More
    KreuLetërsiBibliotekë"Përpara krismës së pushkës", tregim nga Nadine Gordimer

    “Përpara krismës së pushkës”, tregim nga Nadine Gordimer

    Marais Van der Vyver-i qëlloi me armë njërin prej punonjësve të fermës së tij, dhe e la atë të vdekur në vend. Një aksident. Aksidente të tilla me armë ndodhin çdo ditë të javës – ka fëmijë që, sot, luajnë lojëra fatale me revolverin e babait në qytete ku armët janë sende shtëpiake, por ka edhe fatkeqësi gjuetie si kjo, në provincë – veçse ato nuk pasqyrohen në shtypin botëror. Van der Vyver-i e di se rasti i tij do të bëjë bujë. Historia e fermerit Jug-Afrikan me origjinë evropiane – kryetar i partisë rajonale dhe kreu i komandos së sigurisë vendore – qëllon me armë një të zi i cili punonte për të, dhe kjo do t’i vijë për shtat versionit metë cilin ata dota paraqesin Afrikën e Jugut, sepse kjo iu shërben më së miri. Ata do ta shfrytëzojnë këtë në fushatat e tyre të bojkotimit dhe të shpronësimit, dhe kjo do të jetë një tjetër dëshmi e së vërtetës, sipas këndvështrimit të tyre, për vendin. Gazetat në vend do ta citojnë ndodhinë ashtu siç ajo u pasqyrua në shtypin e huaj, dhe në atë vardisje, ai dhe zezaku do të kthehen në dy figura të vizatuara pa finesë në banderola kundër aparteidit, një argument ky pra, në funksion të statistikave dhe brutalitetit të të bardhëve kundër të zinjve që do të përmendet në Kombet e Bashkuara –  do të përmendet ai, të cilin ata do të kenë mundësinë ta quajnë me ngazëllim ‘anëtar i kryesisë’ së partisë në pushtet. Kushdo që i përket komunitetit fermer e kupton sesi mund të ndjehet ai. Mjaft keq, sepse ka vrarë një njeri, por ai, ama, nuk ka ndihmuar as armiqtë e partisë, dhe as të qeverisë apo të atdheut. Ata e kuptojnë se kjo është e vërtetë. Ata e dinë, sepse i lexojnë gazetat e së dielës, dhe se kur Van der Vyver-i citohet se ka thënë që është ‘shumë i tronditur,’ ai ‘mendjen e ka te gruaja dhe fëmijët,’ se asnjë amerikan apo anglez, dhe askush nga vendasit që duan ta shkatërrojnë pushtetin e të bardhit nuk do ta besojë atë. Dhe do ta përqeshin për atë që ai thotë (sipas një gazete, nëse mund të besohen korrespondentët e saj), se ‘Ai ishte miku im, gjithmonë e merrja me vete në gjueti.’ Banorët e qytetit, si dhe ata që jetojnë jashtë shtetit, nuk e dinë nëse kjo është e vërtetë apo jo: fermerët zakonisht mbajnë një djalë zezak që pëlqejnë ta marrin me vete në pronat e tyre; atë mund ta quash një lloj shoku, po, sepse shokë nuk janë vetëm njerëzit e tu të bardhë, si edhe ju, të cilët i ftoni në shtëpi, dhe me të cilët luteni në kishë apo punoni së bashku në komitetin e partisë. Po si mund ta dinë të tjerët këtë? Ata as që duan ta dinë, dhe madje janë të mendimit se të zinjtë janë si ata agjitatorët gojëlëshuar në qytet. Këtu bën pjesë edhe fytyra e Van der Vyver-it, në fotografitë që çuditërisht u bënë publike për shkak të fatkeqësisë – por, gjithkush në rajon e mban mend Marais Van der Vyver-in si një djalë të vogël, i cili e kishte zakon të largohej dhe të fshihej nëse të kapte duke i buzëqeshur, dhe tani, të gjithë e njohin si një person që fsheh çdo ndryshim të shprehësisë përqark syve si edhe gojës nën një mustaqe të trashë e të butë, tek hedh shikimin në sende që mban në dorë, siç mund të jetë një gjethe e një bime të lashtë, një stilolaps apo një gur që ka gjetur diku, dhe këto, në momente përqendrimi kur dëshiron të flasë ose kur dëgjon. E gjitha kjo dëshmon se çfarë të shkakton tronditja; dhe kur ti vetë i vështron fotografitë nëpër gazeta, të krijohet përshtypja se po kërkon ndjesë, a thua se je duke i zgurdulluar sytë në një dhomë ku nuk duhej të ishe.

    Hetim do të ketë; dhe është mirë që të ketë, për t’i dhënë fund supozimit se ky është një tjetër rast i brutalitetit ndaj punëtorëve të fermës, edhe pse nuk ka asnjë dyshim – se bëhet fjalë për një aksident për të cilin Van der Vyver-i i ka pranuar plotësisht të gjitha faktet. Me të mbërritur në rajonin e policisë me kufomën në karrocerinë e kamionit të vogël, ai bëri një deklaratë. Kapiteni Beetge, sigurisht, e njeh mirë atë; madje i ofroi dhe një konjak. Ai, i biri trupmadh, gjakftohtë, dhe i zgjuar i Willem Van der Vyver-it, që kishte trashëguar fermën më të mirë të të atit, dridhej si purteka në ujë. Djaloshit të zi e të pajetë nuk mund t’i vije më në ndihmë. Beetge nuk do t’i thotë askujt se pas konjakut Van der Vyver-i qau. Ai qau me ngashërim, hundët i rrodhën dhe i ndotën duart, si të ishte një fëmijë i bërë pis. Për shkak të tij, Kapiteni u bë me turp, ndaj dhe u largua për t’ia dhënë atij rastin që ta rimerrte veten.

    Marais Van der Vyver-i doli nga shtëpia në orën tre të pasdites për të vrarë një antilopë të madhe, të familjes kudu, të cilën ai e mbron në zonat pyjore të fermës së tij. Ai tregon interes për kafshët e egra, sigurimin e mishit të gjahut, si edhe rritjen e numrit të bagëtive që e shikon si detyrën e shenjtë të fermerëve. Si zakonisht, ai u ndal tek ofiçina e tij me qëllim që ta merrte me vete Lucas-in, punëtorin e fermës njëzetë e një vjeçar, i cili kishte treguar prirje për mekanikën; vetë Van der Vyver-i e kishte mësuar Lucas-in si t’i mirëmbante traktorët dhe makineritë bujqësore. Ai i ra borisë së makinës, ndërsa Lucas-i ndoqi rutinën e zakonshme duke u hedhur në karrocerinë kamionit. Atij i pëlqente të udhëtonte në këmbë mbi karrocerinë e kamionit tek përpiqej që gjahun ta shquante para se këtë ta bënte punëdhënësi i tij. E kishte bërë zakon të përkulej përpara, i mbështetur te tavani i kabinës që ndodhej disa pëllëmbë më poshtë.

    Van der Vyver-i kishte një karabinë dhe një municion prej treqind fishekësh në kamion. Karabina i përkiste babait të tij, sepse e tija ishte dërguar te dyqani i armëtarit. Që nga vdekja e babait (rreshteri i Beetge-s shkroi ‘që kur babai u nda nga jeta’) armën nuk e kishte përdorur askush, ndaj kur ai e nxori atë nga një raft, ishte i sigurt se ajo nuk ishte e mbushur. Armë të mbushur, babai nuk kishte lejuar kurrë në shtëpi; atë vetë e kishin mësuar në fëmijëri që asnjëherë të mos e ngiste makinën nëse kishte me vete armë të mbushur. Por ja që kjo armë qëlloi të ishte e mbushur. Në një rrugë të pashtruar, Lucas-i goditi fort me grusht tre herë tavanin e kabinës për ta dhënë sinjalin: shiko majtas. Meqenëse kishte parë rrathët bardhë e të valëzuar mbi trupin e një kudu, si edhe brirët e tij të hollë me ndihmën e të cilëve ai kërkonte ushqim në gëmushat e dendura, Van der Vyver-i e kaloi makinën me shumë shpejtësi mbi një gropë në mes të rrugës. Troshitja e kamionit provokoi krismën. Pushka shikonte vertikalisht në drejtim të tavanit të kabinës në një vijë të drejtë me kokën e Lucas-it. Plumbi, pasi përshkoi pjesën e sipërme të kabinës, nëpërmjet fytit, u fut drejtpërsëdrejti në trurin e tij.

    Kjo është deklarata që u bë për atë çka ndodhi. Pavarësisht nga pozicioni i tij shoqëror në rajon, Van der Vyver-it iu desh të kalonte përmes procedurës së betimit se gjithçka që ai tha ishte e vërtetë. Çdo gjë, pra, e thënë zyrtarisht është regjistruar dhe do të mbetet në arkivat e stacionit të policisë rajonale për sa kohë që Van der Vyver-i të jetë gjallë, dhe për më tepër, deri në fund të jetës së fëmijëve të tij, Magnus-it, Helena-s dhe Karel-as – për deri sa situata në vend nuk përkeqësohet, shembulli i bandave zezake në qytet nuk ndiqet në zonat rurale dhe rajoni i policisë nuk shkrumbohet siç ka ndodhur me shumë rajone policie në qytete të ndryshme. Sepse, asgjë që do të bëjë qeveria nuk mund t’i qetësojë agjitatorët dhe të bardhët, të cilët i shtyjnë ata. Asgjë nuk i kënaq ata nëpër qytete: të zinjtë nuk mund të ulen dhe të pinë në hotele që frekuentohen nga të bardhët, por tani, kur Ligji i Imoralitetit është hequr, të zinjtë mund të flenë me të bardhët….Dhe kjo, nuk përbën më asnjë lloj krimi.

    Rreth shtëpisë dhe kopshtit të tij, Van der Vyver-i ka vendosur një gardh sigurie prej telash me gjemba, për të cilin, gruaja e tij, Alida, është e mendimit se ai e prish plotësisht efektin e rrëkesë artificiale të hijeshuar me bimët e fierit nën pemët jacaranda. Aty ndodhet dhe një antenë që ngrihet lart si një shtizë flamuri në oborrin e pasmë. Të gjitha mjetet, përfshirë edhe kamionin e vogël në të cilin zezaku humbi jetën, janë të pajisura me antena të cilat koloviten sa herë që shoferi e hedh mjetin në një gropë: ato bëjnë pjesë në sistemin e sigurisë që fermerët kanë vendosur në rajon, dhe që bën të mundur mbajtjen e kontaktit midis të gjithë fermave njëzetë e katër orë në ditë. Ka ndodhur tashmë që, persona të ardhur apostafat përtej kufirit, të vendosin mina përgjatë rrugëve që të çojnë në ferma të largëta, dhe kështu, t’ua marrin jetën fermerëve të bardhë dhe të familjeve të tyre, në rastet kur ata dalin për piknik të dielave. Rënia në një gropë të rrugës mund ta kishte shkaktuar edhe shpërthimin e një mine që mund ta kishte lënë të vrarë Van der Vyver-in bashkë me djaloshin e fermës. Kur fqinjët përdorin sistemin e komunikimit për t’u lidhur me radio, dhe për të thënë se iu vjen keq për ‘atë çështjen’ e djaloshit të Van der Vyver-it, nuk është e nevojshme të thuhet se: punët mund të kishin shkuar shumë më keq.

    Bie në sy, duke marrë parasysh cilësinë dhe pajimet e arkivolit, se fermeri ka dhënë një shumë lekësh për ceremoninë e përmortshme. Dhe një ceremoni e përgatitur me kujdes ka një domethënie të madhe për të zinjtë. Ja shikoni pak, sesi ata e zhveshin veten edhe nga ato pak gjëra që kanë në jetë, me qëllim që t’i përballojnë shpenzimet kundrejt shoqërive të varrimeve për të mos përfunduar kështu në një arkivol të bushtë dhe në një varr pa emër. Bashkëshortja e tij e re është shtatzënë (sigurisht) dhe një tjetër vogëlush, i cili ka veshur një palë këpucë të kuqe tepër të mëdha për këmbët e tij, qëndron i mbështetur në barkun e dalë të së ëmës. Ai është tepër i vogël për ta kuptuar atë që po ndodh, atë që ai po përjeton këtë ditë, ndaj as ankohet, por as lozonjar nuk është; ai është serioz, pa e ditur përse. Të zinjtë i ekspozojnë fëmijët ndaj çdo gjëje, ata nuk i pengojnë nga përballja me frikën dhe dhimbjen siç bëjnë të bardhët me fëmijët e tyre. Është bashkëshortja e re ajo që tund kokën sa majtas djathtas dhe ngashëren si një fëmijë, dhe qan me dënesë me kokën të mbështetur në gjoksin e një kushëriri apo të një tjetri.

    Të gjithë të pranishmit, o punojnë për Van der Vyver-in, o janë familjarë të atyre që punojnë për të; gjatë sezonit të spastrimit të barërave të këqija apo të mbledhjes së të korrave, gratë dhe fëmijët punojnë për të gjithashtu, mbi kamionë – të mbuluara me batanije – ato këndojnë, që herët në agim, gjatë shpërnguljes së tyre drejt fushave. Nëna e të ndjerit, është një grua që nuk mund të jetë më shumë se diku aty te fundi i të tridhjetave (vajzat fillojnë t’i lindin fëmijët në moshën e pjekurisë seksuale); me trupin e saj të zhvilluar dhe e veshur me një fustan të zi ajo është futur midis dy prindërve, të cilët kishin kohë që punonin për plakun Van der Vyver, që kur Marais Van der Vyver-i, ashtu si edhe vajza e tyre, ishte fëmijë. Prindërit e mbajnë atë me duar sikur ajo të ishte një e burgosur apo një e çmendur që duhet frenuar. Kokën nuk e ngre lart; sytë nuk ia hedh as Van der Vyver-it, arma e të cilit krisi brenda kamionit, ndërkohë që shikimin ia ka hedhur varrit. Asgjë nuk ka për ta detyruar atë që të shikojë lart; frikë të mos ketë askush; se ajo do të shikojë në drejtimin e tij. E shoqja e tij, Alida, i qëndron pranë. Për ta treguar respektin e duhur, si në çdo ceremoni të bardhë varrimi, ajo ka zgjedhur një blu të fortë për veshjen, dhe një kapelë ngjyrë krem, të cilën e ka veshur në kishë këtë verë. Ajo gjithmonë e ka mbështetur të shoqin, edhe pse ai nuk duket se e vë re këtë; këtë indiferentizëm dhe përmbajtje – e ëma e tij thotë se, si fëmijë,  ai kurrë nuk e kishte pasur të lehtë të krijonte marrëdhënie me të tjerët – ajo për vete e pranon këtë, por ndjen edhe keqardhje për faktin se indiferentizmi e pengoi atë ta hidhte kandidaturën, ashtu siç ishte e mira të bëhej, për përfaqësuesin parlamentar të partisë në zonën e tyre. Ai nuk lejon që teshat e saj, apo të kujtdo që ndodhet pranë tij, ta prekin. Edhe ai ia ka ngulur sytë varrit. Nëna e të ndjerit dhe ai vështrojnë varrin si të komunikonin së bashku, ashtu siç kishte ndodhur midis të ziut në karrocerinë e kamionit dhe njeriut të bardhë brenda kabinës, disa çaste para se arma të kriste.

    Përpara se pushka të kriste, kishte pasur disa çaste emocionimi midis të riut me ngjyrë në karroceri dhe fermerit të bardhë brenda në kamion, emocionime që ndaheshin nëpërmjet tavanit të kabinës, nga ku do të kalonte edhe plumbi. Momente të tilla, të pashpjegueshme, kishte pasur midis tyre, ndonëse shpesh herë qëllonte që, në ambientet e fermës pronari i saj të përballej me të riun e të mos ia kthente përshëndetjen, si të mos e njihte fare atë. Kur plumbi doli nga gryka e pushkës, Van der Vyver-i pa se antilopa e madhe kudu, e trembur nga krisma, u pengua dhe më pas ia dha me të katra. Ishte pikërisht atëherë kur ai dëgjoi një zhurmë të mbytur pas tij, tek pa nga dritarja trupin e një të riu që binte nga makina. Ai ishte i bindur se, ashtu si edhe antilopa, ai ishte trembur, dhe në përpjekje për t’u hedhur nga makina kishte rënë keq. Fermeri gati sa nuk po qeshte me një ndjenjë lehtësimi, madje, kur hapi derën donte ta vinte të riun në lojë, ngaqë nuk kishte kurrsesi mundësi që plumbi të kalonte përmes tavanit të kabinës dhe ta godiste atë.

    I riu, përkundrazi, nuk qeshi aspak me frikën që e pushtoi fermerin. Ky i fundit e mori të riun në krahë dhe e futi atë në kamion. Ishte i sigurt, i sigurt se ai ishte akoma në jetë. Por, gjaku i të riut me ngjyrë, tashmë, kishte njomur të gjitha rrobat e trupit të fermerit, i cili tek ngiste makinën ndjeu t’i njomet edhe trupi.

    Si do ta marrin vesh ata, kur të krijojnë një dosje me copa letrash të prera nga gazetat, dëshmi, prova, kur t’i shikojnë fotografitë dhe ta vështrojnë fytyrën e tij – fajtor! fajtor! kanë të drejtë! – si do ta marrin vesh ata, kur rajonet e policisë të bëhen shkrumb e hi bashkë me të gjitha dëshmitë për atë që ka ndodhur dhe atë që ligji në të kaluarën e cilësonte si krim. Si mund ta dinë ata se ata nuk dinë. Asgjë. I ziu në moshë të re, i goditur me pandjeshmëri nga arma, për shkak të neglizhencës së njeriut të bardhë, nuk ishte djaloshi i zi i punësuar nga fermeri; ai, ishte biri i tij.

    Përktheu: Aristidh Shqevi

    12.11.2020, Oslo

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË