More
    KreuLetërsiBibliotekë"Një udhëtim i paharruar me Dhimitrin" nga Mynever Shuteriqi

    “Një udhëtim i paharruar me Dhimitrin” nga Mynever Shuteriqi

    Në pranverën e vitit 1958, pas gjashtë muajsh, ne ktheheshim nga Moska në Tiranë. Dhimitri pas një rehabilitimi të tejzgjatur nga një operacion disi i vështirë në një spital të Moskës, tashmë ishte përmirësuar dhe mendohej se udhëtimi për në Shqipëri ishte i mundshëm.

    Nuk mbaj mend mirë përse udhëtimi nuk u bë me linjën ajrore Moskë-Tiranë, por me ndërprerje: me avion Moskë-Beograd dhe me rrugë tokësore Beograd-Shkup-Tiranë. Kohët e fundit në ditarin e atij viti gjej këtë shënim për këtë udhëtim:

    “Shkupi, Manastiri nga do të kalojmë, më evokojnë ngjarje me rëndësi nga periudha e Rilindjes Kombëtare, por edhe më të hershme, jam gjithashtu i etshëm për të takuar shqiptarë të atyre viseve, prandaj kam shumë dëshirë dhe interes që t’i rishoh”.

    Ai kishte kaluar nëpër ato anë fare kalimthi aty rreth fundit të vitit 1945, duke u kthyer nga Beogradi në Tiranë. Ishte ftuar në kryeqytetin e Federatës për të marrë pjesë si përfaqësues i shkrimtarëve të Shqipërisë në një kongres të shkrimtarëve jugosllavë, që në fakt nuk u mbajt, nuk di për ç’arsye. Kishte bërë një ndalesë të shkurtër në Shkup, ku dhe ishte takuar me shqiptarët e atyshëm dhe ku ishte tronditur nga sa kishte dëgjuar. “Shqiptarëve u mohohet e drejta e shkollimit në gjuhën amtare, u mohohet punësimi, asgjë nuk ka ndryshuar. Gjithçka ka mbetur si përpara çlirimit, asnjë hap nuk është bërë për respektimin e të drejtave të tyre si populli i barabartë midis të tjerëve, që përfshin Federata”. Kujtoj se këto ishin afërsisht fjalët e para që më tha sapo mbërriti në Tiranë. Brenda asaj nate shkroi një artikull, përmes të cilit dënonte strukturat krahinore (besonte se ishte thjesht përgjegjësia e tyre) për faktet që dëgjoi. Artikulli nuk u botua. Redaksia e gazetës “Bashkimi”, e vetmja gazetë politike e kohës, ia ndaloi botimin, sepse, sipas saj, cenoheshin “marrëdhëniet miqësore e vëllazërore me popujt e Jugosllavisë motër dhe udhëheqësit e tyre të lavdishëm”.

    Për t’u dhënë zemër bashkatdhetarëve të tij të Maqedonisë, që takoi ato ditë, ai botoi te “Flaka e Vllaznimit” të Shkupit, datë 12.12.1945, nr. 12, artikullin “Përshëndetje shqiptarëve të Maqedhonisë”, ku ndër të tjera shkruan: “E ndiejmë veten shumë të lumtun se, në kalim për në Beligrad, qëndruem në kryeqytetin e Maqedhonisë së lirë dhe përshëndetëm shqiptarët e këtij qyteti. Jemi gjithashtu fort të gëzuem kur shofim se sa e zjarrtë asht dëshira e shqiptarve të Maqedhonisë për të mësuem gjuhën e tyne. Që të gjithë ata që takuem na shfaqën dëshirën e tyne të kenë sa ma shumë libra, revista dhe gazeta nga Shqipnia. Ne e ndijmë si detyrë që këtë dëshirë t’ia parashtrojmë organizatës sonë “Lidhjes së Shkrimtarve të Shqipnis”, si dhe organeve të tjera kulturale të vendit tonë dhe shpresojmë se do të mund të bajmë diçka për të ngritun një bibliotekë të vogël shqipe në qendrat kryesore të shqiptarve të Maqedhonisë”.

    Beogradin e gjetëm thuajse në një fund dimri, ndonëse pranvera kishte hyrë. Megjithëse ftohtë, përpara se të merrnim trenin për Shkup, në orët e vona të natës ai deshi të bënim një shëtitje në rrugët e qytetit, sepse ajo ishte koha kur mund të takonim shqiptarë që pastronin rrugët e kryeqytetit. Dhe ishte vërtet ashtu. Atë natë pamë e takuam shumë bashkëkombës, prej të cilëve dëgjuam histori të dhembshme.

    Në Shkup mbërritëm në orët e para të mesditës. Nuk di sa u zgjat ajo rrugë, por di të them se ishte ndër më mbresëlënëset që mund të kem bërë ndonjëherë me të. Ndaleshim ngado për të soditur fshatrat shqiptare të vendosura në të dyja anët e asfaltit dhe peizazhin baritor në atë prag pranvere, duke shfrytëzuar çdo rast të mundshëm që na krijohej për të bërë ndonjë bisedë të shkurtër me kalimtarët, domosdo shqiptarë, të atyre anëve. Atë tërësi mbresash, emocionesh e kënaqësish të përmallshme, që na fali rrugëtimi ynë nëpër viset shqiptare të Maqedonisë do t’i ripërtërija më vonë falë shënimeve të përpikta, që Dhimitri kishte mbajtur në bllokun e tij të udhëtimit.

    Me të mbërritur në Manastir, ai kërkoi të vizitonte muzeun e qytetit, ku shpresonte të gjente të ekspozuara dokumente dhe fotografi të kongresit historik të vitit 1908, që sanksionoi alfabetin e gjuhës shqipe. Në atë kongres kishte marrë pjesë si delegat i Elbasanit edhe 25-vjeçari Simon Shuteriqi, babai i Dhimitrit, dhe i biri vinte tani për së largu për të gjetur ndonjë gjurmë të tij e të pjesëmarrësve të tjerë të asaj ngjarjeje të madhe historike. Por asgjë nga sa mund të kishte menduar nuk ia përmbushi dëshirat. Vërtet që muzeu përmbante në oborrin e vet disa objekte arkeologjike me vlerë, padyshim edhe dëshmi historike sllavo-maqedonase, por ngjarja e madhe e shqiptarëve ishte lënë krejtësisht në terr. Synimi për ta çrrënjosur atë nga memoria e qytetit, ishte fare i qartë. Duke u ndarë me drejtoreshën e muzeut, një grua e sjellshme që na priti dhe na përcolli përzemërsisht, Dhimitri i foli për “mungesat” e objektit, duke i bërë me dije se krahas të drejtës së qytetarëve shqiptarë për të njohur historinë e tyre, Kongresi i Manastirit ishte një ngjarje që nderonte edhe Maqedoninë vetë.

    Ishte e kuptueshme që në rrethanat e krijuara Dhimitri të mos shtyhej më tej. Nuk kërkoi të dinte as edhe për vendndodhjen e gjimnazit të vjetër të qytetit, ku në fund të shekullit XIX kishin studiuar disa shqiptarë të njohur, midis tyre edhe Simoni vetë.

    Dita e nesërme e atij udhëtimi ishte e paharrueshme për mua. Pasi lamë pas qytetin e Manastirit, në një çast Dhimitri shfreu me një emocion të papërmbajtur: “Ndalo, të lutem edhe një herë”, i thirri shoferit, po aq të shtangur sa dhe unë. Duke shtrirë dorën në drejtim të malësive të Dhiavatit, ai filloi të na fliste me pasion për Dhaskal Todhrin, i cili, sipas tij, duhet të kishte kaluar aty një shekull më parë për të zbritur në Resnjë e pastaj në Prespë, i ngarkuar me shkronjat e alfabetit të tij në gjuhën shqipe, që kish sjellë nga Lajpcigu dhe që nuk arriti t’i sillte në Shqipëri, sepse e vranë, e vranë për të penguar lëvizjen shqiptare të kohës, për të shkruar në gjuhën tonë. Pastaj m’u drejtua mua, që e dija se sa gjatë ishte marrë me Todhrin dhe sa kohë i ishte dashur për të nxjerrë në dritë dokumente të panjohura në lidhje me alfabetin e tij. Ai mendonte se ajo çka ai kishte bërë përmes studimeve të tij për ndriçimin e një figure madhore si ajo e Dh. Todhrit, lëvruesit të gjuhës shqipe dhe paraardhësit të Rilindjes sonë Kombëtare, ishte e pamjaftueshme. Ky dëshmor i parë i gjuhës shqipe duhej të njihej nga publiku i gjerë përmes letërsisë dhe e mbylli me fjalët se atij i takonte të shkruante një vepër letrare për të.

    Ishte një çast solemn, ndër më të rrallët që mund të kem përjetuar nga udhëtimet tona të përbashkëta. Ajo thirrje betimi e shfaqur ashtu spontanisht në rrethanat e krijuara dhe pas një tok emocionesh të mbartura, vinte në të vërtetë prej thellësisë së ndërgjegjes së tij. Veprën letrare për Dhaskal Todhrin e shkroi më 1972-shin, kur nxori në dritë tregimin “Buka dhe thika”. Disa vite më pas, subjekti i tregimit u ekranizua në filmin e njohur “Udha e shkronjave”. Dhe ai kështu e përmbushi betimin e vet.

    Detaje të këtij udhëtimi të paharruar i gjej tani së fundi në një bllok të tij, ku ndër të tjera shkruan:

    “Në Ohër sigurisht do të kishim dashur të qëndronim 2-3 ditë, por shoferi ishte porositur të nxitonim: kufirin duhet ta kalonim para orës gjashtë të mbrëmjes dhe ishim vonuar. Duke kaluar malin e Dhiavatit, kishim “humbur kohë” te Çezma e famshme, ku unë imagjinoja se Dhaskal Todhri kishte pirë ujë për të fundit herë, përpara se ta vrisnin më tej! Liqeni i Prespës që nga ajo Çezmë e famshme dukej si një lumë i madh që çante malet e larta me dëborë, lumi ndriçonte nga dielli gati si një Danub, që do të zhdukej në ngushticën e tij të njohur. Ishte sigurisht vizioni i fundit i Dhaskalit tonë. Të ftohtit më kishte hyrë në palcë dhe unë nuk shkulesha dot nga ai vizion. Myneveri më dëgjonte t’i flas për Todhrin e përpiqej të mos ndiente si i kërcisnin dhëmbët, po lëvdonte panoramën dhe lante edhe një herë duart te Çezma akull, që ia përflaku duart. Në këtë Çezmë, Gjon Buzuku më 1510-n e vendoste kufirin e Bullgarisë me Shqipërinë “në një Çezmë që quhet Dodriba” (in una Fontana che si chiama Dodriba).

    Shoferi iu bind edhe njëherë “huqeve” të mia, pastaj ai e bëri makinën erë drejt Resnjës, ku u futëm në një akçihane midis qytezës dhe hëngrëm nga një sahan të madh me fasule, që s’kam ngrënë tjetër herë më të mira, ishin të rralla “vërtet”.

    Strugës do t’i shihnim vetëm një rrugicë pazari shqiptar, si ai pazari i Krujës që shihet edhe sot, ku takonin çatitë, po ku tabelat e shtrembra ishin sllavisht, po edhe me emra Hasanësh e Hysenësh, që dilnin te porta dhe përshëndesnin makinën me targë TR, që ua mallëngjente çuditërisht fytyrën e që na uronin “vafshi shëndoshë”. Dy vjet përpara se të ndërronte jetë, ai do t’i drejtohej edhe një herë Dhaskal Todhrit përmes vëllimit me tregim të titulluar “Buka dhe thika”. Pasi e lexuam edhe një herë librin përpara se të dilte nga shtypi, përfshirë edhe tregimin që i ka dhënë emrin, krijova përshtypjen se më e emocionuara isha unë. E di Dhimitër, – i thashë, – më pëlqen shumë ky tregim dhe më duket se e gjithë forca e tij kulmon në frazën e fundit me të cilën e ke mbyllur: Ndrioja i shtrëngoi duart fort dhe e vdiq. Më pa në sy i përlotur dhe më tha: “S’ma ke thënë ndonjëherë, moj Mynever. Por mos ma vër re që mallëngjehem kaq. Unë, siç të kam thënë shpesh, nuk jam bërë prej mishi e gjaku, por prej malli e mallëngjimi”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË