More
    KreuOpinionNjë tubim i rëndësishëm shkencor albanologjik në Universitetin e Zarës

    Një tubim i rëndësishëm shkencor albanologjik në Universitetin e Zarës

    Nga Evalda PACI

    Në datat 3-5 tetor 2019 në Universitetin e Zarës u zhvillua konferenca shkencore ndërkombëtare me temë qendrore Symbiosis on the shores of the Adriatic sea(Encounters and dialogues among cultures), organizuar nga revista Shêjzat, Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, AISSEE dhe Universiteti i Zarës (Kroaci). Një tubim i tillë bëri të mundur të mblidheshin në një seli të përbashkët autoritete të kërkimit shkencor dhe të studimeve shqiptare, studiues të fushave të rëndësishme të humanitetit, përfshirë gjurmimet ballkonologjike dhe më gjerë, studimet mbi mesjetën evropiane. Morën pjesë në hapjen e këtij tubimi shkencor drejtues të Universitetit të Zarës (Kroaci) si dhe autoritete të fushës së diplomacisë mes dy vendeve tona. Konferenca e sipërcituar u përshëndet gjithashtu nga këto autoritete e pikërisht në këtë moment hyrjeje dhe iniciatorët e saj shtjelluan disa linja të rëndësishme studimore që do të reflektoheshin në kumtesat e parashikuara.

    U bënë objekt trajtese në seancat përkatëse argumente të rëndësishme që prej kohësh kanë qenë objekt interesi për medievalistët, historianët, filologët, arkivistët etj.

    Një trajtesë interesante që dhe shërbeu si moment hapjeje të punimeve të këtij tubimi qe ajo e mbajtur nga profesor Francesco Altimari (Universiteti i Kozencës, Kalabri), përqendruar në trajtimin e materialeve në dorëshkrim të Pietro Stankovich-it (1771-1851), si burim të dhënash për t’u gjurmuar më tej në këndvështrimin dialektor dhe gjuhësor.

    U ndërmendën shkrimtarë që domosdoshmërisht koha do t’i bënte pjesë të një historie letërsie më të plotësuar e më gjithëpërfshirëse(rasti i autorit Shime Despali). Paraqitja në një këndvështrim kompleks e krahasues i shkrimtarisë së një autori si Shime Despali (Persida Asllani, Universiteti i Tiranës: The literary works of Shime Despali-memory and remembrance of a diaspora) i dha një frymë të re dhe kontekstualizimit të veprës së tij në historinë e letërsisë shqipe. Një këndvështrim të ngjashëm për nga objekti i studimit, por të përqendruar në hollësi që kishin të bënin me biografinë e këtij autori paraqiti dhe studiuesja Mirta Tomas (Universiteti i Zarës), me kumtesën me temë The identity of Borfo Erizzo in Shime Despali’s poetry.

    Nuk munguan të paraqiteshin në konferencën e Zarës trajtesa që kishin të bënin me gjurmime elementesh që përbëjnë dëshmi konkrete të pranisë së elementeve simbiotike leksikore në të folme të caktuara të shqipes (Andrey Sobolev, Universiteti i Shën Petersburgut).

    Kontribute konkrete u synuan dhe në drejtim të shtjellimit me anë të të dhënash të reja të historisë së migrimeve në drejtim të Gadishullit Italik në periudha të caktuara, të rimarra në linja tashmë të shtruara nga studiues të mirënjohur në këtë fushë si Lucia Nadin, Italo Sarro, Marco Moroni. Metodologjia e trajtimit nga ana e secilit prej këtyre studiuesve bashkë me citimin e burimeve arkivore që mbeten përherë për t’u marrë në konsideratë kur trajtohen të tilla çështje në vështrimin historiografik, nënvizoi dhe një herë rëndësinë e njohjes së këtyre rrethanave të përveçme që hedhin dritë mbi historinë e dy vendeve, por dhe që ndihmojnë mjaft disiplina të tjera të përafërta studimore. Iu bashkua tubimit në Zarë dhe studiuesi i mirënjohur Josè M. Floristan (Universiteti Complutense, Madrid), i cili rimori elemente të qasjes ndaj rrethanave historike që bashkojnë popujt e Ballkanit në dritën e dokumenteve të veçanta arkivore. (An appeal of the people of Albania, Bosnia, Herzegovina, Serbia and Montenegro to the Spanish king Philip III for military help(1612-1614).

    Në vazhdë të studimeve të thelluara e shumëvjeçare mbi historinë e gjurmimit të teksteve arbërëshe dhe më në veçanti të atyre që lidhen me liturgjinë dhe receptimin e episodeve gjegjëse nga ungjijtë, prof. Matteo Mandalà (Universiteti i Palermos) referoi gjerësisht mbi aspekte studimore të këtyre teksteve në botën arbëreshe dhe më gjerë.

    Morën pjesë në këtë tubim dhe studiues të çështjeve me rëndësi për historinë e Shqipërisë, me trajtesa mbi aspekte të antropologjisë së studimit të të folmeve dhe zakoneve të trevave të veçanta shqiptare (Persida Lazarević di Giacomo, Universiteti i Chietit: With the people of Hormovë: the encounter of Dositej Obradović with Albania and the Albanians). Studiuesi Andi Rëmbeci (Universiteti i Tiranës) u paraqit me një studim të thelluar mbi aspekte përmbajtësore të dorëshkrimeve që përmbajnë të dhëna mbi historinë e filozofisë dhe që u përkasin shekujve të rëndësishëm për historinë e shkrimit shqip(The circulation of Enlightenment ideas in Albania during the 18th century. Three philosophical manuscripts written in Greek by Teodor Kavaljoti (1718-1789); Jorgo Sugdhuri (1645-1725);  Anastas Papavasilopuli (1670-1750). Një personalitet me rëndësi për historinë e fotografisë shqiptare (Pjetër Marubi) u trajtua në bazë studimesh konkrete arkivore nga Lucian Bedeni (Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”), pikërisht në kumtesën me titull The journey of Pietro Marubbi from Zadar to Shkodër.

    Çështje të historisë së kishës shqiptare, por dhe të misioneve françeskane dhe domenikane në një vështrim të natyrës së mirëfilltë diakronike u trajtuan veçanërisht nga Petar Vrankić(Universiteti i Augsburgut): Croatian missionaries (Fransciscans and Dominicans)from Dalmatia and Bosnia serving in Albania from the pre-ottoman era to the present day. Evalda Paci(Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë) trajtoi në një këndvështrim të ngjashëm çështje të leximit e të rileximit të teksteve të caktuara që lidhen me historinë e kishës shqiptare e më saktë të materialeve dokumentare në format dorëshkrimi(The history of the Albanian Catholic Church in the notes of Msgr Karl Pooten. Prelates and important ecclesiastic provinces), që bëjnë të mundur përqasje me burime të afërta në kohë, por dhe të mëvona e që për më tepër kanë parë dritën e botimit.

    Materiale me vlerë të veçantë e të panjohura deri më sot dhe që hedhin dritë mbi përpilime që duhen njohur e që kanë të bëjnë me variante të receptimit të katekizmit e të doktrinës së kërshtenë në viset shqitare(shekulli XIX) u paraqitën dhe u trajtuan nga prof.Ardian Ndreca(Universiteti Urbanian i Romës), në një vështrim të natyrës historiografike dhe filologjike(An unknown manuscript from the end of the 19th century in the Archive of Propaganda Fide).

    Një trajtesë me interes të veçantë përbënte dhe paraqitja e studiuesit Gëzim Gurga(Universiteti i Palermos), i cili u përqendrua gjerësisht në reflektimin e neneve të kanunit shqiptar në studime e kërkime të ndryshme përfshirë ato të natyrës studimore dhe në letërsi. (Albanian consuetudinal laws in scientific research, literary fiction and media portrayal).

    Reflektimi i jehonës së figurës së Gjergj Kastriotit në vëllime të veçanta epike u bë objekt trajtimi nga Z.Arben Ndreca, studiues i gjuhëve ballkanike dhe i filologjisë së teksteve sllave, një trajtesë kjo që përmbushi më tej dijen dhe të dhënat mbi figurën e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut(Scanderbeg in the Pleasant Talk of Slavic People and the immense contribute of Fr.Andrija Kacić-Miośić to the epic literature of the Southern Slavs).

    Kontribute me vlerë nga hulumtues të arkivit të Venecias u paraqitën gjithashtu në këtë konferencë shkencore. Një prej tyre qe dhe ai i studiuesit Andrea Pelizza (Arkivi i Shtetit i Venecias), që bënte fjalë mbi gjeneralin italian Alberto Pariani (1876-1955) dhe arkivin e tij personal në lidhje me historinë e Shqipërisë.

    Tubimit iu bashkuan ndërkohë kompozitorë dhe intrumentistë të mirënjohur që kanë kultivuar për vite të tëra muzikën shqiptare: Paolo Marzocchi, Bardh Jakova, grupi Zorja Trio etj. Koncertet e performuara në këto ditë të zhvillimit të tubimit në Zarë, pjesëmarrja dinjitoze e dy këngëtareve si Anna Stratigò dhe Maria de Filippo bënë të mundur të ndihej më afër fryma e viseve arbëreshe dhe lidhja e pashlyer me atdheun mëmë, Shqipërinë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË