Nga Violeta Murati
Poetja shqiptare Luljeta Lleshanaku, me natyrën e saj diskrete, por edhe me një poezi të tillë, të pazhurmë, me “personazhe” të zakonshëm që lëvizin jetën, fatet e më thellësisht mendimin, është seleketuar ndër pesë autorët e përkthyer nga gjuhë të tjera, më të vogla, në atë globalen, anglishten. Përkthyesja e saj është Ani Gjika, vlerësuar në botën angleze për përkthimin brilant të poezisë së Lleshanakut. Vlerësuar si dy vende të rëndësishme, si Anglia dhe Amerika për poeten shqiptare ka një simbiozë tjetër, nisur nga premisa e “gjuhëve të vogla”. Prej kohësh, duke kërkuar daljen përtej kufijve, shkrimtarët shqiptarë pothuaj me mundime rraskapitëse, personale, guxojnë të gjejnë ndonjë shtëpi botuese me interesa të pakta për veprën shqip.
Deri tani sfida për të pasur njohje, identifikim, ka qenë proza, kryesisht romani shqip. Gjithnjë shkrimtarët tanë kanë vërtitur nëpër mend faktin se kemi një klasik të gjallë të njohur botërisht, që ka rrëmbyer çmimet më të rëndësishme ndërkombëtare, kandidat për Nobel, shkrimtarin Ismail Kadare, – pra, njohja e këtij shkrimtari jashtë kufijve do të kuriozonte, së paku, botuesit e huaj në kërkimin të historisë shqiptare dhe se këtu mund gjallojë një jetë letrare e mjaftueshme për t’ia rrëfyer pjesës tjetër të botës. Por kjo pritshmëri e brendshme duket zhgënjyese kur shohim nga vendet e tjera të Lindjes, si Poloni, Çeki apo edhe Maqedoni, fluks autorësh të konsideruar e vlerësuar në botën perëndimore. Sistemi i shpikur nga BE për çmimin Europian në Letërsi ndoshta vetëm sa “korrupton” politikisht vendet e vogla duke financuar një çmim, jo për pasojë të garës, konkurrencës. Jo se ky vlerësim mund të jetë dyshues, por si fakt politik kjo as që vihet në dyshim, dukshëm nisur edhe nga qëllime jashtëletrare.
Por ja ku vjen befasia që nuk e përfshin këtë “jetë të brendshme letrare”, kur poetja Luljeta Lleshanaku kapërcen kufijtë, pikërisht në këtë moment, jo vetëm e përkthyer në botën anglishtfolëse, por edhe në selektimin e ngushtë ndër pesë finalistet për t’u vlerësuar si autorë për poezinë nga “Pen Amerika”, për vitin 2019. Njohja vazhdon të jetë një kompleksitet. Çfarë nuk po arrin rrëfimi, proza, befasisht, e mbërrin poezia.