Seria KM e shtëpisë botuese “Albas” ka pasuruar bibliotekën shqipe me përkthime e ripërkthime të disa kryeveprave botërore. Mes tyre është edhe libri “Komediania” i shkrimtarit polak Władysław Stanisław Reymont ardhur në shqip nga Edlira Lloha. Për krijimtarinë e tij, Reymont mori çmimin “Nobel” më 1924, kohë kur, sipas arkivave të vetë “Nobel”-it ishin në konkurim edhe Thomas Mann, Grazia Deleda, Bernard Show, Thomas Hardy etj.. (shih. Granit Zela, “Arkivat e Nobelit”, portali Peizazhe të fjalës, dhjetor, 2022). Motivacioni i dhënë nga juria ishte për epizmin e jashtëzakonshëm kombëtar. Sipas kritikëve, i përket rrymës së natyralsitëve, aq e përhapur si risi në fundin e shekullit XIX dhe fillim e të XX.
Në leximin e parë të tekstit, shohim jetën e thjeshtë të Jankës që e nxitur nga dy shkaqe, mosbindja ndaj të atit dhe ëndrra për të qenë artiste, merr përsipër të ndjek udhën, sipas saj të duhur për në botën orinike të aktrimit. Pritshmëritë e saj janë të mëdha, ideali i ndriçon fort dhe është e bindur se pasioni, talenti dhe vullneti do të mjaftojnë për t’i krijuar mundësinë që të krijojë vendin e saj në hapësirën ku po kërkonte të përkiste.
Kjo menjëherë më kujtoi Lusienin e Balzakut te “Iluzione të humbura”. Nuk mund të thuhet nëse Reymonti komunikoi dot me këtë tekst, pasi sipas rekordeve në Bibliotekën Kombëtare të Polonisë, shohim se për herë të parë ky libër u botua në vitin 1919 nën përkthimin e Tadeusz Boy-Żeleński. Ndonëse mjek në profesion, Żeleński shkroi disa vepra, por kontributi më i shquar e tiji mbeti përkthimi i mbi 100 klasikëve frëng në polonisht. Ndërsa “Komediania” u botua më 1896. Gjithsesi, komunikimi ose jo i këtyre dy veprave nuk është objekt i shkrimit tonë.
Për ne është e rëndësishme të identifikojmë pikat ku takohen Janka me Lusienin, jo për të dëshmuar komunikimin e autorëve, por plazmimin e konteksteve në një botë që përherë ka pasur problematika të njëjta dhe për to, ka ofruar zgjidhje të ndryshme.
Sipas shkrimeve të kohës, thuhet se Reymonti u nxit për shkrimin e “Komediania” nga eksperienca e vet në teatër. Prandaj edhe personazhi kryesor është një aktore në tentativë. Te Balzaku, Lusieni është një shkrimtar në tentativë.
Si Janka, si Lusieni ëndërrojnë përtej kufijve brenda të cilëve gjenden të mbyllur, they dreamed big do të thuhej sot kur globalizmi e ka kthyer në fakt ekzistencën e problematikave të njejta, por me një tjetër synim, të unifikojë edhe zgjidhjet. Atëherë nuk do të kishim më letërsi, por gazetari e ndoshta për t’i shpëtuar kësaj trysnie u nxit krijimi i post-industrializmit; post-modernizmit; post-post-post…(kushedi se kujt) dhe tani që letërsia po thuret sërish mbi baza realiste që krijojnë të ashtuquajtrin neorealizëm, synimi i globalizmit mund të jetë ose më pranë plotësimit se kurr, ose drejt zhbërjes së pashmangshme. Kjo mbetet për t’u parë, dhe kjo duhet parë nëpërmjet një optike për ndërtimin e të cilës është edhe ky shkrim.
Kuturisja për krahasimin e dy personazheve më sjell ndër mend librin Sinagoga e ikonathyesve të J. Rodolfo Wilcock, ardhur në shqip nga Pika pa sipërfaqe nën përkthimin e Arben Dedjas. Është një katalog personazhesh me jetë aq pranë reales, saqë kur kupton nga fundi se në fakt kemi të bëjmë me gjëra krejt të çuditshme e të pangjashme, befasohesh e ngelesh si guak, me lezetinë e të ndjerit i mashtruar nga një gënjeshtër aq e bukur. Ndodh kjo pasi kur fillova leximin e “Komediania” dhe vura re këto që thashë më lart dhe mandej u hasa me zhgënjimin e Jankës, isha i sigurt që në leximin e radhës të “Iluzione të humbura” ngjashmëritë do të rridhnin me po të njëjtin likuiditet. Nuk ndodhi kështu!
Po, të dy personazhet zhgënjehen nga bota ku donin aq shumë të ishin e vrenda së cilës më në fund u gjendën, por shkallët e zhgënjimit dhe përfundimi i tij janë ndryshe:
Lusieni, për një farë kohe u ndje i vlerësuar, madje më tepër sesa kishte ëndërruar ndonjëherë. Krijoi emër të shquar mes njerëzve të rëndësishëm, u ndje i vlerësuar dhe mendoi se po jetonte në atë çka përherë kishte dashur. Por kur arriti në majë, i fryrë prej atyre që donin ta shihnin në fund, ju bind pa dashur dhe pa ja kërkuar njeri dëshirës së tyre dhe menjëherë rrëshqiti poshtë. Sikundër thuhet ndër ne, U ngjitsh’ e mos arrifsh’ majën sepse kur je aty, domosdoshmërisht fillon zbritja. Thënë nëpërmjet vetë titullit të librit, Lusienit iu lejua të krijonte iluzione e mandej t’i humbiste ato, krijim që me patjetër kaloi mes disa peripecive.
Janka, nga ana tjetër sapo gjendet në botën konkrete të artit, zhgënjehet. Tek na jep përsiatjet e saj, narratori na thotë se ajo ëndërronte dikur për këtë botë dhe për këta njerëz, në mesin e të cilëve, tani po hidhte hapat. Prapë e ndiente se diçka i mungonte, se ajo që kishte krijuar në fantazinë e vet ishte njëqindfish më e madhe dhe e fuqishme dhe se do të duhej t’i jepte më shumë kënaqësi. Pra zhgënjimi është i njëkohshëm me arritjen, ndaj ajo nuk shijon dot asgjë prej asaj arritjeje. Menjëherë i thuhet se duhet dhënë rryshfet, se duhen siguruar para në mënyra nga më të ndryshmet – arti nuk mjafton kurrë – se duhet t’i serviloset drejtorit që kështu gjithë të tjerët t’i serviloseshin asaj etj.. Dhe sëfundmi, gënjehet: Roli i premtuar për të nuk i jepet. Ky është kryezhgënjimi i saj drejt të cilit arrin duke kapërcyer shkallë-shkallë zhgënjime të tjera.
Këtu ndryshon zhgënjimi polak nga zhgënjimi francez. Ai polak vjen natyrshëm, ngadalë, me ulje-ngritje por përherë pas tyre duket prania e tij. Ndërsa ai francez vjen si kontraput i papritur për personazhin, lexuesi e ndjen herëpashere afrimin e tij dhe me ankth pret nëse do të dalë apo jo e po ndodhi, do ta dijë qysh më herët kur dhe si.
Si përfundim, të dy mbeten të papunë, të pashpresë dhe të patëardhme. Si Lusieni, ashtu edhe Janka janë në të njëjtën pikë sërish! Po tani, çfarë do të bëjnë?
Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta provojë skamjen. Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte.
Atëherë i erdhën mendtë e thoshte: “Sa mëditësve tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrugëtarët e tu.”
U çua dhe e mori rrugën të kthehet tek i ati.
(Ungjilli sipas Lukës, 15, 14-20)
Kthimi i Lusienit përsëri te prindërit në rrethina më kujton pikërisht këtë pasazh biblik tepër të njohur. Ai e di se nuk ka ku të shkojë tjetër pasi askund nuk do ta pranojnë përveçse aty. Dhe atë bën, shkon për të rilidhur fillin e jetës së tanishme me atë të atëhershme, mbetur akoma aty. Janka jo! E zhgënjyer, e mërzitur, e vetmuar dhe me siguri në gjendje paqëndrueshmërie mendore, ndërmerr vetvrasjen. Por nuk ka kuptim ta them a ja del dot, apo jo?
Duket sikur francezi Lusien është njohës më i mirë i sjelljeve të krishtera sesa polakja Janka, paçka se dihet cili komb ka besuar e beson më shumë. Pse ndodh kjo, apo ngaqë edhe djalli e citon Biblën për interesat e veta? Jo, s’mendoj të jetë kjo!
Zgjidhja biblike në rastin e djalit plëngprishës është më pranë zgjidhjes logjike të dikujt në gjendjen e këtij djali, gjendjen e Lusienit apo atë të Jankës. Prandaj (ndoshta) edhe realizohet nga Lusieni. Ndërsa hiperndjeshmëria e Jankës, mbrujtur prej rrethanave të rritjes së saj dhe mbi të gjitha, prej rrethanave ku gjendej Polonia e asaj kohe (nën pushtimin e Perandorisë Ruse) sigurisht që do ta shpeinte atë në një zgjedhje të atillë.
Për veprat që bëhen klasike e kështu kthehen në kryevepra, nuk mund të diskutohet një zgjidhje deus ex machina. Është interesante sesi kur duket se dy zgjidhjet e vetme janë dy zgjidhjet e zgjedhura nga Balzac dhe Reymont, sërish asnjëra prej tyre nuk është e atillë. Ngaqë fabula është ndërtuar në mënyrë aq të përkryer dhe subjekti e zgjeron atë pikërisht aty ku duhet, ashtu si duhet, pa tejkaluar asgjë dhe pa u tkurrur para asgjëje.
Leximi i “Komediania” është një përjetim krejt i ndryshëm nga leximi i “Iluzionet e humbura”, por ndonjë çelës i përftuar gjatë leximit të këtij të dytit mund të na ndihmojë për të lëvizur më kollaj disa koltrina që padashur rrinë të mbledhura dhe pengojnë dritën e të parit.