More
    KreuOpinionOlimbi Velaj: Në 101-vjetorin e Katedrës së shqipes në Beograd

    Olimbi Velaj: Në 101-vjetorin e Katedrës së shqipes në Beograd

    Më 27 e 28 tetor 2022, në mjediset e Fakultetit Fiolologjik u mbajt konferenca “101- vjetori i mësimdhënies së shqipe në Universitetin e Beogradit”. Katedra e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqipe punoi për organizimin e kësaj konference dhe arriti të realizonte me sukses mbajtjen e seancave për gjuhën, letërsinë, trashëgiminë dhe mësimdhënien.

    Lektorë e studiues nga katedra e qendra të mësimit të shqipes në Evropë, ishin të pranishëm fizikisht në konferencë dhe të tjerë morën pjesë online me kumtesa e diskutime. Ishin të pranishëm edhe studiues nga Shqipëria, nga Universiteti i Tiranës, studiuesja Aljula Jubani, ndërsa studiueset Olimbi Velaj, Evalda Paci dhe Mimoza Priku si anëtare të komisioneve të përhershme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, gjithashtu morën pjesë disa studiues nga Universiteti i Shkodrës.

    I ftuar nderi ishte prof. Emil Lafe, të cilit iu dha edhe mirënjohja për kontributin e veçantë në punën për çështje të normës së gjuhës shqipe si dhe në ndihmesën disadekadëshe në mësimdhënien e shqipes në katedra e qendra të mësimit të saj jashte Shqipërisë, më e vjetra prej të cilave është Katedra e shqipes në Beograd.

    Fjalën përshëndetëse e mbajti zv. dekani i Fakultetit Filologjik, Nenad Tomoviq, më pas foli prof. Emil Lafe dhe  Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, z. Ilir Bocka, i cili falënderoi organizatorët dhe u përcolli të pranishmëve përshëndetjen e Ministres së Arsimit e Sportit të Shqipërisë, zj. Evis Kushi dhe të Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, z. Skënder Gjinushi. Dekania e Fakultetit Fiologjik, Iva Drashkiq Viqanoviq  përshëndeti gjithashtu konferencën.

         Prof. Naile Mala Imami, shefe e Katëdrës së gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqipe në Beograd, mbajti fjalën e hapjes dhe prezantoi para pjesëmarrësve një historik të katedrës në punën e saj shekullore, duke evidentuar të gjithë lektorët në vite dhe kontributet e tyre si mësimdhënës e studiues.

    Në kuadrin e kësaj konference katedra kishte përgatitur botimin me titull “Monografi me rastin e 101-vjetorit të mësimdhënies së gjuhës shqipe në Universitetin e Beogradit”, ku përfshihet kontributi e puna e lektorëve të saj në një shekull dhe vëllimi i saj i parë u shpërnda te pjesëmarrësit bashkë me materialet e konferencës. 

    Studiuesit e mësimdhënësit pjesëmarrës në konferencë trajtuan tema të larmishme përmes së cilave hodhën dritë mbi shumë çështje të mësimit të gjuhës, të raportit mes shqipes e gjuhëve përkatëse të vendeve ku ata japin mësim, si dhe tema të tjera, që lidheshin me çështje konceptuale, çështje të trashëgimisë dhe të politikave gjuhësore.

    Çështje të trajtuara në konferencë

    Folësi kryesor i konferencës, prof. Emil Lafe, prezantoi kumtesën “Fjalori serbokroatisht- shqip dhe vlerat e tij për historinë e shqipes letrare dhe të leksikografisë shqipe”, ku mori në shqyrtim fjalorin e vitit 1947 botuar nga Instituti i Studimeve në Tiranë.

    Studiuesja Aljula Jubani prezantoi kumtesën “Zhvillime të gjuhës shqipe, në kuadër të procesit të integrimit evropian”. Studiuesit Berton Sulejmani e Genc Lafe u përqendruan në çështje të ndikimeve gjuhësore në fqinjësi, përkatësisht nga gjuhët sllave dhe nga italishtja, ndërsa studiuesi Gjorgje Bozhoviq u përqendrua mbi shumësin e shqipes në kontekstin ballkanik. Studiuesja Evalda Paci prezantoi lidhjet e pashkëputura mes botës indoevropiane e ballkanike, referuar studimeve mbi këtë çështje. Studiueset Naile Mala Imami, Merima Krijezi, Angjella Markoviq, Marija Hërkaloviq, Rezarta Murati e Merita Hysa u përqendruan në çështje të morfologjisë së shqipes, të leksikologjisë, të sociolinguistikës e të psikolinguistikës.

    Studiuesit Xhuzefina Turano, Přemysl Vinš e Matěj Křepinský trajtuan çështje të mësimdhënies së shqipes në universitetet italiane e ato çeke, duke shpalosur një historik të mësimëdhënies, por edhe një panoramë aktuale e duke shtruar probleme të vazhdimësisë së mësimit të shqipes në të ardhmen në këto qendra.

    Studiuesi Aleksandër Novik solli fakte dhe interpretime shumë interesante për arnautët e Azovit, referuar historisë, kulturës e alfabetit të tyre. Ai ndau me audiencën edhe rezultatet konkrete të ekspeditave që kishte kryer vetë në terren.

    Orkida Bachkus Borshi solli fakte dhe detaje të reja për figurën e Jan Urban Jarnikut dhe kontributin e tij në albanologjinë e Pragës. Valbona Karakaçi e Rezarta Draçini u përqendruan në figurën e studiuesit dhe intelektualit të shquar Anton Çetta. Studiuesi Milosh Duriq u përqendrua në të dhënat statistikore për praninë e studimeve të dy studiuesve shqiptarë të Kosovës, M.Hamiti e L.Tahiri në arealin anglofon e atë frankofon, ndërsa studiuesja Mimoza Priku prezantoi një kumtesë mbi rolin që ka luajtur në promovimin e albanologjisë revista e njohur “Arkivi për vjetërsinë e gjuhës shqipe dhe etnologjinë” që u botua në fillim të shekullit të njëzetë në Beograd. Kjo revistë do të rifillojë nga puna që gjatë këtij viti akademik.

    Studiuesit Olimbi Velaj e Sllavisha Rakoviq u përqendruan përkatësisht në këngët epike të shqiptarëve në koleksionet Parry-Lord të Harvardit dhe në raportet lokale në lidhje me përkatësinë e rapsodëve e varianteve.

    Studiuesi Arben Prendi u përqendrua në kontributin e Martin Camajt si romancier, ndërsa Belfjore Zifla e Christian Voss u përqendruan te qasjet dhe qëndrimet e autorëve shqiptarë në kohën e Ish Jugosllavisë, referuar procesit letrar dhe veprave. Studiuesi Saeed Safari prezantoi një vështrim mbi veprën e Naim Frashërit referuar lidhjeve me poezinë persiane.

    Gjatë dy ditëve të konferencës u zhvilluan diskutime shumë të frytshme dhe shumë nga pjesëmarrësit vendosën kontakte profesionale e miqësore, të cilat do të materializohen më tej në punën e tyre në vijim. 

    Nëpër Beograd

    Studiuesit, disa prej të cilëve e vizitonin për herë të parë Beogradin, patën rastin të njiheshin me disa nga zonat historike të qytetit, si rrugën e Shkodrës, Muzeun e ish Jugosllavisë, muzen etnografik dhe atë historik në zonën afër fakultetit, si dhe Kalemegdanin, parkun dhe muzetë e tij.

    Organizatorët ishin kujdesur që të prezantonin edhe elemente të tjera lokale, si kuzhina vendase, të cilën e provuam në restorantin e njohur në qendër, te “Vuk”-u.

    Ambasada e Shqipërisë në Beograd organizoi një pritje shumë të ngrohtë në mjediset e saj dhe gjatë këtij takimi ishin të pranishëm edhe shqiptarë që punojnë e jetojnë aktualisht në Beograd, kryesisht punonjës të organizatave ndërkombëtare me seli në kryeqytetin serb. Ambasadori, z. Ilir Boçka dhe bashkëshortja e tij, Afërdita Boçka, për koincidencë festonin 43-vjetorin e martesës në ditën e dytë të konferencës dhe pjesëmarrësit gjetën rastin t’i uronin. Ambasadori ndau çertifikata mirënjohjeje për lektorët e shqipes në Katedrën e gjuhës shqipe, letërsisë e kulturës në Beograd, duke uruar që në këtë shekull të dytë të punës, të vijojnë kontributin me krenarinë e përgjegjësinë që u jep puna e rezultatet e arritura deri tani.

    Studentë e ish-studentët e katedrës ishin gjithashtu në pritjen e ambasadës dhe të gjithë të ftuarit kaluan dy orë të paharruara në shoqërinë e njëri-tjetrit.

    Shqipja si gjuhë pune

    Duke u rikthyer në të shkuarën e afërt, si lektore e kësaj katedre, u ndieva krenare që sudentë të cilët para disa viteve nuk dinin asnjë fjalë shqip, sot komunikonin me mua pa asnjë gabim dhe disa prej tyre kanë vendosur t’i përkushtohen seriozisht shqipes duke e kthyer atë në punën e jetës së tyre, qoftë si përkthyes ose si studiues. Nga bisedat mësova se pothuajse të gjithë studentët e kishin vizituar Shqipërinë dhe disa më shumë se një herë. Disa prej tyre ishin punësuar në kompani shqiptare dhe vijonin lidhjet me Shqipërinë. Ata më të zellshmit kishin mësuar edhe dialektet, sidomos kjo falë lidhjeve me Prishtinën e Tiranën dhe punëve e projekteve të përbashkëta që kishin pasur ndërkohë. Numri i të interesuarve për shqipen po njeh rritje dhe në katedër kjo ndjehet. Por edhe në radhët e qytetarëve të zakonshëm shihet një interesim më i madh dhe një përshtypje shumë më e qartë pas vizitave në vend, sidomos për qëllime turizmi. Disa nga studentët punojnë si guida turistike dhe ata tregojnë përshtypjet e tyre për lidhjet dypalëshe. Anja Zhivkoviq, e cila ka përfunduar studimet para disa vjetësh, pohon se ndjehet shumë komode me shqipen dhe ajo e sheh atë si gjuhë karriere, ndërsa është duke punuar aktualisht dhe duke mbajtur kontakte me shqiptarë kudo në Ballkan. Nevena Zhivançeviq, aktualisht studente, e njeh mjaft mirë shqipen dhe dëshiron të kontribuojë në marrëdhëniet dypalëshe, duke vijuar studimet në shkencat politike. Edhe pse jo të gjithë ish-studentët kanë pasur mundësi të punësohen me shqipen, përsëri investimi i tyre në mësimin e kësaj gjuhe shihet me optimizëm dhe ata mendojnë se falë zhvillimeve të fundit, intensifikimi i marrëdhënieve do të reflektohet edhe në kërkesën më të lartë për njohësit e të dyja gjuhëve.

    Disa fakte për shqiptarët

    Shqiptarët e Beogradit kanë edhe një klub ku organizohen për aktivite kulturore dhe mësimin e shqipes, sidomos ata që janë të brezit të dytë. Klubi Kulturor i Shqiptarëve u regjistrua në vitin 2016. Themelues të klubit janë të rinjtë shqiptarë të cilët me punën e vet bëjnë çmos që të kultivojnë dhe përurojnë gjuhën dhe kulturën shqiptare. Kryetare e Klubit Kulturor të Shqiptarëve është Naile Mala Imami.

    Sipas të dhënave të fundit në Beograd jetojnë 1200 shqiptarë, tani priten rezultatet e regjistrimit të fundit. Besohet se jetojnë më shumë se ky numër por për për shkak të mbleksjes së rrethanave një numër nuk deklarohen shqiptarë.

    Vijimësia e katedrës së shqipes

    Drejtuesja e katedrës, prof. Naile Mala imami shprehet se Keshilli i Fakultetit Filozofik ne Universitetin e Beogradit, më 31 maj të vitit 1925 ka marrë vendimin që të themelohet Seminari për «filologjinë shqipe», i cili i është besuar Henrik Bariqit. Për lektor me honorar për gjuhën dhe letërsinë shqipe është zgjedhur Xhevat Korça, në vitin 1925, emigrant nga Shqipëria, ish-drejtor i gjimnazit të Shkodrës. Ai gjate vitit shkollor 1927-2928 ka mbajtur «Kursin e gjuhës shqipe për fillestarë», pas së cilit është larguar nga Beogradi. Si lektor-vullnetar, për shkak të mungesës së mjeteve financiare, ështe zgjedhur Vojislav Dançetoviq në vitin 1935, serb i Kosoves, i lindur ne Vushtrri, i cili dinte te fliste shqip mirë. (Dançetoviq, po atë vit ka mbaruar romanistikën në Zagreb). Në vitin 1937 ky seminar është suprimuar, gjatë kohës së afrimit të Shqipërisë dhe Italisë. Në këtë fakultet, seminari për gjuhën shqipe e ka rifilluar punën në vitin shkollor 1948-1949 dhe për ligjërues është zgjedhur Vojislav Dançetoviq. Në kohën e përkeqësimit të marrëdhënieve ndërshtetërore midis Jugosllavisë e Shqipërisë në vitin 1949 dy muaj është suprimuar. Pas kesaj e ka vazhduar punen normalisht. Per asistente jane zgjedhur Anton Eta dhe Idriz Ajeti ne vitin 1950, te cilet po ashtu e kane kryer romanistiken ne Universitetin e Beogradit. Me vone te dy jane bere shkencetare prestigjioze. Ne vitet ‘60, Seminari per Albanologji ne Fakultetin Filologjik te Beogradit e ka vazhduar punen si dege e veçante e gjuhes dhe letërsisë shqipe, të cilin e ka udhëhequr dr. Vojisllav Dançetoviq, dhe pas vdekjes se tij dr. Halit Tërnavci dhe një kohë si lektore, dhe pastaj si docente dr. Gjystina Shushka.

    Aktualisht lektorët e katedrës janë angazhuar në botimin e monografisë ku përfshihen të gjithë kontribuesit nl një shekull, ndërsa kanë filluar të aktivizojnë botimin e revistave që kanë ekzistuar më parë. Në rrugë e sipër është edhe përfundimi i fjalorit serbokroatisht-shqip, që parashihet të ketë 1500 faqe, si dhe mjaft libra të pëkthyer nga letërsia dhe studimet shqiptare.

    Katedra hyn në shekullin e dytë të saj duke regjistruar një sukses sidomos në cilësinë e mësimdhënies së shqipes.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË