telajo
ç’janë këto erëra
ky pështjellim,
nga ç’vise vijnë
nga ç’arenë marrëzie;
ky i kuq
kaq i bukur dheu
me pakëz hënë
të zezë dashurie ?!..
yll
me punët, luftrat
që bën në jetë
e paska një dëshirë
të fundit njeriu;
me gjithcka fitova
lëshova nëpër qiell
një yll të vogël
si gardelinë shiu.
tani i qetë
në buzë të natës
kujtoj ngjarje, miq
emër për emër;
ai ylli i vogël
si gardeline shiu
vërtitet nëpër qiell
e më fle
në zemër.
Do kaloj dikush
njeri i mirë ti nuk do të vdesësh
nga udhëtimet, etja, rrëzimet, lodhja;
do kaloj dikush dhe një hënë shiu
si një gotë uji
do ta verë te koka.
njeri i mirë ti nuk duhet të vdesësh
nga e ftohta e gjakut, vetmia, brenga;
do kaloj unë dhe zemrën do ta le
si një gotë verë
me të djelën brënda.
rishtar në qytetin e madh
poshtë pallatit vjen rrotull
një kaproll i sharguar
mëngjeseve më vijnë
ca lule fushe te dera
shëtitjet i bëj
nëpër kopështet e kujtesës
kafenë e pi
te bulevardi i sorkadheve.
se paskam ditur
vetmia qënka dhe
një baladë e bukur mungese
keq e kam vetëm me ca dragonj malli
që më vijnë cdo natë
e duan t’më marin me vete.
vramëndje
nuk di kush e hëngri
jeta apo vdekja,
mjaltin e kotësisë
të zgjoi me gënjeshtra
pyes gjithë botën
po përgjigje su gjet
të gjithë qeshin fshehurazi
me gënjeshtrën e vet!…
smerald
smerald i vogël
ndricim i errët
lavdi natyre.
e ngrëna
ishte natë dhjetori
vdiq – tha vëllai
vdiq – thashë dhe unë
qeveritë nuk vdesin – tha nëna
vjen një ditë
dhe i ha e ngrëna.
në duar mbante
një kupë të vjetër
alumini
me dy grushta yjesh
si xinxife brënda.
mëhallë e vjetër
në mëhallën time
mund të gdhiheshe i pagjumë
për një kind fustani
djegur me cigare
mund të zinin dhe ethet
duke pritur buzë lumit
ku lahej lakuriq
netëve një cigane;
në mëhallën time
mund të vrisje dhe veten
siç mund të thinjeshe
dhe brënda një nate.
në vënd të homazhit
gj. b.
ti nuk ishe
një gurë mali
rrëzuar kuturu
nga shirat e parë,
ti ishe një grusht
dhe i shënjtë
mbrujtur me djersë
bekim dhe gjak.
ti ishe ai
që jetën se deshe
si një arë të shkretë
me grurë të djegur
dhe more frymë
nga një e çarë dheu
aq o aq
sa për mos të vdekur.
është një kodër
është një kodër e vogël
me fytyrë nga deti
ku shkoj shpesh e ndez një qiri
ku dikush më pret atje mbi mermer
gozhdët që marr udhëve
të mi heq nji e nga nji
atje, te një kodër e vogël
me pëllumba të egër
dhe një hënë me shi.
s’di kush mund ta thotë
komshia në ballkon
numëron medaljet dhe qan
unë grindem me veten
dhe rri i pagjumë,
nuk di se kush
mund ta thotë krejt saktë
pse jeta sa vjen
e dhëmb kaq shumë.
komshisë fati
ja ka dhënë të gjitha
po seç ka një lot …
që pikon te të tjerët!…
unë tani mund të isha
në një gjumë të mëndafshtë
po smë la ëndrra
e një miku të vjetër.
dhe kjo ndoshta
është një arsye
pse jeta sa vjen
e dhëmb kaq shumë
komshia në ballkon
numëron medaljet dhe qan
unë të kujtoj ty
dhe rri i pagjumë.
satanikja
më erdhi një mesazh
mu’ në pikë të gjumit:
kam pirë njëqind zemra
e jotja është e fundit!
Ishte Neti, satanikja Neti
që netëve të gjithëve na ç’faqej në gjumë
që cdo natë e hante nga një zemër prej nesh
dhe asnjëherë se kuptuam
pse e donim aq shumë.
zona me nishane
stolitë e qiellit
u hapën me një puthje
uuuaaauuu
një behar me naze
një ciklon me huqe
dhe nata rridhte
herë si uji nëpër gishta
herë si flutur e zezë që mbyllet
brënda një lulëkuqeje.
pastaj unë të pyeta
ishte kuçkë apo magji
ti qeshje dhe thoshje
se zonat me nishane
janë parajsa dashurie
dhe Zot
është Nji!
unë jam një romantik i thinjur
mbrëmë pashë
veten time në ëndërr
kthyer si gjithmonë
me fytyrë nga malet
me një hënë të kuqe
si ujkonjë te këmbët.
(ndoshta kthehesha
nga ato fluturimet e gjata
nga ylli në yll
nga zemra në zemër).
po nuk i fola, më erdhi keq
tani unë isha një romantik i thinjur
në tregun e ëndrrave të vjetra;
u ktheva përsëri me fytyrë nga malet
ku lindin bukuritë
dhe plaket vdekja.
populli tjetër
thonë se do zbres një popull tjetër
po unë jam i dënuar të mos e shoh dot,
ndoshta nga që një sy e kam krejt të verbër
dhe tjetri më rri gjithmonë me lot
thonë se ka lindur “homo sapiensi” i ri,
që dritat e tresin, errësirat e rritin!…
njërëzit e mi me perënditë e veta
ka kohë që presin mbi kullë të vrojtimit.
thonë… e ç’nuk thonë në këto kohët e mia
po unë asgjë s’po mundem të shoh dot
ndoshta nga që një sy e kam krejt të verbër
dhe tjetri më rri gjithmonë me lot !
zemëratë
ushtarët e sulmit
mi zë gjumi në portë
dinamitin nën jastëk
e gjej të lagur me lot.
u plakëm armiku im
u plakëm armiku im,
o, sa jemi plakur!…
unë me tre plumba
të vdekur nën brinjë
ti me një plagë
që të rrjedh në shpatull!..
u plakëm armiku im
o, sa jemi plakur
ditët
hapen e mbyllen si porta
netët bien
erë dheu të freskët,
të lagur.
puthja
ishte…
s’u besova syve!
bri meje një nënë
fshehtas bëri kryq
dhe mori pakëz dhe
nga gjurma e tyre..
heshtja shkon drejt e në gjak
Botuar në nr 260 të ExLibris