More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNë fillim ra Zylo -nga Fatbardh Amursi (Rustemi)

    Në fillim ra Zylo -nga Fatbardh Amursi (Rustemi)

    “Sa herë që kalonim tek Shkëmbi i Kavajës, i thosha Sadijes: Ai shkëmb atje lart, prite kur të bjerë. Do ti që ra vërtetë.”-do më thoshte Driteroi vite më parë tek pushonim së bashku në Divjakë. Edhe pse po luante me ndjesinë e profecisë, me aftësinë e të parashikuarit, gjë që i njihej vetëm udhëheqësit, rrjedhimisht edhe shokut Zylo, unë që ia njihja krijimtarinë, për të mos thënë kisha regjistruara të gjitha luhatjet e tij, shkova përtej shakasë, pasi kisha bindjen  se rrëzimi i Enver Hoxhës, u paralajmërua me rënien e shokut Zylo. Ky konstatim mund të shkaktojë habi, por shpresoj ta marrë pëlqimin tuaj, kur të mbaroni së lexuari këtë esse. Instiktet e shkrimtarit e arrijnë të vërtetën e pritëshme më shpejt nga vetëdija e tij, në tentativën për të shpëtuar nga ngurosja e klisheve, shablloneve, dogmave, duke kërkuar shpëtim. Këtë betejë e fitojnë vetëm të talentuarit, të tjerët kanë fatin e fosileve të kohës. Në sa e sa autokritika dëgjoje të ankoheshin se pa kuptuar qenë bërë armiq, sikurse bëheshe armik me zor. Ky lloj armiku, që i trëmbeshin të gjithë, ndihej frika ndaj një gabimi të mundshëm, ndëshkohej nga çensura me ndalim të krijimtarisë, ku të gjithë kanë “robërit” e tyre. “Arma edhe kur shkrep pa dashje të vretë”-do e mbyllte Kadareja autokritikën e tij në mbledhjen autodafe për “Pashallarët e kuq”. Kjo shkrepje pa dashje, nuk i bindëte autoritetet, pasi duhej të kishte shtyrë dikush. Të gjithë shkrimtarët dhe artistët e talentuar ishin të dyshuar, nuk u zihej besë. (Lum kush e ka shkrimtarin pranë, në rastin tonë këtë fat e pati Demka dhe, mjerë kush e ka shkrimtarin afër, dhe ky kob i ra Zylos.) Në Shqipërinë komuniste konflikti më i mprehtë ishtë ai midis zyrtarëve (Zylos) dhe shkrimtarëve apo artistëve (Demkës), të cilët rrezikonin ta çonin talentin dëm. Nëse zylot dhe demkat ishin palë në konflikt, Driteroi e përjetoi këtë si një konflikt të brendshëm, ku si ofiqar ishte në shoqërinë e zylove dhe si shkrimtar në bashkësinë e demkëve. (Kur recitohet “Hakërrima” e Ali Asllanit të shkon mendja se e ka shkruar ndonjë poet revolucionar i kohës së mbretit Zog, me gjasa shok i Qemal Stafës, kur autori ka qenë kryetar bashkie dhe prefekt i mbretërisë.) Drama “Fytyra e dytë” e Driteroit në dukje i bënte jehonë luftës së degjenerimit të kadrove, a priori palë me Zylon. Si shpjegohet që drama u hoq nga qarkullimi, u ndalua të shfaqet për publikun? (Kujt i ka rastisur ta shohë Driteron në tavolina të shtruara, kur ia merrte këngës, pasi kishte kthyer disa gota dhe në kulmin e gostisë të ngrinte dorën duke lëvizur gishtin tregues, sikur po shkrep koburen, me patjetër do u shfaqej shëmbëlltyra e Zylos.) Le ta shpjegojmë këtë realitet paradoksal me fjalët e Demkës: “Në përgjithësi unë i dubloja të tjerët dhe veten. Bëja raporte. I mbante një i dytë para njerëzve. Ai i dyti në fakt isha unë, por pa trupin tim. Ky i dyti më mbante mua fjalim dhe përpiqej t`më mbushte mua mendjen. Eh, unë i mbajta fjalim vetes! Por, ç`është më e çuditshmja, duke e dëgjuar këtë të dytë, (fytyrën e dytë), besoja se ato nuk ishin fjalët e mija, por, të atij.” (Kur isha student, kohë zbori, që përkonte me një kampionat botëror, dikush më thotë se më kërkonte komisari, një profesor i histori-gjeografisë. Kur futem në dhomën e konviktit, ku rrinte profesori komisar, kurrë s`kisha parë aq tym në një dhomë, i mbledhur në fund të krevat, i shpërfytyruar më thotë: “Ata lart më kërkojnë një fjalim për studentët, që e veshin për herë të parë rrobën ushtarake. Jam krejt i bllokuar! Ju të letërsisë keni dell, ju vjen dorësh për të shkruar!” Ngaqë doja të shihja ndeshjen, nuk i bëra naze dhe: unë fol e ai shkruaj. Të nesërmen, tek fusha e sportit, meqë tabela e basketbollit bënte hije, me një shok dolëm nga rreshti dhe, në qejfin tonë. Në vesh më vinin fjalët, që autoriteti i lartë i lexonte me një ton solemn. Ishte një përjetim i çuditshëm! “Shokë ushtarë, futoni në rreshtë dhe dëgjoni!”-Në ditët e zborit oficerët kurrë nuk na drejtoheshin si student, por si ushtar!” Pa dëshirën time më ka qëlluar dhe herë të tjera të bëhem Demkë?! Nuk u falet, nëse zylot i kërkonin tek e shkuara e harruara, ata i janë rikthyer shkëlqimit të dikurshëm. Bëmat e dikurshme ia faturuan Demkës, të cilin e quan oborrtar, duke u ankuar se regjimi e rrëzoi padrejtësisht, kështu kopja ia hedh fajet orgjinalit.) Ka një përpjekje kritizerësh për të gjetur se cili prej tyre është fajtori: eprori apo mvartësi? Është njësoj si të pyesësh shqiptarët, pse duruan aq gjatë për të përmbysur diktaturën. Zylo nuk është i vetëdijshëm për sëmundjen, që e mundon, thot kritiku në një nga nalizat sterotipe. Flitej shumë në atë kohë: të merremi me sëmundjen dhe jo me të sëmurin. Isuf Kalo, mjeku personal i Enver Hoxhës u muar me sëmundjen e tij duke e bërë fajtor, që i zgjati jetën diktatorit, ndërkohë që të gjithë i uronin udhëheqësit të merrte nga ditët tona?! Kritika vë në dukje se tek Zylo bëhen bashkë: “qëllimi i mirë me humbjen e ndjenjës së realitetit”. Duke shpjeguar kopjen pa dashur merret në mbrojtje orgjinali. Zylo manifeston huqet e sundimtarit, si shëmbëlltyrë e tij. “Personazhi negativ nuk duhet të ngjitet në kodër, kur pozitivi zbret prej saj. Është njësoj si të ngjisësh të keqen në piedestal dhe të mirën, ta hedhësh në pus.”-këshillonte shoku Zylo një dramaturg, duke përligjur ngjitjen e tij në karierë, ku një i dytë nuk duhet ta pretendonte. E vetmja gjë që s`ndahet me tjetrin është karrigja. Që ta shijonte naltmadhënimin e vetës, duhej t`i shinte të tjerët të katandisur. (Shpërthimi i Driteroit ndaj shkërdhatokracisë së Nanos, shfaqet si një pakënaqësi e hershme ndaj regjimit të Zylove, pasi dhe në kohën e re, Demka ndjehej i përjashtuar.) “Demkë, ne vijmë nga legjendat! Stërgjyshi, gjyshi, babai janë përkundur në djepin e legjendave. Që ta kam fjalën, unë vij nga legjendat! U përpoqa ta fshij e ta bëj pluhur këtë legjendë… Prapë legjenda nga kam ardhur më ka ndjekur… vetëm kur të shkëputem nga legjenda do të jem i qetë.”-deklarohet Zylo, duke vënë në siklet të gjithë legjendarët. Në fakt e ndiqte legjenda urbane. Dhe kush vuante nga deliri i legjendave? Të naltmadhënuemit me pushtet. (Rëndom dëgjon të thonë: legjenda e sportit, e artit.) Pikërisht, kur Zylo po tentonte të linte qiellin, e bija e Stalinit në kujtimet e saj thotë se i jati, kish tentuar të jepte dorëheqjen, por oborrtarët ia shtonin dozat e fetishizimit. E donin të fantaksur. Kur Stalinin e gjetën të rrëzuar në dysheme në grahmat e fundit, në vend që t`i gjendeshin, “shokët e idealit” e mbyllën derën dhe e lanë të vdiste. Frikeshin, se Stalini nuk do t`ua falte, që ata e kishin parë në atë gjendje dhe mund t`i ekzekutonte. Në fakt me “komplotin e bluzave të bardha” ishin eliminuar të gjithë mjekët e zotë, mbështetur nga denicimi i një mjekeje. Kësisoj orgjinali mbahej peng i kopjeve, që kishte prodhuar vetë. Një i tillë ishte dhe Zylo. “Kur njeriu shpreh një mendim jashtë standartit, e pyesin për shëndetin.”-rrëfehet Zylo para Demkës, i shkurajuar. “U zhduk nga faqja e dheut kisha e vjetër e Vautdejës, ku ka dhënë meshë dhe Ndre Mjeda.”-e lëshon veten Zylo në një lloj reflektimi të çuditshëm, edhe pse ai udhëhiqte luftën kundër fesë dhe zakoneve prapanike. Pse përmend Ndre Mjedën dhe jo Fishtën? Pikërisht poshtëruesi i Demkës shpreh keqardhje më shumë për poetin se sa faltoren e tij? Këto reflektime nuk jan shfaqje të distancimit nhga e keqja, por thjeshtë për të lehtësuar ndërgjegjien e molepsur.

    Shoku Zylo kishte një shkëlqim të rremë. Ai pasqyronte ndriçimin e Demkës. Krejt ngjashëm me pemët gllabëruese, të cilët kanë aftësi, që, duke zgjeruar trungun: të përfshihjnë pemën, që u rri ngjitur, deri sa ato bëhen njësh. Pra, të gjithë për një dhe një sa për të gjithë. Megallomania shfaqej si delir madhështie, pikërisht të kësaj peme gllabëruese, që shpallet monument kulture dhe ruhet nga shteti. Cvajku thotë: “Nuk ka gjë më të rrezikshme nga megallomania e njerëzve të vegjël.” Njeriu i vogël në këtë rast e kishte emrin Zylo, por zylot do të akuzojnë si të tillë: Demkën, në mos vetë shkrimtarin. Mitomani alternohesh shpesh me të qënin paranojak. Sëmundjet vinin nga lart, e shëndetshmja ngjitej nga poshtë. Ngaqë zbritja ishte më e shpejtë nga ngjitja u ndodhëm në një regjim të kalbur. Zylo përherë shfaqet më i rëndësishëm nga posti, që ushtron. Autorit nuk i lejohej të ngjitej lart, personazhi i tij duhej të ishte i një rangu të vogël, por nga mënyra se si ai ekspozohet, del mbi nivelin e një zyrtari të rëndomtë. I përshtatshëm në një shoqëri e mësuar të luante me veten. “Shoku Zylo e kishte dëndësuar duhanin dhe kjo i kishte shqetësuar shumë disa nga mirëdashësit e tij. Veçanërisht Taqi ishte shumë i alarmuar. Ai thoshte se duhej bërë çmos, që shoku Zylo ta rrallonte duhanin dhe, më në fund, ta linte se po dëmtonte shëndetin.” A s`ishte Enver Hoxha që deklaronte se shokët e partisë i ishin lutur që ai të linte duhanin dhe ai, i qe bindur merakut të tyre? (Në fakt, ata që i kërkonin të linte duhanin ishin disa kooperativist nga zona e Dumres e njohur për kultivimin e duhanit. Lënia e duhanit përkoi me kohën, kur filloi tregëtia e paketave të cigares me mafien Italiane.) Shoku Zylo mediton: “Mendimet, arsyetimet, meditimet fluturojnë mbi tërfilin që thahet në diell dhe mbushen me erën e tij. Gjithë lëngu, që ikën nga kërcelli, vjen dhe hyn në shpirt dhe mban vesh nga zërat misterioz, që vijnë nga bari, lulet, fletët…” Shikoni si shkruan shoku Enver në kujtimet e tij: “Mbyll nga njëherë sitë dhe, kridhem në ato kohëra të largëta, më suket sikur jam afër me aromën e barit, me erën që fërshëllen në qiparisa, me zhurmën e bletës që bredh nër cfakat luleverdha.” A nuk është i njëjti monolog, ku personazhi dhe figura historike shkrihen në një të vetëm? Ja dhe një afrim me të sotmen: “Më duhet të vë sistem në punët e kulturës.”-i thotë Zylo Demkës, gjë që sot e dëgjojmë në variantin: e rëndësishme është të ngremë sistemin, të futet në sistem. “Aristofani me të qeshura çarmatoste perënditë”-thotë një nga personazhet e romanit. Nëse “të qeshurat çarmatosëse” i drejtohen Zylos, ai duhet të plotësojë kushtin i të qënit perëndi. Po për shqiptarët ky ishte Enver Hoxha. Kush ka të qartë teorin e projektimit të vetes, që lideri lë tek mvartësit, ndjeksit, pasuesit, ithtarët, të cilët krijojnë zinxhirin komandues, si një nevojë për shumimin e vetes me shtimin e kopjeve në seri, kupton pse oborrtarët udhëheqin procesin e njehësimit të radhëve. Që sundimtari të bindet në projektimin e vetes, nuk mjafton vënia e një distiktiv tek jaka e xhaketës, por tek shëmbëllimi i pasardhësit. “Kopja kërkon të vrasë orgjinalin.”-shkruan gjermani Gustav Bucher në dramën e tij “Vrasja e Dantonit. Se si kopja vret orgjinalin paralajmërohet në romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritero Agollit. “Ai e rrëzon lisin duke e fërkuar.”-thuhet këndej nga Myzeqeja. Kryeministri Shehu duhet ta ketë nuhatur këtë komplot pasiv të shkrimtarit dhe urdhëroi ndalimin e botimit të romanit në revistën humoristike të kohës “Hosteni”. Shtrohet pyetja: pse orgjinali nuk e eliminoi komplotin pasiv të kopjes së tij? Enver Hoxha, ngaqë i shkruante vetë fjalimet, sinopset, nuk kishte më prodhimtar nga ai me vepra, që dilnin në seri, për të bërë dallimin me të tjerët, që e mbanin një Demkë nga pas, jo vetëm që bënte dallim me ta, por i kënaqej kopjes, si një projektim i vetes. “Ti, Demkë, mendon se unë jam njeri i thatë me kokë të mbushur vetëm me ide dhe agjitacion?”-i drejtohet eprori mvartësit të tij. Idetë ishin të Hoxhës, ndërsa agjitacioni i Alisë. Zylo po tenton t`i shpëtojë vargonjëve ideologjik nga pozita e viktimës, ku hipokriti kërkon të nxjerr përfitime nga një kohë, që të mësonte si të gënjeje. Demka ishte më i lirë nga eprori i tij dhe kjo shkaktonte zili. “Dhe para meje,-rrëfen Demka.-për një çast doli një njeri tjetër, një njeri me ndjenja lirike, që nuk e kishte njohur më parë.” Kjo anë e panjohur e Zylos, mbetet si e vetmja mundësi, që ai t`i largohet kallëpit ku qe futur, t`i kthehej jetës normale. Njëherësh kjo është dhe thirrja e shkrimtarit për të shpëtuar nga skllavëria e të qënit kopje. Zylos i njihej veçse shkëlqimi teksa shihte rënien e të tjerëve. “Përpiqu të shkëlqesh sa më pak.”-ishte këshilla, që i jepej kujtdo, që merrte një detyre të re, një post. Zylo nuk largohej me vullnet të lirë, ishin të tjerë ata që i qarkullonin, apo i vidhisnin. Shkrimtari merr përsipër ta rrëzojë vetë, duke na kujtuar tërmetin artificial të De Radës. Gjithsesi në sytë e orgjinalit rrëzimi i kopjes nuk ngjallë ligështim, ngaqë e ka siguruar përjetësinë me projektimin e vetes, edhe pse dyshuan mos autori po i binte pragut të dëgjonte dera. Kësisoj rrëzimi deux ex machina i Zylos nuk është i plotë, nëse nuk i vjen radha Demkës të ngjitet.

    Demka vjen tek e sotmja me imazhin e spin doctor të njohur si strateg të fushatave elektorale, i cili merret me kurimin e imazhit të fitimtarëve të radhës, ardhur nga bota e nëndheshme. Njihen kompanit lobuese në rehabilitimin e imazhit. Me fjalë të tjera, dje mbanin gjallë Zylon, sot e rehabilitojnë atë në sytë e publikut.  (Ruzvelti mbahet mend si presidenti, që rrethohej me poetë, shkrimtarë, skenaristë, regjisorë, ku tre prej tyre u besonte tekstet e fjalimeve, duke bërë punë e Demkës. Teodor Sorensen është i njohur gjatë presidencës së Kenedit, si hartues i fjalimeve të tij, i cili e lavdëron Kenedin për intuitë momentale duke e ndryshuar tekstin e përgatitur prej “Demkës” me efikasitet të lartë. (Thënia e famëshme e Kenedit: “Mos pyet se ç`ka bërë atdheu për ty, por çfarë bën ti për atdheun tënd”, është një shprehje e adaptuar nga një shkollë private, me sugjerimin e Demkës, spin doctorit, ku thuhej “Mos pyet se ç`ka bërë shkolla për ty, por çfarë bën ti për shkollën tënde.”) Një shekspirolog mbahej në stafin e Klintonit vetëm për të futur në fjalimet e tij ndonjë thënie të përshtatshme nga Shekspiri.

    Meqë e nisëm me shkëmbin e rrëzuar të Kavajës, po u kujtoj vargun e njohur të Driteroit: “Unë Devoll, një shkëmb i yti i pagdhendur”. Në kohën kur gjithkush latohej, rrumbullakosej, ku guri i rrumbullaktë preferohej për të zënë qoshen, shkrimtari nuk ha të gdhendur? Nga të gjitha zanatet ai që mori publicitet më shumë ishte ai i gurgdhendësit, ku skulptorët kaluan në plan të dytë. Ndaj Demka shprehet i pikëlluar: “Unë nuk isha mësuar të kundërshtojë mendimet e eprorëve të mi.”  “Askush nuk e ka luksin sot, të shfaq mendime personale.”, thotë Ayn Rand tek “Revolta e Atlasit”. “Veshi: organ që dëgjon në radhë të parë përgjegjësin.”-ishte një nga maksimat e shokut Zylo. Edhe Driteroi ka një libër poetik me titullin “Fjala gdhend gurin”, sikurse një roman të titulluar “Dështaku”. Pagdhendja e tij, qysh në krye të herës, nuk është gjë tjetër veçse inkonformizmi i tij, që s`kemi pse e ngatërrojmë me latimin e Demkës apo matufepsejen e Zylos. “Mund t`ia lija këto libra Aranitit, por ai nuk e zotëron këtë gjuhë. Araniti i mallkon librat. Ka libra të cilëve nuk u besoj.”-shprehet Zylo në çastin e rënies, të dorëzimit të detyrës. Kush është ky që i mallkoka librat? Cilët janë këto libra, që nuk u besoka më? Pikërisht persekutorët e artistëve, që i burgosnin, internonin, u hiqnin të drejtën e botimit dhe ato libra që morën më qafë Don Kishotin. Nuk është e vërtetë ajo që thotë kritika se “Zyloja dhe komisari Memo janë dy prej personazheve që e kanë vënë autorin në provën e skemës.” Komisari Memo është një trupëzim idesh, sikurse është kritikuar me kurajo në kohën e zylove, të cilët e donin të standartizuar me frazizma, sikurse këshillonte dhe kryeministri i kohës, që heroi pozitiv duhet të jetë pa të meta, kur vetë do dilte një katran me bojë. Zylo nuk vuan nga iluzionet, përkundrazi e ushtron iluzionin në dobi të pushtetit të tij, për t`u dukur i kohës, i suksesshëm. Për të shpjeguar shkëlqimin e Zylos, të kohës që mburrej me ndërtimin e hidrocentraleve, do na mjaftonte vargu i Eposit të Kreshnikëve: “Fort po ndrit aj diell dhe pak po nxeh.” Rendën pas ndriçimit, madhështisë së rreme, duke u munguar ngrohtësia. Ata pretenduan se po krijonin epokë dhe mbetën pa kohë.    

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË