Me një gjest kalorësiak të rrallë, që e vendos në një kah të papritur edhe letërsinë shqipe, ndoshta deri sot, Asdreni surprizon kur në mars të vitit 1912 vëllimin e tij Ëndrra dhe lotë ia kushton një gruaje që për shqiptarët mban një emër të madh – Edith Durham, mike e fatit të shqiptarëve. Dhe për Asdrenin vetë, mike e shtetit mendor dhe e lumtësisë, që vetë atij i ndërtohen e i shkërmoqen nëpër duar.
Ky është autori i himnit kombëtar, të krijuar në vitin 1908, që në pasqyrë ka një të ardhme ende bosh, por shqiptarët i vë në përballje me veten, me izolacionizmin vetëmbrojtës dhe me tradhtinë, si rrugë katastrofike.
Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor.
Te vëllimi Ëndrra dhe lotë Asdreni është gati ta kapërcejë këtë gjendje dramatike, nën një kujdestari tjetër, duke ndier të nevojshme t’i shoqërojë poezitë e vëllimit me parathënien “Disa fjalë përpara”, si të ketë lënë një testament për të gjithë agregatin e tij. Dhe në respekt të fillimit të një shekulli, që do të sillte nëpërmjet shtetit perandorak në rënie e sipër edhe shtetin kombëtar, vetë konturet e një shteti mendor si vija kufiri dhe si prerje e parë, mund të përafrohen si vija kufiri dhe si prerje e parë, qoftë me vijat e një këmishe të bardhë mëngëgjerë, që dikur lahej me finjë, për të mbetur dritë, si për valle, si për dashuri, si për mort, por edhe për të qëndruar në makintoshë të sotëm.
Meqë në shtetin mendor është gjuha që nuk të lë të qetë edhe një këmishë e hollë pëlhure mund të sjellë ndër mend edhe lakuriqësinë, përderisa edhe gjuhëtarët zbulojnë se fjala lakuriq rrjedh prej fjalës lëkurë, të paktën si e ka përpunuar, që prej Lambertz-it, edhe Çabej.
Po kush të lë gjysmë cullak me një gjysmë këmishë, në këtë ecje të pambarim, drejt konstruksioneve shoqërore, por pa harruar veten drejt një individualizmi edhe shqiptar, ku në poezinë Mendime qetësije Asdreni thotë:
Jeta është veç një grimë,
Lumtësia një tingëllim.
Asdrenit, që ka lindur në vitin 1872, i vjen radha t’i derdhë vargjet e tij, si fustanellë palë-palë, nëpër “gurët” e rrokullisjeve poetike, që të kujtojnë edhe makinat “Singer” të Drenovës a Korçës, para se poeti vetë të nisej për në Bukuresht në moshën 13-vjeçare.
Por Asdreni përdor edhe tercina dhe tingëllima të tjera në vargjet e tij, ngjitet në veri të provojë së bashku me tirqet edhe gegërishten, t’i ngazëllohet lahutës së Malësisë dhe gjithçka bëhet edhe më e plotë, por edhe më e trazuar, si gjithë jeta.
Dhe kjo pak e vërtetë e skicuar, po të kujtosh himnin kombëtar, ku Asdreni ka krijuar tekstin, bën që ai t’i dalë lexuesit përpara si në foto, i veshur me kostum dhe papijon, në mënyrën më ceremoniale të mundshme, shumë i ngjashëm me burrat e sotëm të çdolloj solemniteti, përjashto sportistët shqiptarë.
Ky himn kombëtar, si levë Arkimedi për fatin e ekzistencës shqiptare, e ka bërë Asdrenin edhe një “donator” të aureolave të ardhshme të lavdisë së çdo pushteti, duke përfshirë edhe atë të merhumëve të çfarëdollojshëm. Por kjo i ka siguruar Asdrenit fatin e një ministri pa portofol dhe duhet thënë se në këtë himn është pranuar edhe palumturia.
Por palumturia asnjëherë nuk ka lidhje me hidhërimin, të cilit nuk mund t’ia zërë vendin.
Palumturia ekziston për të shkruar vazhdimisht promemorie të reja të botës. Me këtë palumturi, si tregues i stadeve të pjekurisë së njerëzimit, edhe letërsia botërore ka sjellë vepra të mëdha.
“Nuk është mjaft, – thotë Asdreni në parathënien e tij, – që të hidhesh në fushë të luftës me fjalë, për zhvillimin e një ndjenje mendore, por është nevojë të ndihesh se bën gjë e të dëftosh me vepra”.
Nuk është rastësi që ai ndodhet vetëm disa muaj më pas i ulur pranë Ismail Qemalit, kur gjithë shqiptarët e kolonisë së Rumanisë e bekojnë në rrugën “rreth flamurit të përbashkuar për një dëshirë e një qëllim”.
Dhe parathënien “Disa fjalë përpara”, sikur e mbajnë mbi shpinë të gjithë poezitë e vëllimit të tij, të cilat ndajnë dhe përafrojnë edhe lumtësinë me ëndrrat dhe lotët.
E po Asdreni e shkroi vetë parathënien se nuk kishte mundësi të paguante ndonjë tjetër, mund të dëgjosh në rrethana të konstruksioneve të sotme. Por edhe këtë elasticitet të një gjendjeje mendore Asdreni nuk kishte si të mos e kishte parasysh që në atë vit 1912.
Dhe ai vazhdon të përgjigjet për veten e tij deri sot:
Edhe unë desha një arkë si të tjerë,
Ta mbush, ta ngjesh, me ergjent e me flori,
Ta mbyll, ta hap e pranë gjithë t’i rri,
Të vë dhe zemrën brenda që të flerë.
Por në anën e tij është vetë gjuha shqipe, e cila artikulimin e fjalës zanë, kësaj qenieje gjysmëhyjnore të fatit, e ka pranuar para artikulimit të fjalës djall, dhe kjo, sipas gjuhëtarit të madh Çabej, vetëm nga shndërrimi në tingëllima të ndryshme dhe në periudha të ndryshme të dy bashkëtingëlloreve [dj], aq të vogla pranë njëra-tjetrës. Kësisoj, shtetin mendor të shqiptarëve mund ta zbulosh që në konstruktet e ndërtimit të fjalës shqipe, ku Asdreni që nga larg derdh si piper në vendimet e Kongresit të Manastirit dallimin midis shkronjës z dhe x. Dhe në këtë parathënie Asdreni thekson se “shkrimi i gjuhës është ay mrekulli, ajo çudia që bëri aq ndryshime në zhvillim të kombeve, që kanë bërë çape gjigante në çdo degë diturije dhe mjeshtërije, ai ndryshim po bëhet i ngadaltë po i sigurt edhe në shtet mendor tonë”.
Duket sikur është shkruar në kompjuterat e sotëm, në Macintosh ose në Apple.
Dhe ai merr penën për të shkruar për këtë tejkalim të konceptit të shtetit kombëtar.
Kështu, në këtë rrugë mijëravjeçare të një ndërgjegjeje fjalëformuese ose fjalëpërthithëse Asdrenit i ka rënë në pjesë të krijojë fjalën lumtësi si yllësi. [I lumi/ I lumi ti/ E lumja ti/ Të lumtë/ I lumtë/ Ljumi/ lumni/ Të marrtë lumi/ E mori lumi.]
Një histori e vërtetë e shprehur te një fjalë…
E ndoshta për natyrë të shqipes, që kur nomadët e mijëravjeçarëve u ndien të lumtur sa gjetën një lumë pranë të cilit mund të ndërtonin jetë. Dhe që prej mijëravjeçarësh thellë, si thonë gjuhëtarët e cituar nga Cabej, edhe Zanat, a Dianat, a shtojzovallet quheshin të lume të natës.
Mirëpo një përgjigje të plotë për prejardhjen në shqip të fjalës lumturi, nga më të kërkuarat në botë, nuk na e thotë asnjë studiues, more as Petersen, more as Hahn, more as Çabej, sikur vetëm ndonjë poet ta ketë pasur në mendje. Një lloj përgjigjeje jep Asdreni vetë, në parathënien a promemorien që shoqëron vëllimin Ëndrra dhe lotë, ku edhe lumtësia ka të drejtë të fitojë veshjen e vet, përderisa edhe shkrimtarët jetojnë “për t’i mveshur mejtimet e tyre me rrobën e realitetit”.
Kjo është lumturia e copëzuar prej njerëzve dhe e zbritur prej lavdisë qiellore, atë që aq shumë e gatuan lëvruesit e parë të mëdhenj të gjuhës shqipe, shumë më parë sesa të fillonte shekulli XX.
Dhe ka rëndësi që poezitë e tij të vitit 1912 tingëllojnë edhe sot si kambana a këmborë, për të ndier çfarë vlon në atë vit vendimtar për shqiptarët.
Por njëkohësisht ato formësojnë kaq patundmësisht atë botë mendore që këmbëngul qëndrime të njëjta në faqet e gazetave dhe emfazat e ditës, në mendje ballkanike, si që 110 vjet më parë.
Por arti i lubrifikon lotët në ndarje të mëdha, i shpërndan ata në stinët të cilave ai u këndon një nga një, në ngricat e dimrit të Korçës, Drenovës apo Bukureshtit dhe deri te vesa e trëndafilave. Sepse edhe Asdreni e di se ekziston lumtësia, a lumnija edhe më përkëdhelëse dhe e veçantë rrëshqitëse, krejt ndryshe prej lumturisë, që bëhet edhe më tokësore me ndihmën e një shkronje: u.u.u.
Kjo U që zbret drejt “graund zero” shfaqet te poezia Zëri i kryengritësve.
Asgjë nuk duam nukë,
Veç armë dhe ca bukë.
Por edhe lumtësia që është e pranueshme, sa për Asdrenin mund ta identifikoje me një thëllëzë të pafole edhe botën vajzërore, rrënjëdalën që kërkon të mbijë diku, për poezinë arbëreshe.
A thua se lumtësia në këtë botë vjen vetëm me trupin e femrës.
Herë me dashurinë e nënës, derë me fytyrën e vajzës së dashuruar, mes kësaj bote, ku i duhej të kalëronte edhe Edith Durham. Por po të jesh edhe më kureshtar për jetën e kësaj gruaje, që sikur arrin të zbulojë edhe gjithë dashurinë e Bajronit, mund të mësosh nga një kërkim i shpejtë edhe për pasionin e saj për të studiuar reptilët.
Dhe ndoshta ka ajo nevojë t’i afrohet botës shqiptare ku Asdreni te poezia Vajza merr dritën e hënës, e përfshirë në vëllimin Ëndrra dhe lotë, këndon.
Vashë dil si hënë e plotë,
Midis luleve që ke mbjellë,
Hidh një lule me përcjellë,
Të qetohem, të fle ngrohtë.
Dhe në shtetin mendor duket se ka dy alternativa. Ose zemra të vendoset në kasafortën ku vihen paret, pra të jesh i vdekur, ose të flesh ngrohtë i mbuluar me petalet, ku gjithçka kërkohet kaq me kursim, drojë dhe finesë. Derisa merr vlerë një epitet kaq i thjeshtë, deri përtej vdekjes, si asosacion, nga qetësia e gjumit që jep dashuria.
Midis kësaj konkurrence duhej të kalonte edhe më tepër se gjysmë shekulli, nga koha e proklamatave të para, për beteja të triumfit të gjuhës shqipe, që një burrë që kishte luftuar aq shumë për pavarësinë t’u fliste shqiptarëve se sa më i rëndësishëm se një shtet, me policë dhe gjykata, bëhet shteti mendor, si burim shpëtimtar për qëndrimet ndaj jetës.
Ky është Asdreni, në betejat për personalitet kolektiv dhe individual dhe nuk mund të ishte ndryshe.
Edhe më sfilitës bëhet shteti mendor për jetën e një shkrimtari, që veprat e tij kërkon t’i ngrejë njësoj si flamurin. Në parathënien e librit që shënon një zenit të vitit 1912, Asdreni shkruan: “Dihet se me çdo komb fillimi i çdo lëvizjeje të shoqërisë është bërë duke vajtur dora-dorës letërsia me politikën, se duke e shtyrë njëra-tjetrën mbushen dëshirat e të dyja palëve dhe pastaj, si mbarohen ato që ishin për t’u bërë, merr secila udhën e saj veçan.”
Kjo pavarësi që kërkon Asdreni të kujton atë te Xhejms Xhojsi, që në vitin 1922 boton Uliksin, një nga librat më universalë të letërsisë botërore, ose Modiljanin që, në paqen e vet krijuese të Parisit të vitit 1911, Ahmatovën e skicon si një perëndeshë greke apo romake, të shtrirë po në paqen e saj, pa e ditur askush se disa vite më vonë një shtet bolshevik i tërë gjithë jetën e saj e thith dhe e persekuton në zgavrat e veta.
Asdreni i vitit 1912 ka fshatin e tij, Skënderbeun e tij, pijetoret e tij të vjetra ku njerëzit hyjnë të harrojnë gjithçka. Dhe lexuesi e ndien se, ndryshe nga shumë kombe të tjera, shqiptarët e vitit të pavarësisë duhet të ktheheshin mbrapsht, deri te koha e Skënderbeut, sikur nën perandorinë otomane të kishin qenë thjesht nën një lloj krijimtarie jetese. Dhe si shqiptar që nga periudha skënderbeiane ka mundësi zbritjeje edhe më thellë historisë, kur mes perandorive greke dhe romake të ngritura njëra pas tjetrës, edhe Iliria, si thotë autori, ngrihej si shpatë.
Aq sa deri sot këto mbeten motivet bazë të së folmes së përditshme, të cilat vijnë nga hovet e një fundshekulli nga po lind një shekull tjetër. Dhe prej mbretërisë sa ilire sa epirote, për të ngritur një atdhe, duhet të zbrisje përsëri te kurora e Zanës si mbretëreshë.
“Si hyll mbi kryet ka për t’u ndrituar”, – i këndon Asdreni, asaj të lumes të natës, asaj lumtësie të parë që edhe në gjuhë pranohet para djallit.
Ky është Asdreni, që edhe një herë tregon se shteti mendor dhe shteti praktik, edhe nëse takohen ndonjëherë, zor të kenë një rrugë të përbashkët. Vetë Asdreni pati fat që edhe kur pati rast të kthehet në atdhe të vështrojë një shtet gjithmonë të përvetësuar, ku krijuesit gjithnjë janë të përjashtuar, kur janë me fat në lirinë e tyre, kur janë të mallkuar, të lënë si qentë e rrugëve, kur janë fatkëqij, si ka ndodhur në Shqipëri, të përpiqen t’i thithin rrotativat më tinëzare.
Më lehtë është Asdrenin ta përfytyrosh pranë lumit Drin, si në vëllimin Ëndrra dhe lotë, sikur të ishte sot, midis apatisë dhe jetës, që nënkupton gjallërinë.
Drini që rrjedh gjithë shkumb’ e valë,
Her` i rrebtë, her` ngadalë,
Kur i turbullt, kur kulluar,
Kur i qetë, kur i trazuar,
Që ka parë aq të ngjara,
Dhe gëzime dhe të qara.
Dhe në kontrast njeriu i tij i vitit 1912.
Sot një heshtje një përtesë,
Me një rrojtje në shërbesë,
Është i ftohur është i ngrirë,
Pa një ndjenjë porsi i pirë.
Ky është Asdreni, që sikur kërkon, së bashku me evoluimet e sotme gjuhësore, përmbushjen e pesë prioriteteve të sotme të shoqërisë shqiptare, ose edhe shumë kërkesave të tjera të transformuara të preambulave në diçka tjetër, si lakuriqësia prej lëkurës, që do ta lidhnin vendin e tij të sotëm me Europën e sotme.
Ky është poeti të cilit Lasgushi, nga frika se mos vdiste, i lë amanet në dorëshkrim, si ka shënuar vetë, poezinë e tij kushtuar Naim Frashërit, atit të tyre shpirtëror.
Nuk është aspak e çuditshme që ky adhurues i zanave, te vëllimi Ëndrra dhe lotë lë amanet për shqiptarët edhe emrin e Edit Durhamit “si shenjë nderi dhe venerimi për veprën e saj, me shkrime dhe me punë, që i solli kombit shqiptar”, kur dihet se edhe muza edhe arti i perëndimit, po të lërohen edhe te ne “do të shporet shpejt ajo, ai gjumi dhe përtesa e Lindjes”.
Duket sikur edhe atë poezinë për zanën, të lumen e parë, ia ka kushtuar asaj, derisa i dedikon posaçërisht edhe vargje.
Me pendën e me fjalën si ar i kulluar,
Me shpirtin tënd fisnik plot njerëzi,
Për ne si një engjëll qiellit je dërguar.
Nuk është “Godiva” mbretëresha e poezisë së Alfred Tenisonit, e përshtatur prej poetit shqiptar, gruaja që i lutet bashkëshortit t’i shpëtojë njerëzit nga tirania dhe kur i vihet si kusht, pranon kalërimin e saj të lakuriqtë.
A ka rënë në dashuri Asdreni që larg, sa për spekulim të ngjarjeve, apo autori i mëvonshëm i Kalorësit të Krujës dhe Psallmeve të murgut, në botën e mbushur plot tradhti, si në një fill delikat gjen lidhjen nëpërmjet kësaj gruaje, që edhe sot ringjallet në shtypin e përditshëm. Dhe mjafton kjo poezi, ku jo si Rreze dielli, si e quan ai vëllimin e tij të parë, por si lule dielli, të gjithë drejtimin e poezive te vëllimit Ëndrra dhe lotë ta kthejë drejt një civilizimi të shumëpritur, me të cilin merr kuptim edhe viti 1912.
Ndërsa si re mbi shtetin real dhe mbi shtetin mendor asnjëherë të puqur bashkë qëndrojnë vargjet që sikur ndajnë dy botët.
A lumtësi! Sa herë s’të kam kërkuar,
Si rrezet e një mëngjezi të shëndritur,
Si dritën e një syri të kulluar.
S’di vallë vendi yt ku munt të jetë,
S’di tendat ti se ku do t’i kesh ngritur;
Që kur të vdes të paktën, t’jem i qetë.