More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNehas Sopaj: Dritëhija, këndi nga vëzhgohet bota

    Nehas Sopaj: Dritëhija, këndi nga vëzhgohet bota

    (Ramadan Rexhepi: Udhëkryqi, roman, Agoraprint, Shkup, 2021)

    Vepra e parë e shkrimtarit Ramadan Rexhepi, Kumbonaret, është libër me tregime dhe novela e botuar nga NGB Rilindja e Prishtinës në vitin e largët, 1963 që autorin e radhit në mesin e prozatorëve më të spikatur të kohës siç janë R. Kelmendi, A. Pashku dhe A. Shkreli. Po ndryshe nga këta autorë, miq të tij, të cilët krijuan dhe vepruan në atdhe, autori ynë u ndalua dhe linçua, dhe mu ashtu siç shkruan në titull faqja e tij elektronike, Pulëbardha krahthyer, atij i qenë “këputur flatrat e fluturimit”. Me kalimin e kohës, ky libër nuk do të harrohet dhe duke qenë me peshë të veçantë artistike dhe kombëtare, ai do të shaptilografohet, ribotohet dhe lexohet dorë më dorë. Autori sot pas vetes ka një mori veprash tjeratë botuara jashtë vendit, por edhe më shumë se 1100 faqe janë shkrime me shënime që presin të papublikohen një ditë. Romani Udhëkryqi i botuar sivjet, fillet e tij i ka shumë heret, në vitet ’60 dhe autori atij i qe kthyer disa herë, herën e parë me titullin Stina e emrave të bukur botuar nga Sh. B. Valtoni nga Prishtina në vitin 2010 dhe në fund Udhëkryqi, që paraqet kryevepër, një nga veprat e rralla të letërsisë bashkëkohore shqipe me vlera estetike në nivel kombëtar.

    Dritëhija, hija e zbehtë e ambientit ku shkrimtari i zhvillon ngjarjet që i përshkruan në veprat e tij letrare, pra, jo vetëm në romanin e fundit Udhëkryqi por edhe te Kumbonaret, paraqet grimasën intime të autorit, ose thënë ndryshe, sekretin e zanatit të tij, këndin intim prej nga autori e konfiguron sa veçantinë, po kaq edhe individulitetin letrar. Gjithçka lidhet me këtë konfigurim, e këtillë është figura e shkrimtarit dhe ky është mikrokozmosi intim që lexuesi e mëson nga shkrimet e tija. Rrëfimi në romanin Udhëkryqi, por edhe rrëfimi te Kumbonaret, më saktë novela Natë mbi saraje, në mënyrë të drejtpërdrejt flasin për hijen, këndin prej nga shkrimtari e observon dhe shkarkon totalitetin e realitetit objektiv, gjithçka që lind frymëzimin gjer në katarsën e autorit. Kjo është shtylla e grimasës intime ku ai i plason rrëfimet, i përshkruan ngjarjet, i skalit personazhet, krijon vendstrehimin ku lexuesi mëson për të vërtetat që s’i ka njohur, e zhyt kredon, shfaq dilemat, hamendet dhe në fund kënaqet i dehur nga ekzaltimet që ka lexuar, ngopet nga magjia e rrëfimit. Dritëhija është karremi i rrëfimit të tabllove impresive të ngjarjeve që i përshkruan autori, “hija me pak dritë”, pra dritëhija me kuptimin i mimezisit (frymëzimit), po kaq edhe të katarsës (zbrazjes) me të cilën lë të kuptohet kah po lëvizin ngjarjet që i rrëfen shkrimtari, shtegu ku mund të lëviz kurreshtja e lexuesit, horizonti i pritjes së tij. Ajo mjeshtri që shpesh na duket e padukshme, në fakt është manir dhe kredo e rrëfimit, është intimitet i shkrimtarit që e bën atë autonom, origjinal, të papërsëritshëm. Kategoria e hijes dhe e dritës, ngjyresa emocionale e rrëfimit kur lexuesi ndjen se është pushtuar qindpërqind nga ajo që po lexon, është kënaqësia e leximit dhe ngopja estetike e veprës.

    Në letërsinë e përbotshme, titulli Udhëkryqi nuk është i panjohur nga llojllojshmëria e zhanreve të ndryshme që i krijojnë artistët, por një vit pasi u botua ky roman i Ramadan Rexhepit, me po këtë titull e botoi Flora Brovina romanin e saj dhe kjo gjë vetëm sa e vërteton faktin se titulli në fjalë së rresht së përdoruri nga shkrimtarët, gjë që s’prish punë nëse veprat janë të ndryshme dhe gjithçka mbetet vetëm tek titulli. Në veprën e autorit tonë që nga faqet e para, lexuesi ndesh botën e brendshme të personazheve, ngjarjet dramatike që i ka në spikamë ai dhe mu në kapërcyell të këtyre ngjarjeve, në brendi të njerës nga kaptinat ku rrëfimi është më dramatik, në shprehje vijnë dilemat apo çështjet enigmatike që duhet zgjidhur, kurse te ndonjë nyje ku shkrimtari i kthehet rrëfimit nga fillimi, arrihet te “udhëkryqi” ku ai e ndjek, zhvillon dhe zgjidh qëllimin kryesor të romanit. Sipas konceptit të autorit, vendosja e protagonistit të romanit, Ilir Kelmendi që të sakrifikojë gjithçka për kauzë kombëtare, qoftë edhe me një flijim të ri pas daljes nga burgu, lexuesi sikur e gjen të gatshëm të gatuar atunë e romanit, edhe atë mu në këtë titull. Kjo, sepse në ndërgjegjen e pjekur të të burgosurit, “udhëkryqi” paraqitet si rrugë të patjetërsueshme, shteg apo ideal të vetëm të cilin duhet vazhduar, si para burgosjes ashtu edhe pas udhës së re dhe të cilën e trason vetëm njeriu i dinjitetshëm. Kjo është ndërgjegja e gatuar mirë nga autori dhe mirë e nënkuptuar nga lexuesi. Kështu, titulli Udhëkryqi është universal dhe nuk mund të ketë përkufizime logjike, atë lexuesi mund ta perceptojë si të dojë. Rrëfimet e gjera me personazhet e shumtë që përbëjnë orkestrumin e fateve nga më të ndryshmet, brenda dhjetë kapitujve të gjerë të romanit me rrëfimet nga më të ndryshmet, jo një herë lexuesit do t’i shfaqet udhëkryqi si ide/dilemë se çka e pret atë perspektiva romaneske. Gjatë përcjelljes së udhëkryqeve jetësore të protagonistëve kryesorë të romanit, Ilirit dhe Shegës, sidomos pas monologut të brendshëm të këtij të parit, madje edhe pas “humbjes” së tij nga skena, lexuesi hutohet nga ndryshimi i pozicioneve të narratorit duke kërkuar kuptimin e udhëkryqit që e ka pritur. Paqartësitë mund të lindin pra, nga ndryshimet e pozicioneve të cilat shëtisin mes kuptimit të titullit dhe domethënieve jo vetëm të një udhëkryqi, por të disa prej udhëkryqeve. Kjo, sepse pas këputjes së perspektivës së Ilirit dhe ardhjes në epiqendër të Shegës (më vonë edhe të Hatixhes), udhëkryqit, gjatë rrëfimeve tjera, i shtohet një udhëkryq tjetër, siç është shfaqja e Seksionit të B. (Sekretariati i Punëve të Brendshme në kohë të Jugosllavisë titiste) me çka rrëfimi dramatizohet edhe më shumë me kurdisen e një aktakuzë të rrejshme kundër Ilirit, gjoja se ai e ka vrarë Stanko Popin. Kështu, krahas dy personazheve me dy linjat kryesore që i ndjek rrëfimi i romanit dhe që i presupozojnë dy udhëkryqet pararendëse, i shtohet edhe udhëkryqi i tretë, të cilin mund ta emërtojmë “udhëkryq ideologjik”, që paraqet një prerje vertikale të rrëfimit sipas ngjyresës së gjuhës romaneske.

    Titulli në fakt është edhe tema e romanit. Ngjarjet zhvillohen në vitet ’50 dhe ’60 të shekullit të kaluar, kurse ambienti ku i lokalizon shkrimtari ngjarjet, janë Presheva, Kumanova, Gjilani dhe Shkupi, ambienti i Karadakut i cili qindpërqind paraqet kronotopin e temës: udhëkryqin veri – jug, lindje – perëndim me ngjarjet ndër më dramatiket historike shqiptare të kohës së shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi nga trojet e tyre etnike, nën thundrrën e egër çetnike. Në historinë e romanit shqiptar, një roman i cili përkon shumë me romanin Udhëkryqi, është romani shumë i njohur Tradhëtia me autorin problematik Kapllan Resuli që lexuesit e njohin si një shkrimtar që disa herë kish ndërruar identitetin kombëtar dhe që mu për këtë arsye s’do të duhej ta përmednim po të mos ishin artefaktet artistike që përkojnë shumë mes njeri tjetrit dhe që lexuesi kurioz s’mundet ta anashkalojë atë fakt brendaletrar që kanë këto dy vepra. Presheva, “Shqipëria e Vogël” siç jemi mësuar ta quajmë në fëmijëri, në këtë vepër na shfaqet me të gjitha elementet e atij frymëzimi kombëtar të shkrimtarit ku autori R. Rexhepi, edhepse ka lindur, është shkolluar dhe është profilizuar atje, atë si artist dhe intelektual, shumë heret pushteti komunist jugosllav e dëbon nga gjiri i saj duke ia pamundësuar kthimin deri në përmbysjen e këtij regjimi antishqiptar. Tema është shumë transparente dhe e hapur për ta sendërtuar një histori të letrarizuar siç e bën autori, në të përplaset gjithçka që është e mirë me të keqen, si dy skaje të kundërta mes njera tjetrës, të cilat autori me besnikëri e paraqet frymën e kohës, mentalitetin dhe botëkuptimet e saj, të shkrira me të tanishmen me qindra paradokset që ka sot ajo. Figura e Ilir Kelmendit pandan figurës antipode të Zhika Kërvopijës, janë dy këto pole të kundërta, të viktimës dhe të gjakpirësit, ku vetëm jehu i kohës bën të bashkëjetojnë si i ndjekuri me kasapin, në të njëjtin kronotop.

    Në faqet e para të romanit, lexuesi mëson për Ilir Kelmendin, protagonistin kryesor që sapo ishte kthyer nga burgu i Pozharevcit në Prishtinë. Ai bredh rrugëve duke kërkuar punë, po fjalët “punë ka, por për miqtë dhe jo për armiqtë e popullit” me automatizëm sikur na flet për atmosferën nebuloze të Jugovinës (Jugosllavisë titiste) që i ha fëmijët e vet, kurse shqiptarët me ëndje të madhe duke i linçuar në trojet e tyre. Në këto faqe të para të romanit, lexuesi ballafaqohet me padrejtësitë e Jugovinës ndaj shqiptarëve; si Luli i Vocërr i Migjenit, një Lule e Vocërr ia zgjat dorën e mëshirës heroit që të na e bëjë me dije se “barazia” e vëllazërim-bashkimit, pos se ishte rrenë dhe farsë për botën, ajo ishte një dhembje që i djeg sidomos ata që i ka “përvluar” kjo rrenë, kurse ato dhembje ishin reale, të vërteta dhe të gjalla dhe shtriheshin në jetën e përditshme të popullit dhe nuk e kursenin askënd. Lexuesi kurioz që në fillim mëson se heroi i romanit pos se është intelektual, është edhe shumë i ndjeshëm, senzibil, kurse ndjeshmëritë e tij shprehen sidomos në karakterin kombëtar po kaq sa edhe karakterin social dhe shoqëror, kështu që detyra e shkrimtarit është shumëplanëshe: ai duhet t’i regjistrojë padrejtësitë kombëtare që u bëhen shqiptarëve, njëkohësisht duhet t’u bëjë ballë padrejtësive në jetën e përditshme sociale që me automatizëm presupozon një qasje shumë delikate për zgjidhje.

    Kapitulli i parë i romanit bën hyrjen në formë selektimi nga amullia e të mirës nga e keqja: mes dy ish shokëve, njërit (Ilaz Topallaj që e përkrah pushtetin aktual, gjersa shndërrohet në sahanlëpirës të tij dhe vartës të pushtetit mazoik dhe qesharak të vëllazërim-bashkimit të rrejshëm) dhe tjetrit, Qaniut, që është vigjilent dhe nuk e përkrah ideologjinë komuniste, Ilir Kelmendi merr vendimin që të mos bie pre e të keqes që shitet si e mirë dhe vendos ta braktis atdheun në pamundësi të qëndrojë në vendlindjen e tij, në “tokën e askujt”. Kapitulli i dytë, trajton temën e gjallë të çrrënjosjeve të shqiptarëve në plëngun e tyre për shkak të dhunës barbare; ngjarjet lokalizohen në një vagon të një treni i cili i bart njerëzit dhe hallet e tyre në mosqenie, në asgjësim, të cilët temë për dialog kanë si të mbijetohet nën dhunën e egër të metagjëllimit. Mes tjerash, në bisedë gjoja të rastit, përmendet se Shegën e Totonozëve, e ka lëshuar familja e madhe e Topallajve të Nerezit, me çka fillon qepja e ngjarjeve qendrore të romanit. Në të vërtetë, i gjithë romani për temë bosht ka fatin e këtyre dy familjeve të gjera shqiptare në kushte të viteve të para të pasluftës së dytë botërore, më saktë në vitet gjashtëdhjeta, në valën e madhe të dëbimit masiv të shqiptarëve nga vatrat e tyre shekullore në Turqi. Në mënyrë të imët dhe të detajuar, shkrimtari regjistron gjithçka nga përditshmëria e kohës, duke veçuar çdo detaj, hallet e tyre deri te bartësit e pushtetit lokal; gjithçka që është përditshmëri e jetës të shoqëruar me anë të gjuhës së folur të personazheve, tek e cila, le të përmendim sidomos frazeologjinë me bollëk tipike të romanit. Ngjarjet, veprimet dhe gjuha e folur popullore, janë të gjalla, ato jepen me kolorit, gjithçka bluhet nga realiteti i kohës, prej të përditshmes aktuale, deri te vetëdija kolektive e rezistencës popullore, bartës të të cilës janë heronjtë e gjallë të ditëve tona.

    Kapitulli i tretë, i katërt dhe i pestë që shpie drejt kulminacionit, na fut në dramën e vërtetë të romanit, në vlugun e antagonizmave shoqërore dhe politike që trajton shkrimtari ku secila qenie është ngjyrosur me politikën e kohës dhe kjo politikë është shumë e ashpër dhe ka tensione konfliktuoze, është politikë e egër dhe është e nxitur nga aparati shtetëror që e diskriminon popullin, i cili mezi mbijeton, por edhe reziston në vatrat e veta. Shkrimtari futet në psikologjinë e personzheve, pozitive dhe negative, dhe flet me gjuhën e folur ashtu siç e përdor populli, me një gjuhë figurative, ku na bën t’i ndjejmë plagët e vërteta të popullit dhe përpjekjet e tij për mbijetesë nën thundrën e aparatit shtetëror. Fillojnë të rreshtohen ngjarjet, personazhet e shumta, dramat e brendshme, traumat psikologjike të disave prej tyre, Ilir Kelmendi, Shega, Zhika Kërvopija (Zhivorad Popoviq), Xha Hajroja, Xha Faretini (Farkoja), Mak Arturi, Nadire Abla, Asimi, Xhemilja, Stanko Popi, Izet Topalli, Xha Isai (Isa Berberi), Mira (Miradija), Skënderi, Mulla Selimi, Gjergj Elezi, Mulla Zeqa, Zhika, Turguti, Shefit Nallbani, Idriz Velekinca, Gjon Serreqi, Cilka, Gafurr Garaveli, Branko Bujanovski, Shefkiu, hetuesi Dragi Bojaxhiev, Musovski, Jordani, Kallajxhiev, Gjykatësi Bulevski, Arif Kurbalia, Ali Aliu, Fehmi Kelmendi, Baba Cat, Sali Tontonozi, Atanasovski, Hatixhja, Nëna e Djalit, Zeqavet Hanmi, Nifa, Nailja, Gjyshi Simo, Vllajko, Dul Puzaqi, Bozhini, Shefki Topalli, Loro (Lorenci), Xhemali, Xifi etj. personazhe aktive, aktantë të ngjarjeve reale, personazhe të cilët në roman e “dekorojnë” dramën me ngjarje nga më të ndryshmet, personale dhe kolektive të zonës Preshevë, Kumanovë dhe Shkup, sidomos fshatrat e tyre.

    Pas dialogut rrënqethës të Ilirit me Xha Hajron me të cilin shplohet halli i vërtetë i popullit se si të rezistohet dhe njerëzit të mos i braktisin trojet e tyre historike, rrëfimi na fut thellë në ngjarjet duke na e shpluar morfologjinë e ekzistencës të ngjyrosur me atë urrejtje të bartësve të asaj politike, duke mos e kursyer dhe duke e shtypur “tjetrin” deri në palcë, në pamundësi të mbijetesës. Zhika Kërvopija, një nga personazhet kryesore të romanit, mu ashtu siç edhe e shpreh vetë mbiemri, është personazh homo dupleks që në njerën anë i urren të gjithë ata me të cilët bashkëjeton – shqiptarët, bullgarët, maqedonasit, turqët, vllehët dhe romët, nga ana tjetër, duke qenë komandir i policisë lokale, si një kriminel ordiner serb, inskenon vrasjen e deputetit Stanko Popit dhe për vrasjen e tij, pa asnjë argument e akuzon Ilir Kelmendin, protagonistin e romanit; shfaq simpati ndaj Cerna Rukës, gjedhës kriminele çetnike, që sipas projekteve të njohura të Akademisë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë të kohës së Jugosllavisë cariste, por në kohën e re, të Jugosllavisë titiste, vepron për dëbimin masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Ai jeton në mes të ambientit të cilët i urren gjenetikisht sidomos shqiptarët, sundon sipas parimit “përçaj e sundo” dhe nën ombrellën e ideologjisë së “vëllazërim-bashkimit” të rrejshëm, e shfrytëzon këtë parullë meskine karshi botës, por edhe duke e tallur të “të Madhin” (aludim në Titon), mendon, kurdis dhe vepron për pastrim etnik të Kosovës nga shqiptarët, dhe si një racist i fëlliqur, thotë se ata janë të padenjë për të jetuar ndaj duhet përzënë nga këto troje të tyre, se aty duhen kthyer serbët që i kish prurë krali si kolonistë, se ata “i ka bekuar Zoti” t’i sundojnë popujt e tjerë të Jugovinës (Jugosllavisë cariste dhe titiste).

    Romani është një ndër veprat epope që merret me aspekte të ndryshme të jetës së përditshme dhe ndriçon fatkeqësitë e shqiptarëve ushtruar nga pushtuesi serb në një periudhë kohore kur ky dhunues historik i bën krimet duke i përmbuluar ato me vellon e Jugovinës, gjegjësisht duke mos i përmendur serbët. Duke qenë i këtillë, romani merret me jetën e përditshme dhe të gjithanshme të popullit, merret me çështje të ndryshme të asaj rezistence të shqiptarëve, përshkruan mentalitetin e Karadakut me veçoritë e ndryshme të tij socio-linguistike të këtij rajoni. Në kapitujt gjashtë, shtatë deri te i teti, romani duket sikur del nga objektivi paraprak rrëfimor, duke u marrë me marrëdhëniet e acaruara të dy familjeve të mëdha shqiptare, të Totonozëve dhe të Topallajve, ku krahas zënkave thjesht familjare, tej kësaj teme, spikat sidomos me temën e dy dashurive të katër të rinjve shqiptarë, prandaj edhe të dasmës shqiptare me të gjitha elementet etnografike. Ndodh martesa e dy të rinjve, të Skenderit me Liridonën, por në kuadër të kësaj dasme, përgjatë dhe krahas ritualit të dasmës së tyre, në prapaskenë ndodh një dashuri e dytë, shumë e fortë dhe e fshehtë paralele, e Ilirit me Shegën, që në fakt janë personazhjet kryesorë të romanit dhe ku spikat sidomos mjeshtria dhe talenti i shkrimtarit. Në fakt, gjatë dasmës dhe gjithë kësaj atmosfere të dy dashurive, gjithnjë nën hije të këtyre rrëfimeve, ndodh krimi shtetëror, vrasja e deputetit Stanko Popi dhe kurdisja nga ana e Seksionit të B. sikur gjoja këtë gjë e ka bërë Ilir Kelmendi. Pra, nën dritëhijen e tragjedive të tipit të Shekspirit, në mizanskenë luhet një dramë horror si nga fantazmat e Makbethit me çka autori me mjeshtri veprën e bën markante, me vlera të pakrahasueshme artistike, të papërsëritshme për letërsinë shqipe.

    Marrë në përgjithësi, si edhe vepra tjera të autorëve shqiptarë të cilat mund konsiderohen romane epope, romani Udhëkryqi i Ramadan Rexhepit ka një strukturë narrative me një preokupim tematik shoqëror ku autori paralelisht i udhëheq dhe zhvillon dy temat e mëdha kryesore, temën e politikës së një kohe të errët të përplasjeve politike që shfaqet me turbulenca nga më të ndryshmet dhe vazhdon të performohet deri në ditët tona, dhe temën e dytë, fatin e zi të jetës së përditshme familjare shqiptare nën atë politikë, më saktë si gjenden dhe si e përballojnë atë katrahurë të kohës ata. Për ta bërë të gjallë atë zezonë kohore, shkrimtari në spikamë vë dy tipe dashurish të të dy çifteve, njëra uverte, e hapur dhe publike, dhe tjetra introverte, e fshehtë dhe me një varg peripetish dhe sfidash traumatike. Romani është voluminoz dhe në të rrëfehen një varg ngjarjesh nga më të ndryshmet, kurse nga galeria e personazheve të shumtë, disa sosh lexuesit e kultivuar mund t’u bëhen portrete karaktereve të veçanta (psh. Ilir Kelmendit, Zhika Kërvopijës, Xha Hajros, Shegës etj). Nga struktura romaneske të këtij megarrëfimi, duhen veçuar dy temat qendrore që lexuesi nuk do t’i harrojë për shumë kohë: kjo është dasma (në të cilën zhvillohen dy tipe dashurish) dhe procesi i gjykimit të Ilir Kelmendit, dy temat qendrore të romanit që e grishin lexuesin për lexim për çka autori ka dhënë një punë të gjatë dhe mund në mënyrë që katarsa e romanit të jetë e suksesshme. Këto dy tema, për nga ndërtimi krejt të ndryshme, e bëjnë rrëfimin e autorit të përkryer. Prej dy çifteve të të dashuruarëve, ajo që e tërheq lexuesin më shumë, është dashuria e Ilirit me Shegën (ky është itirinari që e ndjek subjektiviteti e lexuesit). Jo vetëm pse ajo zhvillohet prapa syve të publikut dhe ndodh e papritura me gjithë ato emocione dhe pasione, e pastërt dhe e sinqertë, erotike dhe sentimetale, por edhe sepse kjo dashuri i përmbys paragjykimet (mbani mend qëndrimin agresiv të të ëmës Hatixhe, e cila të bijën, Shegën e quan arushë, duke e konsideruar dashurinë e saj legjitime si të pamoralshme, natyrisht shkaku i këtij mentaliteti provincial). Kjo dashuri, mjerisht do të ngel e parealizuar për shkak të burgosjes së protagonistit, Ilirit. Nga tema e dashurisë, rrëfimi do të interkalohet në temën e qëndresës, që në fakt është tema e parë dhe kryesore e romanit që në sy të lexuesit do të mbahet mend sidomos qëndrimi dinjitoz i Ilir Kelmendit para trupës gjykuese me mesazhin e lartë njerëzor dhe human që ka fjala e tij mbrojtëse, përkundër atmosferës së zymtë të gjyqit monstër, i cili e gjykon me dhjetë vjet burg njeriun e pafajshëm. Ngadhënjen heroi, kryeprotagonisti Ilir Kelmendi, ngadhënjen ndërgjegja e tij njerëzore, ngadhënjen sakrifikica e tij për liri sado që kjo nuk duket, sepse këtu përfundon rrëfimi me ngjarjet aktive. Ngadhënjen sidomos ideja e shkrimtarit që vepra e tij të vlerësohet pozitivisht.

    Kapitulli i fundit i romanit, paraqet temë më vete madje edhe për vetë teorinë e romanit. Në të vërtetë, sado roman epope që më vete ngërthen ngjarje dhe drama nga më të ndryshmet, me personazhe të dorës së parë, të dytë dhe të tretë, episodikë, mbyllja e ngjarjeve me zbritje të rrëfimit jo në zhanër të romanit por të novelës, për nga vlerat artistike me asgjë nuk ia ul vlerën veprës. Pyesim, si është e mundur kjo? Heshtja e ngjarjeve të mëtejme lë për të nënkuptuar jo një “presedan gjyqësor” të nënkuptueshëm për atë kohë të zezë, por një sagë dhembjesh të pafund të të vërtetave që mbeten të nënkuptohen si fund të dramave tragjike të zhvilluara ndër shqiptarët, jo me vite e dekada por edhe me shekuj, si kjo të cilën autori e lë qëllimisht kështu, të papërfunduar. Kjo don të thotë, se me anë të këputjes së rrëfimit, pas shqiptimit të dënimit me dhjetë vjet burg të Ilir Kelmendit, pra mbylljes së rrëfimit me zbritje të rrëfimit jo si roman por si novelë, autori nga pushtetet e më se gjysëm shekulli sikur kërkon përgjigje pyetjes se ku shkuan fatet e këputura të shumë e shumë ilirëve të tjerë, si ky i Ilir Kelmendit. Me anë të mjeshtrisë së rrëfimit, në psikologjinë e lexuesit, autori prek në fundamentin e tragjedisë njerëzore në tërësi, ku dikush është përherë ushtrues dhune, kurse dikush tjetër gjithmonë duhet të vuajë për shkak të absurdeve të gjyqeve satrape, pushteteve antishqiptare dhe të padrejta që ua bëjnë njerëzve dinjitozë dhe të papërkulshëm që thjesht, luftojnë për liri.

    Secili lexues, pas kapitullit të fundit, do të kërkojë spjegime se si u bë ky fund i papritur i romanit një fund i pa fund, fund absurd do të thoshim, jo fund hepiend siç jemi mësuar ta kënaqim sedrën tonë lexuese prej qytetari, por fund i këputur, fund të cilit nuk i dihet fundi i vërtetë. Me një lexim të kujdesshëm të këtij kapitulli përmbyllës të romanit, lexuesi do ta kuptojë se ngjarjet të cilat na i kish rrëfyer autori ishin të viteve ’60 të shekullit të kaluar, kurse këtu në kapitullin e dhjetë (të fundit), ngjarjet tani kanë të bëjnë me bashkëkohësinë, me kohën tonë aktuale. Kjo don të thotë se në këtë kapitull, gjatë leximit duhet mbajtur mend secilën fjalë që thuhet, qoftë ky rrëfim apo dialog të personazheve, në mënyrë që ngjarjet e këputura qëllimshëm, t’i kuptojmë se ato ngjasin si një lloj sinopsisi të kronologjisë së ngjarjeve që mund të kenë ndodhur pas një gjysëm shekulli dhe se ne, vetëm mund të supozojmë se si mund të kishin ndodhur, por jo edhe ta dimë të vërtetën. Kërshëria jonë qytetare prej lexuesish që nuk mendojmë më thellë për “sinkopën” e errët historike, humbellën e fatit të mynxyrshëm të të dy dashuruarëve, të Ilirit dhe të Shegës, a u ribashkuan ata, a doli nga burgu Iliri, ç’u bë me të dhe të tjerët, çdo pyetje të këtij romani, autori do t’ia komunikojë lexuesit me shumë pak fjalë në kapitullin e fundit, me dialogë me grimca fjalësh të zgjedhura, siç edhe qe kujdesur me mjeshtrinë e rrëfimit të ngjarjeve pararendëse, gjuhës së folur të personazheve, të rrëfejë dhe të komunikojë me anë të mesazheve të drejtpërdrejta, por edhe të tërthorrta. Lexuesi menjëherë do të hetojë se në gjuhën ose shprehjet, le ta themi, vullgare të ndonjërit nga personazheve (le ta marrim për shembull, të Zhika Kërvopijës ose të Izet Topallit, pse jo edhe të Hatixhes, nënës së Shegës), autori ka lënë të nënkuptohet distanca e nevojshme e gjuhës narrative të rrëfimtarit neutral, i cili kujdestaron mbi etikën e akëcilit personazh si bërthamë apo adresë e të gjitha replikave ku qëndron vetëdija e shkrimtarit.

    Romani Udhëkryqi i shkruar para mëse gjysëm shekulli, e ruan aktualitetin sikur të ishte shkruar dje. I shkruar jo për t’u botuar në kohën kur edhe ndodhin ngjarjet, siç deklaroi autori para lexuesëve të tij me një rast, ka elementin e autenticitetit, gjuhën e begatë burimore që edhe sot e ruan freskinë e mbrujtur të tragjikës historike shqiptare. Nëntë kapitujt të shkruar para gjysëm shekulli dhe kapitulli i fundit, i dhjeti i shkruar në ditët tona, sikur duan të flasin se në formë palimpsesti asgjë s’ka ndryshuar në ambientin që përshkruan edhe në ditët tona, sepse çështja kombëtare shqiptare vazhdon të jetë e pazgjidhur; e keqja s’ka rreshtur së përsërituri në formë ciklike me vite e dekada, varësisht ngjarjeve që kanë kaluar vetëm mbeten të nënkuptohehen se janë tragjike fund e krye, e keqja sado që të na nuk duket se është shlyer, ajo vazhdon të jetojë tmerrshëm në Karadakun e lavdishëm dhe heroik, herë-herë madje edhe të trashet. E drejta kombëtare vazhdon të mbetet e parealizuar edhe sot në epokën tonë, fati i personazheve kanë mbetur nën hijen e kësaj zezone të përditshmërisë, romani mbyllet jo si e kish dëshiruar autori dhe e kishin pritur lexuesit, por me një një zymti dhe pa hepiend.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË