More
    KreuLetërsiShënime mbi libra“Neomenia” – gabimet dhe shmangiet e transmetimit

    “Neomenia” – gabimet dhe shmangiet e transmetimit

    Santori & Poema e parë shqipe

    Nga Violeta Murati

    Francesco Antonio Santori konsiderohet ndër përfaqësuesit e lëvizjes kulturore dhe letrare të arbëreshëve të Italisë. I lindur në Shën Katerinë të Kozencës, më 1819, një ngulmim arbëresh në rrethinat e Kozencës, Santori ka pasur një veprimtari të gjerë letrare të botuar, por edhe në dorëshkrim. Kjo pasuri letrare artistike, bashkë me atë të Jeronin de Radës e të Zef Skiroit, përbën pjesën kryesore të letërsisë së arbëreshëve të Italisë dhe të letërsisë shqipe në përgjithësi. Santori është autor poezish, pjesësh teatrale, tregimesh, romanesh, përshtatjesh të 112 fabulave të Ezopit, si dhe autor i një gramatike të shqipes, të shkruar në vargje.
    Por ky autor ka një komunikim të ndërlikuar me lexuesin, për të cilin ende është i pazbuluar, por edhe i keqtransmetuar deri në ditët e sotme. Deri vonë pjesa më e madhe e shkrimeve, me një drejtshkrim mjaft të vështirë, kishte mbetur i pabotuar. Veprat e Santori-t tani botohen detyrimisht me transliterim. Për shkak të kushteve të rënda jetësore, sa qe gjallë Santori arriti të botojë vetëm ndonjë nga veprat e tij letrare, prandaj pjesën më të madhe të tyre e la në dorëshkrim. Pasardhësit e tij, këndej e andej Adriatikut, brenda 150 vjetësh botuan vetëm disa nga dorëshkrimet e tij.
    Deri më tani janë botuar: Brisandi, Lletixja e Ulladheni, – përgatitur nga Italo Costante Fortino, Kozenca, 1977; Panaini e Dellja – Fëmija pushtjerote – përgatitur nga Giuseppe Gradilone, Romë, 1979; Alessio Ducagino – Melodramë, – përgatitur nga Francesco Solano, 1983; Tri novelat – përgatitur nga Italo Costanto Fortino, Carmine Stamille, Ernesto Toçi, 1985; Satira, transliteruar e pajisur me shënime nga Karmell Kandreva dhe Gjovalin Shkurtaj (Tiranë, 1998) dhe ribotimi i përgatitur dhe i përkthyer në italisht, Francesco Antonio Santori; Canzoniere Albanese, transkriptuar me kujdesje të Francesco Solanos në revistën “Zjarri” nr. 3, 1975. Santori botoi edhe dy libra me karakter fetar, në njërin prej të cilëve, “Krështeri i shëjtëruar” (1855), ai riprodhoi disa faqe nga vepra e P. Bogdanit, gjë që tregon interesin e tij për letërsinë e zhvilluar që herët në Shqipëri. Anton Santori, lindur në një familje të varfër të Shën Katerinës së Kozencës, ndonëse pjesën më të madhe të jetës e kaloi si murg, mori pjesë aktive në ngjarjet e kohës së vet, duke simpatizuar lëvizjen çlirimtare italiane dhe duke treguar interesa të gjalla për lëvizjen kombëtare në Shqipëri. Këtë interes ia forcoi veçanërisht miqësia me De Radën, që zgjati tërë jetën. Shqetësimet e veta për vendlindjen dhe atdheun e të parëve ai i shfaq në veprat e pakta që mundi të botonte me gjallje të vet, si përmbledhjen me vjersha “Këngëtorja arbëreshe” (Il canzoniere albanese, rreth 1846-’47), poemat “Vallja e harresës së madhe”, botuar më 1848 te numri i parë i së përkohshmes “Arbëreshi i Italisë”, poemën italisht, disa pjesë shqip “I burgosuri politik” (Il prigioniero politico, 1855), një vjershë të botuar në përmbledhjen poetike kushtuar Dora d’Istrias më 1870 dhe në ndonjë botim tjetër. Ky autor qe gjithashtu një ndër folkloristët tanë të parë dhe iu vu edhe hartimit të një fjalori të shqipes. Vitet e fundit të jetës Santori i shkoi në një varfëri të madhe në vendlindje e mandej në Sh. Jak, tjetër ngulim arbëresh i Kozencës, ku mbylli sytë më 7 shtator 1894.
    Bashkë me tragjedinë e parë “Neomenia”, me botimin kritik e transkriptimin e veprës “Sofia Kominiate” si dhe dramën “Emira”, realizuar nga filologia Merita Bruci, ky autor e vendos letërsinë shqipe në një kohë me prozën e lëvruar në Itali në shek. XIX. Megjithatë, jam e mendimit se duhet rishikuar vepra “Neomenia” si botim tekstual kritik dhe plotësuar me aparat kritik gjatë transkriptimit. Për ta konkretizuar se si kjo vepër është transmetuar deri sot, kemi shkëputur një fragment nga tragjedia “Neomenia”, tekstin që na shfaqet si variant në alfabetin e sotëm, si transkriptim dhe përshtatje. Në këtë ofroj një variant transkriptimi për të ardhur sa më pranë versionit origjinal, duke u përpjekur për të saktësuar atë që autori thotë dhe për të përcaktuar edhe kufijtë e paqartësisë dhe të parregullsive që kanë kopjet me të cilat është transmetuar vepra.

    Neomenia – midis transkriptimit dhe përshtatjes
    (si është transmetuar deri më sot)

    Tragjedia e parë, “Neomenia”, sheh dritën e botimit në vitin 2001, si vullnet privat i shtëpisë botuese “Shpresa”, Prishtinë. Romani mund të jetë shkruar rreth 150 vjet më parë nga Francesco Antonio Santori (1819-1894), nga Picilia (S. Caterina Albanese, CS), dhe si shumë nga veprat e tij, kishte mbetur e pabotuar deri më 2001. Në fakt, nga asnjë prej studiuesve, apo nëpër faqet e historisë së letërsisë shqipe, nuk jepet data e shkrimit të veprës, ndonëse na njoftohet se prej vetë Santori-t nuk është shënuar data e hartimit të tragjedisë “Neomenia”. Vepra është transkriptuar nga Daniela Meringolo dhe shoqërohet me një studim hyrës të Anton Nik Berishës, i cili merr përsipër të na japë vetëm një pasqyrim kritik letrar të veprës, pra nuk kemi një botim kritik. Përpos disa fakteve të lëna nga vetë Santori për veprën, janë tri faqe për lexuesin, të vetmet pa vargje. Megjithatë, ky është botimi i parë i plotë i tragjedisë. Santori e shkroi veprën në të folmen arbërishte, në vargje, ku ka lënë në faqen e parë të dorëshkrimit se e përktheu vetë në italisht, po në vargje. Francesco Altimari në vitin 1982 ka botuar në Kozencë monografinë “Një sprovë e pabotuar e F. A. Santori-t për gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj”, ku në shënimet e tij na bën me dije se A. Santori pasqyrën e alfabetit e nis me atë të P. Bogdanit, prej së cilës mendojmë se i referohet alfabetit për krijimin e “Neomenia”-s. Në nëntitullin e saj shënohet: Poemë shqiptare tragjiko-dashurore. Kjo vepër çmohet si një nga krijimet e para të plota të këtij lloji në letërsinë tonë të shkruar, para dramës “Emira”, që deri tani ishte çmuar si vepra e parë e këtij lloji në letërsinë tonë.
    Transkriptimi i tragjedisë “Neomenia” është bërë nga Daniela Meringolo, pa asnjë informacion kritik për veprën, ku nuk na vjen as dorëshkrimi, por as përkthimi në italisht i bërë nga vetë Santori. Është parathënia e studiuesit Anton Nik Berisha që na ofron disa informacione, ndonëse të pakta, mbi fatin e kësaj vepre, duke na pohuar se është ndër veprat rreth së cilës dihet pak, edhe është shkruar pak. Arsyeja kryesore për këtë mungesë, sipas studiuesit, është se kjo vepër mbeti dorëshkrim rreth një shekull e gjysmë, duke veçuar se edhe ato pak shkrime nuk synonin më shumë se një përshkrim të objektit të saj artistik, të veprimit të personazheve e sidomos të theksimit të “fragmentaritetit” të “mungesës” së tërësisë së saj, si krijim artistik, pra, “për “paaftësinë” e Santori-t që të përftojë një vepër të tërësishme e me vlera të mëdha artistike”. Veprën “Neomenia” Santori e shkroi në arbërisht në vargje dhe siç thekson në faqen e parë të dorëshkrimit, e përktheu vetë në italisht, po ashtu në vargje. Në nëntitullin e saj shënohet: poemë shqiptare tragjiko-dashurore.
    Prej studiuesit Berisha marrim në parathënie, se “mbas fjalës hyrëse, të shkruar në italisht, – Lettore benign – lexuesit të nderuar autori jep vehtjet ose personazhet e veprës”.
    Në këtë vepër nuk kemi historikun e dorëshkrimeve dhe asnjë përshkrim të hollësishëm të autografeve, si në arbërisht ashtu edhe në italisht. Në faqen 23 kemi paraqitjen e alfabetit të F. A. Santori-t dhe alfabetit të Manastirit, pa dhënë asnjë çelës leximi mbi veprën.
    Por në historinë e letërsisë shqiptare është tashmë e njohur kjo tragjedi, të cilën e gjejmë të fragmentarizuar, siç duket, për konkretizim të epokës letrare dhe përfaqësimit të autorit.
    Për shqyrtim se si ka ardhur deri sot kjo vepër, marr një fragment të zgjedhur për ta transkriptuar, në një përballje sipas alfabetit të sotëm të shqipes, marrë nga Akti III, Skena II. Autorët janë Daniela Meringolo (varianti B) njohur për transkriptimin e plotë veprës si dhe Klara Kodra (varianti C) që e shënon si përshtatje, e cila sjell dhe pjesë nga vepra të tjera, si “Emira”, e njohur si e para dramë në gjuhën shqipe.
    Nuk kemi hasur autorë të tjerë që të jenë marrë me këtë vepër, qoftë edhe si fragment të sjellë sipas alfabetit të sotëm të shqipes. Për këtë arsye, jemi ndalur në krahasimin e dy “duarve”, varianteve që na njohin me ekzistencën e kësaj vepre, pas dorëshkrimit, lënë nga vetë autori. Nëse për variantin e transkriptuar nga Meringolo kemi një informacion të bollshëm që shoqëron parathënien e librit, në të rralla kritere apo dhe vetë epokën kur shkroi veprën Santori, tek teksti ku shfaqet fragmenti i “Neomenia”-s shënuar si përshtatje prej Kodrës nuk kemi asnjë fjalë të kriterit të botimit. Çfarë i bashkon formalisht në këtë fragment dy autorët është mungesa e plotë e aparatit kritik. Ndërsa çfarë i ndan është e gjithë puna shkencore për sjelljen e këtij fragmenti, kemi parasysh të zgjedhur prej nesh. Shtylla e kësaj vepre lidhet me gjuhën, si vjen ajo origjinale, a është përcjellë sipas vullnetit të autorit? Meringolo është shumë më afër të folmes arbëreshe që përdor Santori në këtë vepër; gjuhë mjaft afër origjinalitetit duke iu referuar dorëshkrimit që kemi në dispozicion për këtë fragment. Ndërsa Klara Kodra jo vetëm që nuk respekton vullnetin e autorit, por nga gjithë informacioni transkriptues me tekstin e Santori-t nuk na rezulton as përshtatje, siç është shënuar poshtë fragmentit të “Neomenia”-s. Ka fjalë të cilave nuk u kemi gjetur origjinën në shqip, ku Meringolo ka ruajtur “anonimitetin” e saj, në respekt të vullnetit të autorit, ndërsa Kodra e ka tjetërsuar duke sjellë përkthimin nga italishtja. Kujtojmë se veprat e lëna dorëshkrimin janë të shkruara secila në alfabete të veçanta, shoqëruar dhe në gjuhën italiane, e pranuar kjo prej studiuesve si mundësi më e madhe njohjeje për autorin.
    Kështu, “përshtatja” e Kodrës në këtë rast duket se lidhet më shumë me përkthimin fjalë për fjalë nga italishtja, sesa nga dorëshkrimi në të folmen e arbërishtes që na ka lënë autori. Ka fjalë që Meringolo është besnike e autorit, si për shembull begatë, që njihet gjerësisht në shqip, ndërsa te Kodra shohim devijim të kësaj fjale duke e zëvendësuar me fjalën bujari (vargu i dytë); po në këtë varg fjala Tjoria ruhet nga transkriptuesja e parë, Meringolo, ndërsa Klara Kodra e devijon sërish në fjalën natyrë, – referuar përkthimit direkt nga italishtja. Duke mos pasur asnjë shënim kritik, Kodra në “përshtatjen” e saj mbetet gati e pashpjegueshme sipas kritereve shkencore, pasi arrin deri në devijime të rënda të vargut, sidomos nga ana leksikore. Nuk dimë nëse ka pasur ndonjë kopje të dorëshkrimit përpara, por vërejmë se Kodra i largohet shqipes arbërore duke e “përshtatur” fragmentin sipas standardit të shqipes, referuar rregullave të ngurtësuara që vendosi Kongresi i ’72-shit në gjuhën shqipe, që përjashton paraqitjen dialektore të pjesës duke humbur çdo gjurmë të së folmes arbëreshe të asaj kohe. Gjithashtu përshtatja e Kodrës nuk mund të ndiqet deri në fund edhe për shkak të devijimit kuptimor të fragmentit krahasuar qoftë me dorëshkrimin lënë nga Santori, referuar këtu dhe transkriptimit nga Meringolo – që na vjen më afër gjuhës origjinale të autorit. Janë vargje të tjetërsuara pa asnjë kriter botimi të shënuar, që nuk lidhen me origjinalin e pjesës, si përmbajtje. Ndoshta është një rast për të deklaruar heqjen nga qarkullimi të këtij teksti, ose të njoftohet publikisht. Megjithatë, është një dëshmi se si gjuha e autorit transmetohet jashtë çdo parametri shkencor, duke mos iu përmbajtur kritereve të botimit. Më poshtë po japim dy variantet e transmetuara deri më sot, fragment nga Akti III, Skena II e tragjedisë “Neomenia”, dhe në Variantin A, si përpjekje transkriptimi prej meje, vetëm si krahasim, pa aparatin kritik të cilin e kemi të poshtëshënuar në kriteret e transkriptimit:

    Kriteret e botimit
    (ndërhyrje dhe problematika, teknika e punës)
    Në këto tri dekadat e fundit studiuesit arbëreshë një kujdes të veçantë u kanë kushtuar botimeve të dorëshkrimeve të A. Santori-t, të cilat lidhen me interesin për historinë e alfabetit të gjuhës shqipe. Duke mos pasur një alfabet të vetëm, secili autor ishte i detyruar të hartonte një variant të tij ose të zbatonte atë që kishin përdorur të tjerët. Edhe Santori do të jetë një hartues i një alfabeti. Pothuaj çdo vepër e tij ka një variant shkronjash të ndryshme nga të tjerat. Edhe tragjedinë e parë shqipe, “Neomenia”, Santori e krijon me një variant të ndryshëm shkronjash. Duke e krahasuar me alfabetin e sotëm, mjaft prej shkronjave nuk kanë të njëjtën vlerë. Për shembull, përdorimi i shkronjës -ë jo në vlerën fonetikë që ka sot, duke u shënuar për -y, fenomen që nuk ekziston tek arbëreshët. Studiuesit, duke iu referuar alfabetit të “Neomenia”-s, e shohin të ndikuar nga alfabeti i Bogdanit, për shembull shkronja d vjen e stilizuar. Megjithatë, dorëshkrimi është me grafinë e zakonshme të veprave të Santori-t. Në fragmentin e zgjedhur për të transkriptuar kemi respektuar vullnetin e autorit, duke dhënë një variant të Aktit III, Skenës II, të “Neomenia”-s sipas alfabetit të sotëm të shqipes. Për ta ballafaquar këtë variant të realizuar i bashkëngjisim edhe dorëshkrimin e “Neomenia”-s, fragmentin e konkretizuar. Gjatë punës në transkriptimin e fragmentit jemi përpjekur t’i qëndrojmë afër gjuhës origjinale të autorit, por heqim disa vërejtje, si problematika nga transkriptimi: Santori ka ndjeshmërinë e i-së në gjysmëzanore, për këtë shkak nuk e konsiderojmë si bashkëtingëllore; hasim shpesh formën Çë dhe çëm, ne zgjedhim të përdorimin Çë, duke ndjekur një parim të Santori-t që përdor të dy format për të njëjtën gjë. Për këtë jemi të autorizuar nga në shfaqje grafike të vetë autorit; ndeshim shpesh fenomenin e bashkëtingëlloreve që autori i shkruan të dyfishuara, ne këtë fenomen nuk e respektojmë, si bëggat- bëgat; mottrë- motrë; sotti-zoti etj., në të kundërt në zanore kemi respektuar dyfishimin, ku shqiptohet si dy rrokje.
    Një L në veprën e Santori-t ka vlerën e asaj foneme, nuk është si e shqipes, por ka tjetër vlerë -ll. Shfaqen jo rrallë format e nyjës dhe parafjalës së bashku, ndërsa sipas shqipes nuk shkruhen bashkë, ndaj i kemi ndarë, si ndatto- nd’ ato; sinjë- si një etj. Haset shpesh shqiptimi i zëshëm apo i shurdhët – kuptimi i njëjtë, por realizimi i ndryshëm i fonemës. Ka fjalë ku grafema -i shfaqet e zbutur në gjysmëzanore, duke zgjedhur ta shkruajmë me -j, për shembull: Tioria-Tjoria; tierat-tjerat etj. Na paraqiten dy raste të përdorimit të shkronjës së madhe pa arsye në fjalë të veçanta, si për shembull Tjoria apo Mëma, edhe pse nuk janë në krye të vargut, ne nuk e kemi respektuar si të tillë. Duke qenë një njeri kërkues i së folmes arbëreshe, edhe te “Noemenia” ndeshet një realitet fonetik i veçantë ku, siç duket, Santori huazon, konkretisht germën g, në fjalë si gavnare, që na vjen si karakteristikë e së folmes arbëreshe. Në këtë fragment kemi ndeshur dhe fjalë për të cilën nuk kemi mundur t’i gjejmë përshtatshmërinë në shqipe, kështu nuk kemi mundur të ndërhymë duke e lënë fjalën siç e ka autori, si p.sh Tjoria. Këtë nuk e ka ndryshuar në transkriptimin e saj Meringolo, por studiuesja dhe përkthyesja Klara Kodra mendojmë se e ka përshtatur nga gjuha italiane këtë rast në përkthimin: natyra. Aty ku fonemat e shqipes korrespondojnë nuk ka pasur ndikim gjatë punës transkriptuese.

    Akti III
    Skena II

    Varianti A
    Çë m’vëlen kjo bukurii,
    Çë tjoria shum bëgat
    Më shtëfrofsi ndë këto faqe,
    Sa t’mbulonja tjerat vasha?
    U n’kë donja sitë gavnare,
    Se fuqi mua biznjoj (i)
    Sa t’çanja kët katin,
    Çë tu lidhure më mban;
    O vullezërë moj ku jan;
    Neomenia motra juaj
    Si një qene lidhur’ ësht
    Mes e duarë ndë trashe ndin!
    Kushë te zgjidhinjë më i vjen
    Trim, i pjot me lipsii?
    O vullezërë, o Lladizllaa;
    Si të veni ju pa motrë
    Prëm të mëma, e zoti tat?
    Çë mixirë i keqë t’arvonjë
    Zonjësë mëm, kurë t’e dierë:
    Neomenia ësht e zbier?
    O vullezërë nënk mbjidhi?
    U e dii, te shpia prëm;
    Moj mua veni turë gjën
    Nd’ato dushqe, ture qarë

    Varianti B
    Çë m vëlen kjo bukuri,
    Çë Tjoria shum bëgat
    Më shtëfrosi ndë këto faqe,
    Sa t mbulonja tjerat vasha?
    U ngë donja sitë gavnare,
    Se fuqi mua biznjoi (i)
    Sa t çanja kët ka tin,
    Çë të lidhure më mban;
    O vullezërë moj ku jan;
    Neomenia motra juaj
    Si një qen e lidhur ësht
    Mes e duarë ndë trashe ndin!
    Kushë t’e zgjidhinjë më i vjen
    Trim, i pjot me lipisi?
    O vullezërë, o Lladizlla;
    Si të veni ju pa motrë
    Prëm të mëma, e zoti tat?
    Çë mixirë i keqë t’arrvonjë
    Zonjësë Mëm, kurë t’e dierë:
    Neomenia ësht e zbjer?
    O vullezërë nëng mbjidhi?
    U e di, te shpia prëm;
    Moj mua veni ture gjën
    Ndato dushqe, ture qarë;

    Varianti C
    Ç’më vlen kjo bukuri
    që natyra me bujari
    më ka derdhur në këto faqe
    Sa t’errsoj vajzat e tjera?
    Unë s’i doja sytë e hijshëm,
    po fuqia më duhej mua
    të këpusja këto pranga
    që të lidhur po më mbajnë
    O vëllezërit e mi, ku jeni?
    Neomenia, motra juaj
    si një qen lidhur është
    Mes e duar me zinxhirë!
    Cili trim mëshirëplot
    Të më zgjidhë vallë
    do të vijë?
    O vëllezër, o Ladisla,
    Si do shkoni sot në shtëpi,
    Te mëma e zoti atë,
    pa motrën tuaj më!
    Ç’mërzi do ta pushtojë
    zonjën mëmë kur të marrë vesh
    se e humbur është Neomenia!
    O vëllezër, unë e di,
    se sot te shtëpia s’do vemi
    veç mua do më kërkoni.

    Varianti A, transkriptimi: Neomenia
    Ngjarjet e romanit vendosen në kohën e luftërave të shqiptarëve kundër pushtuesit osman. Ndërsa në fragmentin e shkëputur për ilustrim pason tragjedia duke iu afruar pikës kulminante, ku njerëzit e Neomenia-s, prindërit dhe vëllezërit, vdesin nga dëshpërimi për vajzën që e kujtojnë të humbur: Neomenia-n e shpëton i dashuri, por drejt kthimit në shtëpi ajo vonohet dhe i gjen të afërmit e saj të vetëvrarë nga hidhërimi. Pas këtij tragjizmi ajo nuk mund të jetojë më. Motivi i rrëmbimit të një vashe arbëreshe nga turqit, vënë në bazë të tragjedisë, buron nga folklori arbëresh dhe në legjendat shqiptare mbi të Bukurën e Dheut.

    (Botohet me shkurtime, botuar së pari
    në revistën “Poeteka”, 2015)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË