Kreu Letërsi Kritikë Për “Lasgushin e panjohur” të Moikom Zeqos - nga Llazar...

Për “Lasgushin e panjohur” të Moikom Zeqos – nga Llazar Llazari  

Kur lexon  librin e Moikom Zeqos, “Lasgushi i panjohur” dhe kupton se sa pak e ke njohur Lasgushin. Aty shikon Lasgushin e gjithëanshëm, me interesa të gjera studimi, me njohuri të thella gjuhësore, artistike, letrare e historike tej kufijve shtetërorë. Shikon poliglotin, njohësin e thellë të mjaft gjuhëve. Krijuesin e rafinuar dhe përkthyesin e kolosve të letërsisë botërore. Piktorin jo pa të ardhme, që la pikturën për poezinë. Poetin delikat e të papërsëritshëm lirik. Atdhetarin e flaktë, me dashuri për tokën arbërore e bukuritë e saj, për historinë e gjuhën e lashtë, për mundësitë e mëdha si një vend që i përket Evropës e kulturës së saj.

Nuk gabon Moikomi dhe kur veçon Kosovën, në atë kohë dashuri e brengë e madhe e Lasgushit, apo gëzimin e tij kur u ftua ta vizitonte në fillim të viteve 80-të të shekullit të kaluar dhe që s’u realizua. Ai s’i ndante trojet arbërore me kufijtë shtetërorë dhe të habiste me gjetjet e tij poetike. Mjafton të kujtosh vargjet e herëshme: ….\Duke nisur udhëtimin mes-për-mes në Shqipëri,\ Drini plak e i përrallshmë, që mburon prej  Shëndaumi…\

Edhe miqësia me Lasgushin, ndonëse me jo pak diferencë moshe, flet për mendimin pozitiv e vlerësimin si pakëkush të Moikomit të ri, për këtë figurë të ndritur të letërsisë shqipe, kur të tjerë i qëndronin larg. Kjo dëshmon dhe kujdesin e objektivitetin e lirikut të madh në zgjedhjen e miqve. Ai nuk shikonte moshën, emrin dhe vendin e zënë ndonjëherë jo drejtësisht në kulturën shqiptare, por miqësinë e sinqertë, raportet njerëzore, pa tjetër kulturën, talentin si krijues e premtimin për kohët që do të vinin. Dhe Lasgushi që nuk të afronte lehtë, nuk gaboi aspak, kur zgjodhi Moikomin si mik, madje dhe mik shtëpie, ku e priste shpesh me bashkëshorten (e cila shkruan me aq admirim). Patjetër dhe i besonte, ndiqte krijimtarinë e tij, e lexonte me kujdes, mbante shënime e bënte vlerësime për të, gëzohej për suksesin dhe e inkurajonte…

Në këtë libër bëhen bashkë liriku i papërsëritshëm Lasgush Poradeci dhe autori, një njeri erudit e krijues i veçantë  sot.

Është mbresëlënëse mënyra si e përshkruan Moikomi vetminë e poetit, jo thjesht si një dramë personale.  Autori  të  bën  të  kthehesh  pas në  kohë  e ta ndjesh atë. Është gjetje, cilësimi i poetit si “vetmi publike”. Lasgushi enigmatik, i sëmurë që i ri, mund dhe të kishte vdekur herët, ashtu si Migjeni, por ai e ‘mposhti’ sëmundjen e jetoi gjatë si De Rada.

Përshkrimi që Moikomi i bën shtëpisë (“kullës”) në Pogradec, vjetërsisë, orendive, shkallëve e dërrasave që kërrcisnin kur ecje, apo diçkaje nga jeta e sjellja e poetit atje, të bën që të duket sikur dhe ti e shikon, sikur po hyn në atë shtëpi, sikur dëgjon kërcitjen e dërrasave e shikon Lasgushin e plakur duke shkruar a lexuar…

Janë aq domethënëse vizitat e herëpasherëshme tek memoriali i të rënëve në Pojskë; dy poemat për vëllezërit Çollaku rënë heroikisht në luftë; interesi për mozaikun në basilikën e vjetër të Linit; apo për vendbanimin e hershëm në pjesën liqenore pranë fshatit Buqezë, etj…

Libri i Moikomitështë biografik e njëherësh studimor. Është për Lasgushin dhe njëherësh për personalitete të tjerë shqiptare e botërore. Është historik e njëherësh shëmbull si duhet trajtuar e kaluara e letërsisë shqiptare. Ky libër i kalon edhe kufijtë kulturorë të asaj që mund të përkufizohet “lasgushiane”. Aty gjejmë e mësojmë shumëçka tjetër që lidhet me mitologjinë, me antikitetin, me artin europian, me letërsinë, me figura e personalitete të së shkuarës apo të kohës së krijimtarisë së Lasgushit.

Nga  libri  mësojmë  vlerësimet  e  shumta  pozitive,  të  talentit  e krijimeve poetike të Lasgushit, nga personalitete të kulturës shqiptare si Çabej, Luarasi a Kuteli, por gjejmë edhe kritika, madje ndonjëherë me tepëri ndaj fenomenit Lasgush. Dhe jo nga njerëz dosido, por me emër e nivel kulturor si Krist Maloki, Sejfulla Maleshova e deri tek Fatos Arapi…  Kështu Moikomi na bind edhe për diçka tjetër që s’duhet anashkaluar, se vendi që zuri Lasgushi në krijimtarinë moderne poetike shqiptare, nuk ka qënë e kadifenjtë…

Trajtimi që i bën Moikomi shëndetit të Lasgushit, por dhe qëndrimit të tij ndaj sëmundjes së herëshme, spjegon jo pak nga sjellja e tij në jetë. Duke e vënë në një sfond më të gjerë, nga përvoja e raporteve të ndonjë personaliteti botëror me sëmundjen, si Kafka, autori na e lehtëson gjykimin. Njëherësh dëshmon forcën e karakterit të Lasgushit, që edhe në rrethana të disfavorshme ekonomike, politike e shëndetsore, ai ka mundur të qëndrojë në këmbë, që duke përdorur fjalët e tij në një poezi, dhe mund të jetë “hepuar”, por nuk është “rrëzuar“.

Korespondenca e Lasgushit me miq të shquar, veçanrisht ajo me Çabejin,  Asdrenin, Kutelin, Luarasin, etj, është mbresëlënëse, për nga thellësia e mendimit, dashuria për shokun, sinqeriteti shpirtëror, mungesa e cmirës e xhelozisë, etj, që rrallë gjenden kaq të pastërta e me këtë përmasë në sfera të tilla të fushës së krijimit e të studimit… Të mbetet në mendje poezia e Kutelit shkruar në Ukrahinë në tetor 1941, si një testament në prag vdekje, që ia dërgon pikërisht mikut të tij, binjakut të tij Lasgush.

Por ndodh që edhe mes të mëdhenjve ndërlikohen marrëdhëniet. Se dhe ato kanë ulje ngritjet e tyre. Sepse dhe ata nuk u shpëtonin dot meskiniteteve njerëzore, në mjediset që i rrethonin apo lidheshin me ta. Si rasti me motrën e Kutelit… Dhe megjithëatë raportet njerëzore mes tyre, vlerësimet për çka kanë shkruar e arritur në jetë, mbeten të pacënuara.

 Në këtë libër këndi i krijimit për Moikomin është i gjerë. Duke folur për “Antologjinë” e Lasgushit, ai bën pjesë të librit edhe mjaft krijues të tjerë shqiptarë, madje dhe të panjohur për lexuesin e thjeshtë. Pa u zgjatur në emra, do të veçoja gjetjen e Moikomit, që në formë dialogu, fjala e tij në 25 vjetorin e vdekjes së Kutelit, jo vetëm është e veçantë, por me të drejtë bëhet pjesë e këtij libri. Po ashtu përmendja, komentet e vlerësimet për figura të shquara të letërsisë, si Naim Frashri, Noli, Fishta, Mjeda, Koliqi, Migjeni etj, veçse e pasurojnë librin… Askush nuk do ta trajtonte si Moikomi poemën Kamadeva apo atë për Sokratin. Në këtë të fundit gjejmë edhe Lasgushin, mendimet e tij për fenë, për zotin, për gjyqin tokësor, por dhe për atë epror. Edhe për Lasgushin Zoti është e vërteta.

Moikomi, pa përsëritur kënd dhe pa i ulur vlerat studimeve e vlerësimeve të të tjerëve, në mënyrë origjinale por dhe tepër cilësore, i bën një analizë shkencore krijimtarisë së Lasgushit. Ai bindshëm argumenton se pse është i madh e i papërsëritshëm Lasgushi si poet. Kuptohet jo nga kohëzgjatja e krijimtarisë, as nga sasia e veprave, por nga cilësia, nga forca, nga vlera, nga bukuria artistike… Moikomi sjell shëmbuj se si edhe me pak krijime, madje dhe me një të vetëm, njerëzit janë bërë të famshëm… 

Lasgushi për Moikomin krijoi poezitë më të mira shqiptare të dekadave njëzet-tridhjet të shekullit të kaluar. Por ai është unikal, nuk përsërit askënd. Madje dhe më pas në një farë kuptimi ai përsërit vetëm veten. Por veten ama, askënd tjetër…     

 Si askush më parë, Moikomi nxjerr në pah karakterin atdhetar të krijimtarisë së Lasgushit. Ajo fillon me kontributin e tij në letërsinë e kulturën shqiptare. Më tej me qëndrimin ndaj gjuhës e çka bëri ai për ta pasuruar e lartësuar shqipen. Por atdhetarizmi duket dhe tek lënda e poezive të tij, që është vendlindja, Pogradeci e liqeni, Mali i Thatë, e kroi i fshatit, shtergu plak e natyra e vendlindjes… Dy poemat për bilbilin kombëtar Naim Frashërin, apo vlerësimet që u bën rilindasve të mëdhenj si luftëtarë e krijues, nuk janë pa domethënie të fuqishme atdhetare. Ashtu siç mund ta gjesh atë edhe në ndonjë letër të thjeshtë si ajo e 15 gushtit 1969, për kushëririn e tij Thoma Gusho në Detroit të Amerikës, ku nuk harron ti kujtojë emigrantit shqiptar, etrit e tyre.

Me këtë libër dinjitoz, Moikomi i bën një nder të madh figurës së Lasgush Poradecit, por ai lartëson më tej edhe krijimtarinë e tij. Një krijimtari e gjerë, e larmishme, cilësore, atdhetare… Krijimtari e një personaliteti erudit e të talentuar të kulturës shqiptare sot e më pas.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Pushkini: Jeta në kohë epidemie

Në prag të kolerës, në korrik 1831, Pletniov i shkruante Pushkinit për vdekjen e plakut Mollçanov, me të cilin ishte i...

Ardian Ndreca: Epidemia e kolerës së vitit 1916 në rrëfimin e Atë Anton Harapit

Tek libri Andrra e Prêtashit, i botuem në Romë në vitin 1959 prej sivllaut të tij Danjel Gjeçaj, me shtypajt që Ernest Koliqi kishte...

Virion Graçi: Vendlindjet e shkrimtarit Romeo Çollaku

Shkrimtarin dhe përkthyesin Romeo Çollaku e kam njohur e lexuar që në hapat e parë të karrierës së tij krijuese; libri i...

Rexhep Ferri: Fjala gënjeshtër e gënjeshtra kukull vitrine

1. Për të parë ose lexuar kurrë nuk kemi qenë më shumë. Kurrë nuk kemi qenë...