Mendimtarë dhe shkrimtarë u janë përgjigjur njëzet pyetjeve të suplementit letrar të gazetës Times, për librat e tyre të preferuar, zakonet e të shkruarit dhe këshillat më të mira
Cila është këshilla më e mirë që ke marrë?
‘Kreativiteti është të tolerosh mungesën e plotësisë’
Cili nga librat e botuar në dymbëdhjetë muajt e fundit është i preferuari yt?
Qershia nga Nico Walker. E lexova me një frymë, pa u ngritur nga karrigia. Ç’libër i jashtëzakonshëm. Më goditi me sinqeritetin dhe gjuhën vërtet të bukur.
Për cilën temë ke hasur më shumë vështirësi në të shkruar?
Të shkruash është sfiduese, për çfarëdo qoftë. Edhe të ngre lart, edhe të dëshpëron. Sa më shumë që di dhe mëson për një temë të caktuar, aq më e vështirë bëhet të shkruash rreth saj: shpeshherë, sa më shumë di, aq më e qartë të bëhet se sa pak në fakt di. Por në fund, pasi ke jetuar për ca kohë me këtë mungesë njohurish, mund të thuash në rregull, ndoshta ekziston diçka që e di, diçka që e kam mësuar. E kështu fillon të shkruash, dhe kur përfundon, e rishkruan të gjithën, më pas e urren, shkruan diçka më shumë, heq, redakton, rishkruan, redakton, heq dhe redakton sërish, me shpresën se do ta pëlqesh një pjesë të asaj që ke shkruar.
Cili shkrimtar (të gjallë ose të vdekur) mendon se është më i nënvlerësuari?
Do të thosha shkrimtarin György Dragomán, edhe pse nuk jam i sigurt nëse është i nënvlerësuar, pasi ka goxha vlerësim për veprën e tij. Të gjithë duhet t’ia lexojnë romanin Mbreti i bardhë. Unë jetoj për atë libër, dhe është një nga veprat më të rëndësishme që kam lexuar në jetën time.
Cili shkrimtar (të gjallë ose të vdekur) mendon se është më i mbivlerësuari?
Oh jo! Më ndihmoni.
Cila është këshilla më e mirë që ke marrë?
“Kreativiteti është të tolerosh mungesën e plotësisë”. Këtë e zbatoj pothuajse çdo ditë.
Sipas mendimit tënd, deri në ç’masë është shkrimi një akt politik?
Si një shkrimtar, do të thosha se letërsia mund të jetë patjetër politike, megjithatë, më së shumti atë e bëjnë politike. Vepra letrare të cilat nuk u krijuan kurrsesi me synimin që të ishin diçka më tepër sesa krijime imagjinare, lexohen rregullisht në mënyra që i bëjnë të mos duken letërsi, si një lloj përfaqësimi për njerëzit ose besimet. Unë besoj se një vepër letrare nuk përfaqëson askënd dhe asgjë përveç vetvetes: nuk e ka fuqinë ta bëjë këtë. Nëse unë shkruaj një histori dashurie, do të jetë thjesht një histori dashurie.
A ke ndonjë huq kur shkruan?
Kam plot. Përpara se të shkruaj, duhet të laj duart. Gjithashtu duhet të jem veshur me rroba të rehatshme. Dhe ditën duhet ta nis para orës 11, përndryshe shkon tepër vonë. Por kjo nuk ka asnjë kuptim sepse zakonisht jam më produktiv pas orës 6 së pasdites. Megjithatë, mendoj se mëngjesi më duhet që t’i caktoj tonin ditës.
Cila është gjëja e parë që ke shkruar?
Nuk ia kam idenë.
Sipas mendimit tënd, si duhet t’ia matim suksesin një libri?
Cilido që ka botuar një libër e di se sa shumë duhet të japësh nga vetja, ndaj unë do ta quaja çdo libër të botuar një sukses.
Çfarë lexon gjatë pushimeve?
Nuk është se kam ndonjë listë leximi posaçërisht për pushime. Por ata libra të cilët e di se do të më shijojnë t’i lexoj, i lë për më vonë, në mënyrë që të bie në dashuri me ta në qetësi. Për shembull, më tërheq shumë romani i ri i Laila Lalami-t, Amerikanët e tjerë, ndaj këtë libër do ta ruaj për një rast të veçantë.
Pyetje të shpejta:
Toni Morrison apo Philip Roth?
Toni Morrison.
Ursula K. Le Guin apo Philip K. Dick?
Ursula K. Le Guin.
Mbreti Lir apo Shtrëngata?
Mbreti Lir.
Jack Kerouac apo James Baldwin?
James Baldwin.
Virginia Woolf apo Emily Dickinson?
Virginia Woolf.
Hamilton apo West Side Story?
West Side Story!
Lord of the Rings apo Game of Thrones?
Asnjëri prej tyre. Jam përpjekur t’i njoh më mirë të dy, por thjesht nuk e kuptoj çfarë ka tërheqëse te ta.
Gabriel García Márquez apo Angela Carter?
Gabriel García Márquez.
Agatha Christie apo Arthur Conan Doyle?
Arthur Conan Doyle.
Beyoncé apo Bob Dylan?
Beyoncé.
Përktheu nga anglishtja David Hudhri