More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ndjenja e kohës", poezi nga Giuseppe Ungaretti

    “Ndjenja e kohës”, poezi nga Giuseppe Ungaretti

    Përktheu nga origjinali: Aida Baro

    Giuseppe Ungaretti është një ndër poetët më të mëdhenj italianë të shekullit XX. I konsideruar si babai i rrymës së hermetizmit, poeti gjithnjë ka pasur si qëllim atë që ai e quan “la poesia pura” (poezia e kulluar), poezia në vetvete e lidhur ngushtë me natyrën dhe shpirtin njerëzor.
    “Ndjenja e kohës” është vëllimi i tij i dytë me poezi, botuar për herë të parë më 1933. Nëse në vëllimin e parë Allegria di naufragi (1919), ai theu të gjitha kanonet e përcaktuara të poezisë, metrikën, strukturën, leksikun, mendimin, duke e kthyer atë në një koncentrat të thukët dhe shpërthyes, ku me pak rreshta mëton të japë një gjendje të tërë shpirtërore e njerëzore, në këtë vëllim të dytë, ai i rikthehet poezisë së Giacomo Leopardi-t dhe Francesco Petrarca-s, stilit të përpunuar, leksikut të lartë thuajse klasik e hyjnor. Tashmë siç shkruan dhe vetë Ungaretti: “Unë rilexoja përulësisht poetët, poetët që këndojnë. Nuk kërkoja vargun e Jacopone-s apo atë të Dante-s, as atë të Petrarca-s apo të Guittone-s e të Tasso-s, as të të Cavalcanti-t apo të Leopardi-t: tek ata kërkoja këngën […] këngën italiane, kërkoja këngën e gjuhës italiane në qëndrueshmërinë e saj përgjatë shekujve, përmes zërash kaq të larmishëm, me timbre kaq të ndryshme dhe shumë të kujdesshëm për risinë e tyre, zëra tepër të veçantë në shprehjen e mendimeve dhe të ndjenjave: ishte rrahja e zemrës sime që doja ta ndieja në harmoni me rrahjen e zemrës së më të mëdhenjve të një toke fort të dashur.”
    Poezitë e përzgjedhura këtu i përkasin periudhës së parë të pas Luftës së Dytë Botërore, (1919 – 1927), ku poeti fillon të meditojë edhe më thellë për fatin e tij, por jo vetëm individualisht, por të qenies njerëzore në përgjithësi. Përkohësia e njeriut mbi dhé përkundër përjetësisë vërehet qysh në poezinë “O natë”, ku përmes metaforës së fuqishme të natyrës dhe stinëve, poeti shfaq trishtimin dhe melankolinë e tij të pafund. E njëjta ndjesi të krijohet edhe në poezinë “Peizazh” (1920) (100-vjetori i kësaj poezie), që shoqërohet dhe nga misteri, atë mister që poeti rreket ta rrokë e ta hedhë në poezi derisa në mbrëmje, gjendet i vetëm dhe i vetmuar dhe mund ta shfaqë hapur lodhjen dhe zhgënjimin e tij.
    Poezia “Kujtim i Afrikës” na shpie në vendlindjen e poetit, i cili, i lindur në Aleksandri të Egjiptit, nga prindër italianë, kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme, pra pjesën kryesore të formimit të tij në Afrikë. Shkretëtira e paskaj me ngjyrat dhe tingujt e saj ka mbetur thellësisht e gdhendur brenda tij.
    “Ujdhesa” mbetet një prej poezive më të errëta të Ungaretti-t, e vështirë për t’u deshifruar, se ç’është ky vend, ky ishull ku nuk dihet se kush zbret, ndoshta poeti vetë, ndoshta frymëzimi, ndoshta muzat? Poezia simboliste franceze gjen shprehjen e vet më të lartë në këto vargje. “Ujdhesa” është një peizash jashtë kohës, një përzierje e reales dhe ëndrrës, që në njëfarë mënyre kthehet në një interpretim metafizik të jetës dhe artit.
    “Lindja e aurorës” është një tjetër poezi me shumë rrafshe e Ungaretti-t. Në fakt, në kuptimin e parë, përkthimi do të ishte “Lindja e agut (agimit)”, mirëpo duke qenë se “aurora” nuk përfaqëson vetëm agimin e ditës së re, por edhe vashën e qashtër që dashuron poeti, aurora (e cila në fjalorin e shqipes ekziston me të drejta të plota) i përmbush të dyja kriteret e lojës së poetit, duke mos e vënë në vështirësi zgjedhjeje shumë të madhe përkthyesin. Ajo çka ndryshon në fund të poezisë është peizazhi, por ai ka si referencë edhe figurën femërore, butësinë e së cilës poeti e ka imagjinuar pështjellë në mantelin e qiellit.
    Sidoqoftë, përshkrimet që kemi dhënë më lart janë veçse ndjesi të përkthyeses dhe i mbetet lexuesit tanimë të rrëmojë symbyllur në shpirtin e poetit, sepse në fakt, poezinë e Ungaretti-t, nuk mundet thjesht ta lexosh, por duhet të mbyllësh sytë e ta përfytyrosh çdo fjalë e çdo varg, atëherë do ta ndiesh plotësisht e thellësisht kuptimin e saj.

    O NATË

    1919

    N’angështinë e paanë të agut
    Larohen tej kurorat.

    Zgjime sëmbuese.

    Gjethe, motra gjethe,
    Ofshamën tuaj mbaj vesh.

    Vjeshtra,
    Shende të mekura.

    O rini,
    Posa ka shkuar koh’ e ndarjes.

    Qiej të lartë të rinisë,
    Hov i lirë.

    E tash shkretì jam.

    Tretur në të kërrusurën brengë.

    Por nata davarit largësitë.

    Heshtje oqeanike,
    Fole yjore ëndërrimesh,

    O natë!


    PEIZAZH

    1920

    Ag
    Ka një kurorë mendimesh flladitëse,
    Feks në ujin e lulëzuar.

    Mesditë
    Male të tkurrura në rrjedha ujëpakë dhe shkretëtira
    pushtuese drithëron padurimesh madje dhe gjumin turbullon
    madje dhe statujat turbullohen.

    Mbrëmje
    Tek përflaket i bie më të që është e zhveshur, e ndezura
    bojëtrëndafil në det e blertë e errët bëhet,
    po s’është veçse sedef.
    Kjo valë turpi ndër sende zbulon veç për një hop,
    duke përligjur kështu melankolinë njerëzore,
    tretjen e paskaj të gjithçkaje.

    Natë
    Tërësej është ndehur, zbutur, trazuar.
    Fishkëllima trenash të ikur.
    Ja tek shfaqet, se dëshmitarë nuk ka më,
    edhe fytyra ime e vërtetë, kapitur e zhgënjyer.


    KUJTIMI I AFRIKËS

    1924

    Kurrë më tani mes fushës pa kufir
    Dhe detit pa anë s’do vetmohem, as të përvuajtur
    Prej epokash të lashta, s’do ndiej të treten tingujt,
    Të qashtër, në ajrinë e kthjellët; as më
    Hiret e paarrira nuk do t’i zbulojë
    Dhe në trajta përrallore nuk do t’i lëvdojë
    Kjo fantazi marroke,
    As Dianës veshur me petk drite shpuzë
    Që shfaqet nga e rralla palmishtë,
    Nuk do t’i rend pas
    (Kryelartë, n’akullsinë e vet verbohej,
    Po paskaji i kadifenjtë
    Ia ndiqte sytë atje ku i hidhte
    Gjakime orëzeza duke përzhitur,
    Përngaherë).

    Veç vijë e avullt është deti
    Që dikur tërbim e harbim ish,
    Dhe kupë mjalti, jo më i shijuar
    Për të mos vdekur etje, më duket
    Fusha, dhe i përkori gji i Dianës hir
    Opalesh, as lehtas
    Nuk regëtin.

    Ah! Ky çast err e shuan kujtesën.


    UJDHESA

    1925

    Te një breg ku e përjetshme ish mbrëmja
    Me të moçme selvi mendimtare, zbriti,
    Dhe thellë kuturisi
    Në beh e zu fëshfërim’ e flatrave
    Që nga regëtima e çjerrë
    E ujit të zhuritur u ngrit,
    E një vegullí dalloi (aty venitej,
    Aty gjallohej);
    Tek ngjitej sërish pa
    Që nimfë ish ajo e më këmbë
    Flinte, me vidhin qafuar.

    Vetmevete tek endej nga përhitja
    Në shpuzë të gjallë, në një lëndinë shkeli ku
    Hija në të virgjëreshave sy
    Nanuritej si
    Mbrëmja rrëzë ullinjve;
    Rigonin kurorat
    Një shi të plogët rrezesh,
    Dhentë koteshin
    Nën të butën ngrohtësirë,
    Të tjera savanin e përndritur
    Nduknin;
    Duart e bariut, qelq i
    Lëmuar nga eth’ e mekët.


    LINDJA E AURORËS

    1925

    Me petkun e butë e brerore,
    Syfshehur,
    Plot shpoti, ngjan se të grish,
    E prej gjirit,
    Të zbehtën lulethëngjill
    Zhvesh e hedh, e dëlira natë.

    N’atë çast ndahet më e para bardhëllimë
    Nga më e fundit drithërimë.

    Në t’qiellit zgrip, e irnosur vorbullën gris.

    Me gishtërinj të smeraldtë
    Valë të vagullta thurin
    Pëlhurë.

    E të praruarat hije, tek heshtojnë të gjallat
    Psherëtima të vetvetishme,
    Në vilarë të hollë i kthejnë hullitë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË