(Pse, dreqin, kemi frikë nga letërsia për fëmijë?)
Ligji i parë i komunikimit thotë se është e pamundur të mos komunikosh. Kjo do të thotë të implikohesh në pikëpamje konkrete dhe praktike. Ligji i dytë i pohon se ne mund të komunikojmë në disa nivele, me gjuhën por edhe përmes kanaleve të tjera që i japin konotacion të ashtuquajturës përmbajtje denotative e gjuhës. Ligji i tretë flet për aspektin pragmatik të komunikimit, kjo është ajo që ne duam të arrijmë kur i komunikojmë diçka dikujt. Për shembull kur një fëmijë vjen tek ju dhe ju thotë Sa i bukur ky stilolapsi me pelikan! Unë nuk kam një të tillë nuk e kërkon drejtpërdrejt stilolapsin, por është e qartë se çfarë do të thotë[1]. Në këtë kompleksitet marrëdhënia shfaqet në dy nivele: praktike/reale dhe e presupozuar. Kjo marrëdhënie dynivelëshe vështirëson deshifrimin…dhe kjo ndodh jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në botën e letrave. Letërsia është një fjalë e vështirë (Williams 1976: 183)[2], shkruan Uilliams dhe sipas tij kjo ndodh, sepse sensi i zakonshëm i fjalës duket shumë i lehtë në të kuptuar, por kur gjendemi para pyetjes se cilët libra, cilët romane, cilët autorë duhet të hyjnë në kategorinë e letërsisë, pashmangshmërisht, shfaqen problemet e para.
Ky dualitet paradoksal paraqet po kaq vështirësi edhe në fjalën fëmijë/fëmijëri, sepse duket po i njëjti evazion kur ndodhemi para pyetjes: këto fjalë, çfarë nënkuptojnë në situata dhe kontekste të caktuara (të ndryshme, specifike)?
Pikërisht këtu problemi ndërlikohet edhe më shumë kur interferojnë mes tyre komunikimi, letërsia, fëmija/fëmijëria të gjitha së bashku në letërsinë për fëmijë.
Çfarë bën pjesë në letërsinë për fëmijë? Sipas Lesnik-Obërshtein[3] në letërsinë për fëmijë bëjnë pjesë një kategori librash ekzistenca e të cilëve varet pikërisht nga një sërë marrëdhëniesh të supozuara me një publik të caktuar, atë të fëmijëve (Lesnik-Oberstein 2002: 15).
E ndërsa në botë kritika që e trajton këtë letërsi është quajtur kontradiktore[4], në Shqipëri ajo pothuajse nuk ekziston fare[5]. Nëse vështirësia qëndron në faktin se kritikës i takon të analizojë në një të vetme dy koncepte: atë të letërsisë dhe atë të fëmijërisë, kjo do të kërkojë detyrimisht një studiues të formuar jo vetëm në fushën e letrave, por edhe në atë të psikologjisë, pedagogjisë, linguistikës, etj, pra pak a shumë një sasi dijesh konjitive, të cilët kanë të përcaktuar më së pari objektin e hetimit. Në të vërtetë, në kohën që botimet për fëmijë sot janë më produktivët në tregun[6] europian dhe atë shqiptar, kritika ka ngërçet e saj në botë dhe paragjykimet e ankthshme në Shqipëri. Jo pak raste ajo është paragjykuar si një letërsi e padenjë për të marrë vëmendje, sepse është parë si tepër e thjeshtë, mediokre dhe jo fort e thellë. Ky paragjykim i ardhur më së pari nga përcakimi që termi sjell me vete letërsi për fëmijë, kufizon audiencën, por njëkohësisht indiferenca që shoqëron këtë tipologji shkrimi, tregon/ rrëfen edhe një herë për hapat e vegjël që ka bërë njerëzimi në drejtim të vlerësimit ndaj pjesës më sensitive dhe më të rëndësishme të shoqërisë: fëmijëve.
Po të hedhim sytë në një rrafsh diakronik të letërsisë në botë, do të vërejmë se në historikun e saj letërsia ka njohur disa perceptime të lexuesit të kësaj letërsie, të cilat ndikuan fort në politikat botuese të shtëpive të mëdha editoriale: Alice`s adventures in Wonderlan (Carroll, Lewis (Dodgson, Charles Lutwidge, publikuar nga New York: D.Appleton & Co, 1866), fill pas botimit nis përkthimin për të arritur deri në 175 gjuhë, duke u bërë me shumë gjasa, libri më i lexuar i kohërave, deri sa pa dalë Harry Potter …
Harry Potter, i cili kapërceu gjithë pritshmëritë, duke u cilësuar çmimi i parë letrar i të gjitha kohërave[7] arriti të mposhtë edhe paragjykimin e etiketimit të letërsisë për fëmijë si një zhanër minor. Sipas Helenë Johansen[8] (Helene Johansen) Letërsia për fëmijë si fushë studimi ka fituar vëmendjen si një zhanër i rëndësishëm në dekadat e fundit edhe për shkak të suksesit të madh ndërkombëtar të romaneve si ato të serisë Harry Potter, të përkthyera në shumë gjuhë.
Po në letërsinë shqipe, a duhet konsideruar një kthesë e tillë, apo i vetmi roman dhe personazh që theu njëtrajtshmërinë e botimeve të këtij zhanri i përket një epoke të shkuar (është fjala për të famshmin dhe të mrekullueshmin Çufo) e më pas heshtja që pasoi ngriu zahnrin për ta sjellë këtë acar deri në ditët e sotme?
Argumentimin e skepticizmit me të cilin e ka fokusuar kritika shqiptare letërsinë për fëmijë dhe statusin e saj do ta mbështesnim në disa të dhëna kokëforta që përcaktojnë në të vërtetë dhe moralitetin me të cilin trajtohet zhanri dhe audienca e tij:
-për disa vite Panairi i Librit, si institucion i rëndëishëm i publikimit, shpërndarjes dhe vlerësimit të letërsisë, nuk i jep çmim asnjë vepre të letërsisë për fëmijë (viti 2018, viti 2019, viti 2021)
-Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në vitet 2020-2021, përgjatë tetorit, në kuadër të muajit të letërsisë, nuk organizon asnjë event për letërsinë për fëmijë në gjuhën shqipe (vetëm nëse konsiderojmë përgjatë këtij viti vlerësimin e përkthimit të letërsisë për fëmijë nga gjuha kineze).
-Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit akordojnë fonde për konkurse në këtë zhanër (një zot ua di se mbi ç`kritere bëhet përzgjedhja e fitueseve!!!), por asnjë projekt që të përfshijë stimulimin dhe motivimin e saj.
-Shtëpitë botuese janë skeptike ndaj letërsisë për fëmijë në gjuhën shqipe, e demonstruar kjo me minorancën e titujve në shqip të këtij zhanri, krahasuar me përkthimet.
Për analogji, kjo panoramë të kujton thënien po aq skeptike dhe nënvlerësuese të Kroçes[9] më 1974, i cili pohon cinikshëm se arti për fëmijët nuk do të jetë kurrë art i vërtetë (Croce 1974: 116)
Duke kërkuar shkaqet e këtij mosvlerësimi apo edhe vlerësimi margjinal, përtej politikave dhe mendjemadhësive institucionale, gjykojmë se roli didaktik që ka luajtur kjo letërsi që nga hapat e parë të saj në terrenin shkollor shqiptar (kujtojmë poezitë didaktike të N. Frashërit, për emergjencat e shkollës së parë shqipe) dhe më vonë orientimi i saj drejt pedagogjisë, ideologjizimit dhe moralizimit përgjatë viteve të diktaturës, e kanë përjashtuar në mënyrë efektive letërsinë për fëmijë nga kanuni letrar: meqë arti i vërtetë nuk është i orientuar, letërsia për fëmijë nuk mund të jetë art i vërtetë. Ky gjykim dhe pushteti autoritar i institucioneve që e përcjellin atë në mënyrë indirekte, kanë përcaktuar prej kohësh izolimin e letërsisë për fëmijë në fushën pedagogjike dhe kanë ushqyer një paragjykim estetik mbi të cilin bazohet sot pavëmëndja ose vëmendja sipërfaqësore e kritikës letrare shqiptare.
Dhe kjo shfaq konstatimin/dilemën: a kemi një sistem më vete të letërsisë për fëmijë, brenda sistemit të plotë të letërsisë shqipe?
Për këtë dilemë nuk kemi gjetur ende një përgjigje, për aq kohë sa kjo letërsi vijon të vlerësohet nga lidhja e ngushtë me rolin e saj didaktiko-moralizues dhe nga tregu.
Me synimin për të qartësuar shkaqet e këtij margjinalizimi ne mund të parashtrojmë disa prej tyre (sipas gjykimit tonë):
-mungesa e politikave për ta mëkëmbur atë (asnjë projekt kombëtar, ministror apo i ardhur nga QKLL për letërsinë për fëmijë në gjuhën shqipe[10]);
-letërsia për fëmijë, në gjykim tradicional (dhe jo vetëm në Shqipëri) është vlerësuar e lidhur ngushtë me shkollën. Sipas Kartës[11], komponenti didaktik, konsiderohet në sistem një pengesë për një vlerësim të plotë të vlerës estetike (Karta 2012: 46) ndaj dhe sistemi e pozicionon në margjinat e tij;
-në anketimin e 354 prindërve të rastësishëm në disa qytete të Shqipërisë, 64.3% e tyre e rolin parësor të letërsinë për fëmijë e lidhin me shkollën dhe përgjegjësinë ia delegojnë asaj; 24.1% me familjen dhe 11.6% me arsyer të tjera;
-e trajtuar si letërsi e qëllimshme, letërsia për fëmijë përjashtohet nga partneriteti me letërsinë e vërtetë.
E përjashtuar ose në kufijtë e studimeve letrare, letërsia për fëmijë është, nga ana tjetër, thelbësore për formimin e fëmijëve dhe të të rriturve. Dëshmi e këtij vlerësimi është fakti se prej më shumë se gjysmë shekulli IBBY[12] (International Board on Books for Young people) ndihmon zhvillimin e këtij zhanri dhe motivon e financon projektet për lëvrimin e tij. Pol Hezërd[13] (Paul Hazard ), pohon se Letërsia për fëmijë mund të mos përfillet, me kusht që të mos përfillet as bota, në të cilën një shpirt nacional formohet dhe ruhet. Ndërsa Xhuzepe Fançuli[14] (Giusepe Fanculli) këmbëngul se Letërsia për të rinj është hyrje e domosdoshme në edukimin e përgjithshëm e të atij popullor në kuptimin demokratik të fjalës; është një instrument i formimit njerëzor; është pasqyrë dhe shprehje që një fëmijëri e caktuar të formojë shoqërinë e së nesërmes. E, para së gjithash, një mjet i sigurt për arritjen e mirëkuptimit e të paqësimit të popujve.
Në kontekstet e shqipes do të përmendnim pohimin e personalitetit të letërsisë për fëmijë Bedri Dedes[15] i cili duke kundërshtuar mendimin e disa studiuesve që e konsideronin nënsistem letërsinë për fëmijë, pohon se ajo qe nënsistem me fabulat e Ezopit, Fedrit dhe La Fontenit, por në shekujt XVIII-XIX, letërsia për fëmijë u kthye në një sistem të pavarur artistik, me veprat e Sharl Perosë, Hans Kristian Andersenit, ëllezërve Grim dhe A.S. Pushkinit dhe kështu vazhdoi si shtet i pavarur i botës së arteve.
Ndërsa Astrit Bishqemi[16] (Bishqemi 2004: 10), duke vlerësuar shprehësinë dhe komunikimin e kërtij zahnri thotë se gjuha e veprës letrare për fëmijë është një nga përbërësit kryesorë që e veçon atë nga gjuha e veprës për të rritur. Dhe këtë pohim Bishqemi e zgjeron duke e argumentuar mëvetësinë dhe përparimn e këtij zhanri nëpërmjet stilit të veçantë, tematikës, etj.
E vërteta është se sot, globalizimi e ka bërë të konkurueshëm letërsinë për fëmijë në llojin e saj codex, sepse duke e gjetur terren të përshtatshëm për tregun (dhe komercializmin në këtë kontekst) target-grupin e fëmijëve dhe adoleshentëve, ka prodhuar paketa konkuruese me objektiva të qarta ofensive (rishkrime të përmbledhura, përshtatje tekstuale në vidiolojëra, transliterime në zhanre të reja audiovizive, etj) të cilat, duke qenë të gjitha pjesë e atij tregu kulturor të identifikuar nga target-grupi që përcaktuam, bëjnë që libri të kthehet në një produkt kulturor ndër të shumtët dhe si fenomen margjinalizues transferohet jo vetëm letërsia për fëmijë, por krejt letërsia. Vetëm se dëmit të parë të letërsisë për fëmijë të shkaktuar nga sistemi, i mbivendoset edhe ky dëm tjetër joletrar, i cili e degdis akoma më në skaje letërsinë për fëmijë.
Megjithatë, do tentojmë të bashkojmë disa nga qasjet e mundshme të studiuesve që janë marrë me këtë zhanër, qasje të cilat lidhen me mënyrat sesi duhet t’i referohemi letërsisë për fëmijë. Përkrah referencës së Lesnik-Obërshtein, të cituar në hyrje të këtij punimi, do vendosnim Inoçentin[17] (Innocenti 2000: 8-9), i cili identifikon tre kuptime kryesore të letërsisë për fëmijë: letërsi edukuese; letërsi e zgjedhur dhe prodhim letrar për fëmijë. Bjelinski[18] ka konsideruar letërsi të vërtetë për fëmijë vetëm atë letërsi e cila lexohet me kënaqësi jo vetëm nga fëmijët, por edhe nga njeriu i burrëruar dhe plaku.
Në kundërshtim me Zipesin[19] (Zipes 2001: 40), i cili mohoi letërsinë për fëmijë dhe fëmijërinë vetë si institucion jo vetëm moshor, vlerësojmë mendimin e Morin[20] (Morin,1993), sipas të cilit …letërsia për fëmijë përfshin korpusin shumëformësh të teksteve nga ku merr jetë, si dhe përfaqësimet dhe imazhet e fëmijërisë për të cilat rrëfen:
libra dhe figura që përfshijnë vajza dhe djem si lexues të vërtetë, në një marrëdhënie ku marrin pjesë në mënyra dhe role të ndryshme figurat e rritura të përfshira në marrëdhënien edukative, afektive, autoriale, rrëfyese.
Dhe që kjo pasuri të vendoset në marrëdhënien mes vetes dhe marrësit të saj, padyshim ka nevojë për ndërmjetësinë e kritikës. Duke qenë letërsi e mirëfilltë, ky zhanër ka rregullat e tij, funksionet, mes të cilëve besojmë se më i rëndësishmi është kontributi që fëmijëria të skalitet në arkitekturën e duhur imazherike, sepse përmes gjuhës librat për fëmijë i mësojnë fëmijët të jenë të tillë (fëmijë) dhe kjo të qenit i tillë nuk është gjë tjetër veçse respektimi i asaj që një kulturë e caktuar e konsideron qenësi të natyrshme të fëmijërisë [21] (Nodelman 2002: 77).
Ashtu si fëmijët që në librari vijnë me urdhrin e posaçëm përzgjedhës të prindit, ashtu edhe mes prodhimit të librit për fëmijë dhe destinacionit të tij ka asimetri derivuese. Të rriturit shkruajnë, prodhojnë dhe kontrollojnë letërsinë e destinuar për fëmijë. Pushteti i këtyre të rriturve, sikurse e dëshmon dhe indiferenca institucionale në vendin tonë, i krijon pozita inferiore letërsisë e cila në një farë mënyre ka në duart e saj vlerat e së ardhmes. Nëse kritika do të ishte aktive dhe pse jo agresive, atëherë kjo asimetri nuk do të ishte aspak problematike, sepse kritika do të përcaktonte se se cilët libra janë të mirë për fëmijët dhe, veçanërisht, të mirë në aspektin e vlerave emocionale dhe morale [22] (Lesnik-Oberstein 2002: 16). Megjithatë, pothuajse gjithmonë, e mirë do të thotë e përshtatshme: përmes ideve të fëmijës duhet të strukturohen debatet mbi atë që është e përshtatshme ose jo për fëmijët/fëmijërinë.
Bibliografi
Beckett Sandra L., Crossover Fiction: Global and Historical Perspectives, London – New York, Routledge, 2009.
Berisha Anton, Poezia për fëmijë e Mark Krasniqit, Prishtinë 2002.
Bishqemi Astrit, Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë, Sejko 2004.
Carta Giorgia, The Other Half of The Story: The Interaction Between Indigenous and Translated Literature for Children in Italy, PhD Thesis, University of Warwick, May 2012.
Croce Benedetto, La letteratura della nuova Italia, vol. 5, Bari, Laterza 1974.
Dedja Bedri, Mesazhe nga takimi ballkanik i letërsisë për fëmijë, Mësuesi, 22 nëntor 2000.
Edgar Morin, Introduzione al pensiero complesso. Milano: Splerling & Kupfer, (ribotim) 1993
Innocenti Orsetta, La letteratura giovanile, Bari, Laterza, 2000.
Jack Zipes Sticks and Stones: The Troublesome Success of Children’s Literature from “Slovenly Peter” to “Harry Potter”, London – New York, Routledge, 2001.
L’immaginario politico. Impegno, resistenza, ideologia, Eds. S. Albertazzi, F. Bertoni, E. Piga, L. Raimondi, G.
Lesnik-Oberstein, Karín – Thompson, Stephen, What is Queer Theory Doing with the Child?, Parallax 8.1 (2002).
Nodelman, Perry, Decoding the Images: Illustration and Picture Books, Understanding Children`s Literature, Ed. Peter Hunt, London – New York, Routledge, 2002
Tinelli Between, V.10 (2015).
Williams, Raymond, Keywords. A Vocabulary of Culture and Society, New York, Oxford University Press, 1976.
Zanfabro Giulia, Chi ha paura dei libri per bambini/e? I presupposti della critica: una questione politica,
https://www.ibisworld.com/united-kingdom/market-research-reports/childrens-book-publishing-industry/
https://www.statista.com/statistics/411524/children-and-youth-books-revenue-share-germany/
http://www.journals.uio.no/osla
http://www.Betweenjournal.it/
[1].https://www.vivoscuola.it/content/doënload/3932/122034/file/I%20PERCORSI%20EVOLUTIVI%20DEI%20BAMBINI%20E%20INDICATORI%20DI%20RISCHIO.pdf
[2].Williams, Raymond, Keywords. A Vocabulary of Culture and Society, New York, Oxford University Press, 1976.
[3].Lesnik-Oberstein, Karín – Thompson, Stephen, “What is Queer Theory Doing with the Child?”, Parallax 8.1 (2002).
[4]. Zanfabro, Giulia, “Chi ha paura dei libri per bambini/e? I presupposti della critica: una questione politica”, L’immaginario politico. Impegno, resistenza, ideologia, Eds. S. Albertazzi, F. Bertoni, E. Piga, L. Raimondi, G. Tinelli, Between, V.10 (2015), http://www.Betweenjournal.it/
[5].Pak autorë janë marrë mirëfilli me kritikën e letërsisë për fëmijë në gjuhën shqipe, ku për prurje me shumë vlera do të veçonim Astrit Bishqemin dhe Anton Nikë Berishën
[6].Pro këtij argumenti sjellim të dhëna nga disa tregje të mëdh botimesh në Europë:
https://www.ibisworld.com/united-kingdom/market-research-reports/childrens-book-publishing-industry/
https://www.statista.com/statistics/411524/children-and-youth-books-revenue-share-germany/
[7].Beckett, Sandra L., Crossover Fiction: Global and Historical Perspectives, London – New York, Routledge, 2009.
[8].http://www.journals.uio.no/osla
[9].Croce, Benedetto, La letteratura della nuova Italia, vol. 5, Bari, Laterza 1974.
[10].I vetmi që përmendet është një konkurs i nxituar i qershorit të vitit 2018, organizuar nga e sapolindura QKL, synimi i të cilit nuk u kuptua ndonjëherë, sepse nuk u shoqëruar kurrë me kritere mirëfilli letrare.
[11].Carta, Giorgia, The Other Half of The Story: The Interaction Between Indigenous and Translated Literature for Children in Italy, PhD Thesis, University of Warwick, May 2012.
[12].https://www.ibby.org
[13].Cituar sipas A.Bishqemit, Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë, Sejko 2004, fq 10
[14].Cituar sipas Anton Nikë Berishës, Poezia për fëmijë e Mark Krasniqit, Prishtinë 2002, fq 50
[15].Bedri Dedja, Mesazhe nga takimi ballkanik i letërsisë për fëmijë, Mësuesi, 22 nëntor 2000.
[16].Astrit Bishqemit, Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë, Sejko 2004, fq 10
[17].Innocenti, Orsetta, La letteratura giovanile, Bari, Laterza, 2000.
[18].Cituar A.Bishqemi, po aty, fq 16.
[19].Zipes, Jack, Sticks and Stones: The Troublesome Success of Children’s Literature from “Slovenly Peter” to “Harry Potter”, London – New York, Routledge, 2001.Në analizën e Zipes, fëmija dhe fëmijëria janë dy kategori kontingjente, të përcaktuara nga kushte të veçanta dhe të ndryshueshme socio-ekonomike. Rrjedhimisht, koncepti i letërsisë për fëmijë është po aq i ndryshueshëm, pasi i referohet asaj që grupet e përbëra kryesisht nga të rritur kanë ndërtuar si sistemin e tyre të referencës.
[20].Edgar Morin, Introduzione al pensiero complesso. Milano: Splerling & Kupfer, (ribotim) 1993
[21] Nodelman, Perry, “Decoding the Images: Illustration and Picture Books”, Understanding Children`s Literature, Ed. Peter Hunt, London – New York, Routledge, 2002: 69-80.
[22] Lesnik-Oberstein, po aty, fq 16