More
    KreuLetërsiBibliotekë"Një mënyrë e mirë për të vdekur", tregim nga Istref Haxhillari

    “Një mënyrë e mirë për të vdekur”, tregim nga Istref Haxhillari

    – Mezi të njoha, – thirri me zë buçitës, si goditje tamburi.

    Sytë e prushtë, shtati masiv, siguria në vetvete kishin hir të zhurmshëm.

    – S’ke ndryshuar fare! – i tha Zamira.

    Dy paralele pas Loranit në shkollën e mesme të gjuhës frënge, ruante hijet e miqësisë së dikurshme që nuk shkoi më shumë se aq.

    – Kurse ti qenke bërë më e bukur.

    – Ç’ka ndodhur me ty? – u orvat të zhbironte njëzet vite.

    – Kam jetuar, – u përgjigj me ton tjetër lloj.

    I dhuroi një buzëqeshje të vogël, para se të linte kujtimet të rridhnin.

    – Quhet dashuri edhe të lësh dikë të ikë. Shtatë vjet martesa u mbajt mbi një fije, – u rrëfye kokulur, të mos i shihte pikëllimin që e rrëmbente sa herë e sillte rasti të përmendte familjen e humbur.   

    Brenga i dha ngjyrën e dhimbjes takimit.

    – Ke radhën, – i tha.

    Zamira fshehu fytyrën me duar, zakon i mbetur nga vitet e shkollës.

    – I kam braktisur fjalitë e gjata, – kërkoi të fitonte kohë.

    – Ç’do të thuash?

    – Flas shkurt.

    – Gjithsesi po vonohesh..!

    – Jam beqare, – i tha sa fundi.

    Nuk pati jetën që shpresoi, por ishte jeta e saj, donte ta respektonin.

    Lorani i futi krahun.

    Bari i kushtueshëm në qendër të qytetit ishte fantastik. Zunë tavolinën e cepit pas dritares me sytë mbi njëri-tjetrin. Pas xhamave akujt vishnin trungjet e pemëve, degët e ngarkuara me borë të ngrirë rrezatonin ngjyrat e ylberit. Brenda bënte nxehtë. Zamira hoqi trikon, e palosi mbi mbështetësen e kolltukut.

    – Miku i radhës, – u dëgjua një zë i shëmtuar pas tyre.

    Qëllimisht i lartë.

    Lorani lëvizi vendit, ajo i vuri dorën në sup…

    Takimi tjetër erdhi shpejt.

    – Dua të them diçka, – i telefonoi Lorani.

    Pranoi me zemër të thyer. Mëshirën s’e donte. Shkoi vetëm t’ia thoshte.

    Nuk arriti.

    – Dua të fejohemi, nëse më pranon kështu siç jam, – i propozoi pa ulur, – takimi me ty ishte ai që më mungonte.

    Përgjigja humbi para se ta kapte, gjuha e lirë përkëdheli heshtas emrin e tij.

    – Do dalim për kafe? 

    Nuk i mbajti dot lotët.

    – Që ç’ke me të dhe do t’i thyej turinjtë kujtdo që guxon.

    Trup vigani, krahë muskulorë! Thua mjaftonin? Nuk do të lodhej nga jeta me një…? S’guxoi të shkonte më tej.

    – I vetmi premtim, – tha Lorani, – për të tjerë s’ke nevojë…

    Makina la rrugën kryesore, rrëshqiti në drejtim të njollave ndriçuese mes parcelës së pemëve lakuriqe. Kohë pas kohe perde të pluhurosura bore pengonin lëvizjen. Strukur në ndenjësen e parë, Zamira ndjente jakën e ngritur t’i bëhej përqafim.

    Parkuan larg vilës së vetmuar. Rrugicën e kalldrëmtë e bënë në këmbë. Flokët e plogëta të borës ua gjenin qepallat, u vishnin shikimin, rrëzoheshin dhe ngriheshin të përqafuar.

    Tavolina e kuzhinës shtruar për festë, lule, qirinj. Mbi abazhurët vesonin leskra të imëta prej flakëve të zjarrit në oxhak. Lorani ra në gjunjë, nxori nga xhepi unazën e artë me gur diamanti blu. Ajo ngriu me sy përdhe. Jo se nuk e donte atë fejesë. E shkuara mund të gjente rrugë të tërthorta të shkatërronte në fare pak kohë. A do ta përballonte një dramë tjetër? Kapi bebëzat e tij të çelura dhe zemra ndërroi marsh, imagjinata, i vetmi armik i pranishëm, u dorëzua. Nuk ishte aq e keqe sa mendonte. Të paktën një herë në jetë donte të ishte gruaja e një burri.

    – Sa e kam pritur këtë çast! – i shpëtoi pa dashur.

    Puthja erdhi e ëmbël, e ngrohtë, marramendëse, ashtu si duhej të ishte. Prekja e tronditi si shok elektrik, trupi i etur u përgjigj i tendosur.

    Zot, ç’ditë

    – A mund të presësh pak? – iu lut.

    – Do të gri! – i tha ai.

    Frymëmarrja iu pengua, u shkëput të mbushej me ajër.

    – E besoj…

    Banja e priti të dehur, kraharori po i çahej. E shijonte çastin, si t’i ikte dhe ajo të mos e kapte dot. Provoi të kuqin rozë. Iu duk i shpëlarë, e zëvendësoi me të ndezur. Ndërroi të brendshmet, këmishën, veshi fustanin lela, të hapur, seksi. I shkrepi të këpuste ca trëndafila kundërmues nga buqeta. I shkoliti, shpërndau fletët nëpër trup. Deshi të shikohej sërish në pasqyrë, po ikën dritat.

    “ E de, mirë je, mjaft u vonove! ”

    Lagja u zhyt në errësirë, era e akullt fishkëllente, xhamat e ngrirë bllokonin shikimin,  brenda ngrohtë, qirinjtë e festës ndriçonin të patrazuar. 

    – Erdha, zemër, – thirri te pragu.

    Ishte kaq e mbushur!

    U habit kur e pa të flinte mbi divan. Gërhiste lehtë, sa mezi dëgjohej. Dhoma lahej në dritën e zjarrit, fytyra e tij herë ndriçohej, herë fshihej në errësirë. Nënqeshja e ëmbël, e palëvizshme e tregonte të lumtur. E shtyu pak e nga pak zgjimin, u kujdes të mos bënte zhurmë.

    Pastaj u tremb.

    – Ngrehu, gjumash, për se më ke thirrur! – nuk duroi gjatë.

    I preku lehtë ballin, e shkundi ngadalë, më fort. Nuk lëvizi, as dha shenja zgjimi. Gjendje të fikëti, apo…

    Zemra i thoshte se vuante nga ndonjë sëmundje e panjohur.

    Rrëmbeu celularin, u ra numrave me radhë. Dilnin fikur ose të paarritshëm. Hodhi aparatin, rrëmbeu pultin e portës. Sistemi nuk funksiononte pa energji elektrike. Tërhoqi dorezën, as bëhej fjalë, kanati i blinduar nuk donte t’ia dinte.

    U kujtua të merrte ambulancën.

    – Dikush po vdes, – u tha, – ejani sa më shpejt.

    – Ku të vijmë, zonjë? – u përgjigj një zë i përgjumur.

    Hera e parë që shkelte aty, s’e kishte idenë ku ndodhej. U vonua të sajonte vendndodhjen, telefoni u mbyll. Iu kthye numrave nga e para.

    Dikur kapi sinjal.

    – Lor, këtej nga ne është kulmi i punës, – u përgjigj një zë i largët, – si e ke hallin?

    – Është sëmurë, – i tha.

    – Doktor nga Amerika kërkoni?

    – Në djall!

    Vuri duart në kokë, ia krisi të qarit.

    Koha ikte me shpejtësi, e mblodhi veten, hapi dritaren, mori frymë thellë të gjente zërin e humbur.

    – Ndihmë, Lorani po vdes, – bërtiti sa mundi.

    Nga shtëpia përballë doli një burrë i shkurtër me xhup dhe kokore sharrëxhinjsh. Në duar vërtiste elektrikun me bateri.

    – Cila je ti? – i lëshoi konin e dritës.

    U rrek të gjente përgjigje të besueshme.

    – Nusja, – thirri së fundi.

    – Ç’nuse moj, Lorani është beqar, – u kthye mbrapsht i inatosur.

    Shaka bajate!

    – Sapo u fejuam, – u mundua ta zbuste.

    Ai pothuaj s’e dëgjoi. Mbase nuk donte.

    – Lodër e bukur! – zëri i ngjirur kumboi në errësirë si ogur i zi.

    Qindra pandehma e sulmuan, sa mundohej të kapte njërin, i ikte tjetra. Truri nuk i bindej, idetë i shteruan.

    Zjarri i pa ushqyer vdiste ngadalë…

    Rryma elektrike erdhi në të aguar. Kërkoi pultin, hapi portën. Nuk e pa kanatit të mbyllej vetiu pas saj. Qyteti i ngrirë rënkonte nga fshikujt e erës, masa të ngjeshura, të bardha rrëshqisnin çative, mbushnin oborret. Fustani i tejdukshëm i futi ngricën në çdo pore, u desh fare pak të mpihej. Lëvizi disa herë dorezën, porta nuk hapej. Vështrimin ia veshi një si perde e padepërtueshme, buzët iu nxinë, këmbët nuk donin të bindeshin.  

    Iu dorëzua mjerimit të vet…

    U zgjua në spital me fytyrën zjarr, fytin të nxehtë e të ashpër, frymëmarrje të mpakur. Sytë e kapitur kapën aparatin e serumit, krahët zbuluar, tubat plastikë, shiringat. Një objekt masiv që i zinte pamjen, dalëngadalë u bë plakë e bëshme, shumë e vjetër. Priti ta sqaronte dikush, t’i thoshte çfarë kishte ndodhur, po asgjë nuk pipëtinte. 

    As e ëma e Loranit, ngrirë gur varri mbi krye.  

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË