Nga Anton Nikë Berisha
Leximi – proces i ndërliqshëm
S’do mend se leximi i një vepre letrare artistike, përpjekja për t’u thelluar në mënyrën si i shpreh shkrimtari dukuritë që i bën objekt trajtimi dhe për të hetuar se çka mund të thotë ajo, sa identifikohet me përvojën tonë si lexues, sa e pasuron atë, sa pajtohet me të dhe sa i kundërvihet asaj, është një proces kompleks dhe vështirë i pranon përkufizimet. Kjo rrjedh nga fakti se leximi i veprës letrare artistike është një fenomen që shprehet në forma të ndryshme të secili person, madje në mënyrë të ndryshme edhe të i njëjti individ me rastin e rileximit të së njëjtës vepër në intervale të ndryshme kohore. Një dukuri e këtillë ngjet për arsye të vetë natyrës dhe qenies së veprës letrare, përkatësisht të mundësisë konotuese dhe komunikuese të gjuhës poetike, e cila, thënë metaforikisht, është shpirti i krijimit letrar artistik. Pikërisht nga vetë leximi (jo nga leximi si akt formal i shqiptimit të shkronjave, fjalive, por një proces që është i lidhur me faktorë paraprakë: përmasa e njohjes së artit letrar e jo vetëm të tij, aftësia për receptivitet dhe për zbërthim, për komunikim etj.) varet se sa do të arrijmë të depërtojmë në botën e veprës letrare, sa do të vëmë një komunikim intensiv ose të pjesshëm me sistemin e ideve që brumosën në të, që nxisin identifikimin ose refuzimin (sidomos atë estetik), me atë që mund të na thotë vepra letrare si sistem unik strukturash, si vlerë artistike. Së këndejmi vepra letrare artistike nuk lexohet lehtë. Sidomos nuk lexohen lehtë ato vepra që shtjellohen nga gjuha poetike e ngritur, që është në gjendje të krijojë një shumësi të pasur të kuptimeve. Për këtë arsye thuhet shpesh se vepra e filan krijuesit nuk kuptohet me leximin e parë, se ajo kërkon një përkushtim më të madh e, natyrisht, edhe një njohje e aftësi për të vënë komunikim me idetë që dalin nga struktura tekstore dhe me gjithë atë shumësi kuptimesh të mundshme që sugjerohet nga nënteksti i saj, përkatësisht nga konteksti poetologjik.
Vepër që do lexuar disa herë
Theksuam veçmas çështjen e leximit të veprës letrare për ta lidhur atë me veprën që e kemi objekt shqyrtimi – Pasqyra e të rrëfyerit të Ramadan Musliut. Në të vërtetë, se sa do ta çmojmë e në ç’mënyrë do ta vlerësojmë këtë vepër të këtij poeti, sa do të depërtojmë në botën poetike të saj dhe së fundit sa do të ndikojë ajo në ne si lexues, kjo varet para se gjithash nga leximi, nga aftësia që të depërtojmë në sistemin e saj kuptimore që del nga struktura e tekstit, që i është nënshtruar një përpunimi deri në imtësi.
Ramadan Musliu edhe në dy përmbledhjet e tjera (Parodia e trupit – 1981 dhe Shqisa e gjashtë 1983), por në mënyrë të veçantë në Pasqyrën e të rrëfyerit, ka përftuar një tekst që asnjëherë nuk ka synuar qartësinë, komunikimin e drejtpërdrejtë, përkatësisht konotimin e kufizuar. Përkundrazi. Ai përfton një tekst që vetëm nga thellësia e kuptimit të tij zë fill baza e mundësisë së konotimit, e zhvillimit të nyjëtimit kuptimor, receptiviteti i të cilit do të varet nga përmasa e njohjes dhe nga aftësia individuale e lexuesit konkret. Vështirësia, më drejt përpjekja për të depërtuar në botën kuptimore – poetike të kësaj vepre lidhet me vetë konceptin bazë të tri përmbledhjeve të këtij krijuesi – me TRUPIN. Në qoftë se lexuesi nuk bën përpjekje të hyjë më thellë në kuptimësitë e mundshme të këtij nocioni, atëherë e ka vështirë të thotë diçka të qëndrueshme e të plotë për poezitë e përmbledhjes në shqyrtim e për vlerat poetike të saj. Ç’është në të vërtetë ky trup te Musliu dhe ç’funksion merr ai në rrafshin poetik dhe në mundësinë e ndikimit estetik?
Morfologjia e qenies – qenësisë ose trupi si materie, si qenie
Në konceptin poetik të Ramadan Musliut Trupi (në fazën fillestare) del vetëm një materie që është potencial i mundshëm për ekzistim, në kuptimin e funksionimit dhe të gjallimit. Si materie fillestare ai është vetëm pyll i errët, i cili as që ka ndonjë vlerë, as funksion e as mund të përdoret për ndonjë gjë të dobishme. Trupi shndërrohet në qenie, në qenësi të ekzistimit dhe të funksionimit vetëm kur, thënë metaforikisht, shpirtërohet nga shqisat. Atë e ngjallin shqisat; ato i japin materies përmasën e qenies dhe me këtë trupi fiton mundësinë e ndjeshmërisë, të njohjes e të veprimit, por edhe të pësimit dhe të shkatërrimit. Me futjen e shqisave trupi bëhet qenie komplekse që provon vetekzistimit, që nënkupton vlerën, verifikimin e vetëqenies; në këtë mënyrë trupi fiton një përmasë të jashtëzakonshme të shprehimësisë së veçorive të shumta dhe esencialisht nënkupton trungun, qenësinë. Musliu me qëllim nuk e ka pluralizuar trupin për ta parë në dritën e shumësisë së njerëzve, të kolektivitetit. Ai e ka marrë trupin si një qenie më vete për ta trajtuar e për ta shprehur atë në mënyrë sa më të thellë e më të plotë. Në fundin e mbramë koncepti poetik i trupit te ky krijues nënkupton njeriun, individin dhe me këtë shprehet identifikimi i ndërsjellë, përligjur nga të dhënat rreth ndjeshmërisë, funksionimit që fiton trupi me shqisa. Një koncept i këtillë i trajtimit ka bazën e vet në Bibël dhe në veprën e Musliut merr nuancë të theksuar poetike e estetike.
Veprimi si dëshmi e vetekzistimit
Trupi, trungu ose qenia vetëm si materie, në konceptin poetik të Musliut, del si diçka e pa vlerë ose, siç thotë poeti “Gjë e hedhur send i vjetër”. Siç thash, shqisat e bëjnë atë qenie aktive. Qenësisht me fitimin e kodit shqisor trupi ose qenia fiton tipare të shumta e cilësore. Në procesin kompleks të funksionimit shqisat e zgjerojnë mundësinë dhe forcën e tyre të veprimit në trup dhe shndërrimin e tij në një përbërje të re; ato e vetëdijësojnë trupin dhe e bëjnë një “libër të hapur”. Kështu ai fiton tipare në dy rrafshe: në vetëdijesimin e ekzistencës, të funksionimit të një sistemi të ngritur të shqisave e të dëshmimit të tyre unik brenda trupit, por edhe të trupit në krahasim me dukuritë që ndodhin jashtë tij, po të cilat ndikojnë në të, përkatësisht bëhen pjesë e tij, qoftë si aktive, qoftë kur ruhen në nëndije. Dhe sa më shumë që zhvillohen shqisat, aq më tepër trupi fisnikërohet dhe bëhet i vlershëm. Ç’është e vërteta, në këtë raport – ndaj vetvetes (vetëqenies) dhe ndaj qenieve e dukurive të tjera – trupi me shqisat shndërrohet në qenie të ndërlikuar, në të cilën shprehen cilësi të ndryshme, dukuri që do të varen nga trupi dhe nga ajo që ngjet jashtë tij, në jetë. Së këndejmi trupi ka nevojë për përsosje, zhvillim sa më të plotë e të gjithanshëm.
…duhet punuar pa ia ndarë
nëpër vetvete
se trupi heq keq
për Zot
e për shpirt të dëlirë.
Shqiptim i dukurive qenësore
Trupi me shqisa në konceptin poetik të R. Musliut nënkupton, siç thamë, trungun, qenien e njeriut, qenësinë e jetësimit dhe të veprimit. Duke u nisur dhe duke e zhvilluar një koncept të këtillë poetik rrëfimi për trupin do të thotë rrëfimi për njeriun, për botën dhe për problemet e tij. Ky rrëfim te Musliu cilësohet me disa tipare dhe në qenësi përshkohet nga një ndjenjë e thellë e tragjikes dhe e dhembjes. Gjithë kjo (siç ngjet edhe në poezinë me titull “Java e krijimit”) fillon me harrimin, me kobin, me dhembjen, me mëkatin, me zjarrin me acarin (që nënkuptojnë pësimin), me lotin etj. Rrëfimi i shtjelluar mbi bazën e koncepctimin poetik që u përmend shtrihet në dy rrafshe: a) në atë personal, që lidhet me botën e poetit, me preokupimet e tij, me shqetësimet, me pësimet, me gjithë atë që përjeton si një trup, si një qenie që është e varur shumë nga rrethi, nga e kaluara, nga e tanishmja dhe b) në rrafshin kolektiv, në rrafshin nacional dhe ndërnacional. Përimtimi i këtyre dy rrafsheve dhe raporti midis tyre – ajo lidhshmëri dialektike, ku del në shesh gjithë madhështia dhe tragjika e individit – përbën qenësinë e gjithë poezisë së këtij krijuesi. Rrëfimi poetik shtjellohet mbi bazën e kuptimësisë që del nga një rrafsh thellësor dhe shprehet përmes një gjuhe poetike me cilësi dhe forcë shprehëse.Shqetësimi i poetit – i shqiptuar përmes kuptimësisë së trupit si nocion bazë – zë fill me dimensionin individual. Poeti e ndien gjithë tragjiken e fatit prej njeriu, i ndien dhe i përjeton shqetësimet e shumta, që kanë të bëjnë me të e me njerëzit e tij, me të kaluarën e me të tashmen, me gjithë atë që e cilëson kombëtaren, që i përket individi. Poeti si qenie, si individ i përjeton këto në mënyra të ndryshme dhe i shpreh përmes një rrëfimi kuptimisht të pasur dhe artistikisht të ngritur. Shqetësimet e tij janë të shumta, të ndryshme, por edhe të përhershme: “Zjarr kohe në shpirt ruaj” dhe “Zjarrin tim që s’shuhet dot”. Ai vëren kotësinë e veprimit, pamundësinë e ballafaqimit dhe të ngadhënjimit të dëshirave dhe të synimeve. Ideali i tij është jeta ku s’ka vaj e s’ka lot, por ajo është vetëm një përfytyrim, një rrjetë e merimangës së gjumit të tij.
Merimangë e gjumit tim
thur rrjetën për jetë e mot
rrjetë dëshirash për amshim…
Shqiptimi i një tragjike të këtillë sa shkon e merr përmasë më të madhe, shprehet në forma të ndryshme dhe bëhet dominues. Jeta bën “Zigzake deri në çmendje”. Kjo është verifikuar në rrjedhën e zhvillimit historik. Malli varfanjak i poetit e shpie atë buzë vdekjes, etja nuk i shuhet, ndërsa kënga i bëhet e kobshme.
I përgjumur në lojë
hyj i lirë e dal rob
zemra ime a të zgjoj
nga gjumi i këngës kob
ose
Perde loti në faqen time
griset varet nën thua
dhembjeje e shpresimi.
Një gjendje e këtillë herë-herë merr përmasë shqetësuese. Në shqiptimin e botës vetjake mbretëron e shprehet terri, frika, pasiguria. Terri zë nga irida, ndërsa harta e zezë varet në “qytet ndjenje plot zjarr e hi”. Pikërisht para hirit, thotë poeti, “shpirtit tim i këndoj uratë”. Tëhuajësimi, vetmia, frika sa shkojnë e shprehen me gjithë ashpërsinë e tyre të mundshme; bëhen element kryesor i gjallimit të poetit, i botës së hirit.
Koha nën zero në shpirt ka ardhur
Ai kërkon shpëtim prej territ që është futur në qenie, që si shqetësim shprehet në forma të ndryshme, sidomos përmes përsiatjeve për fatin tragjik të njeriut (poeti kujton Hiroshimën), përkatësisht të fatit të tij.
Brenda dhomës pa asnjë kandil
për qenien time kërkoj azil.
Mirëpo, këtë shqetësim, përkatësisht shqiptimin e fatit të këtillë të individit poeti do ta përgjithësojë dhe do ta lidhë me fatin e qenies njerëzore, në përgjithësi.
Dielli i jetës mbi trup varrë
jetës dhe vdekjes i fal Saharë
ose shembulli që është një antitezë e Diellit dhe Saharës:
Akulli shkrin
në frigorifer
akulli në zemër
ngrin gjithë ditën
Ç’është kjo që e ka pezmatuar poetin përtej masës, ia ka lëkundur të tanishmen dhe të ardhshmen, shpresën. Mos ndoshta shpërdorimi apo më drejt përdorimi për të keq i vetëdijes së njeriut që me veprimin e tij t’i kundërvihet atij vetë?! Ç’ndodh kështu me njeriun dhe ku janë arsyet e një tragjike të këtillë? Poeti nuk e shpalos këtë gjë, por nëpërmjet të rrëfimit poetik prej poezie në poezi na jep elemente të sjellim përfundimin vetjak. Ja dy vargje që mund të shërbejnë si nismë për kuptimin e problemit:
Dikush këtë tinëzisht shikon
dhe fytyrën e botës me gjak vizaton.
Kuptimësia e mërgimit të trupit
Trupi i mbëltuar me shqisa bëhet shumëfunksional. Vetëdijesimi i tij nënkupton përparësinë, por njëherit dhe mundësinë e përjetimit të shqetësimit e të tragjikes. Me këtë trupi shpreh morfologjinë e re; shqisat marrin funksionin kryesor dhe e drejtojnë atë. Pushteti i tyre bëhet i pakufishëm. Kjo ngjet me gjithë atë që ndodh brenda trupit, por edhe jashtë tij si rrjedhojë e aftësisë së shqisave, e reagimeve dhe e veprimit të tyre. Një ndërlidhje e këtillë e morfologjisë së brendshme të trupit me shqisat dhe e shqisave me ambientin dhe dukuritë janë, siç do të thotë poeti, pasqyra të dyfishta, nga brenda dhe nga jashtë.
Trupi është i përsosur
në vetvete
me pesë pasqyra të dyfishta
nga jashtë
dhe një përmbrenda
Nëpërmjet vetëdijes dhe aktivizimit të nëndijes, si burim i potencialeve të qenies, trupit, vihet një kontakt më i gjithanshëm dhe më intensiv me dukuritë, me të tashmen dhe me të kaluarën. Kjo ngjet nëpërmjet të parabolave të ndryshme, me të cilat vihet lidhja me fenomenet e shumta, me kuptimet, me atë që ka ndodhur, që ndodh ose që mund të ndodhë. Një mundësi e tillë e funksionimit dhe e veprimit të shqisave të trupit krijon mundësinë e komunikimit të nyjshëm, e proceseve shumë komplekse që nuk mund të ndodhin askund jashtë trupit dhe jashtë një përbërje të tillë anatomike. Kjo përbërje është e aftë të na kthejë thellësisht në histori, të na përkujtojë dukuri e çaste kryesore nga historia e njeriut (ruajtur përmes përvojës dhe gjërave të ndryshme të gjetura, përmes shkrimit etj.), nga historia nacionale, me të cilën individi është fort i lidhur dhe me këto të nxisë një komunikim shumëplanesh. Tipari që në procesin e ekzistimit dhe të veprimit shqisat të “dalin jashtë trupit”, të “mërgojnë” në kohë dhe hapësirë – përmes përsiatjeve, kujtimeve, mallit etj. – shpreh një nga esencat e trupit.
Koha më ngriu
para pasqyrës sime të të rrëfyerit
duke kërkuar shëlbim
nga trupi që po mërgon
jashtë vetvetes
ose
E prek trupin
a e kam me vete
apo thneglat po ma bartin
nën dhe në mërgim.
Jo vetëm “dhembja” bëhet qiri dhe me shkrihet “nëpër palcë”, por nëpër palcë i gjallon malli, personalitetet, ngadhënjimet e sakrificat, e kaluara. “Mërgimi” në to është mërgim tjetër nga kuptimi klasik i kësaj fjale. Këtu mërgon – të themi me konceptin biblik – shpirti. Ai bën lidhjet me dukuritë, me çështjet nga më të ndryshmet. Në këtë mënyrë ato bëhen pjesë e qenies, e ekzistencës.
Mes emrave: historia
mes foljeve: jeta
nëpër këngë: vepra
Tha: kjo është e tëra
gramatikë e trupit.
Ky komunikim me një spektër kaq të madh dukurish ndikon që ato të ekzistojnë dhe të bashkekzistojnë te njeriu. Mungesa e një komunikimi të këtillë do të shkaktonte që qenia të shndërrohet në torzo, në diçka të pjesshme e të pa funksion, sikur do të ishte, fjala vjen, trupi pa shqisa.
Kjo që thamë është një mundësi e leximit të veprës së Ramadan Musliut “Pasqyra e të rrëfyerit”, një përpjekje për ta interpretuar konceptin bazë të poezisë së këtij krijuesi që shprehet përmes nocionit të Trupit. Ky koncept poetik, shtjelluar me shkathtësi, merr funksion të shumëfishtë në secilën poezi e cikël dhe në gjithë përmbledhjen si tërësi. Ai është konceptuar me kujdes e shkathtësi: fillon me elementet e krijimit të gjithësisë, vazhdon me shenjat e trupit, me shenjat e njohjes, me memorien e gjallë, me mërgimin e trupit dhe përmbyllet me pasqyrën e të rrëfyerit. Gjithë kjo shpreh rrëfimin poetik të morfologjisë së qenies, zhvillimit dhe të qenësisë së saj, të shqiptuar nëpërmjet një mesazhi të pasur dhe artistikisht unik, që është cilësi e veprave letrare të mëdha, dëshmi jo vetëm e ngritjes së nivelit poetik të këtij krijuesi, por edhe e poezisë sonë bashkëkohore.