Nga Edison Çeraj
Sa herë kam rastin të shoh pikturat e Fatlum Doçit, provoj ndjesinë e një gjëje që më mungon. Është si një shkëputje nga graviteti, nga “rregullat e lojës”, për të provuar kështu praninë e pranive: mungesën. Mungesa është prania më e pushtetshme. Ajo eklipson çdolloj pranie të rrokshme nga shqisat, çdo gjë që na rrethon.
Pra, këto piktura na kujtojnë një botë që po zbehet brenda dhe jashtë qenies, ose – akoma më keq – një botë që po bëhet gjithnjë e më e huaj për ne. Në kohë dhe vende të ndryshme njerëzit e kanë shënjuar në forma të ndryshme, si: përrallore, magjike, mitike, legjendare, fantastike, metafizike e kështu me radhë. Ajo që ka rëndësi, nuk janë shënjuesit e larmishëm që janë përdorur për këtë botë, pra për mungesën, por vetë ajo, tërheqja e saj e vazhdueshme nga dita dhe nata jonë; reduktimi i saj në iluzion apo makth. E megjithatë, mungesa është përsëri aty, ose kudo, duke munguar aq ndjeshëm, sa nuk gjejmë dot fjalët për të. Çdo krijim i kësaj natyre nuk është gjë tjetër veçse një dhuratë nga mungesa, ose një zile e saj që synon të na “prishë” sadopak gjumin e thellë në të cilin zhytemi kaq shpesh; një gjumë pa ëndrra, si një mjegullnajë bjeshke që i rrëmben ecjes shtegun.
Ka artistë të cilët kanë si synim të jenë të vërtetë ose besnikë ndaj rrethanave të jashtme ku bëjnë pjesë, që nuk duan të shkojnë “larg”, sidomos në rastin e Shqipërisë, ku ka kaq shumë “tundime” në rrafshin e peizazhit, arkitekturës, hapësirave publike etj., gjë që e hasim në pikturën Edi Hilës.
Nga ana tjetër, ka nga ata që nuk e “pleksin” veprën e tyre me çfarë i rrethon dhe kështu zgjedhin apo i dorëzohen “imagjinatës”, asaj çfarë “i zbulohet” qenies së tyre, “domosdoshmërisë së brendshme”, siç e thotë Kandinski. I tillë është edhe Fatlumi. Ja pse kemi të bëjmë me një pikturë që nuk vuan dhe as nuk kushtëzohet nga domethënia, pra nga koncepti apo ideja, që po përdoren masivisht (si kripa) në artin bashkëkohor. Forma dhe përmbajtja veprojnë të njësuara në këtë lloj pikture.
T’i jepesh një krijimtarie të kësaj natyre në një realitet ku brutalja përzihet me një paqëndrueshmëri “magjike” është një akt sublim rezistence, për të mos u bërë palë me atë që “duhet”, me atë që “kërkohet”, për të mos ecur “me hapin e kohës”.
Instalacioni si zgjatim i pikturës
Duke qenë se pjesë e ekspozitës është edhe një instalacion, në shikim të parë – që shpeshherë është përcaktues për rishikimin – ai të jep idenë se është vazhdimësi e pikturës me mjete të tjera. Autori ka shfrytëzuar një mundësi postmoderne, por me një përkorje dhe mjeshtëri tradicionale, saqë të duket sikur “punimi” ka dalë nga një punishte e harruar nga koha, që nuk ia doli asnjëherë të bëhej pjesë e ndonjë qendre tregtare, pikërisht ngaqë nuk ofron mallra në seri, ngaqë nuk e njeh kopjen. Kjo punishte ofron vetëm mall.
Nga ana tjetër, kur instalacioni është në errësirë, kur trungjeve gjarpëruese u “ndizen” krenat, të duket sikur je mes disa kandilash deti që vallëzojnë shpengueshëm, pa u druajtur aspak nga ndonjë grabitqar që i bie rruga andej. Në këtë gjendje vepra sikur shkëputet nga toka dhe nis të animojë hapësirën, duke të ftuar që të bëhesh pjesë e “lojës”, pa u vënë në siklet për kuptimin, sepse ai cenon ritmin e “lojës”.
Ajo çfarë thamë për pikturën më lart, vlen edhe për instalacionin, sepse edhe ai është pjesë e së tërës.
Një lule dhe shumë lule
Në fakt, është një “rrethanë” që e bën për vete autorin herë pas here: lulet. Ama lulet nuk janë rrethana, por shenja, që lexohen edhe përmes nuhatjes, sidomos nuhatjes, shqisa më e afërt me kujtesën. Pastaj vjen faza e rileximit: ëndërrimi.
Jo vetëm që lulet nuk mund t’i rendisim te rrethanat, por teksa i shohim, ato na shkëpusin për disa çaste nga rrethanat. Edhe një lule e vetme është në gjendja ta bëjë këtë. Një lule e vetme na kujton një thënie të Aleksandrit: “…për mua është shumë, për të tjerët nuk mjafton.” Me të marrë këtë shenjë, me ta lexuar kësisoj, strategu i urtë vazhdoi rrugën.
Fatlumi është rritur në një mjedis me lule, pasi familja e tij ka një biznes të vogël lulesh, ku tregton pikërisht këtë “mall”. Por, me sa duket, për Fatlumin lulet nuk u bënë asnjëherë “mall tregu”, por mbetën mall shpirtëror, gjë që e provon piktura e tij, ku në jo pak prej tyre hasim elemente floreale që shkëputen nga natyra dhe harlisen duke u rritur me një tjetër ujë, me një tjetër diell. Sidoqoftë, lulet mbeten shenjat që i tregojnë rrugën drejt vetes, duke e nxitur për rikthime të vazhdueshme në kujtim të mungesës.
Lulet janë çelësa për të hapur dyert e kujtesës.