More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNjë detektiv intrigues filologjik

    Një detektiv intrigues filologjik

    Nga Agron Tufa

    Hulumtime mbi jetën dhe veprën e At Gjergj Fishtës është botimi më i fundit i studiueses Blerina Suta, që vjen fill pas librit studimor mbi gjetjen në Bibliotekën e Vatikanit të një varianti të rishikuar përkthimor të Doktrinës së kërshtenë të Pjetër Budit.
    Hulumtimet mbi At Gjergj Fishtën e rikthejnë studiuesen në një lëndë me të cilën është ndeshur më parë, në studimin e saj Eposi i At Gjergj Fishtës përballë eposeve romantike sllavo-jugore, (Onufri, Tiranë 2007), por tashmë me një rakurs tjetër – me dominante for-mësimin e personalitetit krijues të Fishtës me spikamë të fortë stilin, si në poezitë lirike, ashtu dhe në epikën e tij, duke na sjellë dëshmi dhe materiale të hershme të poetit që nuk i kemi njohur më parë.

    Shkurtimisht, në këto hulumtime, gjithë duke iu përmbajtur trajektores së tri fazave studimore të Fish-tës, në akord me oroen e Pal Duka-Gjinit (Daniel Gjeçajt) dhe Vinko Malajt, përimtohen në vrojtime, pikërisht faza përgatitore në manastirin e Guča Gora-s afër Travnikut, ajo e studimeve për filozofi në Kraljeva Sutjeska dhe e treta, teologji në Livno.
    Suta kombinon burimet e njohura e pak të njohura shqiptare me indiciet e studiuesve kroato-boshnjakë (Ljubomir Maraković, 1927; Brčić, 1982; Ivan Esih, Miro Vrgoč, S. Ježić, 1934; Ivo Frangeš, 1967; N. Tadić, 1972; Vladimir Ćorović, Dodić etj.), për të rikonstruktuar të tria periudhat, në përputhje me materialet arkivore në kohën e studimeve të Fishtës. Na përftohet kështu, përveç ecurisë së shkëlqyer të Fishtës student, edhe njëfarë “portreti artisti në rini” me një karakter rebelues, të kreshpëruar e karizmatik, sidomos në Livno, me përplasjet e tij dhe grupit studentor përreth Fishtës kundër profesorit të tyre At Çengiçit i cili, sipas relacioneve të Fishtës, “thellon hendekun mes grupit shqiptar dhe atij boshnjak”. Janë një radhë përplasjesh të ashpra këto që marrin karakterin e papajtueshëm të një polemike administrative, ku Fishta akuzohet si nxitësi kryesor, përplasje që mbaron me zëvendësimin e profesorit problematik. Skënderbeu, gjatë këtyre viteve, siç përshkruan studiuesja, “do të ngelet një pikë kyçe e qëndrueshme e idealit të lirisë për Fishtën”. Nuk është e rastësishme që emri i pagëzimit, “Josephus”, i 23 tetorit 1871 do t’i lërë vendin emrit “Joannes” (siç dëshmon një akt i 08/12/1890) dhe më pas, më 8/12/1890 do të marrë emrin solemn të profesionit, “Georgius, Silvius, Aeneas” (Georgius si Gjergj Kastrioti dhe Enea-Silvio si Enea-Silvio Piccolomini [Papa Piu II] që ndihmoi Skënderbeun në fushatat e tij antiturke). Është pikërisht kjo periudhë (1871 -1872) që shënon njohjen e Fishtës me poetin e madh lirik kroat Silvije Strahimir Kranjčević, i cili do të gjejë jehonë nga krijimi i parë i Fishtës (12 dhjetor 1892), Al valente poeta Sig. Silvie Strahimir Kranjčević, deri, me sa duket, te kryevepra elegjiake e Fishtës Nji lule vje-shtet (botuar më 1909, një vit pas vdekjes së Kranjčević-it).
    Studiuesja i kushton një kapitull të rëndësishëm kësaj poezie përkushtimore të parë të Fishtës, në italisht, duke na sjellë, krahas tekstit dhe faksimiles së origjinalit, edhe një përkthim a shqipërim poetik të poezisë, të ngjeshur me komentarë dhe analiza të imëta filologjike. Përkthimi i Sutës, ndonëse nuk sjell të plotë strukturën e rimuar në origjinal, sjell në shqip një poezi tipike të traditës italiane nga Dante deri te Manzoni, llojin e vargut, ritmit, rimës spontane dhe sidomos regjistrin leksikor poetik në gegnisht sipas estetikës së Fishtës. Fishta nuk dihet për ç’arsye nuk e ka përkthyer vetë në shqip këtë krijim të tijin të parë, çka do të kishte qenë me interes të madh, për sa shqiptime, përkthime dhe përshtatje të Fishtës nga poezia klasike greke, romake e italiane kemi një repertor të vyer e të rëndësishëm. Gjithsesi, mendoj se edhe po ta kishte përkthyer, nuk do të ishte fort larg me këtë variant përkthimor të Blerina Sutës. Ndërsa analiza geno-tipologjike e poezisë, komentet dhe rrafshi krahasues i tyre me shpleksjen e imazheve e simboleve dhe mitopoetikës fishtjane, brenda kanoneve të lirikës klasike italiane, shpjegojnë më së miri instrumentarin poetik të Fishtës, burimet e tij kulturore, të cilat nisin të projektohen nga ky tekst, për t’u bërë dominuese në krijimtarinë poetike të mëvonshme të Fishtës në shqip.
    Një kontribut me vlerë të veçantë në Hulumtimet për Fishtën sjell nënndarja e tretë e librit, “Probleme kritiko-metodologjike të interpretimit të veprës së Fishtës”, me të cilën studiuesja rimerr një temë të dashur të saj, atë të kanonizimit të poetit “kombëtar” në poet të “stilit”. Stili është ai që e përfaqëson një krijues para fytyrës së kohës, jo ideologjia. E megjithatë, stili nuk abstragon dot nga epoka, idealet e saj, e rrjedhimisht, nga ideologjia, kur gjithçka e krijuar shihet, ndihet dhe receptohet e pashkëputur nga konteksti organik i kohës së krijimit. Më saktë është të themi që poetët e rëndësishëm punojnë stilet gjegjëse të epokave ku jetojnë dhe përmes stilit ne realizojmë përfytyrimet dhe të kuptuarit tonë për këto epoka. Në rastin konkret fjala është për zhanrin epik të Fishtës, poemën Lahuta e Malcis. Duke mënjanuar modelet sunduese të një kritike vulgare e ideologjike që e kanë dëmtuar receptimin e epit fishtjan, Suta e shtron qartë çështjen: “Konteksti ballkanik i poemave epiko-romantike nuk mund të lihet mënjanë në kushtet e rrjetit ndërtekstor që krijon vepra e Fishtës me veprat e autorëve sllavo-jugorë të eposit, Mazuraniq, Grgaa Martiq dhe Njegosh, të cilët autori i përdori si modele poetike për t’i përmbysur në domethënien ideologjike të elementeve homonime të organizimit të gjinisë epike.” Duket paradoksale, por për kontekstin nacionalo-centrist ballkanik përplasja ka natyrë kanoni dhe zhanri artistik e jo ideologjik. Përmbysja e kodit heroik të poemave epiko-romantike sllave realizohet te Fishta me kundërvënien e etikës kalorësiake të epeve popullore shqiptare në bazë të së drejtës natyrore, që gjeneron sipas koncepteve të Nderit dhe Lavdisë. Prandaj, ngulmon studiuesja: “Fishta i Lahutës mund dhe duhet të përqaset me autorët e romantizmit serb dhe kroat që patën po atë qëndrim ndaj përbërësve klasikë dhe popullorë në veprën e tyre.” Shtjellimin e imtësishëm të kontekstit ballkanik të poemave epike sllave dhe Lahutës shqiptare, Suta na e sjell duke u përqendruar te “Mekanizmi i funksionit të eposit gojor në poemën epike romantike”, në përbërjen e të cilit hyjnë: “Funksioni social dhe mediatik i kën-gës epike folklorike” (ku gjen vend shprehja e Koliqit, se “kënga heroike është një lloj ‘gazete’ në vargje që rrëfen faktet më të shënuara të komunitetit të cilit i përket këngëtari epik”); “Funksioni i ‘këngës’ në rrafshin metaligjërues të poemës epike romantike” (nënkapitull ku Suta kryen një ekskursion të gjerë e të begatë krahasimor me fragmente të shumta të përkthyera midis poemave epike të autorëve
    sllavë dhe karakterit replikues të Lahutës së Fishtës); “Lahuta e Fishtës si ‘metaligjërim’ në shkallë të dytë” (ku theksohen detajet e kundërvënies së veprës fisht-jane ndaj poemave epike të sllavëve – Konceptit fishtjan të ‘së drejtës natyrore’ nëpërmjet vënies në plan të parë të individit i kundërvihet koncepti i ‘së drejtës historike’, ndërtuar mbi konceptin e unitetit religjioz të barasvlershëm me kombin tek autorët sllavë).
    Në fund të këtij ballafaqimi artistik e polemizues midis Fishtës dhe autorëve sllavë, studiuesja mbërrin në përfundimin deduktiv, se: “Realizimi artistik i eposit të Fishtës e largon veprën nga koncepti romantik mistifikues i historisë dhe e afron me një koncept më të vonë dhe më realist.”
    Nënndarja që e përmbyll këtë përvojë kritike e metodologjike mbi veprën epike të Fishtës, në pole-mikë me autorët e epeve sllave, shtron problemin e receptimit të Lahutës sot, një plagë e vjetër dhe një fushë e minuar që sjell vazhdimisht keqkuptime. Nuk është vetëm gjuha, gegnishtja e Fishtës, kundrejt së cilës vijon alienimi i lexuesve që bart, siç thotë studiuesja, ‘rrezikshmërinë e mosreceptimit’ as dhe ‘sociologjizmi’ i trashëguar nga e shkuara komuniste, por dhe interpretimet e hullisë strukturaliste, të fazës post-komuniste… Duke lënë mënjanë këto tradita, përfshi dhe ato hermeneutike, të izoluara brenda horizontit të tekstit, sikundërse dhe të përkundërtën me të – drejtimin dekonstruksionist, – me shkatërrimin e ontologjisë së Logosit, Suta rekomandon si më të dobishme një qasje tjetër metodologjike, metodën filo-logjiko-interpretuese, e cila, saktëson ajo, “bazohet në teoritë e Galvano della Volpe-s, estet post-strukturalist, ku ‘filologjia dhe interpretimi janë të njëkohshme’ në analizën e kontekstit organik të veprës dhe janë përgjegjëse vetëm në bashkëveprim midis vedit për evidentimin e polisensit apo kuptimit të shumëfishuar që merr e vërteta e tekstit artistik në kontekstin unik të veprës”, çfarë duket se e ka demonstruar vetë me këto hulumtime mbi veprën e Fishtës.
    Si një intermexo midis dy nënndarjeve të mëdha të librit, Suta ndërkall studimin mbi lirikën e përvajshme të Fishtës Nji lule vjeshtet (1909) në cilësinë e një “hipoteze leximi”.
    Studimi është njëherësh një lexim i kujdesshëm dhe interpretim i vëmendshëm i shenjave në traditat poetike latine për vdekjen e dhimbshme të parakohshme të njeriut të shtrenjtë. Tok me interpretimin semantik, studiuesja qartëson, bazuar në indicie faktografike, adresatin e kësaj poezie, duke spastruar kështu konfuzionin, keqkuptimet dhe amullitë që kanë mbizotëruar e janë
    popullarizuar jo pak në rrethet shkencore mbi këtë poezi. Të gjitha këto “gjurmë” të çojnë te miku ideal i rinisë së Fishtës, poeti kroat Silvije Kranjčević, vdekur parakohshëm një vit para botimit të Nji lule vjeshtet. Nuk është, pra, një “histori dashurie” apo “marrëdhënie erotike” e fratit françeskan me një djaloç anonim, por pikëllimi i madh për humbjen e mikut të idealeve poe-tike, poetit-profet, që shkakton tendosjen e skajme të kësaj lirike elegjiake të Fishtës. Suta sjell një dëshmi të qartë të gjurmës së dorëshkrimit të kësaj poezie, e cila përforcon se adresat i kësaj poezie është Kranjčević: “At V. Volaj, në shënimin shoqërues të botimit të vitit 1941 të Mrizit…, sqaron: “Duen me thanë se dorëshkrimi i par’ pat humbë.” Ky fakt, ndoshta, mund të lidhet me një tjetër të dhënë që jepet në artikullin e sipërcituar të Markovič-it (1927) që bën fjalë për dorëshkrimin e një poezie në gjuhën shqipe, që Fishta kishte lënë në dhomën-muze të Kranjčević-it në Sarajevë: “Më ka qëlluar të shoh në Sarajevë në dhomën kushtuar kujtimit të Kranjčević-it në Institutin Ballkanik vargjet në gjuhën shqipe të Gjergj Fishtës të një periudhe më të vonë kur, duke kaluar nëpër Sarajevë, kishte vizituar dhomën e kujtimeve të mikut të tij të pafat, i cili prehej atëherë, nën shenjën e një gjeniu të kundërshtuar, në varrezat e Koševo-s. Fra Gjergj Fishta ka pasur një vend të rëndësishëm në jetën publike të atdheut të tij, të paktën në periudhën kur e takova për herë të fundit, gjatë Luftës së Parë Botërore. Pa dyshim, në Livno ishte ende një teolog i ri, por mund të thuhet se talenti i tij kishte gjetur shprehje qysh në ato kohë.”
    Por analiza e thukët filologjike dhe interpretimi i imazheve-simbole dhe analogjive të tekstit e përfor-cojnë këtë ide, sidomos me imazhin kyç të selvisë, pasi dihet që në strukturën e fjalëve-simbole në poezi asgjë nuk është e rastësishme. Mjafton ta citojmë këtë pasazh të rëndësishëm nga studimi i Sutës: “Vehtja fizike ‘trung’ pa jetë në imazhin që hap poezinë, në fushën e lagësht (rrahe e dekme), krijon tension dhe bartet në pjesën e fundit të poezisë me imazhin e drurëve të selvisë, të cilat do të kultivohen nga zanat e zbritura nga mali, përreth përmendores poetike. Në të kundërt, me imazhin e parë, selvia evokon një lëndë drusore, vertikaliteti dhe vitaliteti i së cilës të jep idenë e jetës. Lënda e vdekur (trungjet) dhe lënda e gjallë e gjithnjë e gjelbër (pemët e reja të selvive) krijojnë një lidhje semantike të veçantë nëse nuk e konsiderojmë gabim shtypi, por vullnet për t’i përmendur emrin mikut të tij, formën ‘silvija’ e përdorur nga Fishta në Variantin e parë të 1909-ës (kanë me i rritun/ Me shûmë kujdes për çark silvija t’blerta). Drejtshkrimi i kësaj fjale (e pranishme edhe në Fjalorin e Bashkimit, 1908) ka qenë njohur për Fishtën, i cili në botimin e vitit 1925 e sqaron në fjalorthin në fund të vëllimit [selvi-ja: “landë” (cipresso)]. Emri i mikut Silvij-a (Kranjčević), i bartur në imazhin e drurëve të rinj që do lindin prej zanave përreth përmendores poetike të shkruar nga Fishta, krijon metaforën e vazhdimësisë në shkollën poetike të Fishtës, të shkollës liriko-elegjiake të Kranjčević-it.”
    Studimi nuk kufizohet vetëm me adresatin: ai ngërthen një zbërthim dhe analizë semantike të simbolikës dhe valencave simbolike nga sendet e zakon-shme të lëndëve tokësore të gjalla e të vdekura, duke u përshkallëzuar me elementet e natyrës sipas një spiraleje ngjitjeje, deri në qiell, trupat qiellorë dhe yjet, përfshirë edhe karakterin ambivalent të kësaj simbologjie. Fiton kuptim edhe përqasja e Nji lule vjeshtet me poezinë e parë kushtimore të Fishtës për Kranjčević-in, si dhe përqasjet e kryqëzimet e mendimeve të Fishtës me vargje nga krijimtaria e vetë Kranjčević-it.
    Duke përfunduar, them se libri studimor i Blerina Sutës, i pasur me faktologji e faktografi të reja, i shkruar dhe i paraqitur me një argumentim të qartë bindës, ka vetinë të të nxisë kërshërinë e leximit, sidomos me cilësinë e një zhanri që unë po e quaj “detektiv intrigues filologjik”, ku faktet dhe “të dhënat bio” e bibliografike kombinohen, analizohen në kontekste traditash letrare, duke zbuluar një personalitet të panjohur të Fishtës, sa interesant, aq dhe të thellë e simpatik. Kjo e bën tekstin e studimit mjaft tërheqës për lexim.
    Por ky kontribut i padyshimtë shkencor do të ndihmojë në orientimin e një receptimi sa më racional të repertorit poetik të Fishtës, duke e spastruar këtë fushë nga supozime dhe arbitraritete, sa të sociologjisë vulgare, aq edhe të lajthitjeve psiko-analitike e psiko-erotike.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË