More
    KreuLetërsiBibliotekë"Nuk e di se çka presim", poezi nga Stefan Çapaliku

    “Nuk e di se çka presim”, poezi nga Stefan Çapaliku

    Nata 17 Maj 2020 

    Teatri vdiq si i kishte hije,
    Në skenë, jo diku tjetër…
    Edhe pse ishte natë.
    Nuk është luejtë kurrë një tragjedi a komedi
    me ma shumë aktorë në të.
    Qemë rrumbullak 800 policë ia vunë shqelmin në fyt,
    Thua të kishin parë të gjithë në teatër sesi vritet një hero,
    Njërin prej policëve e njoh.
    Ai më tha se kishin qenë më pak.
    I besova se e kisha pasë spektator,
    natën që pata vue në skenë “Hamletmakinën”.
    Dukej zotni atë natë
    me të fejuemen në të djathtë.
    Më pyeti të nësermën nëse do jepej prapë
    Por i thashë se e nesërmja qe anullue.
    Ka vetëm të sotme.
    Prandaj polici me numër devize 2314
    Mbeti i pakënaqun atë natë,
    Sepse Teatri nuk kishte pasë diçka të përgatitun për “biz”.
    Nuk pati kohë për një solo të fundit.
    Jo se i mungonte teksti
    Porse ca tipa dashamirës, kllounë revolucionesh,
    Kishin humbur maskat në nxitim e sipër.
    Megjithëatë mizanskena gjithsesi u respektua.
    Nga sytë e teatrit doli gjak në formë shtyllash të kuqe
    projektorësh mjeranë.
    Konferencieri i kapur për krahësh arriti të shqiptojë vetëm:  
    Shplajeni vrasjen nga fytyra Princat e mi
    dhe bëni një fytyrë të qeshur për Danimarkën e Re.
     
    Tiranë, 18 Maj 2020


    Milloshit

    Sonte ishte ftohtë,
    s’ishte e lehtë të përgjoje.
    Por ama ishte e njajta skenë:
    Ti atje mbas dritares së dhomës tande,
    ngjitë me një tjetër dhomë,
    ku vazhdon të festohet diçka…

    Unë edhe sonte u mahnita me indiferencen tande.
    Si nuk ngrihesh të mësosh se kush dhe për çfarë
    festohet te dhoma,
    ngjitë me tanden?!

    Nuk kuptoj asgja.
    Nuk e di sepse të duhet të vishesh shik
    që të shkosh në takim atje,
    si të jeshë duke shkue në takim me kohën,
    Në krah të kujt asht koha?

    Kësisoj ndalem aty poshtë për të kuptue diçka.
    Edhe pse sonte asht ftohtë,
    dhe s’asht e lehtë të përgjosh:

    Drita u fik, u ndez, u fik si të ishte një blic gjigand
    që të ndihte të fotografoje gjallesat përreth.
    Mandej m’u duk se ti u çmende
    U çmende në formë zogu
    me sqep të gjatë,
    të zi
    prej të cilit doli një gjuhë
    e hollë,
    e kuqe,
    të cilën ia drejtove një e nga një,
    të gjithëve,
    që po festonin në dhomën përbri.

    Shkodër, 05 mars 2022


    Prishtina e pame prej synit magjik

    Asht një derë që na ndan,
    një derë me sy magjik në ballë.
    Një portret ciklopik,
    i rrafshët
    si derë,
    si derë që hapet
    si derë që s’hapet
    si derë.

    Një sy magjik
    lypë synin tem t’i rraset.
    Më lypë beben e synit,
    Irisin,
    ma lypë.

    Jemi sy që bajnë dashni
    tanë natën.

    Shoh matanë derës
    Prishtinën
    Prishtinën e mysët
    Prishtinën e lugët
    Konkave e konvekse

    E kështu e luejmë lojën,
    me rradhë.

    Mandej asht Prishtina që më shikon
    Kushedi si i dukem
    Më vjen marre
    prej vetes,
    për veten,

    Gjithcka ndërkohë rritet,
    plaket.
    Veç syni rri ashtu i vogël,
    i pafajshëm,
    i parritshëm,
    i paplakshëm,
    si një sy magjik,
    i bamë për ne
    për me pa njëni tjetrin
    deri në imtësi,
    deri në bardhësi
    të lakuriqsisë tonë
    të pamarre.

    Prishtinë, 8 Mars 2022


    Shishe në det

    Edhe ti ike…
    Unë mbeta i fundit në anijen
    që era e sillte si të ishte prej letre,
    sepse ishte prej letre.

    E ç’mund të të ofroja unë veç fjalëve,
    të shkruara në një letër fletoreje me vija,
    me të cilën prodhova anijen prej letre?

    Fjalë my Lady,
    You look truly charming, my Lady.

    Mandej unë zgjata dorën te radiotransmetuesja
    dhe nisa në ajër mesazhe të koduara
    në alfabetin mors:
    Ju flet Shkodra!
    Po transmetojmë disa mesazhe speciale.

    Fjalë my Lady,
    You look truly charming, my Lady.

    Lumturia nuk ndjehet mirë
    Durimi po nxitohet
    Besniku tradhëtoi
    Kujtimin e çmendi harresa
    Mendimi po rri trishtueshëm
    Fitimtari humbi pjesën e parë
    Shpresa vdiq e fundit
    Mos kujto se të harrova (Pikë)

    Mbas këtyre mesazheve të verteta,
    por aspak miqësore,
    pashë anije të mëdha që u afruan të shpëtonin
    tonën, që po mbytej.

    Por, kur ata vërejten se ti po dilje shëndosh,
    ashtu e gjatë, e bukur e pacen…
    Kthyen nga kishin ardhë.

    Ndoshta kujtuen se po tallem…
    Prandaj unë vazhdoja të emetoja fjalë…

    Fjalë my Lady
    In the meantime
    you look truly charming,
    my Lady.

    Çelikut i vrasin këpucët
    Soses i erdhën ato (Pikë)

    Dhe kaq
    anija u mbyt,
    unë bashkë me të.

    Natën e mirë dhe
    flesh rehat, my Lady.

    Pije shishen me mesazhe,
    E gjen diku ndër valë…

    Clever, young and charming,
    My Lady

    Tiranë, 14.03.2022


    O Zot, sa naiv jam kur shkruej poezi…

    Poezinë time të fundit e kisha ruejtë në portofol
    Në portofolin që ma vodhën sot,
    në autobuzin urban.
    Ishte një poemë me shumë fletë,
    aq sa për t’iu dukë dikuj
    një portofol i mbushun plot.

    Ishin fjalë të mira, të buta, të ngrata
    Shpesh të paqëllimta.
    Përmendeshe ti herë mbas here
    Nuk e di pse.

    Nuk e di sepse qe e nevojshme
    që të permendeshe ti
    në atë poezi fatkeqe
    Ndërkohë që unë e dija krejt mirë
    se atë portofol do ma vidhnin

    O Zot
    Sa naiv jam kur shkruej poezi.

    Prandaj dhe jam në hall
    Se mos ai budallai që më vodhi portofolin do e lexojë
    Ndoshta do e lexojë me shokë
    Me za të naltë
    Sonte
    Kur të jenë duke pi
    te klubi i mëhallës
    dhe do më shajnë me fjalë të ndyta
    sidomos kur të lexojnë vargjet e fundit,
    Aty ku shkruhet se të desha fort…

    Tiranë, 14.03.2022


    Në vdekjen e dajës tim,
    dr. Thoma Dardelit

    Ashtu i shtrimë dukesh i bardhë,
    si një ushtar i bardhë,
    i thirrun ndën armë,
    si një ushtar i bardhë shahu.
    Pedinë e bardhë,
    e vetme,
    fillikat i bardhë,
    prej atyre që befas ia dalin
    të kthehen në mbretneshë,
    të bardhë.
    Sonte je një shahist fitimtar,
    i sapo dalë nga një simultanë,
    në të cilën humbjet nuk qenë gjithaq të rëndësishme…
    Fundja vetëm dy herë humbe thellë
    në jetën tande,
    të bardhë.
    Dy herë që të munden ushtarët e tjerë,
    të kuq…
    Ti rri sonte shtri,
    ma elegant se kurrë.
    Lirue prej borxhesh të pagueme shtrenjtë,
    me burg…
    Ti sonte po fle me shijet e fitoreve,
    si atëhere student, më 1956,
    dhe me të gjitha kujtimet si këmishë e zbërthyeme,
    me flokë dhe dëshira në erë,
    diku mbi ndonjë urë të bardhë,
    në Danub…

    Tiranë, 27 mars 2022


    Kujtim fëminije

    Ne pamë sesi ajo zbriti nga bicikleta.
    Pamë sesi ai e mbylli bicikleten me zinxhir.
    Ne gjendeshim në anën tjetër të trotuarit,
    ishim të gjithë adoleshentë.
    Ne sapo kishim nisë të masturbonim,
    (ngandonjëherë edhe në kolektiv)
    Ne pamë sesi ai e mori atë prej dore.
    Ajo ishte krejtësisht e bardhë,
    ajo kishte një lëkurë prej qumështi.
    Ne thamë me vete se,
    nëse ai do ta shtërngonte,
    asaj do t’i nxihej lëkura…
    Ajo qe krejtësisht me flokë të verdhë,
    të gjatë, me këmbë të zbuluara poshtë
    një fustani blu, me pika.
    Askush s’e vuri re atë.
    Asnjeni nuk e di sesi ishte veshë ai
    Ne dimë vetëm se ai e mori për dore
    Ata u ngjitën lart për shkallash,
    si në qiell, në katin e dytë.
    Në katin e dytë ne pamë se ai
    nxorri krahët e vet jashtë
    dhe mbylli dritaret.
    Ai mbylli dritaret me grrila të randa.
    Kurse ne mbetëm aty poshtë.
    Heshtëm.
    Dhe mbyllëm sytë…

    Tiranë, 30.03.2022


    Ujk në Ulqin

    Në Ulqin bie shi.
    Asht ende dimën.

    E unë jam kaq vetëm, sa duket sikur
    kam dalë të zbuloj të vertetën:
    Që Ulqini dikur qe vend ujqish?
    Apo se prej këndej vjen
    d’Ulqinja e Tobozëz?
    E dashtuna e Servantes,
    ajo që e pati grabitë kur kaloi këndej?
    Nuk e di.

    Asht ftohtë.
    Deti te plazhi i vogël bërtet me të madhe,
    si me qenë ndër tortura.
    Unë sillem vetëm.
    Asnjë d’Ulqinjë nuk duket.
    Servantes ka ikë prej shekujsh.

    Kam ftohtë,
    dridhem,
    një dallgë përplaset për bordurat e betonit
    më lagë, hungroj.
    Një tjetër më ban qullë,
    nis e skërmitem,
    shpejt trupi im shndërrohet mbi trotuar,
    filloi të ndjehem ndryshe,
    ndoshta si ujk,
    Ujk në Ulqin.

    Ulqin, 31. 03. 2022


    Në gjithë atë shtëpi

    Në gjithë atë shtëpi,
    dikur të zhurshme,
    kanë mbetë vec katër-pesë pleq.
    Në përgjithësi ata nuk flasin me njeni-tjetrin.
    Kanë folë boll,
    një jetë.
    E cka mund të thonë ma shumë?!
    Takohen vec ndër shkallë,
    kur hypin e zdrypin mundimshëm
    për me krye
    punët e veta,
    sende të vogla,
    me gjasë pa randsi,
    si jeta e tyne.
    E shkuemja e tyne kishte qenë e rrëmujshme:
    Kthime të zhurmshme prej pune,
    Të qeshuna me za të naltë.
    Muzikë.
    E mandej edhe ndonjë lojë me të ftuemit e javës.
    Dikur qenë shumë.
    Ma shumë se karrige në sallonin e madh
    dhe ma shumë se gota vene, që
    herë mbas here thyheshin me zhurmë,
    për me i ba të gjithë me kthye kryet e,
    me thanë në kor “Për hajër na qoftë!”
    Tani dhomat janë ma të mëdha se kujtimet,
    Në to mund të luejn teatër po deshën.
    Teatër kamertal, teatër pauze,
    ku mungesa e ngjarjes,
    asht vetë ajo:
    Ngjarja.

    Tiranë, 04 Prill 2022


    Pezullime

    Pezullojnë mbi krye yje,
    diej të vegjël, që nuk më ndriçojnë…
    E nuk kuptoj a janë ata që vrapojnë
    të ikin larg prej meje,
    apo jam unë që fugoj
    t’ia mbathi prej tyne?!
    Kjo asht një pyetje që më mundon,
    derisa prishet koha.
    Kur moti ndërron e mbi kryet tem
    pezullon një re e madhe,
    shpirti meskin qetësohet
    e ndihet mirë ashtu në gjysëmerrësinë,
    me tanë të tjerët…

    Shkodër, e diel paradite, 13 shkurt 2022


    Nuk e di se çka presim

    Nuk e di se çka presim,
    e nuk ia hamë kryet këtij vendi?!
    Me kryet e tij kishte me dalë
    një paçe e mrekullueshme
    kambësh…

    Tiranë, 21. 02. 22

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË