ndoshta ngaqë ai e ndien se urrejtja, qoftë edhe e drejtë, është herë-herë “antipoetike”, …aq më tepër në sytë e një mistiku siç është Urani dhe siç ka qenë një ndër poetët tanë të mëdhenj, Naimi, me të cilin Uranin e lidhin shpirtërisht shumë gjëra dhe, mbi të gjitha, një vizion mistik i realitetit, që do të thotë Perëndia si Dashuri kudo e pranishme dhe, mbi këtë, një vjershërim muzikor ku gjuha shqipe rrjedh kaq natyrshëm, kaq lirshëm, kaq e lehtë dhe e ëmbël.
Por gjithçka nuk mund të harrohet, por gjithçka nuk mund të gëlltitet. Dhe sado që autori përpiqet ta beninjizojë, ta sublimojë me shkopin magjik të poezisë së tij, e keqja e pashembullt në historinë e asaj kohe mbetet prapë e pashlyeshme, si një njollë e zezë, atje, në vargun e tij dhe në shpirtin e tij të trazuar:
Kur dielli u err n’agim të avenirit
E jeta varej mu në fije t’perit
Prej ftohmës, prej urisë, prej zinxhirit
Nën ankthin e pranisë së kapterit… te soneti “Pendës”.
Për përçimin e mesazhit filozofik mbi Botën dhe shoqërinë njerëzore, autori përdor me një mjeshtëri të rrallë fabulën. Kështu, te soneti “Mirazhi i komunizmit”, historia e komunizmit nga autori është përmbledhur, falë aftësive të tij të spikatura “fabulizonjëse” të realitetit, në pak vargje, por që përbëjnë kuintesencën e shpikjes së kësaj utopie të mbrapshtë, e zbatimit të saj me dhunë e me demagogji dhe e dështimit të saj të bujshëm.
Prirjet e tij të rralla si fabulist, që mund të krahasohen fare mirë me ato të La Fontaine ndër frëngët e të Krillovit ndër rusët, Urani i ka shpalosur madhërisht tek “Epopeja e Karkalecëve”, një zinxhir i satirës shoqërore-politike shqiptare.
Lexuesi do t’i lexojë vetë sonetet në këtë vëllim dhe, i joshur nga bukuria e tyre e veçantë, do t’i rilexojë ato prapë e prapë.
Pra, nuk kemi pse ndalemi në komentimin e tyre. Por këtë duhet ta bëjë patjetër, duke marrë parasysh rëndësinë e tyre të veçantë artistike, ideologjike e filozofike, një kritikë e thelluar e veprës së tij poetike…
Le të theksojmë këtu se mesazhi i përçuar në këto poezi nuk është vetëm një mesazh poetik, por edhe filozofik, edhe shoqëror, edhe politik, ndonëse herë-herë si i fshehur dhe i mbështjellë në mjegullën e lehtë të një të foluri parabolik, në mos po gjer edhe sibilin, por të vërtetat e mëdha, ndjenjat e thella e sublime, vizionet me një frymëmarrjeje të gjerë e gjithëpërfshirëse, vetëm kështu duket mund të shpallen. Kështu bën Krishti, Muhamedi, Buda, Zarathustra e shumë profetë e të urtë të kohërave të lashta.
Një gjë duhet të jetë e qartë: simboli i përdorur kaq mjeshtërisht nga autori nuk është vetëm një funksion poetik, por shumë më tepër se kaq. Ai përbën një domosdoshmëri gnoseologjike për të kapërcyer përtej realitetit të dukshëm dhe material, drejt së padukshmes dhe spirituales, ku fshihet zanafilla dhe arsyeja e mbrame e gjithçkaje që ne shohim e përpiqemi të kuptojmë në këtë botë. Një poezi filozofike, si ajo e Uranit, nuk bën dot pa simbolin, mjeti i vetëm që bën të mundur shprehjen e së pashprehmes, të Zotit, shkurt të “immobile mobil” të Aristotelit, të “L’Amor che muove il sol e le altre stelle” të Dantes, të Qendrës, të Parimit të Epërm të gjithësisë, ku autori priret me të gjitha fuqitë e tij shpirtërore të arrijë dhe me të cilin shpreson më në fund të identifikohet.
Është interesante të vihet re, ndër të tjera, se si motivi i Dashurisë dhe ai i Vdekjes, këtyre dy poleve të kundërta të ekzistencës njerëzore, gërshetohen po kaq harmonikisht me poezinë e Uranit, sikur të paskëshin qenë një gjë e vetme.
Ai sheh vazhdimësi atje ku të tjerët shohin vetëm ndërprerje, unitet atje ku të tjerët shohin vetëm ndarje.
Ai edhe kështu tregon se është një trashëgimtar i denjë “par affinité elective et par communion d’eprit” i traditave famëmëdha të Romanticizmit nga i cili poezia e tij nxjerr, qoftë edhe në një mënyrë të pavetëdijshme, një arsenal të tërë teknikash shprehëse dhe një pozë poetike krejt të veçantë.
Duke e përfunduar këtë parathënie të shkurtër, themi se libri që Kostreci i ofron sot lexonjësit, do ta nxisë dhe do ta edukojë atë që të ndiejë më hollë dhe të mendojë më thellë, do ta ndihmojë atë që ta shohë botën me një sy tjetër, pa zhgleba paragjykimesh shekullore.