Mbi romanin “Lindja, fëmijëria dhe rinia e klonit Nicolaus Bonadei” të shkrimtarit Shpend Sollaku Noé.
Dy shkencëtarë të inxhinierisë gjenetike kanë klonuar Leninin. Si do të rritet dhe çfarë do të bëhet Volodja i ri me emrin italian Nicolas Bonadei? A do të kemi një baba tjetër të proletariatit apo një njeri të zakonshëm? Cili do të jetë reagimi i opinionit botëror, i shkencëtarëve, i politikës, i nostalgjikëve të komunizmit dhe i Vatikanit përpara këtij lajmi të jashtëzakonshëm? Janë këto pyetjet që të vijnë në kokë që kur je duke lexuar faqet e romanit “Lindja, fëmijëria dhe rinia e klonit Nicolaus Bonadei”, të shkrimtarit të njohur e të guximshëm shqiptar, Shpend Sollaku Noé, që jeton në rajonin verior Trentino Alto Adige në Itali.
Ky roman bën pjesë në oktalogjinë ( serinë prej 8 romanesh) që autori ka shkruar nëpër vite. Gazetar e poet dikur i kritikuar e përndjekur nga regjimi politik shqiptar, ndonëse preferohej nga figura të tilla të shquara të letërsisë shqiptare si Ismail Kadare, Fatos Arapi, Nasho Jorgaqi, prozator e studiues i vlerave letrare e kulturore, Shpendi përfaqëson një zë të veçantë e origjinal në letrat shqipe dhe europiane. I prirë për ta parë realitetin nga këndvështrimi i tij, për të kapur e trajtuar tema kundër rrymës, me një stil modern e fantazi shumë të pasur, Noé hyn në letërsinë shqipe e europiane si një shkrimtar që, siç shkruan Giuseppe Marchetti (një zë autoritar në kritikën letrare e gazetarinë italiane), di të sjellë dëshmi absolutisht të rëndësishme, duke u renditur përkrah shkrimtarëve të tillë si hungarezi Sandor Marai, italiani me origjinë sllovene Boris Pahor, rusi Josif Brodskij, gjermania Herta Muller, gazetari i shquar Enzo Betizza, italian i lindur në Split… Mua personalisht, guximi dhe ironia e tij më kujtojnë edhe të paharrurin Pier Paolo Pasolini.
Romani nis me një skenë masive në Sheshin e Kuq në Moskë, në gusht të vitit 1991, kur Gorbaçovi ishte ngujuar në daçën e tij në Krime e Jelcini përgatitej të vinte në pushtet pas rënies së komunizmit. Turma që spostohen në manifestime të ndryshme. Në këto rrethana dikush përfiton për të profanuar trupin e balsamosur të Leninit, për të marrë kampione që do të përdoren nga shkencëtari italian Alfio Bonadei, i cili, me ndihmën e gruas së tij me origjinë shqiptare, Nevia Kapinova, do të realizojnë klonimin e udhëheqësit të Revolucionit të Tetorit. Inseminimi nëpërmjet transferimit nuklear në qeliza staminale realizohet në Shangai e lindja në Insbruk. Është koha kur në Skoci po punohej për klonimin e mamiferit të parë. Por inxhinieri gjenetik italian kërkon ta parakalojë me një lajm më sensacional, me klonimin e embrionit njerëzor.
Kjo temë me të vërtetë përbën një skup të madh. Por autori, me mjeshtërinë e tij, ka ditur ta ngërthejë atë në kuadrin e një romani që proçedon natyrshëm e me mençuri. Krahas një ecurie jete sa më normale të të sapolindurit, ndonëse disi në fshehtësi për ta ruajtur nga mediat e nga opinioni publik, autori sjell një rrjetë të tërë intrigash që vërtiten rreth kësaj ngjarjeje e rreth klonit të Leninit që rritet sa në Bolzano, sa në Romë. Autori zotëron tashmë përvojë e mjeshtëri në ndërtimin e skenave dramatike e deri në përfundime tragjike, ku përballë interesave shkencore të çiftit Bonadei, ndërhyjnë ato të mafias ruse e ndërkombëtare, të shtypit e të politikës e deri të Selisë së Shenjtë në Romë. Noé është njohës i mirë i ambienteve kudo që vendos teatrin e ngjarjeve, si në Moskë, Milano, Bolzano apo në Romë, Durrës e Berat dhe kjo e bën më tërheqës romanin, pasi fantazia e tij ndërthuret me kufinjtë e reales, me pejsazhet e ambientet konkrete të përshkruara me art e finesë.
Duke trajtuar këtë temë, autori merr shkas nga klonimi i mamiferit apo i embrionit njerëzor, për të bërë një skaner real të shoqërisë së sotme pas rënies së komunizmit, ku interesat materiale nëpërkëmbin interesat më thelbësore si shkenca, përparimi njerëzor, liria e personit dhe shëndeti e mirëqenia e familjes. Herë-herë ato depërtojnë deri në prishjen e ekuilibrit edhe brenda familjes, siç është rasti i çiftit të shkencëtarëve Bonadei. Duke realizuar personazhe të tillë siç janë vëllezërit rusë Otar e Iveran Kutaisi, autori tregon fytyrën e egër e kërcënuese të mafias ruse e të mafiave të tjera, përfshirë edhe atë shqiptare, që nuk kanë asnjë skrupull, deri në zhdukjen e pamëshirshme të njeriut përballë interesave të fitimit. “Po si mendon ti, se unë rri pa gjumë duke u preokupuar për shëndetin e të dashurit tonë të ringjallur? Nuk dua t’ia di, ashtu si pjesa më e madhe e rusëve ose e ish-sovjetikëve. Kemi kokëçarje të tjera edhe më të mëdha. Natyrisht, nuk mund të parashikoj reagimin e nostalgjikëve të komunizmit nëse do të marrin vesh se kush është i klonuari, nëse do të kërkojnë të dinë ku ndodhet kloni. Nuk do të mundja natyrisht as të parashikoja nëse ata do të donin ta kthenin në vendin e tij të origjinës, nëse do ta adhurojnë apo do ta urrejnë. Por mund të afirmoj me siguri që asnjë prej tyre, përfshirë edhe shërbimet e sotme sekrete ruse, nuk do të reagonin me indiferencë përballë një fakti kaq të bujshëm”. Kështu e kërcënon indirekt rusi Otar Kutaisi shkencëtarin italian edhe pasi ky e ka paguar mirë për shërbimin e bërë në profanimin e trupit të Leninit.
Volodja-Nicolaus ndërkaq rritet dita-ditës, duke e fshehur identitetin nën emra fallsë. Pyetjet që shtron herë-herë e ëma nëse ai do të rritet e do të bëhet një gjeni, apo një njeri mediokër e deluzion total në lidhje me qëllimin që çifti Bonadei i kishte vënë vetes, fillojnë e humbasin rëndësi përpara sigurisë së jetës për klonin e ri. Pikërisht lidhur me këtë autori ka ditur të ndërtojë ngjarje të tjera që ndërthuren bukur, duke e intriguar lexuesin deri në fund.
Personazhet me rëndësi në shkallë botërore në politikë, art, shkencë, kulturë etj janë pjellë e kohës kur lindin, jetojnë e ushtrojnë talentin apo influencën e tyre. Nuk dimë nëse do të ishin të tillë në një epokë krejt tjetër, me rrethana të tjera historike, me zhvillime të tjera botërore. Në këtë dritë edhe klonimi i tyre do të ndodhej mbase përpara pyetjesh pa përgjigje. Romani i Shpend Sollaku Noé nuk merr përsipër të japë përgjigje të tilla. Ai tingëllon më shumë si një ironi apo sarkazëm përballë një bote të trazuar, ku askush nuk mund të thotë me qartësi fatet e ardhshme të njerëzimit. “Epidemia e Kuqe e shekullit të njëzetë, më e keqe se ajo e vitit 1347, ishte dobësuar, por nuk kishte vdekur, shkruan ai në një paragraf nga fundi. Ajo pandemi makabër vazhdonte akoma të mbillte vdekje, duke e shpërfytyruar disidencën deri në atë masë sa të dukej inekzistente”.
Nuk kam dijeni sa është bërë e njohur në Shqipëri vepra letrare e shkrimtarit Shpend Sollaku Noé, sa vëmendje i kanë kushtuar institucionet zyrtare të kulturës apo mediat. Di që ai është përkthyer në 27 gjuhë të ndryshme dhe në Itali ka gjetur jehonë si një shkrimtar shumë tërheqës dhe i suksesshëm.