përgatiti dhe përktheu Prof. Arqile Teta
Në fillim të vitit 2009 (pasi botova Fjalorin Polonisht-Shqip në Tiranë, i cili ishte fjalori i parë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Poloni, me 25 mijë zëra dhe me shumë shembuj, shprehje frazeologjike e fjalë të urta) nga Instituti i Librit i Polonisë më erdhi një ftesë për të marrë pjesë në Kongresin Botëror të Përkthyesve të Letërsisë Polake që u mbajt nga 3 deri 7 qershor 2009 në Krakow nën kujdesin e Ministrisë të Kulturës dhe të Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë.
Në këtë Kongres merrnin pjesë mbi 250 përkthyes të letërsisë polake nga të gjitha kontinentet. Shtetet dhe gjuhët europiane përfaqësoheshin me disa pjesëmarrës. Nga vendi ynë ishin ftuar përkthyesi i mirënjohur i polonishtes Astrit Beqiraj dhe unë. Veç përkthyesve të huaj, në Kongres binin në sy dhe personalitete të letërsisë polake: shkrimtarë dhe gjuhëtarë që lexonin në seksione të ndryshme ligjërata. Dalloheshin mes tyre poetja nobeliste Vislava Shimborska (W. Szymborska), poeti më në zë në atë kohë në Poloni e më gjerë Adam Zagajevski (A. Zagajewski), prozatorja e re e talentuar Olga Tokarçuk (O. Tokarczuk; lindur më 1962 në Sulechów, Silezi e Poshtme, Poloni) etj. Ligjërata e O. Tokarçukut më tërhoqi shumë se lidhej me gjuhën dhe në pushim iu luta ta fotokopjoja. Ajo me një buzëqeshje më pyeti me dashamirësi: “I pëlqeu zotërisë?” Ia pohova me kënaqësi. Ajo më dha tekstin origjinal të ligjëratës që ende e mbante në dorë dhe më tha: “Urdhëro, mos ma kthe… kam kopje tjetër.”
Vitet kalonin dhe Olga Tokarçuk bëhej gjithnjë dhe më e famshme jo vetëm në Poloni, por dhe në botë, derisa më 2018 fitoi çmimin Nobel në letërsi duke u bërë nobelistja e pestë e Polonisë në letërsi (pas: H. Sienkieviç më 1905, W. Reymont më 1924, Ç. Millosh më 1980 dhe V. Shimborska më 1996) dhe e shtata në plejadën e nobelistëve polakë (M. Sklodovska-Curie dy herë: më 1905 në fizikë dhe 1911 në kimi si dhe L. Vallensa çmimin për paqe më 1983).
Ligjëratën origjinale, me shënime me laps të shtuara nga vetë Olga Tokarçuk, atëherë shkrimtare e re, jo fort e njohur, e ruajta si kujtim të çmuar dhe relikt letrar se e çmova si një prozë e shkruar nga një talent që ishte ende në hapat e para të shkëlqimit në letërsinë botërore. Sot që ajo mban laurën e çmimit Nobel, po ia bëj të njohur lexuesit tonë.
Kuptimi i vetëdijshëm nga njeriu i gjuhës së vet, me të gjitha dhuntitë e saj, me dobitë e përfitimet, si dhe me kufizimet e trillet, të krijon përshtypjen e një psikanalize të tejzgjatur. Ajo nxjerr në pah gjithë bagazhin që mbartim jo për arsye të gabimeve e fajeve, apo meritave tona, por për arsye që u lindëm në një vend, në një kohë apo në një formë. Pra, në njëfarë kuptimi gjuha është një fat i pashmangshëm letrar. Ajo gjithashtu tregon si pëllëmba e dorës se në gjuhë vetëm deri në njëfarë shkalle mund të jemi vetvetja (dhe “të jesh vetvetja” do të thotë të jesh vërtet një postulat i kulturës sonë), ndërsa në një shkallë të madhe i nënshtrohemi asaj, e cila është më e rëndësishme, më e fuqishme se ne dhe mbi të cilën nuk kemi ndikim.
Nuk ka asgjë të çuditshme që filozofët së fundi lanë pas dore Hyjninë, Qenien, Pse më Mirë Diçka se sa Asgjë dhe u morën me gjuhën.
Shkrimtarët shpesh bëjnë gabim duke e trajtuar gjuhën si domenin e tyre të lirisë, kur në oqeanin e madh të zanafillës, aminoacidet e para formulojnë mendimet tona individuale dhe mënyrat e shprehjes. Pra, duket se akset e kristalizimit u vendosën dhe ne nuk kemi ndikim mbi to. Kuptohet që në gjuhë jemi të hedhur.
Unë u hodha në polonishte. Linda dhe u rrita në tokat perëndimore të Polonisë që u bashkuan me pjesën tjetër të vendit pas luftës dhe u banuan me përzierjen e madhe të pasluftës të kulturave dhe dialekteve polake. Në këtë furrë shkrirjeje, siç theksojnë gjuhëtarët, u krijua modeli i polonishtes dhe ka të ngjarë që ne në Silezinë e Poshtme flasim polonishten standarde. Nuk flas me shprehje e huazime të ndonjëdialekti dhe me asnjë theks. Nuk di aq mirë asnjë gjuhë tjetër, saqë të mund ta trajtoj atë si gjuhë të letërsisë që shkruaj. Jam, pra, njëgjuhëshe. Nuk do të mund të shkruaja në një gjuhë tjetër. Mund të komunikoj në dy gjuhë të tjera, por vetëm në një bisedë të thjeshtë dhe në njëfarë kuptimi kjo është e dhimbshme. Mund të vendosem në Sevres pranë Parisit, atje ku mbahen të gjitha shabllonet, si shembull i personit polonishtfolës në mënyrë të përsosur. Qëndroj në polonishte si miza në qelibar.
Polonishtja bën pjesë në grupin e madh të gjuhëve sllave; rrjedhimisht, në familjen indoeuropiane. Në shkrim filloi të formohet mjaft vonë, përndryshe në shekullin XII. Marrja e krishterimit nga Roma dhe jo nga Bizanti pati një rëndësi të madhe – i lejoi polonishtes të hyjë në sferën e kulturës latine dhe të marrë alfabetin latin (siç dihet, disa gjuhë sllave morën për bazë për alfabetin e tyre atë grek – për shembull rusishtja apo bullgarishtja). Vetëm më 1270 në Librin e Henrikovës, të hartuar, në fund të fundit, në Silezinë e Poshtme, u shkrua fraza e parë polonisht dhe kjo në një kontekst mjaft interesant. Teksti latin tregonte me pak fjalë për një farë Boguchwale i cili – për bashkëkohësit dukej si diçka e pazakontë, aq sa t’ia vlente të shkruhej – ndihmonte gruan në bluarjen e drithit. Pikërisht ai tha frazën e parë të famshme: “Day ut ia pobrusa a ti pożywai”, që në polonishten e sotme do të thotë: “Më lejo ta bëj unë këtë dhe ti pusho.”
Shtrirja gjeografike e Polonisë, ndërmjet dy fqinjëve të fuqishëm në mes të Europës, në afërsi të kulturave të ndryshme, ka ndikuar që në polonishte të depërtojnë shumë fjalë të huaja. Leksiku i polonishtes përmban deri 70 për qind fjalë të huazuara nga gjuhët e tjera, gjë që është e rrallë në sfondin e gjuhëve të tjera. Pra, është një gjuhë e përbërë, gjuhë e kompozuar me arnishte, furrë shkrirjeje dhe përzierjeje. Kemi marrë fjalë nga fqinjët – për shkak të veprimtarisë tregtare që kemi bërë me ta, të luftërave, të udhëtimeve, të modës dhe magjepsjes pas së bukurës. Gjermanëve u jemi mirënjohës për terminologjinë e pasur teknike. Çdo risi depërtoi te ne përmes fqinjëve perëndimorë, me të cilët kemi pasur gjithashtu shumë probleme – ngulimet gjermanike në tokat polake kanë qenë gjithmonë njëgrup i fuqishëm ekonomik, i organizuar mirë. Në shekullin XIV, për shembull, përbënin 80 për qind të aristokracisë krakoviane, çka e detyroi mbretin polak të përdorë kundrejt tyre një test të posaçëm gjuhësor – për të gjetur gjermanët e pabesë, të cilët ngritën një rebelim në Krakov, duke i urdhëruar të shqiptonin fjalët që vijojnë: soczewica, koło i miele młyn (thjerrëza, rrota dhe mulliri bluan). Ata që nuk dinin t’i shqiptonin në mënyrë të përpiktë – ndëshkoheshin. Së bashku me mbretëreshën Bona mbërritën në Poloni shumë fjalë italisht, kryesisht nga fusha e arkitekturës, e muzikës, e artit ushtarak dhe para së gjithash, nga kulinaria. Në shekullin XVII ndodhi zbarkimi i frëngjishtes. Ndikim të madh ka pasur edhe gjuha ruse dhe gjuhët e tjera të Lindjes. Madje, mund të krenohemi me hyrje të turqizmave dhe fjalëve të hungarishtes. Latinishtja shtoi polonishten me fjalë e shprehje nga fusha e shkencës, e koncepteve abstrakte dhe fetare. Në shekujt XV dhe XVI ishte e modës çekishtja dhe kishte opinion të mirë ai që tregonte në një shoqëri të lartë njohje të çekishtes. Gjatë shumë viteve të pushtimit u bë në mënyrë aktive dhe shumë intensive gjermanizimi dhe rusifikimi. Sot – si gjithkund në botë – ka kaluar në mësymje anglishtja.
Mua më pëlqen hapja e polonishtes kundrejt fjalëve të huaja – dhe të mos shqetësohemi, asaj nuk i kanoset asnjë rrezik; në shtjellën e papërmbajtur që ajo krijon edhe fjalët e huaja me shqiptim të largët për të, përfshihen në mullirin e fuqishëm të gramatikës së polonishtes, sepse ngjiten tek ato mbaresat e saj të veçanta dhe kalandrohen nga lakimi përmes rasave.
Megjithatë, kjo gjuhë e kompozuar me arnishte ka përmbushur rolin e jashtëzakonshëm e paradoksal – në periudhën shumëvjeçare të okupimit nga pushtuesit u bë shtyllë e identitetit kombëtar, kurse letërsia, që u krijua në këtë kohë, ishte i vetmi vend i mbijetesës të kulturës polake. Për gjuhën polonisht u luftua, për të folur polonisht u flijua edhe jeta. Sot është vështirë ta përfytyrosh këtë.
Për shkrimtarin funksionin ndihmës të psikanalistëve e kryejnë shpesh përkthyesit – ata bëjnë pyetje nga më të habitshmet. Do të duhej të mbaheshin shënim, të ruheshin dhe të botoheshin në tirazh të veçantë, që lexuesit të kishin mundësi të çmonin mrekullinë e të shkruarit dhe sfilitjen e përkthyesve. Falë tyre, ajo që më dukej e natyrshme dhe e përgjithshme papritmas humb kohezionin e saj të brendshëm dhe bëhet joreale dhe krejtësisht lokale. Janë pikërisht ata që më drejtuan vëmendjen në disa karakteristika të polonishtes, të cilat po i tregoj më poshtë. Të gjithë të njohurit e huaj, këta njerëz të guximshëm, të cilët vendosën të mësojnë polonishten, kanë të njëjtën gjë. Ata ankohen shpesh se gramatika e polonishtes përbëhet kryesisht nga përjashtime, se duhet të mësojnë rregulla të vështira, të cilat në çast bëhen të pavlera nga sasia e madhe e përjashtimeve të mundshme. Kjo është e vërtetë – në polonishte ndoshta më mirë është të hysh me intuitë sesa të mësosh përmendsh. Polonishtja është një gjuhë, e cila vëmendjen ia kushton traditës dhe trajtave historike, është gjuhë-muze – plot me fosile, të cilat nuk është e mundur t’u nënshtrohen parimeve të pragmatizmit. Lakimi dhe zgjedhimi i ndërlikuar jo vetëm që shton dhe heq mbaresa, por ndryshon edhe rrënjën e fjalës. Kemi kohën e ardhshme të aspektit të kryer dhe të pakryer të foljes, e cila demaskon madje dhe gjermanin që flet më mirë polonisht. Në drejtshkrim ekzistojnë disa tinguj të njëjtë, që shkruhen në mënyra të ndryshme sepse në të shkuarën i shqiptonin ndryshe dhe mbetën në gjuhë si kujtim që mbjellin panik te gjimnazistët.
Gjuha polonishte nuk është as gjuhë logjike as pragmatike. Gramatika e saj është kërkuese, madje e marrosur, drejtshkrimi i vështirë. Me gjithë plasticitetin leksikor, mban për arsye jologjike (mundet pra sentimentale) trajta të vjetra tradicionale gramatikore dhe drejtshkrimore.
Është gjithashtu gjuhë tradicionale edhe për një arsye tjetër – është mashkullorecentriste. Ndërmjet tri gjinive që disponon i jep pozicion të privilegjuar gjinisë mashkullore. Emrat e gjinisë mashkullore, femërore dhe asnjanëse ndryshe lakohen në vetë, rasë, ndërsa foljet zgjedhohen ndryshe në kohë për gjininë mashkullore dhe femërore. Ndër to sundojnë edhe mjaft përjashtime. Për meshkujt themi se: poszli (poshli = shkuan). Për femrat themi se: poszły (poshlli = shkuan),ndërsa për një grup të përzier me femra dhe meshkuj – gjithmonë duhet thënë “në mashkullore” – poszli.
Ky parim vepron edhe atëherë kur në një grup po themi prej gjashtëdhjetë femrash ndodhet një mashkull, prania e tij na detyron të përdorim trajtën mashkullore për gjithë grupin – poszli. Femrat, fëmijët dhe kafshët do të përfaqësohen në këtë rast nga forma femërore. (Me shkrim dore e laps është shtuar: si tualetet në aeroporte… Fraza vazhdon, por është krejtësisht e palexueshne A. T.). Për meshkujt është e rezervuar kjo e privilegjuara – mashkullore. Natyrisht, vetë fjala njeri – njëlloj si dhe në gjuhët e tjera – është e gjinisë mashkullore. Duke folur, pra, në mënyrë të përgjithshme për njeriun do të përjashtojmë gramatikisht nga ajo fjalë femrat (dhe fëmijët). Ky patriarkalizëm pasqyrohet gjithashtu dhe në emrat e profesioneve. Gjuhët e tjera ia kanë dalë mbanë (si për shembull gjermanishtja), ndërsa në polonishte vazhdimisht me këtë ka telashe e siklete. Emrat femërorë të profesioneve thuhen në polonisht në trajtën zvogëluese të mashkullores, gjë që shkakton përshtypje joserioze dhe fsheh me siguri një kuptim përçmues të thellë – femra profesor – profesorka (profesoreshë A.T) – tingëllon si profesor mashkull i vogël (profesorek).
Nga natyra mashkullorecentriste e polonishtes shumë herë jam ndeshur me thënien pisarka (shkrimtarja A. T.) (që është trajta femërore e “pisarz” (shkrimtar A.T.). Në polonisht, siç dihet, nuk mund të lihet mënjanë gjinia e atij që shkruan, kur përdoret veta e parë. Gjinia është menjëherë e dukshme në foljet e kohës së shkuar, kurse në të tashmen e mënjanon atë trajta femërore e mbiemrave. Nga kjo nuk mund të ikim. Ka pasur telashe përkthyesja e librit të Jeanette Winterson, ku në mënyrë konsekuente përdoret veta e parë e kohës së tashme, që ia ka dalë të fshehë gjininë e tregimtarit/res, çka ishte thelbi i këtij romani. Ishte e pamundur të shkëputej “nga gjinia” dhe arbitrarisht i duhej t’i përshtatej gjinisë së asaj/ atij – në këtë rast femërores. Meqë erdhi fjala, ju kujtoj se polonisht “mother tongue” është “father tongue”, “język ojczysty” (gjuhë atërore A.T.).
Polonishtja, sikurse edhe gjuhët e tjera sllave, përmban në vetvete një potencial të madh në sferën e fjalëformimit, veçanërisht arrin të krijojë në përmasa të mëdha shumë trajta zvogëluese, gjë që sjell një shkreptimë gjuhësore. Për mua kjo është një dukuri e ngrohtësisë gjuhësore, kategori që është lënë pas dore në tekstet e gramatikës. Kjo është veti e gjuhës që në mënyrë të papërsëritshme dhe magjike e bën botën të rehatshme dhe të sigurt. Askënd në Poloni nuk e çuditin fjalët e këngës popullore për ushtarin që shkon në “wojenkę” me “szabelkę” në brez, sipër mbi “koniku” (“wojenkę” trajta përkëdhelëse ose zvogëluese e fjalës wojna=luftë; “szabelkę” zvogëlim i fjalës szabła=shpatë; “koniku” zvogëlim i fjalës koę=kalë A.T.).Mënyrat e përdorimit të trajtave zvogëluese apo përkëdhelësejanë të shumta dhe çdo emër njeriu mund t’i nënshtrohet këtij trajtimi. Po kështu mund të bëhet dhe me çdo emër dhe mbiemër gramatikor.
Deri në Luftën e Dytë Botërore Polonia ishte vend shumëkulturësh dhe shumëgjuhësh dhe për këtëjemi krenarë. Atje ku polonishtja u takua me gjuhë, ndjeshmëri e mendësi të tjera – atje ajo ishte më krijuese. Nuk është fare rastësi që mjeshtrit e gjuhës polonisht kanë dalë nga periferia e Polonisë. Kështu është proza mahnitëse dhe e papërsëritshme e Bruno Schulz-it që u krijua në kontaktin polako-hebraik-ukrainas. Po kështu poezia figurative dhe e pasur e Czesław Miłosz-it, i cili e kishte prejardhjen nga Vilna, apo absolutisht përrallore, por fatkeqësisht e vështirë në përkthim, polonishtja e Bolesllav Leśmian-it dhe e Julian Tuwim-it nga kufiri hebraik-polak.
E epshme, e figurshme, e mjegullt, jo fort e përpiktë, tradicionale dhe gramatikisht e pallogaritshme… Më tepër e krijuar nga intuita sesa nga arsyeja, më tepër për poezi sesa për disertacion shkencor. Kam përshtypjen se nuk ndihet mirë në një diskutim intelektual as në tregimin realist linear të ngjarjeve. Dëshiron forma të hapura, shumëkuptimëshe. Është e ndjeshme ndaj groteskut dhe absurdes. E prirë nga patosi. Nuk është e çuditshme që poezinë e kemi të njohur dhe të vlerësuar në botë. Kjo është gjuhë, në të cilën lejohet shumë, gjuhë, e cila më shumë skicon botën se sa e përshkruan, gjuhë-impresjonisti, e aftë të shprehë përshtypje, gjendje shpirtërore, parandjenja, e hapur në lidhje e shoqërime duke ndërtuar tablo. Më duket se Flaubert (Flober) ngulte këmbë se gjuha pëson dështim kur fillon të krijojë tablo; pasi atëherë largohet nga vetvetja dhe rrëshqet në anakronizëm. Nuk jam dakord me këtë konstatim. Gjuha është më e fuqishme atje ku del jashtë vetvetes dhe bëhet krijuese e botës alternative, kur, sikurse iluzionisti nxjerr nga kapela sende të cilat nuk do të kishim ditur madje as t’i imagjinonim. Polonishtja për mua është gjuhë arkaike, e cila i përgjigjet botës para diferencimit të saj, kur gjithçka ka të ngjarë të ishte më kompakte, më e perceptueshme nga shqisat, kur ekuilibrohej në intuita dhe “çfarë” ishte më e rëndësishme se “si”. Gjuhën e trajtoj si – le të marrim këtë krahasim oriental – gishti, që tregon hënën. Nuk përmbahem për gjuhën.
Ndjeshmëria ime deri në njëfarë mase kureshtare, perceptimi im dhe të menduarit u trajtësuan nëpërmjet polonishtes së vështirë, pak precize, por shumë figurative. A do të mund të shprehja ato që aq shumë më preokupojnë në të shkruar – intuitën, gjendjen shpirtërore, shqetësimin, i cili më zë pritë duke nxjerrë si arsye konstante sigurinë e formimit të ndodhive në një gjuhë tjetër. Mbase detyrohem t’i jem mirënjohëse këtij fati të pashmangshëm gjuhësor?
Polonishtja hyn paradoksalisht në gjuhët e ashtuquajtura të vogla, megjithëse atë e flasin në botë mbi 50 milionë njerëz (duke numëruar edhe emigracionin e madh polak). Ajo është gjuhë lokale, periferike e aq më tepër e vështirë dhe largon nga vetja shumë njerëz. Veti e këtyre gjuhëve të “vogla” – veçanërisht kur njeh dhe ato të ”mëdhatë” – është mundësia e strehimit, arratisjes në gjuhë dhe vendosja në një vend pak të shkelur dhe të paarritshëm për pjesën tjetër të botës. E njoh nga e kaluara këtë përvojë të fshehjes në polonishte në aeroportet e mëdha botërore, larg kufijve të vendit, kur mund të ishim të sigurt se askush nuk na kuptonte ne që flisnim polonisht. Sot është ndryshe. Emigracioni i madh polak në vitet e fundit e ka lejuar polonishten të shtrihet së bashku me të gjerësisht në botë, por nuk mendoj se do të mund të ndikojë kjo në shtrirjen e përgjithshme ndër të huajt. Ka të ngjarë që do të duhet të mësojmë me zell anglishten dhe kjo do të jetë mënyra për të komunikuar me botën. Shenjë e kapërcimit të kufirit do të jetë bar-kafeja më e afërt dhe pyetja e kamerierit “kaweczka” (trajta përkëdhelëse e fjalës kawa=kafe A.T.) të jetë me “mleczkiem” (trajta përkëdhelëse e fjalës mleko=qumësht A.T.). Gjithashtu mund të dëgjojmë përshëndetjen e fatorinos polak, që thërret gëzueshëm “Bileciki do kontroli!” (Bileciki trajta zvogëluese e fjalës biletat; kontrolli i biletave A. T.).
(Kjo ligjëratë u mbajt në Universitetin e Baptistëve në Hong-Kong).