More
    KreuLetërsiBibliotekë"Pendël zogu", tregim nga Mehmet Elezi

    “Pendël zogu”, tregim nga Mehmet Elezi

    Ulur në kafen e vockël, në katin përdhes të një ndërtese me tulla balte, ndoqi për së largëti skenën e mbrame. Pa ia hequr sytë zogut. Qe kafja e parë private e lagjes, e hapur pas përmbysjes së regjimit.

    Binte në sy blloku i mermertë i kokës së tij të madhe me ballë të naltë, të tejdukshëm. Dhe me kaçurrelat e holluara, aq të brishta sa mund të mendoje se janë flokë bore, prit kur të shkrihen. Po priste shokët për kafe. Patën qenë katër, kishin mbetur tre. Më në fund zogu frushulloi dhe u ul në skaj të tavolinës përballë. Flatrat lëkundën ajrin, shishja e zbrazur e ujit u dridh e ra.

    Ai mori frymë i lehtësuar.

    -Biri im, i tha zogut. Ti e di, të kam nxjerrë drejtpërdrejt prej trupit tim, prej mishit tim. Mos dil kështu, të vrasin. Të pjekin në hell.

    Zogu zgjati qafën e hollë, ciu-ciu. Dhe filloi kallëzimin, me ndodhinë e parë të atij mëngjezi. Sa kish dalë me fluturue.

    Prokurori i lartë E. K. priti me ia hapë derën shoferi dhe zbriti. Duke ngjitur shkallët e hyrjes ballore, iu bë se dëgjoi një zë të njohur, të nëpërtymtë. Shtrëngoi nën sqetull çantën dhe këqyri me bisht të syrit. Mbi murin rrethues të oborrit qe ndalur një zog elegant, i veshur me pendla ngjyrë hiri dhe të kaltra. Për një imtë u mëdysh. Pëllumb jo, është fazan i ri, zogëz? S’kish parë kurrë fazan të gjallë për së ngjati, përveçse në pjatë. Zëri i nëpërtymtë vinte andej nga zogu. Qafa lozanjare e shpendit ia kujtoi Elën. Nuk po e zbërthente dot Elën. Kishte ardhur aty si praktikante. Sa afrohej maturisht dhe i jepte shenja sikur ia kishte qejfi një intimitet me shefin, po aq maturisht rrëshqiste e i zhdukej disa ditë nga sytë. I linte në zyrë një erëmirë të rrallë, për të cilën ai nuk qe i sigurt qe parfum apo thjesht erëmimi i shtatit, i krejt qenies së saj.  Ko-koo, ia bëri zogu, si pula kllukë që paralajmëron mos m’i trazoni vezët. Prokurori i lartë E. K. e dëgjoi prapë jehonën e atij zërit. Fër-fër u dha krahëve zogu e u ndal te hyrja ballore, mbi bas-relievin me simbolin e peshores. Dëbojeni që andej, urdhëroi E. K. policin e rojes, me një lëvizje dore. Polici i bëri shenjë pastrueses, trembe me bisht të fshesës (unë nuk jam këtu me i tutë pulat!). Pastruesja po lexonte një kumt në telefon. 

    Ko-koo-ja e shpendit të rrallë e ndoqi përgjatë hollit, deri te ashensori. Bashkë me një hakërrimë të largët. Do të të var në shesh të qytetit!, gëmushej dikush brenda guackave të ko-koo-ve paqësore të shpezës pa emër. Kallëzo lidhjet! Do të të var kështu siç je, lidhur këmbë e duar. Ja, me këtë litar që ke në qafë tashti. Vërr!, ia shtrëngonte litarin rreth fytit. Zë i plasaritur, me ushtimë, si zërat e regjistruar gjatë përgjimeve telefonike me teknikën e vjetër.  Prokurori i lartë E. K. nuk u ndie mirë. Në ko-koo-të e zogut njohu zërin e vet të asaj kohe. Po ngërmohej zëri i tij i asaj kohe. Mos po më lëviz shtypja e gjakut? Dëbojeni atë zog, kishte urdhëruar. Polici kishte rrudhur krahët, nuk jam këtu me tutë pula.

    Shpendi elegant nuk priti me e përzanë. Shpupurisi krahët dhe u ndal te hyrja e oborrit të shkollës, në anën tjetër të bulevardit. Ki-ki-ki!, iu afrua një djalë sa grima, me duar rreth gojës. Pse bën ki-ki-ki!, nuk është gjel, ia veshi shoku në palcak të qafës.  Ko-koo, ua ktheu zogu. Grimcani rrudhi qafën, ndjeva zë burri, zogu foli si burrë, nuk dëgjon një zë të trashë që gërthet? Po gërthet nëndrejtori, o rrotë, filloi mësimi. U turrën në pikë të vrapit. Djali qe i bindur se kish dëgjuar një zë tjetër. Andej nga shtylla ku rrinte zogu.

    Kish kaluar ora, kur te sheshi me shtatoren dhe emrin e një shtetari të madh perëndimor vezulloi tehu i sirenës së policisë. U shfaq makina e një qeveritari të lartë. Do të përurohej Qendra për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut. Qeveritari i rëndësishëm shoqërohej nga ministrja e brendshme me një tatuazh të vockël në qafë majtas, ndoshta flutur, dhe zyrtarë të tjerë.  Në oborr të Qendrës spikatte shtatorja I burgosuri në ditën e parë të lirisë dhe një citat nga Vaklav Haveli. Shtatorja kishte ngrirë me këmbët mbështetur në ajër. Afrohu, i tha qeveritari i lartë skulptores së shtatores. Talent i florinjtë, shqiptoi duke ia rrahur butazi shpatullat vajzës, që s’i kish kaluar të tridhjetat. E shikoni? Heroi i kësaj nuk e ve këmbën në tokë, fluturon. Fluturon në liri!

    Tha këto fjalë dhe u prish në fytyrë, a thua i theri mesi? Pati përshtypjen se ajri po ia kthente si shpellë jehonën e zërit. Të zërit të tij të dikurshëm. Ai e njohu pëshpërimën e vet të dikurshme. Flet kundër, i çuçllonte dikujt në errësirë zëri i tij i dikurshëm. Shkruan poezi kundër. Lavdëron poetin Gj. F., kundër. Zëri i tij i asaj kohe ishte fshehur nën guacka ko-koo-sh të një shpeze. Shpeza rrinte në rrapin përballë, në një degë. Ko-ko-koo. Me puplat e groshme, të kaltra dhe të përhime, mos është prej porcelani? Qeveritari i rëndësishëm rrudhi ballin. Rojet e sigurisë e përkapën kumtin, shpendi qafëgjatë shkakton bezdi, e di shefi pse. E përzunë. Ta kisha therur unë bre, shqiptoi një gojë e gjerë, pa dhëmbë, e paluar nën një kasketë ngjyrëkafe, tërë lyrë.  Ndiqte i lumturuar qeveritarin e lartë.

    Ky kishte qenë udhëtimi mëngjesor i zogut. Me tri ndalesa.

    Ti tashti di shumë gjëra, zog, i tha burri me bllok mermeri mbi shpatulla. Je pjesë e mishit tim. Ke parë e dëgjuar, ke regjistruar nga kujtesa e mureve. Ti di për shembull, që. Ko-koo, tha zogu i rrallë, di.  Ai ta vuri litarin në fyt, do të të var në shesh të qytetit, kallëzo lidhjet. Ti zog di për shembull që. Ko-koo, tha zogu i rrallë, di.  Ai pëshpëriti për ty diku në terr. Është armik, tha. Shkruan poezi kundër. Lavdëron poetin Gj. F., kundër. 

    Burri me fjolla të rralla bore në vend të kaçurrelave, që priste shokët në kafen më të hershme të lagjes, kish qenë në fllad. Domethënë në burg. Nëntë nga dhjetë vjetët e fundit të regjimit tashmë të përmbysur i kish bërë aty. Një muaj pa fituar lirinë, se si i bie në dorë një kokërr vezë. Pse ta ha këtë vezë? Një është, si qe si s’qe. Më mirë i shtoj një jetë kësaj bote. Kjo botë ka vend për të tërë. E ruajti vezën. E mbajti tri javë vezën nën sqetull. Dritë në dritë nën sqetull. Duke u kujdesur si për syrin, mos me rrëshqitë, mos me u thye. Sqetulla e tij qe mësuar me vezë. Por me vezë tjetërsoj, të sapoziera, që ta pjekin mishin për së gjalli. Pas njëzet e një ditësh nën sqetull lëvizi një jetë. Një qenie shpurdhi, gëzhytra u ça. U zgjat një sqep i bukur. Dhe cicëroi: erdha!

    Tashti jetonin bashkë, në të njëjtën banesë. Zogu dhe burri që e kish prurë në këtë botë, e kish çelë duke e ngrohur si pula kllukë. Tri javë rresht, nën sqetull.

    -Po ky zog, paska dalë vullnetar?, tha pronari i kafes. Shumë mirë ka bërë, furra ja ku është, edhe rakinë e kam të mirë.

    -Mos dil kështu zog, tha burri me kokë mermeri. Ti di shumë, të vrasin. Jo ata si ky i kafes sonë këtu, jo, ky veç fjalë ka. Janë të tjerë ata, që. Nuk bëzajnë, por.

    Shpendi i larmë, me qafën hollake curril, përplasi flatrat e u ngrit. Iu shkëput një pupël e argjentë. Pendla valëzonte në ajër, pa vendosur ç’drejtim me marrë. Filloi me i shkrue në ajër kujtimet e veta.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË