More
    KreuLetërsiShënime mbi libraN’projtje të Shën Librit, të Njeriut - Mit’hat Frashëri

    N’projtje të Shën Librit, të Njeriut – Mit’hat Frashëri

    Nga Virion Graçi

    Në muajt e fatkeqësisë planetare që është ende në fillimin e saj, iu kthyem më shtruar librave e shkrimeve si mënyra më e mirë për t’i qëndruar larg epidemisë, molepsjes me të keqen shëndetësore dhe pasojave psikologjike, mendore e shpirtërore të izolimit kolektiv e individual. Pa lajmërime fluturake në rjete sociale, iu ktheva dhe unë një dishepulli të shquar të Shën Librit, Mit’hat Frashërit, shkrimeve e të tij, nënvizimeve të mia në kohë të ndryshme mbi ato shkrime; po I sistemoj shënimet e mia si më poshtë; pashmangshëmërisht, mbresat e mia janë të shoqëruara me fakte të mirënjohura nga publiku i gjerë..

       Mid’hat Frashëri është figurë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë: kryetari i Kongresit të Manastirit, firmëtar i pavarësisë; tre herë ministër në tre qeveritë e para të shtetit shqiptar; shkrimtar, publicist dhe bibliofil si rrallë kush në botën shqiptare; Mid’hat Frashëri i njohur ndryshe me emrin e tij të shkrimeve si Lumo Skëndo ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme: kërkime e studime albanologjike, eseistikë, prozë të shkurtër artistike, portrete letrare, udhëpërshkrime e ditarë në frëngjisht, në turqisht dhe në shqip, proza të shkurtëra filozofike, proza poetike, libra shkollorë. Në arenën ndërkombëtare, Mid’hat Frashëri tejkalon mbase ambasadorin e përjetshëm F. Konica si bashkëpunëtor, artikullshkrues në shtypin prestigjoz e huaj, në Francë, Angli, Belgjikë, Zvicër, etj, duke shkuar rregullisht në më tepër se pesëmbëdhjetë gazeta, gjithçka për të afirmuar përkatësinë autoktone të shqiptarëve, identitetin historik  dhe integritetin teritorial. Ka qenë botues, drejtues dhe përgatitës i “Kalendari kombiar” që nisi të botohej në Sofje në 1897 dhe për më tepër se tridhjetë vjet u bë një “enciklopedi e vogël kulturore-letrare”; në vitet 1908-1909 do të botojë dendur në gazetën e përjavshme politiko-letrare “Liria”, gazetë-tribunë nëpërmjet të cilës iu kryen shërbime të mëdha kulturës shqiptare; roli e ndikimi i gazetës “Lirija” dha fryte në punën përgatitore për Kongresin e Manastirit. Veprimtaria iluministe-atdhetare e Lumo Skëndos do të vijojë me botimin për njëzet vite me radhë (1909-1929) e gazetës “Dituria”, ku ai vetë mbante barrën e rëndë të kryeredaktorit si dhe autor i shumicës së shkrimeve; në Zvicër boton revistën dymujore në gjuhën frënge “L’Indipedence albanaise”. 

    Mid’hat Frashëri i përket brezit të fundit të Rilindjes, por i lidhur organikisht me të duke i çuar gjer nga mezi i shek. XX më përpara idealet, frymën dhe ambiciet e saj, bashkë me të tjerë personalitete si Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta etj.

      Për marrëdhëniet e Dishepullit me Shën Librin po përmendim disa fakte. Në testamentin vetjak të 29 prillit 1929 depozituar në 4 mars 1929 në gjykatën e Tiranës Mid’hat Frashëri shkruan:

    “1.Ç’kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka, etj, ..i lë për krijmin e një INSTITUTI ALBANOLOGJIE që të jetë një qendër e studimeve shqiptare….(shkurt v.g)

    2.Gjithë sa më ka mbetur nga im atë dhe ungjërit dhe që sot formojnë muzenë time familjare dëshironj që të ruhenë prapë në formë të një muzeje të vogëlë brënda në INSTITUT…(shkurt-v.g)

    4. Në paça të holla në shtëpi, në ndonjë bankë, ose hua për të mbledhurë, duke u bashkuar me shumën që do të mirret nga shitja e Librarisë dua të përdoren të gjitha së bashku: a) për të bërë spenzimet e para të një godine e cila të shërbejë si INSTITUT ALBAOLOGJIE..”[1] (shkurt v.g)

    Bibliotekën personale me 40 mijë volume, në testamentin e marsit 1929 e lë trashëgimi për një institut albaologjik; 18.ooo vëllime nga biblioteka e tij janë në Bibliotekën Kombëtare, kurse në bibliotekën e Kuvendit Popullor 31 volumet nga “Le grande encyclopedie” (Librarie Larouss) janë me emrin e tij. Lumo Skëndo organizon dy ekspozitat e para të librit të vjetër shqip: në të parën botimet e gjetura të Kristoforidhit, e dyta me monumentet më të vjetër të gjuhës e të literaturës shqipe, për mbledhjen dhe gjetjen e të cilave harxhoi gjysmën e jetës: veprat e Bogdanit, Bardhit, Budit, Buzukut (si broshurë), Matrangës, Theodhor Kavaliotit, De Radës, Vincens Dorsës, Kristoforidhit (para 1879), Kamardës, etj, etj. Në cilindo bukinist europian të ndodhej një libër a dorëshkrim që lidhej me historinë, me kulturën dhe lashtësinë e Shqipërisë, Lumo Skëndo do të sakrifikonte nga vetja e tij për ta blerë më çdo çmim dhe për ta sjellë në Tiranë.

    Lumo Skëndo shquhet jo vetëm si libër dashës, por edhe si krijues, hulumtues shkencor, prodhimtar origjinal sikurse përmendëm më herët. 

       Në fushën e letërkëmbimit është një fond i pasur letërkëmbimi që ka pasur në vite me tërë figurat e shquara të botës shqiptare: Ibrahim Temo, Faik Konica, Anselmo Lorekio, Gaetano Petrotta, Mihal Grameno, At Shtjefën Gjeçovi, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, F.S. Noli, Sheh Sabri Preveza, Dom Idomen Kosturi, Mehmet Vokshi, Kadri Prishtia, Aqif Pashë Elbasani, Basri Dibra, At Pashkë Bardhi,  Sulejman Delvina, Ahmet Zogu, Iliaz Vrioni, Hysen Vrioni, Avni Rustemi, Gjergj Pekmezi, Mirash Ivanaj, Sulejman Delvina, Sotir Kolea, Mehmet Konica, Kristo Luharasi, Aleksandër Xhuvani, Ilo Mitkë Qafëzezi, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Justin Rota, Grogor Cilka, Aleksandre Drenova, Xhevat Kallajxhi, Eshref Frashëri, Abaz Kupi, Et’hem Haxhiademi, Mehdi Frashëri, Dhimitër Berati, Dr. Trutulli, Dhimitër Fallo, Kolë Tromara, Kostë Cerkezi, Samin Visoka, Branko Merxhani, Ernest Koliqi, Kolë Kamsi, etj,..

       Paraqitja e plotë e letërkëmbimit të Mid’hat Frashërit nuk do të ishte tjetër veçse një histori e re, e plotë e Shqipërisë para e pas shpalljes së pavarësisë, me tërë dinamikën e ngjarjeve të vrullshme dhe problemet e mrehta që shtroheshin për zgjidhje.

       Rilindas në një etapë të re të popullit shqiptar, në etpën e shtetformimit dhe të mëkëmbjes së Shqipërisë, Lumo Skëndo, i kthehet realizmit iluminist kur lëvron tema të ditës për të kultivuar më tej vetëdijen etniko-qytetare të bashkëkombasve – bashkëkohës të tij. Këto lloj analizash në prozë, të pasura me digresione historike, me gjuhë të zhdërvjellët rrëfimtare, ia japin autorit meritën si thyes i ligjërimit tradicional folklorizant-glorifikues që kish përmbytur, për arsye objektive, pjesën më të madhe të trashëgimisë letrare-publicistike. Kur shtjellon ngjarjet madhore të krijimit të vetëdijes kombëtare, kurorëzimit të lëvizjeve çlirimtare-pavarësuese, ndonëse i lidhur fort emocionalisht me to, për shkaqe edhe familjare: babai i tij…Abdyl Frashëri, xhaxhallarët e tij…Naim, Sami.., ai vetë në shoqërinë e Stambollit pas vdekjes së Samiut, ai vetë në krye të kongresit të Manastirit, e megjithatë i lë vend vetëm argumentit racional, historiko-krahasues dhe jo patetikës hiperbolizuese, autolavdëruese.

       Shkruan për brezin e parë të Rilindjes shqiptare: – Koha në të cilën rrojtën burrat tanë qe një kohë e kombësive, periudha e njerëzisë, kur jo vetëm ndjenja e kombësive ishte lartësuar dhe zgjuar, por edhe kur politika dhe interesi material i popujve dhe njerëzve bazohej mbi kombësinë, mbi shtyllkat dhe interest e bashkuara me idealin e ri. Shekulli i nëntëmbëdhjetë, me tronditjen e revolucionit të Francës, pa zgjimin dhe rritjen e idesë së solidaritetit ndërmjet individëve të një race, të një gjuhe dhe të një kombi.

       Kur merret me personazhet-apostuj të shqiptarisë e karakterizon e njëjta vetëpërmbajtje shembullore: – Këto fytyra të ndershme janë për ne: Kristoforidhi, Hoxha Tahsini, Pashko Vasa, Efthim Mitko, Koto Hoxhi, Naim Frashëri me të dy vëllezërit, Abdylin dhe Saminë, tetë persona që formuan një trup të vetëm për idenë, për frymën, për fuqin. Që të tetë ishin apostujt e një qëllimi, punëtorët e një godine gjigande, e një vepre kolosale, punë fare e re në zemër të Arbërshit.

    Ligjërimin litotik-atdhetar të Lumo Skëndos e gjejmë dhe më tej, në shkrime të shumta problemore në përpjekje për t’i dhënë fytyrë moderne shtetit të ri dhe shqiptarit tradicional: Kombet, si dhe njeriu, nuk duhet të jenë indiferentë për opinionin që kanë të huajt për ta…Kjo nevojë është më e madhe akoma për ne shqiptarët, një komb lindur i ri në jetën politike, një popull i njohur liksht dhe mbi të cilin është bërë një propagandë e ligë. Të njohurit e opinionit publik të botës për Shqipërinë, s’është pra për ne një kuriozitet, një merak literar, po, dhe më tepër, një detyrë politke dhe patriotike.

    Duke nxitur iluminimin kulturor-qytetar të bashkëkohësve, ai paralajmëron pseudozhvillimet intelektuale me një tablo sinoptike që nuk e ka humbur aktualitetin: Të mos inkurajojmë injorancën që po e mbulon Shqipërinë dhe shenjën më të çuditshme e më të pamoralshme të saj po na e japin shumica e gazetave, dua të them e atyre fletushkave të liga-shtypur me mellan të keq dhe fëlliqur nga një gjuhë më e shëmtuar akoma. Nukë flas për idetë se nuk kanë asnjë! Këto fletushka po celenë çdo ditë si kërpudhat mbi togun e plehësë.

    Lumo Skëndo, në të njëjtën hulli me Faik Konicën e Gjergj Fishtën dhe të tjerë rilindës të kohëve moderne, iu vu punës për bërjen e shqiptarit si punë më e gjatë e më e vështirë se ajo e bërjes së shtetit shqiptar; dhe kjo bërje e shqiptarit modern niste me njohjen e vetes, me pranimin e realiteteve mbizotëruese: Gjeografi e vendit e ka bërë të ketë një kotësi qesharake, një egoizëm të ngurtë, të vërë veten e tij, unin, përpara çdo sendi. Gurët dhe shkëmbinjtë e kanë bërë lakmiqar, grabitës, të vrasë një njeri për një hudhër, për një grusht bar, për një pëllëmbë arë.

    Shpjegimin e kësaj gjendjeje të shqiptarit e kërkon në shkaqe historike: Me anadollakun si jeniçer apo bashibozuk kemi vajtur të grabitim gjer në Hungari, jemi vrarë në Bgadat dhe në Jemen; jemi shkruar zaptie për një me mexhitkë në muaj..(shkurt..vg) kjo jetë bashibozuke dhe kondotiere, një rrojtje ku shisnim jetën tonë për një kacidhe dhe i merrnim shpirtin tjatrit për më pak akoma na mësoi të mos e duam ligjin, të mos e njohim, të mos i bindemi. Na stërviti edhe një herë që të rrojmë me rrëmbim e jo me djersën e ballit.

    Duke zhveshur shqiptarin nga petkat e vjetëruara të miteve romantike, Lumo Skëndo shkruan: Në malësi të Shqipëris’ së veriut gjithë ëndërrimi i një burri është që të ketë një jelek të qëndisurë me ar, nja dy piqolla të lara, një çibuk të ergjëntë; edhe të rrijë, të pijë cigar dhe kafe tërë ditën. Kam parë në Shkodër gra malësore që bënin hamallëk në qytet dhe ngarkoheshin me arka të mëdha të pajës, që të marrin nja dy grosh, kur i shoqi i tyre, me ombrellë nën sqetull, tundësh si levend.

    Sigurisht kur bën këto rrëfime sarkastike-volteriane ai është duke i përfytyruar dhe përgatitur bashkëvendasit e tij në perspektivën dinamike të qytetërimit europian, përkundër mendësisë tradicionale orientale.

      Në fushën e polemikës Lumo Skëndo ka lënë një model ende të pakapërcyer nga gazetaria shqiptare; është fjala për përgjigjen e kthyer Andon Zako Çajupit, për të ashtuquajturin pamflet: Klubi i Selanikut, paraqitur me zell si tekst model në literaturën komuniste dhe tekstet shkollore përkatëse, filluar nga v.1945…

    Lumo Skëndo informon saktësisht, për të rrëzuar elementin bazë të kundërshtarit: keqkuptimi ose keqinterpretimi i qëllimshëm i Çajupit i veprimtarisë në të cilën e ftuan të vinte meqë u ndodh në Selanik mes bashkëatdhetarësh: Sa për konferencën ajo konferencë ish për turqit dhe islamizmin; ishte konferencë historike, sociologjike dhe filozofike. Zoti Çajup më duket se ka kënduar dhe duhesh të dijë që çdo konferencë ka sozhetin e tij, pra s’mund të qërtohet konferencari pse nuk foli edhe prej akëç e prej akë cilës gjëje.

    Lumo Skëndo sintetizon shkrimin shpifës/fyes të Çajupit, stigmatizon dukurinë, por po aty afirmon personalitetin e kundërshtarit të tij, Çajupit: Me një gjuhë të pamatur, me fjalë të turpshme, artikulli është më tepër një përflim i trashë; të mos kishim parë nënshkrimin Çajup, do të thoshnim se është fonografisur më një kafene të ligë. Por emri i një shkronjësi, ky emër i vjershëtorit të Baba Tomorrit, autorit të hollë të “Fshati im”, “Bariu”, na bën që të mendohemi: kur një njeri si zoti Çajup unjet kaq poshtë, ç’të themi pastaj për të tjerët?

    Lumo Skëndo përcjell një model të shëndetshëm të moralit intelektual: – Ishte një gjë që trembeshim shumë, nga e cila dridheshim: kjo ish një sëmundje e ligë, një sëmundje më e keqe se kolera dhe se murtaja: grindja. – Përshtypja që më bëri këndimi i artikullit qe një të ardhur keq, të ardhur keq jo vetëm për shkronjësin, të cilin e kam dashur dhe respektuar gjithnjë, po për kombin tonë: se, sikundër thotë një fjalë, miza e vogël është po turbullon zemrën; ashtu dhe të tilla fjalë janë pa ndonjë rëndësi, po turbullojnë zëmërat.

    Nga proza didaktike-filozofike një model i shkëlqyer nga Lumo Skëndo gjendet te revista mujore “Shqiptarja”, Tiranë, 1929. Princesha e dlirë, në ditën që do të zgjidhte princin e saj të zemrës, u vendos nga perëndia në një sprovë karakteri dhe mençurie: përballë iu shfaqën dy djelmosha indentikë me të ëndërruarin e saj; njëri ishte i vërteti, njeriu, tjetri ishte perëndia vetë që kish marrë krejt formën e djalit të ëndërruar prej vajzës: Qysh ta njohë? Shikonte dhe zemra e saj u mbështoll si një zok i vogël në krahëror. Atëhere, vuri re një send: njëri prej djelmoshavet kish ballët të dërsitur, trupi i tij linte hije mbi tokë, këmbët e tij ishin mbuluar me pluhur. Perëndia s’kish as hije, as djersë. E njohu të dashurin e saj që ishte njeri, kishte ardhur së largu, ishte lodhur në udhët e këqija të këtij dheu.

    Sa u përket portreteve letrarë po ashtu Lumo Skëndo ka lënë modele të papërsëritshëm kushtuar personave historikë si: Franklin, Abdyl, Naim, Sami Frashëri, Ali pashë Tepelena, Kristo Luarasi, Halit Bërzheta, Mehemet Xhiku, Murat Toptani, Hasan Jella, Safet Butka, Galileo galilei, Xhorxh Uashingtoni, Linkolni, Garibaldi, Bonaparti, Zhan D’Arka, Dora D’Istria, Edit Durhami, etj.. Së pari portretet e tij letrarë dallojnë nga saktësia objektive. Për shembull, në portretin që ka bërë për Esad Toptanin (Cili ka qenë Esadi? Botuar së pari në frëngjisht, në Paris, në 1920), edhe sot pas zbulimeve nga historianët të fakteve të reja në labirintet e jetës së Esad pashës , asgjë e re, e panjohur nuk mund t’i shtohet e t’i hiqet portretit të pagabueshëm që ka shkruar për të Lumo Skëndo.

     Portretet kushtuar Naimit dhe Samiut, do t’i veçonim si më të arrirat në krejt letërsinë shqipe. Për Naimin, duke kujtuar ditën e vdekjes së tij, pa numëruar epitetet e shkëlqyeshëm që kish merituar Naimi për së gjalli: apostull i shqiptarizmës, prijës shpirtëror, ndërgjegje kombëtare, idhull i etnisë shiptare, poet kombëtar, etj, etj, Lumo Skëndo mjaftohet me këtë gjetje: trupi i pajetë i poetit, buzët e tij të kyçura nga vdekja fizike, sikur i premtojnë nipit, Mid’hat Frashërit: “prapë, ashtu jam.” – Ja ku është ky njeri i dashur! Ja ku rri shtrirë! Më vjen ta pyes si je…Shiko, po më përgjigjet…po më thotë, pas zakonit që kish, me zë t’unjët e t’ëmbëlë “prapë ashtu jam.”

       Për të skalitur përjetësisht dijetarin dhe atdhetarin Sami Frashëri, Mid’hat Frashëri, lë mënjanjanë faktografitë monotone, patetike, zgjedh dy element njerëzorë, poetikë dhe ekzistencialë: Sami ulur pranë llampës ndriçuese, qarkuar me libra, harta, fjalorë, mjete shkrimi dhe kujton për lexuesit dy poezi që Samiu nuk i ndan prej buze, ia përsërit vetes pareshtur. Njëra nga poezitë është frëngjisht prej Viktor Hygosë: Përse para syve më vinë gjithmonë, o kujtime të viteve të rinisë e të gëzimit; poezia tjetër të cilën Samiu ia përsërit vetes është persisht dhe thotë dëshirën e një mërgimtari në prag të vdekjes që të vendoset në një majë kodre a mali, që era, apo ajri t’i sjellë a t’i çojë diçka vendlindjes prej shpirtit dhe trupit të tij.

      Lumo Skëndo është ndër të parët edhe në lëvrimin e tregimit artistik; ka botuar “Hi dhe shpuzë” në 1915 por këto proza ishin shkruar më parë kur autori ishte rreth 26 vjeç; për nga kronologjia prozat artistike të Lumo Skëndos vijnë para Koliqit e Migjenit, ai është krahas Konicës në kohë dhe në cilësitë estetiko-letrare, me narrativë të theksuar liriko-filozofike. Radha e tij në kohë e në vlera krahas F.Konicës dhe përpara Ernest Koliqit e Migjenit, pra vendi i tij në letërsinë shqipe, si fakt kulturologjik i patjetërsueshëm, vazhdon të heshtet në paraqitjet e përgjithshme të letërsisë shqipe nga hartuesit e teksteve shkollore e në botime të tjera antologjike.

    Duke përfunduar, teksa kujtojmë për të tashmen tonë një figurë madhore të traditës si Mid’hat Frashëri, nuk gjejmë mbyllje më të përshtatshme se fjalët që ai vetë ka lënë në një shkrim të vitit 1924: I padituri, i paqytetëruari, është lidhur vetëm me një lithkë te toka e tij: frika e rrojtjes. Kurse të qytetëruarin dhe të zhvilluarin e lidhin te trualli gjithë zërat e atyre që kanë vdekur përpara tij, që i kanë dhënë një shkëlqim dhe një famë atij vendi. Juve, juve shkrimtarëve dhe poetëve, ju bie barra që të inspironi adhurim dhe nder për këtë truall të Arbërisë, bekim të pakufishmë për çdo pëllëmbë të kësaj balte, t’i jepni të përpjetën e përparimit.


    [1]  Cituar nga “Kthimi i Mid’hat Frashërit”, botimet Phenix, 1997, f.426

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË