More
    KreuÇmimeUran Butka: Çmimi “Lumo Skëndo” për veprën më të mirë të vitit...

    Uran Butka: Çmimi “Lumo Skëndo” për veprën më të mirë të vitit 2021

    Juria e çmimit “Lumo Skëndo”, e përbërë nga Prof. Dr. Dhurata Shehri, Z. Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, Prof. asoc. Dr. Belina Budini, Dr. Dorian Koçi dhe Uran Butka, punoi me intensitet e përgjegjësi për mëse 7 muaj, qysh nga data e krijimit të këtij çmimi nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, për të arritur në vlerësimin e përzgjedhjen e librit më të mirë ndër botimet e vitit 2021 në fushën e publicistikës, eseistikës dhe atë studimore.

    Mendoj se ky çmim është i rëndësishëm, sepse, së pari mban emrin e Lumo Skëndos, këtij kollosi të kulturës shqiptare, botimin e veprës së tij të plotë prej 12 vëllimesh po e bën suksesshëm Instituti i Studimeve “Lumo Skëndo”, me mbështetjen financiare të deputetit Agron Shehaj, dhe së dyti, sepse nxit, stimulon dhe vlerëson botimet më të spikatura shqiptare në këto fusha.

    Juria procedoi sipas rregullores së Qendrës Kombëtare te Librit, legjislacionit shqiptar dhe shqyrtimit me profesionizëm të lëndës shkrimore: nga gjithë botimet e vitit 2021, vlerësoi dhe përzgjodhi fillimisht 50 librat më të suksesshëm, mandej prej tyre 17, dhe më në fund 5 finalistët: Libri “Të lirë” i autores Lea Ypi një botim befasues; “Arbëreshët” e autorit Fatmir Toçi- një botim i mirëfilltë shkencor; “Jetë burgu” i Fatos Lubonjës, një rrëfim ndryshe, i jetës së burgut, ku nuk flet fare për vuajtjen e tij; “Posteri shqiptar” nga Rubens Shima, botim i veçantë figurativ i posterave nga Rilindja dhe deri në ditët tona dhe “Zbulimi i At Zef Pllumit” i autorit të mirënjohur nga Kosova Kujtim Shala, ku zbulohet mjeshtërisht At Zef Pllumi si shkrimtar, pra, e përfaqësuar gjithë hapësira kulturore shqiptare.

    Theksoj se për të nxjerrë saktësisht fituesin u votua disa herë gjatë procesit dhe përfundimisht rezultoi autorja Lea Ypi me librin “Të lirë”.

    Lea Ypi, profesore e Teorisë Politike në London School of Economics, teoriciene, studiuese, shkrimtare, me disa vepra të botuara në anglisht, por që ka zbritur edhe në atdheun e saj me librin e sukseshëm “Të lirë”, ku na jep përpjekjen për të zbuluar të vërtetën e jetës, kuptimin e saj dhe të konceptit të lirisë me qasje të kundërta, në kohën e diktaturës komuniste mizore, mashtruese e absurde dhe të kalimit në kapitalizmin liberal, por anarkik dhe traumatik në Shqipëri (kujto vitin ’97), dhënë në libër me origjinalitet, vërtetësi, sinqeritet fëminor, humor të hidhur, rrëfim magjik, personazhe të spikatur, nëntekst dhe meditim filozofik apo politik kritik, nëpërmjet kujtimeve të mirëfillta të fëmijërisë dhe adoleshencës.

    Historia e saj është edhe historia ime, historia jonë, që ne e kemi jetuar edhe periudhën e regjimit Stalinist dhe jetojmë edhe kohën e tranzicionit të vështirë demokratik. Eshtë një histori e vërtetë, ndaj edhe një libër i vërtetë.

    Një ese për lirinë.

    Juria ka pasur në fokus të vlerësimit vetëm librin, jo autoren, ka vërejtuar përpjekjen njerëzore për të mos e humbur kurrë lirinë e brendshme apo për të mbijetuar dhe bërë përpara në çdo sistem apo rrethanë.

    Përfundimisht vlerësimi i Jurisë është shënuar në motivacionin e çmimit “Lumo Skëndo” për veprën “Të lirë”, vepër që na nderon edhe nëpër botë, tek është përkthyer në mbi 15 gjuhë.

    Tani, e dashur Lea, si bashkëvuajtës, edhe sepse e njoh familjen tuaj, me babanë tuaj të nderuar Zaferin kemi qenë deputetë të PD, por edhe si koleg me ju, kam qenë pedagog dhe kam shkruar disa libra, ndaj më lejo të polemizoj me ju dhe të shpreh shkurtazi edhe mendimin tim, jo si pjesëtar i jurisë.

    Është një libër i bukur dhe i vërtetë. Jam me ju si për kritikën ndaj sistemit totalitar komunist, qoftë edhe ndaj rendit kapitalist liberal. Edhe unë kam qenë dhe jam kritik ndoshta më i thukët se ju për të dy sistemet pra, edhe për periudhën e tranzicionit në Shqipëri, me përpjekjen time për një shtet ligjor demokratik në mirësim e evolucion të vazhdueshëm, si një konservator që jam. Jo për revolucion e luftë klasash, por për bashkëpunim dhe respektim të lirisë e të drejtave njerëzore e kombëtare.

    Në të dy sistemet politike liria tradhtohet, thoni ju, cungohet nga struktuarat shtetërore, por edhe nga ato shoqërore. E saktë. Intelektuali i vërtetë duhet të jetë kritik, por edhe vizionar. Mendoj se tek epilogu i librit, duke qenë pjesë integrale e veprës, ose duhej të kishte rrjedhur edhe atje rrëfimi natyrshëm, i distancuar nga autorja , ose rrëfimi të mbaronte kur Lea adoleshente të largohej nga Shqipëria për në Perëndim. Mendoj se këtu duhej të mbaronte libri. Sepse idhujtaria, dilemat e përsiatjet politike dhe ideologjike të Leas së sotme për konceptin e lirisë, në kapitalizëm dhe socializëm, mendoj se e cënojnë spontanitetin e veprës dhe e mjegullojnë vizionin, – utopik të autores, sic thotë edhe kryezonja Leman, gjyshja e Leas, vision që bie ndesh me frymën, kontekstin dhe vërtetësinë e librit, pa dashur që unë të bëj kritikën e ideve të saj, që është e drejta e saj dhe e çdo autori.

    E mbyll me fjalët e Leas: “E shkrova këtë histori për të shpjeguar, për t’u pajtuar, për të vazhduar betejën”.

    Mirëkuptohem. Suksese në betejën tuaj të ardhshme! Në gjurmët e Mid’hat Frashërit, idetë dhe veprat e të cilit u kanë qëndruar shekujve.

    Me këtë rast, ju dhuroj albumin “Mid’hat Abdyl Frashëri”, botim i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, një album ndryshe, sepse fotot e zgjedhura për Frashërllinjtë dhe Mid’hat Frashërin, pjesa më e madhe e panjohur, ilustrohen me tekst nga veprat e Mid’hat Frashërit, pra nga vetë Mid’hat Frashëri.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË