Kreu Opinion Për Oscar Wilde-in dhe plagjiarizmin

Për Oscar Wilde-in dhe plagjiarizmin

nga Joseph Bristow, Rebecca N. Mitchell

Shumë i vlerësuar për inteligjencën e jashtëzakonshme dhe risuese, Oscar Wilde dhe nocioni i origjinalitetit rëndom përbëjnë një dyshe të pandarë. Kjo dyshe, sidoqoftë, nuk është pa probleme. Joseph Bristow dhe Rebecca N. Mitchell shqyrtojnë pretendimet për plagjiarizëm që e kanë shoqëruar gjithmonë karrierën e Wilde-it, sidomos për fijet lidhëse me veprën e personalitetit tjetër të shquar të dekadentizmit (estetizmit) të fundit të shekullit të 19-të, piktorin James MecNeill Whistler.

Kur shoh një tulipan të shëmtuar me katër petale të bukura kopshtin e dikujt, ndiej detyrimin të rris një tulipan të shëmtuar me pesë petale të bukura, por nuk ka arsye të rrisësh një tulipan vetëm me tre petale.
-Oscar Wilde

Akuzat ndaj Oscar Wilde-it për plagjiaturë sigurisht nuk janë të reja. Ato e kanë origjinën e tyre në kritikat e ashpra të bashkëkohësve për vëllimin e tij të parë të botuar, “Poezi” (1881). Edhe nëse  nuk u pohua se ndonjëra nga poezitë ishte vjedhur fjalë për fjalë nga Romantikët dhe Para-Rafaelitët, veprat e të cilëve ai i adhuronte, kritikët kuptuan se pjesa më e madhe e veprës ishte shumë imituese. Revista e përjavshme “Saturday Review” jep një shembull të mjaftueshëm se si u prit libri nga kritika: “Libri nuk është pa gjurmë zgjuarsie, por humbet nga prania kudo e imitimit, mungesës së sinqeritetit dhe shija e keqe letrare”. Në të njëjtën kohë, është fakt i njohur që “Unioni studentor i Oksfordit”  e refuzoi kopjen e vetme të “Poezi” që sekretari i saj i kishte marrë Wilde-it, pasi në një nga forumet e debatit të “Unionit” studenti Oliver Elton, i cili më pas do të bëhej një historian i famshëm i letërsisë, tha se poezitë e Wilde-it “nuk dukeshin të krijuara prej tij, por nga disa autorë shumë më të njohur dhe me autoritetet të merituar. Studiues modernë kanë hedhur poshtë herë pas here pretendimin e Elton-it, duke nënkuptuar se përçmimi për zërin poetik të Wilde-it i cili ishte duke u krijuar apo qoftë edhe thjesht xhelozia e mirëfilltë ishin motivet e kësaj proteste publike. Sidoqoftë, damka e vënë pas botimit të “Poezi” ka mbetur aty për këtë vepër poetike ashtu si dhe për shumë të tjera pjesë e opusit krijues të Wilde-it.

Në fund të shekullit të njëzetë, mungesën e hamendësuar të origjinalitetit një studiues e shihte si shenjë të përtacisë së tij të lindur: “Ke vetvetiu përshtypjen se Wilde tregon papjekuri të pazakontë në procesin e rikrijimit të modeleve të larmishme dhe të papërvetësuara poetike. Të bën ta humbasësh durimin refuzimi i tij prej dembeli për ta zëvendësuar shkrimin me shkurtime me një frazë të mirë-menduar me kujdes, dhe po kështu të trondit paturpësia e një mashtruesi të mundshëm letrar. Shumë studiues nuk e kanë marrë parasysh idenë se identifikimi i Wilde-it me idhujt e tij të epokës Romantike dhe Para-Rafaelite ishte kaq i fortë sa përkushtimi i tij për ta dhe jo dëshira për t’i vjedhur, çoi në kopjimin e dukshëm të shkrimeve të tyre. Dhe filli përbashkues mbetet fakti se, ndërsa akuzat për këtë shtirje përligjeshin nga stërhollimi estetik i Wilde-it, duket se pak ishin ata që e morën seriozisht idenë që  mungesa e vullnetit apo moskokëçarja që ai mishëronte ishte në vetvete shtiracake; qëndrimi shpërfillës (ashtu si diplomimi për të njëjtën fushë studimi “letërsinë klasike” në “Trinity College” në Dublin dhe pastaj në universitetin e Oksfordit, duke këmbëngulur madje para shokëve se do të ishte me fat nëse nuk merrte një tjetër diplomë për të njëjtën gjë për herë të tretë) ishin fryt i një përpjekjeje të pareshtur dhe të maskuar me mjeshtëri.

Një fotografi e Napoleon Sarony-t që tregon plogështinë e madhe të Wilde-it, 1892

Që nga fillimi i viteve 1880, Wilde e kishte të vështirë të çlirohej nga besimi i ngulitur se ai përvetësonte me kënaqësinë më të madhe idetë e të tjerëve. Deri tani, konflikti më i disutueshëm gjatë karrierës së Wilde-it lindi nga kritikat që piktori konkurues në aspektin shoqëror James McNeill Whitsler bëri për përvetësimin e hapur por të papranuar të thënieve të tij.

Rivaliteti midis artistit më të vjetër amerikan dhe autorit më të ri irlandez, të cilin e shihje në rrethe të ngjashme në mode asokohe, u zhvillua nëpërmjet një polemike të nxehtë, për të mos thënë të ashpër në shtypin periodik. Në 20 shkurt, 1885, Whistler mbajti ligjëratën famëkeqe “Leksioni i orës dhjetë”, titulli i së cilës tregonte se për të tërhequr vëmendjen kishte zgjedhur orën dhjetë të mbrëmjes si koha e përshtatshme për të folur për artin. Whistler-i sulmoi veçanërisht kritikun modern: “shkrimtarin e pavarur” i cili “është kthyer në sekser i çështjeve të Artit”  Një gjyqtar i tillë i shijes, sipas pikëpamjes së Whistler-it, nuk mund ta shihte poezinë e “piktorit” në një vepër arti, sepse kritiku e sheh atë njësoj siç do të shihte një roman, një histori apo një rëfenjë zbavitëse.”

Wilde iu kundërpërgjigj duke e kundërshtuar besimin e Whistler-it se vetëm artisti mund ta kuptojë bukurinë estetike. “Artisti” komentoi Wilde, “nuk përbën një fakt të izoluar; ai është tërësia e një mjedisi të caktuar, e një rrethi të caktuar shoqëror, dhe nuk mund të lindë nga një komb që i mungon çdo ndjenjë e të bukurës sikurse një gjemb del nga trëndafili. Me fjalë të tjera, Wilde deklaronte se tradita kulturore krijonte kushtet në të cilat mund të lulëzonin llojet më të përsosura të artit. Përveç kësaj, ai pohoi se në kohët moderne, “artisti e gjen të bukurën tek e shëmtuara, le beau dans l’horrible.” I sfiduar, Whistler reagoi menjëherë tek “World”, duke thënë se Wilde nënkuptonte që ishte detyrë e poetëve modernë të gjenin “të shëmtuarën tek e bukura” (l’horrible’ dans ‘le beau”. Nga ana tjetër, Wilde iu kundërpërgjigj që Whistler-i pak kishte kuptuar nga kritika e tij “Kësaj radhe po të paralajmëroj, James dhe bëj sikur unë, ji i pakuptueshëm. Të jesh i madh do të thotë të keqkuptohesh.” Me qesëndi të qëllimshme, në rreshtin e fundit Wilde theksoi atë që donte të thoshte duke cituar, megjithëse nuk e përmend qartë, esenë e famshme të Emersonit, “Vetëbesimi” (1840), duke përvetësuar mençurinë e dikujt tjetër për të folur në mënyrë të përsosur në emër të tij.

Oscar Wilde dhe Whistler, imazh nga lapsi i Phil May, 1894. Në diçiturë shkruhet: “Ishte tmerrësisht [vërejte me vend] shakaja që the mbrëmë. Do të doja [ta kisha thënë unë] dhe të thosha se është e imja. “Këtë do bësh, i dashur djalosh. Këtë do të bësh.

Afër fundit të vitit 1886, Whistler-i u nxeh përsëri kur zbuloi përvetësimin fare hapur të disa prej thënieve të tij. “Çfarë ka Oscar-i të përbashkët me Artin përveçse ha darkë në tryezat tona, dhe merr nga pjatanca kumbulla për ëmbëlsirat që ai shet si shitës ambulant në periferi.” “Oscar,” vazhdon thumbimi i Whistler-it, “ka guximin të ketë të vetat pikëpamjet…e të tjerëve!”

Çështja nuk u mbyll këtu. Vite më vonë, piktori amerikan përsëri bëri zhurmë në media pasi lexoi kujtimet e Herbert Vivian-it, të botuara në gazetën e Londrës “Sun” në vjeshtën e vitit 1889. Vivian sillte ndërmend një leksion që Wilde kishte dhënë afërsisht shtatë vjet më parë, për të cilin Whistler-i “për hir të miqësisë e kishte ndriçuar plotësisht për temën”. Gjatë këtij leksioni, Wilde në mënyrë ironike e kishte  quajtur Whistler-in “Flutura” (Ai i nënshkruante veprat e artit me një flutur të stilizuar) dhe kishte ligjëruar gjëra të thëna prej tij pa ia njohur autorësinë. Vivian-i gjithashtu vinte në dukje se tek eseja “Rrënimi i gënjeshtrës”, botuar në revistën “Nineteenth Century” në janar 1889, Wilde kishte përfshirë, pa e përmendur Whistler-in si burim, synimin e artistit “që ka guximin për të patur të vetat…pikëpamjet e të tjerëve”. Fyerja e pretenduar se ka bërë Wilde ndodh më herët në ese, kur folësi kryesor në këtë dialog kritik argumenton që romancieri modern ka humbur aftësinë për të gënjyer dhe thjesht “na paraqet fakte të rëndomta nën maskën e krijimit letrar”:

Ai nuk ka as guximin e të pasurit të ideve të të tjerëve, por këmbëngul që duhet të shkosh tek jeta për gjithçka, dhe në fund të fundit, i ndodhur mes enciklopedive dhe përvojës vetjake, ai kthehet në jetën reale, dhe pasi ka vizatuar tipat e tij të marrë nga rrethi familjar ose nga rrobalarëset e pastrimit kimik, bëhet rob i një informacioni prej të cilit asnjëherë, as në çastet më përsiatëse, nuk mund të çlirohet plotësisht.

Në sytë e Whistler-it, ironia nuk mund të ishte më e mprehtë se kaq. Në këndvështrimin e tij, Wilde vështirë se mund të provonte origjinalitetin artistik në roman kur kritika e tij ndaj një krijimi letrar kaq përsëritës dhe të parashikueshëm mbështetej tek fjalët që kishte vjedhur nga mjeshtri i tij i mëparshëm: Whistler-i vetë. Ai shkoi aq larg sa ta quante Wilde-in “kryemashtruesin” keqbërës, “plagjiatorin e zbuluar”, dhe “plagjiatorin e gjithçkaje”, dikush që në Amerikë do të ishte dhunues i ligjit. Megjithatë, për Wilde-in, “të bërtiturat e zhurmshme për plagjiarizëm” të Whistler-it ishin shenjë për të ardhur keq e “kotësisë idiote ose e mediokritetit që ka i paafti”.

Pavarësisht se sa të rëndomta mund të ngjajnë ankesat e Whistler-it, ato hedhin dritë në vështirësitë që dalin në paraqitjen e Wilde-it në rolin e një plagjiatori mashtrues. Whistler-i e përshkroi ftesën e tij për darkë si një lloj “dendje”, duke e quajtur një ditë e zakonshme pune e mësuesit me një më të ri në zanat, duke shtruar pyetje që kërkonin përgjigje për lidhjen mes pedagogjisë dhe plagjiarizmit: A mundet mësuesi ta akuzojë studentin e tij për këtë krim ngaqë nxënësi ka riprodhuar mekanikisht përmbajtjen e mësimit? A nuk është qëllimi i nxënësit, kur përgatitet pareshtur për një provim, zhvillimi i aftësisë për të riprodhuar me besnikërinë më të madhe të mundshme informacionin e studiuar?

E parë me sy kritik, akuza duke mburrur veten ndaj Wilde-it mund të ngjajë fare mirë si shfajësim për të sajuar me vendosmëri një armiqësi mediatike, të tillë që Whistler-i ta shfrytëzonte për të qenë në qendër të vëmendjes së publikut. Megjithatë, fyerjet e tij e ndihmuan në ruajtjen e shumë pretendimeve që mendja e Wilde-it nuk tregonte origjinalitet. Shumë më vonë, Frank Harris, i cili krijoi një marrëdhënie të ngushtë me Wilde si botues dhe mik, përsëriti besimin që Whistler-i kishte ndikuar për ta formësuar aftësinë e jashtëzakonshme të tij më shumë se çdo personalitet tjetër: “Ndër të gjitha ndikimet nga personalitet që formësuan talentin e Oscar Wilde-it, ai i Whistler-it është nga sa dimë deri tani, më i rëndësishmi. Ai i mësoi vlerën e inteligjencës së jashtëzakonshme dhe të fuqisë që lind nga të qenit i vetëdijshëm për aftësitë gjeniale që ka njeriu me dhuntinë e lindur të artistit.” Sipas pikëpamjes së Harris-it, Wilde pati sukses të madh si shkrimtar për shkak të “aftësisë së shkëqyer” ashtu si dhe të  “krenarisë tepër të madhe” – cilësi që duket se asnjë akuzë për plagjiarizëm nuk mund t’i ndrydhë.

Ky sukses nuk i krijoi Wilde-it imunitet nga pretendimet se vepra e tij nuk ishte origjinale. Në fillim të vitit 1892, kur komedia e tij më e hershme shoqërore, “Freskorja e Ledi Uindermir”, mori shumë duartrokitjee në teatrin e St. James-it, huazimet e dukshme i trazuan sërish kritikët. Kritiku deri diku liberal A. B. Walkley, për shembull, pohoi “vijimësinë e ndodhive” që buronin “nga një dyzinë dramash franceze”, dhe vërejti që potagonistja femër ishte “një nuse e re e padjallëzuar” e cila i shëmbëllente “dramës “Françillon”të Aleksandër Dumasit”. Ndërkohë, për aq sa ai mund të thoshte, një personazh tjetër i Wilde-it, zonjusha Erlynne, ngjante se kishte dalë nga një dramë tjetër e Dumas “Fils, L’Étrangère” (1876). Diku tjetër, sipas një kritiku drama dukej se “ishte një përzierje jo pak gjeniale e dramës “Eden” të Edgar Saltus-it, me “Idler” të Haddon Chambers-it,” bashkë me atë dramën tjetër të mirë-njohur të kurorëshkeljes, “Françillon (1887), të bëra njësh mirë e bukur. Jo të gjithë mendonin se kjo përbënte veprim të dënueshëm. Siç e perceptonte çështjen Frederick Wedmore, huazime të tilla ishin teknika standarde në teatër, koment i mbështetur nga numri i dukshëm i teksteve të përmendura si burime për dramën e Wilde-it. Sipas këndvështrimit të tij, edhe nëse “Freskorja” – dramë e rëndësishme e vënë në skenë   kishte një paraardhëse të qartë tek “Idler” (1890) e Haddon-it, kjo “zor…se bën edhe më pak inteligjentin të nënkuptojë plagjiarizëm”.

Në posterin e dramës “Freskorja e Ledi Undermir”, shkruhej për një “dramë të re dhe origjinale”.

Si mund të kenë kuptim atëherë këto huazime? Me kalimin e viteve, studimet e shumta për veprën më të vonë të Wilde-it treguan që shumë fragmente u bëjnë jehonë shkrimeve që ishin thelbësore për rritjen e tij intelektuale. Këto hulumtime nxorën në pah se pjesë të esesë “Kritiku si artist”, për shembull, përsërisin ide të “Studime në historinë e Rilindjes” të Pater-it.   E njëjta gjë mund të thuhet për shumë pjesë të dialogut ku Lord Henry Wotton flet tek “Portreti i Dorian Grejt”.  Megjithatë, Wilde rrallë e fshehu ndikimin që pati tek ai “Rilindja” e Pater-it qysh prej “ditëve studentore në Oksford”, siç pohoi lirisht në recensionin që i bëri librit studimor “Vlerësime” (1889) të Walter Pater-it: 

Esetë e zotit Pater u bënë për mua “libri i artë i shpirtit dhe kuptimit, shkrimi i shenjtë i të bukurës”. Të tilla janë për mua edhe sot. Ka mundësi, natyrisht, që po e teproj me këtë që them. Sigurisht shpresoj të jetë kështu, sepse kudo që nuk ka teprim nuk ka dashuri, dhe ku nuk ka dashuri nuk ka mirëkuptim.

Siç nënkuptonte Wilde, të qenit adhurues i flaktë i një shkrimtari tjetër krijoi për të mundësinë për të kuptuar burimin e tij të frymëzimit të parë me sy kritik. Në çdo rast, përdorimet e shpeshta nga Wilde të thënieve të Pateri-it ishte e vështirë t’i ngjanin vjedhjes. Le të marrim në shqyrtim jehonat e shumta të “Rilindjes” së Pater-it që janë të dukshme në romanin e vetëm të Wilde-it. Do ishte e vështirë të pretendoje se mbrojtja që i bën Lord Henri “Hedonizmit të ri”, për shembull, vërtetonte synimin e autorit për të vjedhur pa u vënë re nga një burim mëse i njohur. Këshilla që Lord Henri i jep Dorian Grejt për nevojën për të rendur pas kënaqësinë, e cila duket se ngjan me fjalitë në studimin e vitit 1873 “Përfundime” të Pater-it, ka pasoja të tmerrshme. Ato janë krejtësisht të kundërta me këmbënguljen e Pater-it në “dëshirën për të bukurën” si “fryt i vetëdijes së rilindur dhe shumë më të qartë”. Pjesët që mund të akuzohen më lehtë për plagjiarizëm, do të ishin fragmente të tëra që perifrazojnë shënime të marra nga katalogët e muzeut të South Kensington-it, apo ato të marra nga një libër francez për qëndisjet dhe dantellat, si dhe informacioni i grumbulluar nga pesë volumet e “Rilindja në Itali” të John Addington Symonds (1875–1886). Këto lista të detajuara të sendeve, instrumenteve, dhe veshjeve fetare që tërheqin vëmendjen e Dorian Grejt, të sjellin ndër mend gjithashtu llojet e objets d’art që hasen në romanin anti-realist të J.-K. Huysmans-it me protagonist një koleksionist sendesh me bukuri estetike me titullin “À rebours” (1884), vepër letrare shumë e njohur ku gjenden disa burime të ndryshme franceze prej nga të paktën një lexues i zemëruar bashkëkohës besonte se Wilde i kishte gllabëruar.

Detaje nga ballina e “Gur të çmuar” E A. H. Church, një nga manualet e artit të muzeut të “South Kensington-it prej ku Wilde bëri të vetat listat që përshkruanin objektet e muzeut për t’i përdorur në romanin “Portreti i Dorian Grejt”.
Secili prej gurëve në këtë fragment të ‘Portreti i Dorian Grejt” është përshkruar me të njëjtët mbiemra që përshkruhen në kreun 7 të librit të librit të A. H. Church “Gurët e çmuar”.

Prapëseprapë, këto pretendime të ndryshme për vjedhjen e guximshme të ideve, thënieve dhe situatave janë kundërthënëse me idetë e shtjelluara me kujdes nga Wilde për huamarrjen letrare, çfarë vjedhjeje letrare është e dënueshme dhe shprehjen krijuese. Në rencensat kritike të viteve 1880, Wilde diskutoi për huazimet e pafrymëzuara të cilat nuk shfaqnin integritetin artistik të autorit epo etikën e punës por ishin tregues i shijes së tij të keqe. Kjo do të thotë, shkrimtarët prej të cilëve autori zgjedh të marr dhe shkathtësia me të cilën ai e bën këtë veprim krijojnë premisat e duhura sipas të cilave mund të vlerësohej kjo lloj vjedhje. Analiza e tij në të pëlqyerën “Pall Mall Gazette” për dy vepra poetike nxjerrin në pah këtë dallim: një vëllim me poezi i shkruar gjoja nga “dy endacak”, dhe tjetri me autor H. C. Irwin-in. Këtu Wilde mori parasysh lejueshmërinë e huazimit poetik. Duke përdorur gjuhën e shkëputur nga blloku me shënime nga poeti anglez i shekullit të tetëmbëdhjetë Thomas Chatterton (një tekst tjetër që ka ngritur akuza për plagjiarizëm), ai mori “dy endacakët” për t’u ngarkuar detyrën e debatit të ashpër për vjedhjen e papërligjur nga poetët”. “ Ne ndjejmë”, shkroi Wilde, “se të bësh plagjiarizëm është më keq se të vjedhësh pula. “Facilis descensus Averno!”(Sa e lehtë të zbresësh në ferr!), kjo nis me grabitjet në rrugë të madhe dhe krimet e dhunshme dhe pastaj përfundon duke bërë hajdutëri të rëndomta letrare.”

Më herët në një recension, Wilde i kishte shfajësuar autorët, madje i kishte lavdëruar, që përpiqeshin “të përvetësonin në fushën e pikturës” nëpërmjet zgjidhjeve estetike të ngjyrës së letrës dhe lidhjes së librit, por ai nënkuptonte se plagjiarizmi  ishte akt i rëndë që shkonte përtej kësaj.   Një arsye ishte se, megjithëse përvetësimi i ngjyrave nga piktorët ia shtuan bukurinë librit, rreshtat e kopjuara thjesht i bënë poezitë shumë të tmerrshme: si tek ndryshimi me tulipanit me pesë petale dhe tulipanit me tre petale. Ky dallim i theksuar u forcua nga vlerësimi pozitiv i Wilde-it për përmbledhjen poetike të Irwin-it, i cili, sipas fjalëve të tij, “fiton efektin e ngjyrës nga poeti jo nga botuesi”  Në poezitë e tij Wilde me siguri gjeti gjurmë të veprave të MathewArnold-it, por ai sidoqoftë e lavdëroi ngaqë “ka mësuar nga poeti i shkëlqyer pa vjedhur gjë prej tij, një gjë shumë e vështirë ta bësh,  dhe megjithëse harpa të cilës ai i bie ka njohur të tjerë duar para tij, është në gjendje megjithatë të krijojë një muzikë të re”. Me fjalë të tjera, edhe kur merr mësime nga mjeshtri ky ishte rasti kur epigoni i shndërron jehonat e dallueshme të idhullit të tij në art novator. Këtë kuptim thekson kjo ese, shndërrimi dhe pëmirësimi i materialit burimor, sipas pikëpamjes së Wilde-it, ishte një qasje e ligjshme ndaj krijimtarisë letrare.

Karikaturë e Wilde në revistën “Punch”.

Një nga përfshirjet e fundit, të drejtpërdrejta dhe më mbresëlënëse të Wilde-it në debatin për plagjiarizmin ndodhi me një varg letrash të botuara në “Pall Mall Gazette” me titullin, “Etika e gazetarisë”. Ngjarja filloi në 5 gusht, 1894, pas botimit të një poezie të titulluar “Tërfili”, në gazetën e Londrës “Weeekly Sun”, poezi e cila gabimisht u botua si e Wilde-it. Jo shumë kohë më pas, poezia u botua edhe tek gazeta “New York Sun”, ku një lexues i vëmendshëm e njohu poezinë e autores “Helena Calahan” e cila e kishte botuar më parë, dhe i kërkoi shpjegim Oscar Wilde-it me anë të një letre që ia drejtoi gazetës londineze.

Botuesi i “Weekley Sun”, T.P.O’ Connor (gazetën e të cilit nuk e pëlqente hapur Wilde) u bë shkak që Wilde të kthente përgjigje, e cila erdhi në formën e një letre një muaj më pas tek “Pall Mall Gazette”.  Wilde vuri në dukje se sa qesharake ishte situata e krijuar. Ai përballej me akuzën e palgjiarizmit nga një botues që kishte botuar një poezi me emrin e tij pa verifikuar autorësinë e saj, dhe për më tepër as nuk kishte kërkuar lejen e autorit (të hamendësuar prej tij) për ta botuar. Wilde e quante poezinë “Tërfili” në mënyrë tallëse si “vargje për kalamaj”, të cilat ngrinin dyshime serioze për shijen letrare të autores dhe botuesit përveç çështjes së “etikës së gazetarisë moderne”.

Një përgjigje e drejtorit të përgjithshëm të “Weekly Sun” u botua menjëherë në “Pall Mall Gazette”. Duke pranuar që në fillim të shkrimit se botuesit “shprehin keqardhjen më të thellë për të nënkuptuarit e një rasti plagjiarizmi”, botuesi shpjegoi ndërkohë rrethanat se pse kjo ndodhi: poezia ishte dërguar me postë e shtypur në një letër që pohonte autorësinë e Wilde-it, dhe kjo ishte arsyeja pse “Weekly Sun” e botoi me emrin e tij. Ndoshta për shkak të këtij shpjegimi jo edhe aq bindës, botuesi e përqendroi debatin tek shija letrare, duke mbrojtur “kumbin magjepsës melodik” dhe “patriotizmin e kulluar dhe të madhërishëm” të poezisë duke nënkuptuar se gatishmëria e botuesve për t’ia mveshur poezisë autorësinë e Wilde kishte qenë një gjest bujarie:

Një letër zyrtare e Wilde i dha fund këtij debati. Ai kritikoi “Weekly Sun” se kishte treguar pakujdesi editoriale dhe se nuk kishte kufij të paqartë mes etikës dhe shijes. Nëse botuesit e gazetës vërtetë besonin, argumentonte Wilde-se, ato “vargje të dorës së pestë” ishin të tijat, stafi i gazetës duhej të kishte kërkuar lejen e tij për botim.  “Asnjë botues i respektuar” vijonte ai (Wilde kishte qenë botues i një gazete më parë) “nuk e çon ndërmend ta botojë veprën e dikujt pa marrë paraprakisht miratimin e autorit.”

Ne mund ta shohim këtë episod si fotografi të çastit e cila na tregon pozicionin e Wilde-it në shtypin e shkruar. Meqenëse ai kishte qenë për një kohë të gjatë shënjestër e akuzave për plagjiarizëm, “Weekly Sun” cënoi në mënyrë të paskrupullt integritetin editorial për të ringjallur edhe një herë tjetër një debat të vjetër publik për inferioritetin e tij artistik. Për më tepër, drejtori i përgjithshëm i botimeve aludonte se ishte origjina e tij irlandeze ajo që duhej të shihej si burimi një inferioriteti të tillë. Është e pazakontë, në gjithë këtë sulm tinëzar, që në letrën e “Weekly Sun” botuar tek “Pall Mall Gazette”, në të cilën pranohet gabimi dhe kërkohet ndjesë për akuzat e ngritura për plagjiarizëm, një shënim në fund të letrës shërben si një reklamë e paturpshme për  gazetën: “Në numrin tonë të ardhshëm, do të shpërndajmë bashkë me gazetën edhe tekstin e poezisë “Tërfili” të shoqëruar nga një letër të autorit të vërtetë.”  Një apologji e tillë në shërbim të vetë gazetës, ta krijon deri diku besimin se disa organe të shtypit të shkruar të periudhës së vonë Viktoriane nuk kishin shumë për të humbur kur ndërhynin në polemikat për plagjiarizmin letrar.

The Public Domain Review

(Përkthyer nga Granit Zela)

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

“Më mungon pas mesnate” rrëfim nga Andreas Dushi

1 am dhe më mungon -Po bëhet më e thjeshtë? – Po, po bëhet! – Sa? Si? – Epo... Jo,...

“Dëshira e premierës”, cikël poetik nga Ilir Shyta

Requiem për J… Kambanat gjëmojnë papushim, litarët e gjatë akrobaci i bëjnë ajrit. Organo luan requiem Mesha filloi...

Pra, në të vërtetë, nuk qenka Gutenbergu ai që shpiku shtypshkronjën

M. Sophia Newman Nëse një libër do të cilësohej “i njohur botërisht si më i rëndësishmi nga të gjithë librat...

“GJON MILI – njeriu kurth…” nga Besim Fusha

…Mili nuk ju vret. Por, më zi se aq, ju zë të gjallë… Mili ju kap gjallë në gjendje të pagatuar… dhe...