More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNamir Lapardhaja: Shënime për romanin “Mjalt në teh”

    Namir Lapardhaja: Shënime për romanin “Mjalt në teh”

    Ngjarjet e romanit “Mjalt në teh” të shkrimtarit Romeo Çollaku zhvillohen në një fshat të paidentifikuar të Shqipërisë së Jugut. Ato rrjedhin natyrshëm dhe përshkruajnë muajt e fundit të luftës në vendin tonë deri në ndalimin e fesë, në vitin 1967. Udhëheqësi i fshatit për një kohë të gjatë është Papateoja, një prift ortodoks që kujdeset për grigjën e tij, por që, njëkohësisht, njerëzit ia kanë pranuar, për shkak të autoritetit, edhe gjuhën e ashpër, edhe natyrën e sertë, shpeshherë edhe inatçore. Fshati, që kufizohet me Gjirokastrën, Delvinën dhe Sarandën, është një ishull i veçuar që nuk lihet të depërtojë asnjë gjë e re. Aty jetojnë së bashku dhe në harmoni të plotë shqiptarë dhe italianë të mbetur nga lufta. Leksiku i personazheve ndërtohet mbi dialektin jugor dhe është një gjuhë arkaike, e larmishme dhe që mbart koloritin krahinor të zonës për të cilën flet.

    Romani është ndërtuar mbi një grusht të paktë personazhesh, të cilët mbartin veçori dhe karakteristika që ndërtohen e zhvillohen gjatë faqeve të tij dhe që disa prej tyre ndryshojnë në varësi të kohërave të reja. Nëse më parë autoriteti më i lartë shpirtëror është prifti, që u lexon Ungjillin, dhe Kisha si institucion, që i mbledh për t’i falur mëkatet, pas ’45-tës gjithçka nis e ndryshon. I gjithë problemi i personazheve shfaqet tek gjuha, tek të folurit. I pari që ndryshon të folurin është Gogoja, i cili është larguar për disa kohë në Veri në aksion; i dyti dhëndërri i Papateos, i cili në mënyrë të menjëhershme ndërpret të folurën, pa asnjë sëmundje apo paralajmërim të mëparshëm; Stilloja ëndërron të bëhet shkrimtar i madh dhe mendon se do të arrijë famë të jashtëzakonshme. Mbyll në një zarf të madh 4 libra në dorëshkrime dhe i adreson në shtëpinë botuese, por, në vend të famës, pas një viti shfaqen në fshat dy policë dhe një civil, të cilët e arrestojnë përpara fëmijëve në momentin që është duke u dhënë mësim. E arrestojnë pikërisht në emër të popullit, të atij populli që nuk e njihte fare Stillon dhe nuk do ta njihte kurrë, përderisa botimi i librave të tij nuk ishte realizuar. Edhe Zahoja, kryetari i sapozgjedhur i këshillit të fshatit, shfaq “probleme” me gjuhën. Ai, tanimë, flet si një udhëheqës i lartë i pushtetit. Ndërsa Qesari ka zbritur një ditë në Sarandë, kur ka qëlluar vizita e Nikita Hrushovit dhe Enver Hoxhës. Pasi ka blerë pasta që t’ua shpinte nipërve në mbrëmje, në mes së rrëmujës dhe duartrokitjeve e brohoritjeve ka zgjatur kokën dhe ka parë nga afër dy udhëheqësat e mëdhenj dhe, ndryshe nga ajo që kishte parë nëpër foto të gazetave, ka kapsallitur sytë, duke thënë: “E paska plëncin sa një bic.” Më pas është zgërdhirë së qeshuri me vete. Pas dhjetë minutash është gjendur në hetuesi dhe pas tri ditësh në sallën e gjyqit. E dënojnë. 

    Të gjithë personazhet e romanit mezi e kanë pritur përfundimin e luftës, mirëpo, me mbarimin e saj, nuk dinë çfarë të bëjnë, janë ligështuar dhe janë mpirë të gjithë. Për komunistët e sapo ardhur në pushtet qarkullojnë lloj-lloj fjalësh. Si për të mos mjaftuar të gjitha këto, një ditë humbet në fshat Mëhillengjëlli. Të gjithë mblidhen për ta kërkuar, por nuk e gjejnë dot. Kthehet pas shumë vitesh në fshat. E dërgon udhëheqja për të ndaluar Fjalën e Perëndisë. Në kryeqytet është bërë i madh, drejtues dikasteri. Madje, nuk e thërrasin më Mëhillengjëlli, por Milo, shoku Milo. Ka një bashkëbisedim mjaft të bukur në faqet e fundit të romanit mes shokut Milo dhe Zahos, të cilin e ka kushëri të afërt, ku shpërfaqet karakteri i këtij personazhi tip të periudhës së diktaturës. 

    “Të tëra lajmet më vinin. Çish duken ata të di? Për Stillon e për Qesarin e kam llafin. Vunë mend në burg? Kanë ardhur në shtek të drejtë? I zbatojnë porositë e partisë?

    “E ç’ke me të shkretët? Janë njerëz të urtë, nuk kanë gjë në zëmër, shikojnë punën e tire në derë e brënda.”- ia kthente Zahoja me bezdi.

    “Po ai Miçua, Dhimitër Jeshili, flet më me vete ai? Pse mërmërin Miçua nën zë? Mos ka ndonjë pakënaqësi nga jeta jonë socialiste? Mos ka nevojë për ndonjë mësim të mirë edhe ai?”

    “E ç’thua, a derëzi! Po ai ka mërmëritur tej e tëhu, që në kohën e Zogut, të taljanit e të jermanit. E ka zakon, nuk ka ndonjë pakënaqësi nga jeta socialiste.”

    “Po Arqilea…”

    “Edhe Arqilea i tillë ka qënë ngahera. Harrove? Qëkur u kthie nga Austria, ia nxirrim llafin me grep. Nuk do ndrishojë nashinë në pleqëri. Nuk ka gjë me partinë. Biles, vetë partia i ka besuar detirën me përgjegjësi të doktorit.”

    “Po taljanin ç’e gjeti që i ka ikur goja? Ç’bluan në kokë e nuk e thotë? Mos i duhen hedhur prangat sa s’është vonë?”

    “Atë lëre e mos e nga, është i sëmurë. More kusho i dashuar, foli mëndes! Ti edhe ata të tjerët atje lart. Ç’e katranosët këtë punë kështu? Keq të flasë njeriu, se bie në burg si Stillua e si Qesari, e keq të rrijë pa folur, se prapë rreizkonet! Dhe qishën, ta dish, nëni gabim që e prishni! Këtë kodër e këta njerëz ajo qishë i mbajti me frimë e me umith! Vajte i the plakut të Perëndisë të rruajë mjekrën! Ju qofshi, çish nuk kini frikë! Megjithatë, veten tuaj paçi në qafë. U e kam dashur partinë që në dizet e pesën, po jam me një këmë në gropë nashinë, nuk ndihmoj dot. Nuk e marr dot përsipër mbilljen e qishës.”

    Mëhillengjëlli rrudhi buzë e vetulla.

    “Edhe mua më vjen keq, – tha, po është direktivë nga udhëheqja. Do prishen të tëra, qisha e xhamira, se janë pengesë në edukimin e masave. Iu futa kësaj valleje dhe duhet ta shpie ngjer në fund….”

     Është e kuptueshme se gjithçka në fshat ka ndryshuar, pasi pushteti i ri ka krijuar një ideologji dhe një udhëheqësi të re. Asaj shpirtërore ia ka zënë vendin  ajo politike dhe partiake.

    Romani “Mjalt në teh” i shkrimtarit Romeo Çollaku nuk merret me politik. Ai nuk mbron një ideologji të caktuar. Ngjarjet dhe personazhet e tij rrjedhin natyrshëm. Ata qëndrojnë mbi veçoritë dhe karakteristikat që gjithsecili mbart dhe gjuha e tyre i portretizon më së miri. Notat e ironisë së lehtë dhe humorit të hollë i përshkruajnë të gjitha faqet e romanit që përpihen me një frymë si të ishin hoje me mjaltë, të ngjashme me personazhin qendror të romanit, Papateon, i cili “merrte thikën e bukës, e zhyste në një kavanoz me mjaltë dhe e lëpinte me kujdes”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË