More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNdue Gjika: Një simfoni, e tëra lirike, e Josif Papagjonit

    Ndue Gjika: Një simfoni, e tëra lirike, e Josif Papagjonit

    Prof. Josif Papagjoni është një prej kritikëve më në zë, jo veç për artin viziv të skenës, të ekranit shqiptar e më tej, por edhe të letërsisë. Si kritik ka me mbi 30 libra analitikë, histori teatri, monografi, enciklopedi, autor dramash e libretesh skenike. Ka përcjellë e promovuar vepra, autorë, aktorë, kineastë, artistë të imazhit pa fund çka shprehin angazhimin dhe kontributin e tij gati pesëdhjetëvjeçar në fushën e artit. Por unë dua të flas për tjetër gjë kësaj here. Dua të flas për Josif Papagjonin prozator. U befasova. Nuk e njihja, por ja me këtë përmbledhje me novela e tregime e njoha. Njoha përqasjen e tij në fushën  e prozës së shkurtër e të gjatë.

    Kisha një droje për ta shkruar këtë qasje timen kritike se më dukej jo e këndshme pasi me Josifin njihemi që kur ishim në fakultet; kemi pasur një lidhje miqësore spontane, të hapur e krejt të sinqertë, e cila ka vazhduar të ecë bukur mirë deri në ditët tona, dhe besoj se malli nuk do ta prishë, por ashtu si dhimbja e moluskut që formon margaritarin edhe ai (malli) do ta ruajë këtë gjë të shenjtë mes nesh. Josifi, si mik, jo se ka nevojë për panegjirizëm, e njoh natyrën e tij. As unë nuk e kam “mall këmbimi miqësor” këtë shkrim. Kemi mënyra të tjera siç kanë gjithë miqtë në këtë botë për ta mbajtur afinitetin. Shkrimi është e vërteta e ndjesive të mia, është ngacmimi që vjen nga letërsia, fjala, shija e saj, estetika. Për mua ky libër vjen si një prozë krejt origjinale dhe si “vetvete”. Mbase kjo është “vetvetja” më e madhe e Josif Papagjonit dhe besoj nuk gaboj.

    Libri është voluminoz, paksa i vështirë për të hyrë në ritmin e brendshëm të tij, sepse ka aty thellë gopa traumash psikike, personazhe mes dilemash dhe picire jete të rënda. Veçse me ta arritur këtë ritëm leximi atëherë vibron në një gjatësi vale si të një simfonie jashtë mase lirike. Aq sa dikush, pa të drejtë, mund të shtrojë edhe pyetjen: “A është në vete me shfrime të tilla kaq të shpenguara ky njeri para lexuesit të vet apo?…” Gabon, se  këndvështrimi i tij, rëndom lirik letrar, i anashkalon gjithë barrierat mbyllëse para lexuesit, të cilat për disa janë si mure ciklopike e për ca më të hapura si parete, që ndajnë dy identitetet e krijimit letrar: “si veten time” me “si ai tjetri”. Por në thelb është i njëjti vibrim shpirtëror. I njëjti shpirt. Unë e kam vënë re këtë, për shembull, te novela “Kur hëna digjej lart”, “Kanti  kantiku”, por edhe te tregimet “Sindorela, ti ëndrra në ag”, “Non son’ degno di te”, “Gëzuar vdekjen shpirt” e gjer te “Syri i Jezu Krishtit”.

    I gjithë libri është një gjurmim delikat deri në fijëzat më të holla të shpirtit dhe ndijesive intime të Unit individual. Gjuha elokuente, e figurshme, e rrjedhshme të ngërthen menjëherë si kuriozitet e seriozitet përvetësues. Pra, kërkon vëmendje. Në libër nuk përshkruhen imtësi objektesh e situata formale që e ngurtësojnë dhe e stepin prozën. Në vend të kësaj ai e kap “demin për brirësh”, përqendrohet atje ku lidhen, zgjidhen apo mbeten nyje gjithë “hallet e kësaj jete”, tek shpirti i njeriut. Ashtu si ndjenjat dhe emocionet që janë brenda nesh por që nuk varen nga ne, në të njëjtën mënyrë vjen, ikën, këlthet e livadhis pa kufi edhe materia letrare e këtij libri, që shtrihet dhe e tendos gjendjen e shpirtit deri në anë. Diç e tillë lëviz në tregimet “Të shitesh apo…”, “Eja bir”. Më është dukur një materie e ngrohtë, diku edhe që të djeg gishtat tregimi “S’mundem…”. Dhe siç na e pohon jeta, njëlloj është ajo edhe kur djeg fort, edhe kur të ngrin, veçse e riprodhuar si një realitet tashmë artistik. Pra skaji i shpirtit për ty si lexues është vërtet larg, shkon deri atje ku ai mbaron, e më tej nuk dihet më se çfarë është: energji, vibrim, dritë, terr, makth a kush dreqin e merr vesh! Digresionet e befta që ndyshojnë situatat nga e shkuara tek e tashmja, nga e njëmendta dhe e fantaksura te dramaticiteti i pandërprerë dhe ritmi harbues, vërshojnë bollshëm në këtë përmbledhje. Kjo është një paradigmë letrare e kohës së fundme që ecejaket mes kontrastesh. Mund të veçoja disa tregime, por po mjaftohem me dy syresh: “Tri marrëzi në një dashuri” dhe “Shën Valentini”.

    Ashtu si Platoni, i cili risolli mitet e mrekullueshme si mënyrë për të shprehur mendimet dhe filozofinë e tij, pa u shfaqur asnjëherë si “autori i parë”, teksa dihet se pas tërë dialogjeve është pikërisht ai; kështu vepron edhe Josifi përmes miteve, metaforave, fabulave, herë si monologje e dialogje ku fshihen temat madhore e universale të jetës, që vijnë si nëntekste të një meditimi thelbësisht jetësor. Metafora e lumit me liqenin, e fluturës me brumbullin, e ullirit me lulen, në tregimet gjegjëse, me metamorfozën e ndjenjave dhe qasjeve ndërkallëse, përmes të cilave autori na shpie deri në qelizimin njerëzor, te krijimi biblik i qenies humane, fytyra që shfaqen e rishfaqen vazhdimisht. Në përgjithësi tek gjithë lënda letrare e librit është heshtja që zien brenda saj si një zgjua blete, që mbledh, sistemon e ngre jetën brenda kornizave që i mundësohen. Një mënyrë e tillë trajtimi i jep autorit lirshmërinë e të vërtiturit të argumenteve, e pastaj nuk mund të rrijë pa u ndalur te historia, te e djeshmja sociale dhe tek e sotmja hibride si demokraci. Ajo ndërhyn lirshëm siç vesh një konsum qytetar, si pjesë përbërëse e kompleksitetit tonë, brenda një realizimi ku nuk kemi ç’të heqim se i kemi të vetes tashmë.

    J. Papagjoni i përket atyre intelektualëve që nuk dëshiron t’i fshihet jetës, se jeta e tij si e secilit prej nesh është kalvari nëpër të cilin duam-s’duam jemi formuar e, po ashtu dhe reminishencave turpërisht të pa pranueshme që kemi sot e gjithë ditës duke na vërtitur nëpër këmbë si llohë ose duke na shtrënguar për fyti. Unë e kam parë këtë në tregimet “Vezullimi i rubinit”, “Po ai surrat!” apo “Vetëm dashuria e bën këtë tokë, o Sotir!”, paçka se jeta personale e Josifit si autor kamuflohet në jetët e personazheve me statuse të ngjashme me të. Kjo shkrirje, përhumbje a fshehje e personales te qenia them se e ka dimensionuar shkrimtarinë e tij, i ka dhënë peshën e kohës, paçka se ai ka qejf të përthellohet përherë në vetvete, siç e thashë në kryeherë. Sotmëria është plot fushata me gënjeshtra që në nisje, premtime hipokrite prej dallkaukësh që kthehen në korrupsion e privime, të denja veç t’ua bësh budallenjëve. E këto të revoltojnë e nuk ke si t’u shmangesh. Si mund të shmanget një autor serioz ndaj fatit të vet dhe bashkëkohësve të tij? Se ngjet siç shprehet edhe shkrimtari meksikan Juan Rulfo; “Problemet sociale mund të ngrihen në mënyrë artistike, problemi social është i vështirë të shmanget në një vepër, sepse lindin gjendje konfliktuale, që e detyrojnë shkrimtarin t’i zhvillojë ato.” (Huan Rulfos, Meksikë 1917 – 1986)

    Bëmat që enden e bredhin gurë mbi gurë, fijëze bari e fara lulesh që kapërthehen në zgërbonjë ulliri mijëra vjeçar të historisë e të përditshmërisë, paralelizohen edhe me mitet e lashtësisë greke që vijnë në një këndvështrim krejt origjinal vetjak. Nuk mund të mos rrish pa përmendur tregimin “Promete”, që e koncepton mitin në brendinë e njeriut që ndizet nga erosi, dhe është dashuria që e mban gjallë pa u ndërprerë. Edhe faktet më tragjike, për arsye sëmundjeje apo shkaqe të tjera, kthehen në kujtime përvëluese, në një përrallë për fëmijë me shtrirje në të gjitha koordinatat e hapësirës njerëzore, çka bën të kapërcehet edhe mbi kurrizin e së pamundurës. Njeriu përjeton ndjesinë sikur fluturon e ecën mbi fletën e hardhisë, mbi fikun gjëmbaç të detit, mbi gjethin e ullirit, majën e shkëmbit, humnerat, kaltërsinë dhe thellësitë e detit, thith erën e kripur dhe aromën e gjithë gjallesave që vetëm në brigjet e Jonit mund t’i gjesh. Sheh gjithnjë po atë mjedis që duket sikur edhe vetë autori është i mbrujtur nga ajo vlagë, ajo ajri´ si e vetmja në botë (“Kur hëna digjej lart”).

    Tema që niset si fill i flashkët ashtu lehtësisht vazhdon të hollohet, fshihet aty-këtu e pastaj ridel, sikur do të na kujtojë se jeni duke medituar për mua. Subjekti i tregimeve përherë është një luzmë ndjenjash, kohësh, që hyjnë e dalin si kokallat dhe që mbajnë në këmbë gjithçka tonën. Ndjesi kaq rrëmbyese e përjetime fantastike kam përjetuar vetëm te romani “Pedro Pàramo” i Juan Rulfo–s (Huan Rulfos). Po nëse te ky autor penduli luhatet nga jeta te vdekja, përjetime të reales zhytur në përfytyrime e zëra misteriozë të mistikës popullore, që arrijnë kufijtë e një dyzimi jetësor, te Josif Papagjoni penduli shkon nga dashuria te vdekja e anasjelltas, një reale e zhytur jo në misticizëm por në mistikën e mosnjohjes së vetvetes që përjeton vazhdimisht njeriu. Unë e heq këtë paralele të drejtpërdrejtë mes këtyre dy autorësh, pa asnjë hezitim. Trajtimi, lirshmëria, gjithë materia letrare e këtij vëllimi është një realizëm magjik, që vjen me ndjesi gati adoleshente, por me një maturi burri të mirinformuar. E gjithë lënda luhatet nga realja te irealja, nga e mundura tek e pa mundura, por që gjithçka është realitet mahnitës. Narrativa e autorit nuk ngjan si sendërtim vetjak, e tija, por sikur të ishim në një gjendje hipnotike, ku vetëdija dhe pavetëdija krijojnë një lojë fantastike përjetimesh. Shpesh tregimet nisin si një imazh i beftë thelbësor i jetës, pastaj vijnë blice të herëpashershme si për të na nxjerrë nga ai lumë i brendshëm shpirtror, që ecën e rrëshqet pa u ndalur deri në marramendje. Nuk e kupton njeriu se si mund të gjendet gjithë ajo mori fjalësh e figurash që nuk e përsërisin njëra-tjetrën. Duket sikur autori na pajis me një kamera tredimensionale që filmon nga ajri, toka, ujësia dhe depërton thellë njeriut për të fiksuar përpëlitjen e fërgëllimet emocionale. Gjuha është një tapi e veçantë e prozës së tij.

    I njëjti matrix është edhe kur merr në trajtim tema epike të heroikës shqiptare, siç është ajo e Andrea (Ndreko) Stefanit në novelën “Putha dheun e vendit tim!”. Vetë kënga popullore e ka mitizuar këtë hero që në ngjizjen e saj dhe e ka përsosur nëpër rrokëzimet e brezave, por me një mjeshtri të pa shoqe e me pasuri mjetesh letrare autori e risjell edhe një herë për së gjalli. Ka ndodhur atëherë, por ndodh edhe tani me po aq forcë e besnikëri përmes rifigurimit letrar, në thelb gjuhësor. Dallgëzon me rrahjet e zemrës së Andreas edhe deti, bregu e malet-brinjë të Jonit, humnera e hone të mbushura me sakrifikime altari, çka bën t’i plasë zemra dhe vreri Pashait gjakatar osman. Në atë ndeshje të përbindshme shungullojnë erërat e gjithë shkretëtirave ku shtrihej Perandoria Osmane dhe gjithë ai terr e tmerr përplasen mbi këtë truall të fortë e të pa epur ndaj rrebesheve që s’kanë fund. Trimëria, kënga-vallja, trualli-gjaku, gruaja-biri, ky është kodi biblik i shqiptarit të cilin autori e sjell me dramaticitet maksimal e poetikë gjuhësore, si ngjarje dhe si këngë mbi këngë.

    Mendoj se kritika duhet të ndalet në libra të tillë, ta thotë fjalën e saj profesionale për ta, sepse kanë prurje të qenësishme dhe domethënëse për jetën dhe kulturën tonë.

    Saint Louis, 2022

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË