More
    KreuOpinionPandi Bello: Muzikaliteti i poezive të Asdrenit

    Pandi Bello: Muzikaliteti i poezive të Asdrenit

    Poeti Aleksandër Stavre Drenova ngjante sikur vinte nga një botë krejt e veçantë nga ajo që njohin të gjithë. Ai kishte një shpirt shumë të lartë etik.

    Ishte nga luftëtarët më të rëndësishëm të zgjimit kombëtar të shqiptarëve në fillim të shek. XX, indiferent ndaj shpërblimeve apo përfitimeve materiale.

    Por, për shkak të mungesës së vëmendjes dhe të mirënjohjes të administratës të shtetit shqiptar iu desh të luftojë edhe me skamjen.

    Idealist, me një pastërti morale të rrallë Asdreni, kur shkruante për poetin Naim Frashëri në vitin 1925,në botimin e poezive të tij nga studentët shqiptarë të Vienës, flet për “zgjimin e ndjenjave tona të ngurosura” dhe “një trompetë engjëlli që thërret së Larti dhe na thotë : Kujtoni të parët tuaj dhe gjurmojini në idetë dhe porositë që ju patën lënë trashëgim, për të parë dritë e për ta gjetur udhën e vërtetë për lumturinë tuaj dhe për fatbardhësinë e Shqipërisë”. Këto fjalë të Asdrenit mund të luajnë një efekt me vlerë për shoqërinë shqiptare edhe në kohën e sotme.

    Poezitë e Asdrenit dallohen për meditimin e lartë dhe lirizmin e thellë, ritmet dhe rimat e reja.Në botën e letrave është pohuar që në kohën e botimit të veprave të tij poetike : Rreze dielli (1904),Endra e lotë (1912), Psallme murgu (1930) se Asdreni i dha poezisë shqipe përmasat artistike që i mungonin më parë.

    Asdreni shkruante poezi i frymëzuar nga dashuria e madhe për atdheun.

    Mirëpo ai shkroi edhe i nxitur nga dashuria që kishte për gjuhën dhe për zhvillimin e saj si dhe nga dashuria që kishte për artin.

    Në parathënien e vëllimit Rreze dielli poeti shkruante : “Që të shkruash gjuhën shqipe s’është punë e rëndë,por s’është as aq e lehtë .S’është e rëndë se shqiptari e ka dashur kurdoherë gjuhën e tij…S’është e lehtë…më tepër për vjershat ku gjuha duhet të rrjedhë në mos si ar i kulluar fare, të paktën si argjend…”

    Origjina e njëjtë e poezisë dhe e muzikës bazohet në organizimin harmonik të shprehjes artistike. Kështu rrjedh shqipja e Asdrenit me një tingull harmonik që buron nga intonacioni i zgjedhur i vargjeve, përsëritja plot shije estetike e zanoreve të njëjta në disa fjalë që pasojnë njëra-tjetrën, ritmi me rrahje nxitëse të balancuara dhe kadencat mbyllëse të pëlqyeshme.

    Shkrimin e poezisë Asdreni e njehsonte me aktin e të kënduarit :

    Kur mallit zemra më lëndohet

    prehje s’shijoj,

    A prej një ngjarjeje më trishtohet

    unë këndoj!

    Kështu fillon poezia me titull Këndoj,nga vëllimi Endra e lotë.

    Në vargjet e Asdrenit këndon bilbili dhe zogjtë e tjerë, por edhe djemtë dhe vajzat. Edhe poezia kushtuar mikut të tij Hil Mosi mban titullin Kënga e udhëtarit. Shumë nga poezitë e Asdrenit janë si disa këngë malli që vërtetojnë vlerën magjike e tingujve të gjuhës që përdor autori.

    Poet romantik, Asdreni, në vargjet që shkruante shihte shpirtin dhe dëgjonte zërin e vet, por ndjente tek ato edhe jehonën e tingullit të violinës, instrumentit muzikor me ndjeshmërinë më të lartë dhe më të afërt me shpirtin e  njeriut, siç mund të shihet në poezinë Vjershave të mia nga vëllimi Psallme murgu :

    Ndër këngë dhembjes barin ia kam gjetur

    Me ‘to trishtimin munda që ta shterr,

    Qysh zëri i një violine tingull-fjetur

    Çdo brengë si me dorë që ta mer

    Jo kurr’o vjersha s’kam për t’ju harruar

    Se jush ka dalë tingll-i zërit tem,

    Dëshir’e zemrës sime dhembshuruar :

    Ndër ju q’e le si peng kur të mos jem!

    Melodia dhe harmonia e brendshme e vargjeve iu japin poezive të poetit nga Drenova e Korçës një muzikalitet sugjestiv me origjinë nga vendlindja, i cili vibron në konsonancë me kulturën e tij artistike.  Ky melodizm bart një etos me vlerë dhe zgjon ndjenja të lidhura me bukurinë e gjuhës dhe mund të frymëzojë mendime dhe ide edhe tek një lexues i apasionuar.

    Disa nga poezitë e dy vëllimeve të para të poetit mbajnë titullin me ngarkesë dhe kuptim muzikor: Tingëllimë. Mes tyre ndodhet edhe poezia kushtuar pretendentit të fronit të Shqipërisë, në periudhën e Rilindjes Kombëtare, Aladro Kastrioti. Në këto tingëllima autori duket sikur i shoqëron vargjet e tij me lirën e Orfeut, por në poezi të tjera me këtë titull flitet për instrumenta dhe një melos të ndryshëm nga të parat :

    Në zë trumbetash,këngë muzikore

    Këmbana mijë bukur rreth tingllonin,

    Lart qiejtë llambarisnin,zjarr lëshonin

    Verbim shkëlqimi : një çudi qiellore

    Rradhë ëngjëjsh vargje dukeshin për dore

    Me falje kryetarin adhuronin,

    Kitara, himne veshët t’i depërtonin

    Një udhë hapej, udhë madhështore

    Në poezinë Fyelli shkruar në “Kujtim të Dëshirës të pashuar të Naim Frashërit për Bagëtinë dhe Bujqësinë e Shqipërisë”, pra poema me këtë titull, Asdreni poetizon një instrument popullor të lashtë të shqiptarëve por edhe të disa popujve të tjerë :

    O fyell,t’adhuroj me mall e besë

    Se bashk’me zërin tënd hyjnor jam rritur

    Në këtë poezi autori përmend dhe poetin Virgilius ( autori latin  i epopesë në vargje Eneida) edhe kompozitorin klasik V.A.Mozart, por dhe poetët e kohës, të cilët i thurën himne fyellit (dhe flautit) :

    Se mbi të gjithë prap’ ti plot forcë – trimi

    Qëndron o fyell magjstar!

    Në poezinë Fyelli i Minervas muzika është gjuha e hyjnive :

    Minerva rij një ditë me fyell e këndonte

    Me zë hyjnor si nj’ëngjëll plot mburrje hyjësore,

    Junona dh’Afrodita, secila po dëgjonte

    Këndimin aq  të bukur e plot magji qiellore.

    Një instrument tjetër i lashtë në poezitë e Asdrenit është lahuta :

    Zani i ambël i lahutës

    Kjo asht kanga e Malësisë

    Porsi krisma e asaj hutës

    Që ashtë kanga e trimënis

    Melodika e vargjeve të shkruara në dialektin geg dëshmon idealin e zjarrtë të poetit e lidhur me bashkimin kombëtar, por edhe aftësinë e tij për të shkruar me shije edhe në këtë formë të të shprehurit në gjuhën shqipe.

    Ndërsa përdorimi i  instrumenteve arhetipalë si fyelli dhe lahuta zgjojnë lidhje të lashta me frymë popullore kombëtare.

    Figurat mitike shqiptare, me simbolikën që i karakterizon, Asdreni i përmend në poezitë e tij jo vetëm në planin e përmbajtjes por edhe si burime frymëzimi për aspektin muzikor të kësaj përmbajtjeje. Kështu vepron ai në poezinë Kushtrimi i djalërisë :

    Si lum ti moj Djalëri

    Me plot hov e zjarr në gji,

    Si lum ti moj Arbëri

    Që rit bij me shpirt të ri!

    Eja Zanë syqiellore,

    Engjëll drite Perëndije,

    Thirrja këngës madhështore

    Me zë fryme Trimërije!

    Ngreu moj Zanë këngëtare

    Lart mbi qiell të Shqipërisë,

    Thurr kurora shkëlqimtare

    Për lavdimin e Trimërisë!

    Poezi si kjo ngjasin me ato Këngë Lirie ku zanat kanë një mision të spikatur kombëtar :

    O zana të perëndishme,

    Që këndoni trimëritë

    Dhe lumtësin’ e njerëzis’,

    Shqipërisë së tanishme

    Jepini edhe saj dritë

    Të shohë rrezet e liris’.

    Përveç të kënduarit dhe instrumentave muzikorë tema të tjera si natyra, ëndërrimi, nostalgjia, vetmia, trishtimi, dashuria etj, janë për Asdrenin subjekte ku jo vetëm tingëllimi në përgjithësi por edhe muzikalizmi mishërohet në thellësi të vargjeve,duke shprehur në një formë të pasur auditive thellësinë e përjetimeve të unit poetik. Është fjala kryesisht për poezi lirike të cilat në periudhën antike karakterizoheshin nga ritmi dhe muzikaliteti i lirës.

    Në poezinë Vaje e pyllit e ndërtuar me vargje shtatë rrokëshe dhe me rima konsonante rrjedh një melodi në tonalitet minor:

    Pyll i mjerë ç’ke që qan

    Prej krahrorit që ngulçon,

    Mos do shokve zi u mban

    Që po dridhesh e gjëmon?

    Në poezinë Dëshirë  tiparet fonetike të zanoreve, sidomos timbri i zanores O dhe rima asonante frymëzojnë mes vargjeve akustikën e një jehone :

    Fry, moj erë,

    e mos pusho,

    Kurr’ ndonj’ herë

    Mos më harro.

    Në shumicën e poezive të Asdrenit harmonia muzikore e vargjeve është arritur nga vendosja e zanoreve në një pozicion të përshtatshëm edhe nga pikëpamja kuptimore edhe nga aspekti i theksit akustik.Kjo mund të shihet edhe në poezinë Zonjëzës Edith Durham :

    Një komb i tërë o Zonjëzë të falet

    Një komb i tërë nder Ty sot të sjell,

    Prej mirënjohje zemra nuk i ndalet

    Por lutje ngre me lot për Ty në qiell.

    Në poezinë Fuqia e dashurisë muzikaliteti është arritur kryesisht me anë të përsëritjes të formave identike të të shprehurit në fillim të çdo strofe dhe të rimës eufonike :

    Kur era fryn me ëmbëlsi

    Kur dielli ndrit me ngrohtësi

    Kur hënëza me mfshehtësi

    Kur rretë janë në gjëmim

    Kur deti zjen me duhi

    Po kur krahët m’i zgjat ti

    Melodia e brëndshme e vargjeve dhe kadencat e qeta janë elemente bazë të stilit muzikor të poezive të Asdrenit.Kjo metodë bën që në poezitë me një zhvillim më të madh vargjet të rrjedhin si disa fraza muzikore. Karakteristika të tilla mund të vihen re edhe në poezitë: Vlorës, Lulja e zemrës, Lulja e këputur dhe Excelsior nga vëllimi Psallme murgu.

    Fjala latine excelsior ( të gjitha ato më të lartat) në poezinë simboliste u përdor si titull. Kështu bën edhe Asdreni me poezinë Excelsior kushtuar po-etit Lasgush Poradecit:

    Sa herë s’jam menduar krejt pendën që ta thyej

    Më mos e marr në dorë,në lot më mos e ngjyej.

    -5-

    Dhe mallit tim të shkretë,vend larg t’i bëj të vejë

    Si prej një hijes keqe të fshihem mos më gjejë.

    Tej dua ta hedh pendën,llahuta zë mos nxjerrë

    Dhe kënga-e mallëngjimit në shpirt helm më mos shtjerrë

    Larg, larg prej çdo skëtere, çdo andje të përlyeme.

    Dhe veç aty ndër hire,në drit’i lar’i lyer

    Aty në gji t’Empirit,të këndit më të vlyer

    Ta gjej gjthmonë prehjen, një Gaz të kem, një Jetë :

    Tej Lart në më të Lartat, te Drita e Vërtetë!

    Në vargje të tilla konstatojmë solemnitetin festiv poetik dhe muzikor të Asdrenit.Kështu kalon ai si një hero, midis poetëve më të mëdhenj kombëtarë. Kështu mund të përjetohet edhe oda e tij Gjuha shqipe :

    Si Zonjë-e madhe mbaju kryenaltë

    Bëj të gjëmojë zëri-i yt hyjnor,

    Ndër vepra fryme mëndje më së naltë

    T’ja  thonë Zanat këngës mbi Tomor

    Mitrush Kuteli, në Vepra letrare 5, në faqen 169 shkruante:  “Shqipja e Asdrenit është shqipja e lashtë,plot energji dhe me tingull të zgjedhur”. Ky poet solli tonalitete dhe akorde të reja në poezinë shqipe.Universi akustik i poezisë së tij shtrihet në një hapësirë të madhe,e cila nis nga monodia e heroit lirik deri tek polifonia pastorale e zërave të natyrës dhe kumbimet e forta të vargjeve me theks patriotik.Ky univers i pasur ka rëndësi sepse siç theksonte Tudor Vianu në veprën e tij Estetika (Editura Orizonturi, Bucuresti, faqe 91) : “Një poezi lirike jeton jo vetëm përmes fondit të saj të vlerave dhe përmes unitetit të saj estetik,por edhe përmes strukturës tingëlluese të gjuhës në të cilën është shkruar”.

    Ndër poezitë e Asdrenit janë edhe mjaft prej tyre që janë konceptuar për tu kënduar.I pari autor që vuri në nota muzikore vargjet e poetit ishte kompozitori i lindur në Dardhë të Korçës,njëheri dirigjent i Bandës Kombëtare “Vatra”,të cilën ai e drejtoi në koncerte të shumta në Worcester të Shteteve të Bashkuara, pastaj në Korçë dhe Tiranë, pra Thoma Nasi. Në vitin 1927 Thoma Nasi botoi në Orleans Mass këngën e kompozuar prej  tij në Korçë mbi poezinë e Asdrenit O moj ti me sytë e zinj, në formën e një romance me frymëzim romantik. Prej gati 100 vitesh kjo këngë dëgjohet në Korçë dhe në gjithë vendin e interpretuar nga kori shekullor “Lyra”.

    Me të njëjtin tekst poetik kompozitori kosovar Reshat Randobrava paraqiti nën  interpretimin e këngëtarit Sabri Fejzullahu në festivalin “Akordet e Kosovës”, rreth viteve 1980 variantin e tij muzikor lirik-dinamik. Vargjet e Asdrenit e frymëzuan shpesh këtë kompozitor.Ai vuri në muzikë edhe poezi të tjera të poetit si : Mos kërko, Dashuro, Fli më nge, Dallëndyshe, Drithma dashurie, Fuqia e dashurisë, etj, që u kënduan nga këngëtarët e njohur të Kosovës siç ishin: Nexhmije Pagarusha,Bashkim Paçuku, Sabri Fejzullahu, Edmond Islami, Fatmir Bajraktari dhe të tjerë.

    Një ndër poezitë – këngë të Asdrenit është ajo me titull Të pi. Poeti e ka botuar atë në vëllimin Endra e lotë. Fati i këngës ka qënë i veçantë.Për shkak të impulseve vetiake të tipit dionisiak që rrjedhin përgjatë vargjeve shumë të përshtatshme për tu muzikuar,por  edhe të melodisë plot ndjenjë lirike, kënga është mjaft e popullarizur dhe këndohet shpesh me emërtimin Haj verëshitës, sipas vargut të parë të tekstit letrar. Por kjo këngë nuk është një këngë qytetare e Shqipërisë,siç komentohet shpesh.Autori i saj është kompozitori Gjergj Kaçinari nga Kosova (1939-2019) dhe kënga u paraqit për herë të parë e kënduar nga Vera Oruçi rreth viteve 1980.

    Po ashtu, me tekst të Asdrenit, kompozitori Josif Minga, me rastin e 150 vjetorit të lindjes të poetit krijoi këngën Këndomë çun.

    Në shkrimin mbi veprën e gjërë të poetit, të  botuar më 23 Qershor 1932, në gazetën Shqipëria e Re, që dilte në Konstanca të Rumanisë,shkrimtari Mi-trush Kuteli e quante Asdrenin : “ Këngëtori dhe Luftëtari i Rilindjes Kombëtare”.

    Veprimet e Asdrenit si luftëtar për gjuhën amëtare dhe përpjekjet e tij për arritjen e Pavarësië të vendit kanë një përmbajtje dhe zgjojnë një pamje monumentale. Ato do nderohen gjithmonë nga shqiptarët.Për gjithë çfarë ka bërë për atdheun poeti ka merituar,së paku një monument të denjë. Megjithëatë monumenti i vërtetë dhe i plotë i poetit romantik kombëtar dhe Rilindasit të madh Aleksandër Stavre Drenova,pra Asdrenit, mbetet zëri kumbues i poezive të tij.

    Ne besojmë se muzika e vargjeve të poezive të tij do t’i frymëzojë edhe më tej admiruesit e poezisë si dhe kompozitorët shqiptarë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË