More
    KreuLetërsiShënime mbi libraPesë rrahjet e poetëve rusë - Esenin. Pasternak. Mandelshtam. Majakovski. Brodski.

    Pesë rrahjet e poetëve rusë – Esenin. Pasternak. Mandelshtam. Majakovski. Brodski.

    Ishte bërë traditë, që mosmarrëveshjet poetët t’i zgjidhnin me duele, kurse rrahjet konsideroheshin prej tyre si diçka e ulët, vulgare. Përgjithësisht, ky stereotip, shpjegohet me romantizimin e dueleve të famshëm të Pushkinit dhe Lermontovit. Por, poetët janë njerëz si ne dhe rrahjet për ata ishin diçka e natyrshme, dhe për ndokënd, madje, e përditshme. Rrahjet e tyre përfundonin ose me anekdota, ose tragjedi të vërteta, si në rastin e Osip Mandelshtamit. Më 16 mars 1915 u mbyll kafeneja letrare “Qeni endacak”, për shkak të një rrahjeje që bëri aty Vladimir Majakovski.

    Sergej Esenin dhe Boris Pasternak

    Sergej Esenin dhe Boris Pasternak

    Sipas thënieve të mikut të ngushtë të Sergej Eseninit, Anatolij Marienhof, vitet e fundit të jetës poeti shpesh nuk i kontrollonte marrëzitë që i vinin nga pija dhe këtë na e dëshmon me një ndodhi. Një ditë Esenini, pa e mbaruar leximin e poezisë së tij, rrëmbeu nga tavolina një gotë të rëndë birre dhe ia flaku mbi kokë një poeti tjetër, Ivan Priblludnit. Goditja ishte aq e fortë, sa u detyruan ta çojnë urgjent në spital. I lënduari ishte një nxënës i Eseninit, prandaj marrëdhëniet e këtij të fundit me të ishin të veçanta, kurse krijimtarinë e Pasternakut poeti nuk e honepste dot.
    Rrahja e Pasternakut dhe Eseninit ndodhi në godinën e revistës “Krasnaja nov”. Aq rrëmujë u bë nga kjo grindje, saqë asistentja e shkretë nuk e dinte se ku të fshihej prej dy burrave që po kacafyteshin. Valentin Kataevi e përshkruan bukur përleshjen: me njërën dorë Esenini mbante Pasternakun, me tjetrën përpiqej ta godiste në vesh, kurse ai, i tërbuar, me xhaketën me kopsa të këputura, orvatej të çlirohej e t’i gjuante Eseninit në nofull, por nuk ia arriti dot.
    Se çfarë i çoi në këtë sjellje dy poetët e respektuar, kjo nuk dihet. Duke u mbështetur tek ata që thotë Katajevi, Eseninit nuk i duhej ndonjë shkak që t’i vërsulej Pasternakut. Madje, edhe kur nuk ishte i pranishëm ky i fundit, vetëm përmendja e emrit të tij e bënte Eseninin të ngërdheshej e të shfrynte: Valentin Katajev, në kujtimet e tij shkruan se Esenini “ngërdheshej sa herë i përmendej emri [mulatit] Pasternak, nuk e pranonte poezinë e tij dhe më thoshte:
    -Pa shiko, ç’djall poeti është. Nuk e kuptoj, çfarë i pëlqen?

    Osip Mandelshtam dhe Aleksej Tolstoi

    Osip Mandelshtam dhe Aleksej Tolstoi

    Pas një vizite të papritur të Sergej Borodinit në apartamentin e Mandelshtamit, ky i fundit u nervozua në kulm. Sikundër ka shkruar Çukovskiji, Borodini, me shpresën se do t’ia kthente shpejt, i kishte dhënë hua Osipit 50 rubla, por ja që ai s’kishte ndër mend ta paguante borxhin. Si e kuptoi këtë, Borodini shkoi drejt e te shtëpia e borxhliut, por gjeti atje vetëm gruan e tij, Nadjezhdën, dhe ia kërkoi asaj paratë. Pikërisht në këtë çast shfaqet në derë Osipi, duke i thënë që para nuk kishte dhe i kërkoi Borodinit të largohej. Dhe këtu nisi rrahja.
    Çukovskiji rrëfen: dy njerëz inteligjentë po zhdëpeshin me njëri-tjetrin, kurse gruaja e Mandelshtamit kishte vënë kujën. Për këtë incident, të dy letrarët përfunduan në një gjyq shoqëror, në Shtëpinë e Hercenit (Godina e Institutit Gorki), që e kryesonte Aleksej Tolstoi. Në gjyq, Osipi nuk e përmendi borxhin, por këmbëngulte për fyerjen që i kishte bërë Borodini gruas së tij, Nadjezhdës. Nëse do të merrej vendim tjetër, Mandelshtami e kishte kërcënuar Aleksej Tolstoin se do ta fajësonte për fyerje të Nadjezhdës. Por, pavarësisht përpjekjeve të poetëve, që të dy ata u shpallën fajtorë.
    Plot dy muaj më vonë, pas një mbledhjeje, në ditën e rrogave, Aleksej Tolstoi dhe Mandelshtami u takuan te zyra e financës së shtëpisë botuese. Osipi iu afrua Tolstoit me krahun e shtrirë, ia veshi me një shuplakë fytyrës. Mandelshtami e justifikoi më pas veprimin e tij si një dënim për xhelatin që favorizoi atë që i kishte fyer gruan. Tolstoi, nga ana e tij, u zotua se do t’ia mbyllte njëherë e përgjithmonë shtëpitë botuese dhe do t’i çonte një ankesë “gjeneralit të letrave”, Gorkit. Në rrethet letrare të Moskës u përhap shpejt një shprehje me nuanca antisemite për Mandelshtamin “Ia tregojmë ne, se si rrihen shkrimtarët rusë!” Këtë frazë ia kanë ngjitur Gorkit. Pas kësaj, jeta e poetit mori tatëpjetën. Ka dyshime që arrestimi i shpejtë i Mandelshtamit lidhet pikërisht me këtë dackë fatkeqe dhe jo me vargjet fyese në adresë të Stalinit. Mandelshtami u arrestua natën e 13 majit duke gdhirë 14 maj 1934.

    Jakov Izraileviç dhe Vladimir Majakovski

    Jakov Izraileviç dhe Vladimir Majakovski

    Gjatë punës për xhirimin e një filmi me skenar të Majakovskit, pianisti Jakov Izraileviç pothuaj e mbuloi me lule Lili Brikun, të dashurën e poetit. Jakovi kishte namin e një duelanti të regjur, që nuk të duhej ndonjë shkak kushedi që ta grishje. Lili Brik, natyrisht, nuk i kishte thënë gjysmë fjale të dashurit të saj për vardisjet e Jakovit, por rasti e solli.
    Ndodhi që Jakovi t’i dërgonte një letër dashurie Lilit, por kjo ra në duart e Majakovskit. Pasi e lexoi, Majakovski u tërbua. Mblodhi “grupin mbështetës”, në shoqërinë e Lili Brikut dhe burrit të saj të dytë, u nisën për në Petrograd, në kërkim të kavalierit të bezdisshëm. Sikundër ka treguar më vonë Lili Brik, Majakovski e takoi Jakovin në rrugë fare rastësisht dhe pa e zgjatur, iu vërsul me grushte. E gjitha u kthye në një rrahje të tmerrshme, pas së cilës të dy përfunduan në polici, ku Majakovski nuk ngurroi të shfrytëzonte lidhjet e tij dhe iu drejtua Gorkit me këmbënguljen që ta lironin. Po atë ditë i nxorën të gjithë ata që u përleshën. Siç ka shkruar diku Roman Jakobson, që prej asaj dite Gorki nuk donte ta shihte më me sy Majakovskin për shkak të këtij veprimi.
    Konstantin Balmont dhe Pjetr Morozov

    Pas tetë vjet mungese, Balmont u kthye në Peterburg dhe natyrisht, piu me këtë rast. Por, siç kujtojnë bashkëkohësit e poetit, atij ia kishin ndaluar pijet alkoolike. Gruaja e tij thoshte shpesh se do të mjaftonte një gotë vodke, që të mos e njihje më Balmontin. Atë mbrëmje poeti ia hoqi të gjitha kufizimet vetes. “Kurse në agim, i dehur tapë, u ul pranë Anna Ahmatovës dhe filloi të fliste me të”, kujton një dëshmitar i ngjarjes. Po flisnin për kafenë “Qeni endacak”. Një dëshmitar tjetër shkruante se Balmonti ai nuk kursente askënd. Kapte çdonjerin dhe i thoshte “Ej, më sill një shishe rum!” Të pranishmit përpiqeshin të mos u kushtonin vëmendje fyerjeve të një të dehuri, por pushkinisti Morozov nuk e duroi dot.
    Më tej, rrëfimet e dëshmitarëve okularë dallojnë mes tyre, por në një gjë ata bashkohen. Morozovi iu afrua Balmontit dhe filloi t’i fliste për arritjet e tij, duke shtuar që ishte një adhurues i krijimtarisë së Balmontit. Por Balmonti as që i bëri përshtypje dhe madje u shpreh:” Nuk më pëlqen zëri yt!” Dhe pastaj:””Plakush, shko fli!” Pas këtyre fjalëve, një shishe verë iu përplas në fytyrë Balmontit. “Nisi rrahja,-kujton një tjetër.-Ahmatova kaloi në histeri, Gumilevi qëndronte mënjanë, kurse të tjerë grushta Morozovit. Rrahja ishte e tmerrshme. Të gjithë ishin të dehur dhe i binin njeri tjetrit kuturu” Të nesërmen në mëngjes poeti u kthye në shtëpi i dërmuar dhe me kostumin e shqyer. A u pajtuan më vonë shkaktarët e rrahjes – historia këtu hesht.

    Josif Brodski dhe Anatolij Najman

    Josif Brodski dhe Anatolij Najman

    Shkrimtarja Ljudmilla Shtern, kur ishte në Leningrad, që nga dritarja ku po punonte, vërejti një pamje të çuditshme. Në oborrin e shkrimtares ishte një tavolinë tenisi, ku dy herë në javë vinte nobelisti i ardhshëm, Josif Brodski. Atë ditë ajo dëgjoi ca britma të çjerra burrash, që i tërhoqën vëmendjen dhe e bënë që të dilte në dritare, kur pikasi dy poetë që po debatonin. Në tavolinën e pingpongut kishte zënë vend Brodski me flokët ngritur përpjetë, i cili duke tundur raketën para hundës, po përpiqej t’i tregonte diçka Anatolij Najmanit. Pas njëfarë kohe, Najmani u soll rrotull tavolinës dhe nisi të bërtiste dhe ai. Rrahja filloi kur Brodski pështyu te këmbët e Najmanit dhe ky i fundit u orvat të përmbyste tavolinën ku ishte ulur Brodski. Por Brodski e rrëzoi Najmanin. Ljudmilla Shtern kujton, që në këtë moment doli në rrugë dhe ja çfarë pa: “Njeriu ndjen frikën e vdekjes, sepse u largua nga zoti,-bërtiste Brodski, duke përplasur kokën e Najmanit mbi tavolinë.- Ky është rezultati i dasive tona, i braktisjes dhe vetmisë totale. Vallë nuk e kupton një gjë kaq elementare?”

    Përktheu H.B.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË