More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNdue Ukaj: Romani i Kadaresë “Nata më hënë” paralajmërues i meshës së...

    Ndue Ukaj: Romani i Kadaresë “Nata më hënë” paralajmërues i meshës së madhe të lirisë

    Shkrimtari i njohur bashkëkohor, Milan Kundera, romanin e përkufizon si formën e madhe të prozës, në të cilën autori, me anë të vetë eksperimenteve (karaktereve), hulumton disa tema të mëdha ekzistenciale. Këtë parim, Kadareja e realizoi mjeshtërisht te romani,

    Nata me hënë”, që është një vepër tejet mbresëlënëse përbrenda prozës së tij; një protestë e hollë dhe e hapur kundër totalitarizmit dhe utopisë komuniste, në të cilin sistem, fati i individit ishte hiçgjë ose pre e “mëshirës” së makinës kolektive të partisë, që teksa “kujdesej” për “lumturinë njerëzore”, bluante njerëz të pafajshëm dhe i hidhte në humnerë. Kësisoj, kjo vepra ka diçka të veçantë, që e dallon nga tërë opusi letrar i Kadaresë.

    Romani e ballafaqon individin me sistemin, por jo duke e vështruar në planin historik, siç ngjet në shumë vepra të tij, por duke e parë si bluhet në kohën reale të shkrimit, kur partia dhe sistemi kujdeseshin për “moralin komunist” e “për lumturinë e njerëzve”, dhe tentonin ta kontrollonin botën intime dhe shpirtërore të personit.

    E, Kadareja flet pikërisht për pasojat që ndodhin nga veprimet e tilla të çmendura, që ishin dukuri të shumta dhe më së normale të tiranisë. Pra, në këtë roman, kemi ideologji dhe liri. Kemi përplasje të ashpër mes këtyre dy koncepteve të kundërta dhe përjashtuese.

    Derisa ideologjia e kërkon njeriun në sistem e vet, ku do ta tretë dhe ta bëjë hiçgjë, e dyta, e forcon dhe, e bënë të aftë të qëndrojë në kalvarin e vuajtjeve, me besimin si një ditë, liria, si vlera më sublime e njeriut, do të triumfojë.

    Ndonëse në mendimin letrar, romani “Nata më hënë”, nuk ka zënë vendin e romaneve tjera, sikundër janë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Pallati i Ëndrrave”, “Përbindëshi”, ky libër është vepër e jashtëzakonshme që është shkruar me stil të hollë narrativ.

    Ndërkaq, në një plan tjetër, kjo vepër, gjithashtu, lexuesin e ndihmon që të përsiatë rreth artit kadarean, të futet nëpër labirintet e vështira nëpër të cilat u dashtë të kalonte vepra e tij, për t’i gjykuar pastaj botëkuptimet e tija politike dhe kulturore, meqë, në këtë vepër, ai bën politikën personale kundër regjimit dhe shtreson shenjat kulturore dhe identitare të përkatësisë së letërsisë së tij.

    Loja e dykuptimësive narrative, që e karakterizon në masë të madhe letërsinë e Kadaresë, në këtë prozë është krejt e qartë. Vetë Kadareja, në një intervistë që i ka dhënë studiueses Lili Sula, kur është pyetur: “A e projektoni lexuesin tuaj kur shkruani, thënë ndryshe, cili është lexuesi juaj ideal? Apo letërsia e juaj nuk kuptohet nga lexuesi i zakonshëm? – Ai i është përgjigjur, duke u ndërlidhë pikërisht me romanin “Nata më hënë”:

    “Është një mënyrë të thënie për të mos e pranuar këtë letërsi.

    Është libri im, Nata më hënë. Ç’ka për të mos kuptuar?! E them në fund të librit që: Ajo si një Shën Mëri…Këtë vepër e kam shkruar dhe botuar në vitin 1985. U ndalua. Dakord! Një vajzë desh e marrin më qafë për një thashethem. Lind paradoksi nga tronditja që shkaktoi thashethemi. S’i falën dhe nuk pyeste njeri: Më kë e ke fëmijën? Në fund thuhet: Që nga shtrojet e bardha, ajo na vështronte, të gjithëve e qetë, buzëqeshëse, jo Shën Mëri e re, që ishte shfaqur në kohën kur pritej më pak.”

    Pra, në këtë roman, siç tregon edhe vetë autori, nuk kemi alegori historike kundër totalitarizmit, nuk kemi simbole që bartin kuptime të vështira për t’u deshifruar-dyzime-për të cilat lexuesi duhet të qëmtojë në kodet alegorike apo metaforike. Teksti është i qartë. Është eksplicit. Është një shfaqje e hapur. Një goditje e fortë ndaj shpërfytyrimit të shoqërisë komuniste. Secili lexues, që e njeh kontekstin e kohës kur u shkrua vepra, e ndien këtë përmasë dhe s’ka sesi të mos admirojë guximin e autorit, për të shkruar një vepër kaq të rrezikshme, kaq goditëse dhe njëherësh kaq mahnitëse.

    Romani “Nata me hënë”, në aspektin tematik, duket sikur e “thyen” natyrën narrative të temave të Kadaresë. Si tekst, është botuar së pari me 1985, në një gazetë, dhe qysh atëherë u gjykua armiqësor, nga fakti se, aty paraqitej një realitet i zymtë në shoqërinë “idealiste” të diktaturës, dhe parodizohej me trajta të thella groteske regjim, që merrej edhe me punët më të liga, siç mund të ishte morali shoqëror dhe hulumtimet e “virginis”së një femre shembullore dhe të pamëkatë. Më vonë, kjo vepër, përveç se u gjykua, u kritikua, edhe u ndalua. Madje, të dhëna që shoqërojnë botimin e këtij libri përmendin një element me rëndësi që lidhet me aspektin e jashtëm të kësaj vepre: Në ditën kur autori “hetohej” lidhur me këtë roman, diktatori kishte vdekur, por lajmi ishte mbajtur i fshehtë.

    Kadareja, në këtë roman e ndërton portretin fisnik të Marianës, një heroinë dhe figurë shembullore, që rri përballë shëmtisë dhe veseve të diktaturës, tamam si një Shën Mëri biblike. Kjo protagoniste e këtij romani, ndonëse sfilitet përballë një gjyqi krejt absurd, ka fatin që t’i sjell Shqipërisë një djalë të ri dhe të duket shenjtëreshë.

    Narracioni i romanit dhe përshkrimet e holla që bënë autori, mënyrë sesi është ndërtuar intriga, pasojat psikologjike që bartë ajo, të përshkruara me një gjuhë poetike, flasin për përmasat e një intrigë që u krijua pas një shëtitje në një natë më hënë, kur heroina e këtij romani, lexoi disa vargje dashurie, derisa ishte nën shoqërimin e Gazmendit, të sapofejuarit të Norës. Kjo mjaftoi që kundër saj të fillonin shpifje të pashembullta dhe intrigat të mëdha, që atë e bënë të vuante pa masë. Sepse, sipas klanit të Norës, të ndihmuar edhe ngapartia, kjo ishte kundër parimeve të moralit komunist, prandaj edhe

    Mariana gjykohet si imorale, meqë ajo “dëmtonte unitetin e familjes socialiste” dhe kjo lidhej me “ndikimet e moralit borgjezo-revizionist”. Madje, edhe vargjet e saj, u vlerësuan si dekadente.

    Narratori, flet për atmosferën në ndërmarrjen ku punonte Mariana dhe karakteret tjera që përfshihen në këtë dramë, ndërkaq, thelbin i ngjarjes lidhet me dramën psikologjike të Marianës dhe ajo përshkruhet me elemente narrative tronditëse, meqë, atë shpeshherë e shohim buzë greminës.

    Autori, përmes depërtimit psikologjik, në botën e karaktereve, ku luhet loja e “fajit” të orkestruar, tregon ç’vuajte pësonin njerëzit për hiçgjë në atë sistem të degjeneruar. Dhe, siç e do zakoni, faji, nënkupton një shakatar dhe një që e pëson. Ndërkaq, në këtë prozë, jemi përballë “fajit” inekzistent, pra, jemi përballë një intrige, në atmosferën e rëndë të diktaturës, ku fati i individit ishte krejt i parëndësishëm përballë makinës ideologjike kolektive që bluante çdo kënd për një fjalë goje. Autori e parodizon sistemin e përçudnuar shoqëror, i cili, për asgjë ngriste procese të montuara dhe qesharake kundër individit dhe dinjitetit të tij, të cilin e përçmonte deri në përbuzje.

    Si në çdo rrëfim, edhe këtë tekst, ndeshën dy botë, dy botëkuptime, dhe dy litarë që tërheqin në drejtime të kundërta.

    E partia, ajo që kujdeset për “lumturinë njerëzore”, e përfshirë në këtë dramë “flet për edukimin e njeriut të ri” sipas parimit të moralit komunist, prandaj edhe akti i Marianës gjykohet rënd, dhe ajo në sytë e tyre merr hijen e femrës imorale.

    Kadareja, heroinën e përshkruan me dëlirësi të hollë dhe tipare fantastike, kështu që, te lexuesi ajo ngjallë ngashërim, admirim, dhimbje dhe solidaritet të pafund.

    Kulmi i konfliktit absurd të kësaj drame njerëzore shpërthen atëherë kur asaj i kërkohet vërtetimi i nderit, për të shpartalluar klanin që e akuzonte atë. Autori këtë e gjykon ashpër, si një akt marrëzi, që fyen rënd dinjitetin e femrës. Pra, asaj i kërkohet vërtetmi për “virginis.”

    Dhe, ndërkohë që po mendohej se Mariana u rrëzua, ajo triumfoi, duke u shfaqë e dëlirë. Pasi vizitoi mjekun, ajo arriti të dëshmonte se ishte “virginis” dhe s’kishte pasur asnjë marrëdhënie me Gazmendin, të fejuarin e Norës. Dhe në fakt, siç thotë narratori “ajo fjalë ‘virginis’ që vinte nga një gjuhë e vdekur, për t’i kthyer nderin asaj.

    Por ata që tentuan t’i vinin krusmën asaj, bien vetë në kurthin e intrigës që i krijuan heroinës së romanit. Me aktin e saj të fundit, ajo, ndërkaq u dha mundësi të gjithëve që të shpërlanin gjer në fund ndërgjegjen. E me këtë, Kadareja kërkon shpëlarjen e ndërgjegjes së sistemit, që bluante njerëz të pafajshëm në makinën e vet të çmendisë.

    Shkrimtari, romanin e përfundon me imazhet e lindjes së një foshnje-të një djali. Pra, epilogu i kësaj drame, protagonisten e nxjerrë shëmbëlltyrë të pashoq morale, që ndonëse akuzohet dhe vuan, nuk përulet dhe as nuk nënshtrohet. Sepse, nën petkun e saj rri dëlirësia, pastërtia, dhe ajo bëhet figurë model, ashtu siç ishte Maria biblike, me të cilën autori e krahason atë. Duke e qartësuar pastërtia mendore e shpirtërore të vajzës së re, Kadareja e shpallë atë shenjtore të kohës, ndërkaq, me lindjen e djalit të saj, ai thërriste hapur për lindjen e një epoke tjetër: të lirisë dhe përfundimin e mynxyrave njerëzore, ku njerëzit shkonin buzë tragjedisë, për hiçgjë.

    Pra, përballë një intrige të shëmtuar, të konstruktuar, Mariana, ndonëse u gjind buzë tragjedisë, ajo triumfoi si shenjtëreshë, rreth të cilës, një ditë, me devocion u përkulen të gjithë dashakeqët e saj, e të cilët nuk ishin pak. Kështu, ajo bëhet personazh model në letërsinë e Kadaresë, dhe mbetet personifikim i fisnikërisë dhe bukurisë shpirtërore që përballët me shëmtinë, shpifjet dhe veset e manive ideologjike.

    Pikëtakimet me letërsinë e Kafkës dhe Biblën

    Romani “Nata me hënë”, me elementet absurde që ngërthen, ndërton një relacion kuptimor me romanin e madh të Franc Kafkës, “Procesi”, ndërkaq, zgjidhja që u autori i jep kësaj drame, ndërlidhet me “Biblën”, si vepër e madhe e njerëzimit, që ka influencuar artin perëndimor në të gjitha kohët.

    Pikëtakimet mes romanit “Nata me hënë” dhe romanit “Procesi”, mund të vërehen në disa rrafshe dhe ato janë filozofike dhe semantike.

    Në romanin e Kafkës, ashtu sikundër në romanin e Kadaresë, kryeheroi Jozefi K., i nënshtrohet një procesi hetimore, i pavetëdijshëm për fajin dhe i pamëkatë për çka ngarkohej. Kundër tij, orkestrohet një gjyq i madh dhe ai jeton në prehjen që gjen ne vetvete, se ndihej i pafajshëm. Ndërkaq, në romanin e Kadaresë, Mariana, po ashtu është viktimë e komplotit shoqëror dhe gjykohet kinse ka dashur t’ia marrë shoqes, Norës, të dashurin, në një natë më hënë, kur ka recituar disa vargje romantike.

    Për dallim prej romanit, “Procesi” të Kafkës, në të cilin, heroi ndëshkohet nga një gjyq real, te Kadareja, ndodh e kundërta, meqë heroina e sfilitur ngadhënjen përballë gjyqit qesharak, dhe, shfaqet si Shën Mëri e ditëve të saj, në kohën kur më së paku pritej një gjë e tillë.

    Ky epilog i tillë, i befasishëm, kaq përndjellës, ngërthen në vete shenja profetike dhe artikulon qëllimet e tekstit. Ndërkaq, lexuesi pyet, si guxonte autori, në kulmin e marrëzive komuniste, të kërkonte kaq hapur lindjen e një kohe të re, nëpërmes një mesie, që do ta shpëtonte e shëlbonte Shqipërinë e mbërthyer në çmendinë komuniste?

    Nëse teksti i Kadaresë ndërton një relacion filozofik dhe semantik me tekstin e Kafkës, në kuptimin e esencave të brendshme që dalin nga mikrostrukturat letrare dhe filozofia e tekstit, në një rrafsh tjetër, romani e ndërton një relacione krejt të hapur dhe të ontologjik me Biblën, sidomos me episodet që lidhen me lindjen e Jezu Krishtit.

    Me këtë shfaqje kaq të hapur në këtë vepër, autori godet një ide dhe njëkohësisht e nxit një tjetër: ai e godet utopinë komuniste që rrafshonte objekte kulti, dhe e nxit atë të përlindjes së Shqipërisë postotalitare, përmes përmbysjes së sistemit të çoroditur dhe triumfit të njeriut që reziston, të shëmbëllyeshëm me Shën Marinë.

    Përzierja e regjimit në çështje morale, për autorin është krim, prandaj edhe zgjidhja letrare që bënë ai për t’i dhënë heroinës atribute e një gruaje të shkëlqyer, duke e personifikuar me një figurë qenësore të njerëzimit, është mahnitëse. Krahasimi i Marianës me Shën Mërinë biblike, është një lartësim etik e filozofik i figurës së saj krejt i veçantë dhe i pashoq në letërsinë tonë.

    Për të realizuar këtë objektiv, shkrimtari funksionalizon diskursin biblik, dhe romanit i jep ngjyrim universal, duke e bërë shëmbëlltyrë të pranisë së influencë biblik, si ligjërim dhe tematikë.

    Mariana, heroina e romanit “Nata më hënë” është e pafaj, një Shën Mëri, që lind një fëmijë triumfues në Shqipërinë ateiste, që vriste priftërinj dhe rrëzonte kisha.

    Maria e kohëve të lashta, arketipi biblik, lindi një foshnje që i ndërroi kahet e zhvillimit planetare, ndërkaq, një Marianë tjetër, pasi përmbys rrjetin e intrigantëve, lind një foshnje.

    Siç tregon historia biblike, Maria, kur e kuptoi se ishte shtatzënë, pa patur ndonjë marrëdhënie seksuale, u vu në presion e një “gjyqi” dhe për pak sa nuk u braktis nga i fejuari, por triumfoi, sepse, puna e shtatzënisë së saj ishte proveniencë hyjnore, për t’ia sjellë njerëzimit shpëtimtarin, Jezu Krishtin. Po ashtu, në fund të romanit, ngjashëm me rrëfimin biblik, Mariana, e cila mban edhe emrin e ngjashëm me arketipin biblik, pas shumë vuajtjeve, triumfoi dhe botës së egër të diktaturës, gjithë dashakëqijve, ia dha një flakaresh, duke i turpëruar dhe duke dëshmuar se ajo ishte grua e dëlire dhe e pamëkatë. Kështu, ajo triumfoi kundrejt komploti të madh që u zhvillua kundër saj dhe kundër partisë shtet, që kompletonte kundër fesë. E, autori kështu e përshkruan këtë moment:

    Pas daljes nga materniteti, shkuam për ta vizituar vajzën në shtëpi, me përplot dhurata sipas zakonit. Foshnja ishte aty, përbri saj, një djalë yll i bukur, por veç njerëzve të fëmijës, as burrë, as i fejuar, as asgjë. Por kaq e thellë ishte mirënjohja e jonë ndaj saj, mirënjohja që ajo na kishte falur fajet, saqë gjithçka vazhdonte të na dukej e natyrshme dhe plotë dritë. Që nga shtrojat e bardha, ajo na vështronte, të gjithëve e qetë, buzëqeshje kjo Shën Mëri e re që ishte shfaqur në kohën kur pritej më pak. “

    Romani bartë elemente dhe shenja eksplicite biblike. Takimi me Marianen dhe fëmija që qëndron përballë saj, kur dihet se ajo nuk kishte patur mashkull dhe ishte “virginus”, është trajtë hyjnore, që shkruhet në përkim frymën që përçon rrëfimi biblik për Virgjërinë Mari. Po ashtu, vizitat e atyre që e kanë akuzuar në maternitet, ndërfusin në lojë elemente biblike, respektivisht momentet që pasojnë tregimin për lindjen e Jezu Krishtit dhe vizitat që i bëhen Marisë në

    Shpellën e Betlehemit, që nga barinjtë deri te mbretërit.

    Heroina që e shitoi sistemin

    Shpifja kundër Marianës ishte e qëllimshme, e kurdisur dhe e përpunuar mirë nga armiqtë e saj, të ndihmuar edhe nga sistemi.

    Ajo thirret para “gjyqit” të shpifëseve dhe ballafaqohet me tronditje të madha shpirtërore. Në ndërmarrjen ku punonte, kudo flitej për të, nga armiq dhe miq të saj, aq sa psikoza kundër saj, përfshiu një pjesë të repartit. Dhe, siç e do puna, në këso raste, në një sistem të çmendur, shteti, jo që nuk rri indiferent, përkundrazi, përfshihet keq në të. Në këtë lojë narrative, personazhet e romanit ndahet në dysh: ata që e gjykojnë heroinën dhe ata që e mbrojnë atë, por këta të fundit ballafaqohen me fuqinë e pushtetit, prandaj edhe detyrohen ndonjëherë të jenë të lëkundur në qëndrimet e tyre përballë thashethemeve dhe intrigave që vërtiteshin rreth saj.

    Autori triumfin e Marianës e përshkruan me një gjuhë të ëmbël dhe mikluese, ndërkaq, në anën tjetër, po ashtu, me një gjuhë goditëse, i përshkruan dashakëqijtë, ata që thuren intriga kundër saj. Triumfi i Marianës krijoi pikëllimi në kampin e armiqve, meqë ajo u shfaq si diçka e përtejme, si diçka hyjnore: “Si të ishte shpallje që vinte nga lart përmes një qarje ajo na shitoi të gjithëve.”

    Teksti thotë që fitorja e saj na shitoi të gjithëve. Kjo ne është therëse dhe përfshinë tërë sistemin.

    Narratori figurën e heroinës e përshkruan me dashuri e devocion hyjnor, dhe, në korpusin romanesk të tij, ajo përfaqëson figurën fisnike dhe shembullore, që e sfidoi marrëzitë komuniste dhe kujdesin e tyre “lumturinë njerëzore”.

    Ismail Kadare, në këtë vepër letrare, është me heroinën dhe me devocion flet për të, për përmasën e saj, aq sa, siç shkruan Eric Faye, duket se kur flet për të ka një esencë hyjnore dhe kjo e bën rrëfimin magjik.

    Ky roman, i shkruar me mjeshtëri të hollë, tregon edhe njëherë atë që Paul Auster e shtronte në formë të pyetjes: pse i shërben arti, në veçanti arti i fiksionit, asaj që e quajmë botë reale? Lexuesi shqiptar dhe ai i huaj, kur e mbyllë së lexuari këtë roman, kaq të bukur, kaq të guximshëm dhe kaq madhështor, mbetet i kënaqur artistikisht. Po ashtu, ai e ndien peshën e artit të madh dhe të ideve të mëdha letrare, që kumbojnë fuqishme, siç kumbojnë kambanat e një katedrale madhështore që paralajmërojnë një meshë të madhe, ashtu siç paralajmëronte Kadareja me këtë vepër meshën e madhe të lirisë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË