More
    KreuLetërsiBibliotekëPërkthime të panjohura nga Zef Zorba

    Përkthime të panjohura nga Zef Zorba

    Përgatitur nga Andreas Dushi

    Pas një darke miqësore me Visar Zhitin, para disa javësh kur ai ishte i ftuar në Katedralen e Shkodrës për të dhënë dëshminë e tij rreth figurës së Nanës Terezë, mendova shumë për ato që krijuan art nën diktaturë dhe nuk mundën ta paraqisnin, të frikësuar ndoshta nga mundësia që fati tyre të ishte i njëjtë me atë të Visarit. Mes tyre duket sikur një vend të rëndësishëm zë edhe poeti Zef Zorba i cili u burgos kur ishte i ri dhe më pas, jetoi dhe krijoi në fshehtësi e modesti të pashoqe.
    Në vijim janë disa poezi që Zorba përktheu ndër vite, si ngushëllimi i vetëm për gjendjen e rëndë në të cilën po jetonte. Sikurse shihet, disa janë të përkthyera më pranë standardit se të tjera që janë në gegnisht, ndoshta ngaqë vetë Zorba mendonte se ndonjë ditë, do të mundësohej botimi i tyre dhe dëshironte që ato të ishin sa më të kuptueshme nga të gjithë.
    Përkthimet më janë dhënë në dorëshkrim nga Elena dhe Luçia Zorba, vajzat e Zefit eksluzivisht për t’u botuar për të parën herë në gazetën “ExLibris”. Shpresoj që këto përkthime të jenë si një kambanë për kulturën e re shqiptare.
    Andreas Dushi
    Shkodër, më 25. 09. 2019

    Poezi nga Elizabeth Barret Browning

    Tingëllim

    Sa fort të dashuroj? M’len me ta thanë,
    Kaq t’due: tej thellësis’, hapsinës e naltimit,
    Që shpirti im mrrin, ku lypi tej shikimit,
    caqet e qenjes e t’hirit me xanë.

    T’due sa a nevoja n’çdo ditë e n’çdo natë,
    prej diellit a prej qirit e ndriçimit.,
    e lirisht, si lufta për t’drejta t’njerzimit,
    e thjeshtë, të due, si njerzit Zotit pranë.
    T’due me besimin tim të fëminisë,
    T’due me flak’t’ime t’rinisë ndër mjerime,
    T’due me dashni qi tash a molisë,
    Si m’jan ter shejtnet! -T’due me psherëtimë
    gaze e lotë t’jetës s’ime! -e k’shtu si jam nisë,
    Dhashtë Zoti, e ma do t’due mbas vdekjes sime.

    P.S: Elizabeth Barret Browing ishte një poete angleze, përfaqësuese e denjë e romantizmit anglez të periudhës viktoriane. E lindur më 6 mars të vitit 1806, me vargjet e saj ia doli të krijonte një shkollë poetike të re.
    Shkroi një sërë vëllimesh me poezi, duke filluar me “Një Esse në mendje, me të tjera poezi” kur ishte vetëm 20 vjeçe. Vëllimet e tjera ishin një lloj kryengritjeje karshi shoqërisë së asaj periudhe, pasi ajo besonte në vlerat morale dhe shpirtërore të njeriut. Prandaj, shkroi poezi kundër skllavërisë, kundër pabarazisë dhe pro dashurisë.
    Vdiq më 29 qershor të 1861 dhe la pas një sërë veprash të pabotuara të cilat do t’i paraqiteshin publikut vite më vonë, edhe një shekull pas vdekjes së saj.

    Poezi nga Alfred Tennyson

    Djali

    E ja sollën trimin e vrarë në shtëpi,
    Por ajo as s’u avilinos as s‘lëshoj britma,
    Të tëra gratë duke u çuditur, thanë,
    “ajo ose duhet të qajë ose do të vdesë”.

    Pastaj vajtuan trimin mbarë e mbarë,
    E quajtën burrë vërtet për t’u dashuruar,
    mik i pakrahasueshëm, armik që të nderon,
    Por ajo ende s’foli as s’lëvizi.

    Doli një grua prej vendit të vet,
    Pranë luftëtarit shkoi e u ndal,
    Prej fëtyrës ja hoqi shaminë,
    Por ajo prap as s’lëvizi as s’qau.

    U ngrejt një dado nëntëdhjetë vjeçe,
    E ia vuni çunin në prehër,
    Si stuhi vere shpërthyen lotët e saja,
    “Djali im i dashur, un do jetoj për ty.”

    P.S: Alfred Tennyson gëzonte titullin Lord në Angli dhe ishte “Zot i Tennysonëve”. Ai lindi më 6 gusht 1809 dhe vdiq më 6 tetor 1892. Gjatë jetës së tij, për më tepër se 40 vjet punoi për Mbretëreshën Viktoria duke u emëruar në 1883 edhe Baron i Sussex, vend që sot drejtohet nga princi Harry dhe e shoqja Megan. Poezia e tij lidhet me epokën viktoriane të krijimtarisë angleze. Ishte “Poeti i Mbretërisë” dhe këtë pozitë e mbajti deri sa vdiq.

    Poezi nga Alejandra Pizarmik

    Poezi

    Ja gjeta shejin plagës,
    ku heshtjen tonë përbluajmë.
    Ti jetën time e bëre
    një përkushtim gjithkaç të dlirë.

    Rreshkur për ujë

    Rreshkur për ujë
    e heshtur
    pa ndeshur asnjëri,
    ruhen prej meje i dashur,
    prej të heshturës në shkreti,
    prej shtrëngatës që e ka zbrazur kupën
    e prap prej hijes që lëshon një hije të saj.

    Këto eshtra

    Këto eshtra që natën vezullojnë
    këto fjalë si margaritar,
    ngecur në grykë një shpendi të gurëzuar,
    ky gjelbërim kaq i mirëdashur
    kjo ngjyrë mavi e nxehtë,
    kjo zemër që veç është e pakuptueshme.

    Në këtë orë t’pafajshme

    Për orë,
    Në këtë orë t’pafajshme
    me atë që paskam qarë rri unë,
    në pragun e vrojtimit tim.
    Mëngjez

    Një i çveshur që ëndrron një natë me diell,
    kaq ditë e ditë lëmuar kam gjallëruar,
    era e stuhija më kanë fshirë,
    Si t’isha zjarr, si t’isha vjershë,
    e shkruar në faqe muri.

    Unë këndoj

    Unë këndoj,
    nuk është një përgjërim
    janë vetëm emra që përtrihen,
    kufij të kotë
    një vend
    S’po them një hapësirë
    flas për
    diçka
    flas për çfarë s’është
    flas për ç’ka dij
    jo, kohën jo,
    veç çastet një nga një
    as dashurinë jo,
    po
    jo
    një vend harbimi,
    një fill qyqar bashkimi.

    Marramenthi…

    Ky jargavan se ç’po çfletohet,
    vetëvetiu po bie,
    e hijen e vet të vjetër e mortisë,
    kesh të vdisja kështu sikur këto.

    Takim

    Në heshtje hyn dikush e më braktis,
    tani vetmia s’është më vetëm.
    si nata ti më flet,
    si etje lajmërohesh.

    Kur të thërras

    S’janë vargje për mungesën tande
    vetem ca vija, ndonjë plasje në mur,
    diçka në erë, diçka e hidhur…

    P.S: Alejandra Pizarnik ishte poete argjentinase, lindur nga prind hebrej me 29 prill 1936 në Avellaneda. Fëmijëria dhe rinia e saj ishin periudha shumë të vështira për të; vuante nga aknet dhe në një periudhë, edhe nga mbipesha. Për këtë arsye, kohën më të madhe e kalonte vetëm dhe në një periudhë filloi të pinte amfetaminë, drogë nga e cila më pas u bë shumë e varur pasi ajo i luftonte insomaninë duke e vënë në një gjumë të stërgjatë.
    Gjithsesi, ajo filloi të studionte për Filozofi dhe Letërsi në Universitetin e Buenos Airesit dhe një vit më pas, më 1955 botoi vëllimin e parë me poezi që u pasua edhe nga dy të tjerë brenda pak vitesh (1956 dhe 1958).
    Mes viteve ’60 – ’64, Pizarnik jetoi në Paris ku punoi ndër periodikë të ndryshëm letrarë dhe kulturorë. Pas kthimit në Argjentinë më 1964, botoi edhe dy vëllime të tjera poetike, ndër më të njohurit në gjithë Amerikën Latine.
    Alejandra Pizarnik i dha fund jetës së saj më 25 shtator 1972 në moshën 36 vjeçare, pasi mori një ilaç në overdozë fshehurazi nga stafi mjekësor në një spital psikiatrik ku qe shtruar.

    Poezi nga Sarah Morgan Bryan Piatt

    Shtriga n’pasqyrë

    Pa da m’thotë nana,
    Se n’at pasqyrë s’asht mirë m’u kqyrë.
    Ajo ka frikë se kam me pa,
    Nji shtrigë të vogël,
    Që mue m’ka ngja,
    Që me i’gojë t’kuqe do t’përshpërisë,
    Ç’ka s’duhet të dij:
    Fjalët e dashnisë.

    T’kota shqetësimet e nanës time,
    Një zog n’fluturime,
    Një erë tuj lujtun,
    Ose mendimi,
    O i’ trandofille çue n’shej kujtimi,
    Me një za t’ambël do t’më pëshpërisë
    Ç’ka s’duhet të dij:
    Fjalët e dashnisë.

    P.S: Sarah Morgan Bryan Piatt lindi më 11 gusht të 1836 në Lexington, Kentucky, ShBA. Gjatë jetës së saj shkroi mbi 450 poezi dhe ishte një ndër poetet më të njohura në vendlindje. Pati një fëmijëri të vështirë, pasi mbeti jetime nga e ëma qysh në moshën tetë vjeç dhe duhej të kujdesej për motrën dhe vëllain, më të vegjël se ajo. Për këtë arsye, poezitë e saj të para janë plot me dhimbje të pashpjegueshme dhe unike në llojin e vet.
    Në vitin 1871 boton vëllimin e parë poetik, “Poemat e një Gruaje” dhe në më pak se 20 vjet, boton edhe 13 libra të tjerë të cilët, në 1894 i përmbledh në një vëllim të vetëm. Vdiq më 22 dhjetor 1919 në New Jeresy, pasi kishte udhëtuar në disa vende brenda dhe jashtë Amerikës. Për poezinë e saj vijojnë studimet dhe ajo akoma konsiderohet si një ndër poetet amerikane më me ndikim në letërsi dhe një prej figurave bazë të feminizmit.

    Poezi nga Eliseo Diego

    Gjërat do t’i përmend

    Gjërat do t’i përmend, të lartat
    Kate ku erërat kremte bëjnë,
    Hajatet e thella dhe perdet
    Që hijet mshilin e heshtjet.

    E odat e përshenjtëruara, gjysëm –hijet
    Q’enden ndër zyrat plot pluhur
    E kërcejtë njerzorë, kërcenjët
    E trupit tim, natën kur flej.

    E atë shtëpi të varfër, pluhurin
    Ku këmbë atërore kish’ lënë gjurmë,
    Kalldrëm guri lëmuar e t‘rrasur,
    Pa asnjë nuancë t’barabartë si njëri –tjetri.

    As nuk do ta harroj mëshirën e zjarrit,
    Në jerevi kur moti bën me cegem,
    As përdëllimin e këndshëm të shiut,
    Në qark t’përvujtur të oborrit tim.

    As ty mur i mahnitshëm mesditor,
    I suvatuar, i thatë, i pambarim,
    Me shikimin veror t’ngulitur,
    Shtigje do gjej ky malli im,
    Nga marrin hov të dielat dështake,
    E kokëvarura kthehen të hënash.

    Gjërat do t’i përmend, aq me ngadalë
    Saqë kur ta humbas parajsën
    E jetës sime, q’ëndërr bëri harresa,
    T’mund i bëj zë menjëherë me agimin.

    Jashtë

    Muzgu nën zë,
    Po ndehet. Ne
    me m’zi e dëgjojmë – mjafton,
    që me dorë të shushatur
    palmën e moçme prek,
    e drizat. Bisedojmë
    për gjëra të qëmotshme e ndërpritëse
    e këqyrëshe trajtat
    e pabesueshme që kem fshehur
    sendet per rreth. Dëgjon
    nga bëlbezimi ngadalë
    pastaj të rrokë gjithkah
    e pakufi gjysmëerrësira.
    E përnjëherë të ngushëllon
    që brenda jo i mbrujtur
    nga gjithçka si është zakoni.
    Sa i moçëm qenka muzgu,
    sa shpërfillit që është
    dlirësia e tij e errët.

    P.S: Eliseo Diego ishte poet kuban, lindur në Havana me 2 korrik 1920. Përveç poezive, Diego njihet edhe për tregimet e shkurtra që botoi gjatë jetës së tij.
    Kur ishte 22 vjeç, ai botoi ciklin e tij të parë poetik “Në duart e errësirës së harresës”. Në vitet ’50 u bë pjesë e “Orgines”, grupit letrar kuban.
    Pas “Revolucionit Kuban” në 1959, Diego filloi të përkthente përralla dhe të shkruante poezi bazuar në to, duke besuar se ky ishte një mjet për “edukimin e masave”.
    Vdiq më 1 mars 1994, një vit pasi fitoi çmimin “Juan Rulfo”.

    2 KOMENTE

    1. Poezite e perkthyera te Zef Zorbes jane perla te sjella me nje gjuhe te bukur dhe emocionuese. Ato kuptohen e perthithen natyrshem nga çdo lexues. Sa lexon rreshtat e pare nis menjehere te mendosh se ç’personalitet e talent te rralle ka shtypur diktatura. C’fat i keq per te , po dhe per ne humbesit e vlerave qe do te na vinin prej tij…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË