More
    KreuIntervistaNamik Dokle: Gora, pasqyrë ku reflektohet bota

    Namik Dokle: Gora, pasqyrë ku reflektohet bota

    Intervistë dhënë gazetarit Almir Zalihiç

    A. Z.-Kush është Namik Dokle?

    N.D.—Po të pyesësh dike “nga je?” dhe sidomos kur ai është shkrimtar, përgjigja më e saktë do të ishte: jam nga fëmijëria ime. Është ajo që lë gjurmë të pashlyera dhe shfaqet gjithnjë në format e palimpsestit gjatë viteve të krijimtarisë. Unë jam pra nga fëmijëria ime të cilën e kam kaluar në fshatin tim Borje, në Gorën e Shqipërise, pjesë e gjithë Gorës së ndarë në tre shtete. (Krejt rastësisht kam lindur në Durrës, por pak muaj më vonë kam filluar të thith ajrin e Bjeshkëve të Sharrit, ku edhe u rrita).

      Jeta ime ka kaluar mes gazetarisë, politikës dhe letërsisë. Njëzet vjet gazetar, 24 vite në politikë si deputet i zgjedhur në tetë mandate, por gjthnjë duke bartur një ëndërr: të shkruaj një triologji për jetën e njerëzve të Gorës. Rreshtat e parë i kam filluar që në vitin e largët 1978. Dhe ato jetuan brenda meje për më shumë së tridhjetë vjet. Edhe pse kam shkruar shumë drama dhe tregime, qindra artikuj nëpër gazeta, qindra fjalime parlamentare, ëndrrën për Gorën nuk e harrova asnjëherë. Më në fund e realizova, qoftë edhe një pjesë të saj, duke botuar triologjinë, ose Sagën e Gorës.

    A.Z.-Ju jeni në një kuptim shkrimtar i një “bote në kufi, i botës në tokën e askujt, i botës midis jetës dhe vdekjes, i botës së lirë në lirinë e ndaluar.” Na thoni diçka më të hollësishme për këtë “botë” mbi të cilën nderet aureola e tragjedive antike…

    N.D.— Kur u botua romani im i parë, VAJZAT E MJEGULLËS, në Sarajevë, nga shtëpia botuese Connectum, akademiku i shquar Tvrtko Kulenović, i kandiduar për çmimin Nobel, ka shkruar: “Të gjithë kemi dëgjuar për Goranët, por ka qenë e vështirë të mësonim diçka përsëafërmi për ata. E dimë që janë pakicë dhe që pakicat janë të nëpërkëmbura prej shumicave; i tillë është fati i tyre. Veçanërisht jeta e tyre rëndohet edhe më shumë, kur vijnë kohë të turbullta. Kur ata i vërvitin kudo e kush mundet, kur gjenden të rrethuar nga postat ushtarake dhe bunkerët.Në romanin e shkrimtarit Namik Dokle, kryesisht, trajtohet vendndodhja e Goranëve në Shqipërinë e Enver Hoxhës, në të cilën jeta ishte e vështirë për të gjithe, por për ata edhe më shumë, kudo që të ndodhen. Ky libër, për shumë arsye, është i dobishëm”.

      Kjo është Gora, bota e vogël për të cilën une kam shkruar triologjinë romaneske. Një krahinë me popullsi kompakte, me tradita të përbashkëta, të kultivuara në shekuj, me një identitet të formuar dhe të dallueshëm, me mitet, legjendat dhe kënget origjinale. Dhe vjen një ditë e kjo tokë dhe këta njerëz ndahen në tre shtete; Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi (tani në territorin e Kosovës) Më keq akoma, edhe sot e kësaj dite, Gorën dhe Goranët i pretendojnë, përpiqen t’i përvetësojnë, t’i quajnë të vetet katër shtete, sepse tre të parave u është shtuar edhe Bullgaria. Kjo më kujton dramën e Brehtit “Rrethi i Kaukazit”. Duket se edhe Gorën e kanë futur në rreth dhe mund ta shqyejnë, duke e tërhequr gjithsekush për vete.

      Prandaj ata jetojnë dramen e tyre shekullore “në tokën e askujt, në botën midis jetës dhe vdekjes, në botën e lirë me liri të ndaluar”. E prenë Gorën si me sëpatë, thotë një personazh i librit. Tito andej, Enveri këndej dhe mjegulla në mes. Dhe të mbuluar nga ajo mjegull e murrme, e ngjeshur dhe e ftohtë, jetonin Goranet, si jetimë në vendlindjen e tyre të largët. E vetmja gjë që u kishte mbetur ishte rezistenca shpirtërore kundër represionit të gjithanëshëm, për të ruajtur identitetin dhe origjinalitetin e gjuhës dhe zakoneve të tyre.

       Unë kam shkruar për Gorën, por disa nga kritikët e letërsisë në Shqipëri, kanë komentuar se “Gora është pasqyra ku reflektohet bota”, (Behar Gjoka), apo që “nuk jemi thjeshtë përpara historisë së një krahine; është historia e një mbijetese”, (Agim Baçi) Po kështu profesoresha e letërsisë së krahasuar në universitetin e Sarajevës, Adijata Ibrišimović Šabić, ka shkruar:” Namik Dokle ia ka arritur që, nga një kronikë familjare dhe e një fshati të vetëm, të përcjellë kronikën e një krahine dhe një vendi, të end edhe një histori për popullin e tij… për vlerat e një jete të ndershme, të respektuar dhe qëndrestare.” Në botën e sotme ekzistojnë 25.000 minoritete, shumë prej të cilave rrezikojnë të zhduken. E vetmja gjë që mund t’i mbrojë është rezistenca shpirtërore ndaj sfidave të djeshme dhe të sotme.

    A.Z.-A mundet letërsia, me mjetet specifike të shprehjes, të paktën deri diku, të ndërtojë ura lidhjeje mbi greminat e krijuara nga ndasitë historike, ideologjike dhe nga represioni totalitar?

    N.D.— Po, mundet. Letërsia dhe arti mund ta bëjnë këtë, mund t’i miqësojnë popujt, mund t’i afrojnë shtetet. Kur them kështu, kam parasysh një letërsi dhe art të vërtetë, të pandikuar nga politikat përçarëse dhe shpuzat e urrejtjes. Sidomos ne në Ballkan kemi vuajtur shumë nga këto fantazma. Dikush ka thënë se Ballkani prodhon më shumë histori se sa është i aftë të konsumojë; kuptohet që është fjala për politike të mbrapshtë, e cila ka shkaktuar mijëra e mijëra viktima të pafajshme. Kam parë një dokumentar që tregon se si ballkanasit grindeshin edhe për një kënge: grekët, shqiptarët, serbët dhe bullgarët: sikur ajo këngë ishte e tyre dhe vetëm e tyre. Por në të vërtetë ajo ishte e të gjithëve. Dhe kultura e arti janë pasuri e të gjithëve, prandaj mund të jenë urat me të sigurta, njëherësh edhe me të bukurat për të ardhmen tonë të përbashkët. Kam vizituar dikur një katedrale të famshme në rrethinat e Strasburgut, në tokë franceze, por me një histori gjermane të saj. “Si thoni, pyeti ciceroni, e kujt është kjo katedrale; franceze apo gjermane?” Dhe po vetë u përgjigj se ajo është një vepër arti e Europës së bashkuar.

    A.Z- Identiteti, ruajtja dhe transformimi i tij?

    N.D.-Jetojmë në boten dhe kohën e globalizmit, në epokën e ndryshimeve të medha. Ruajtja e identitetit është shumë e rëndësishme sidomos për popujt e vegjël, për minoritetet, për ata që janë të detyruar të emigrojnë duke i lënë oborret e tyre në mëshiren e barishteve të egra, që pushtojnë hapësirat e shtëpive dhe të shpirtrave.

      Të gjithë po integrohemi dhe bëjmë përpjekje të mëdha që të anëtarësohemi në Bashkimin Europian. Ashtu si ekonomia dhe politika, edhe kultura e popujve të Europës do të ketë proceset e veta integruese, por të gjithve na kërkohet të integrohemi duke ruajtur identitetin tonë. Kjo e pasuron Europën, e bën më të bukur. Bëhen përpjekje të mëdha për të ruajtur në natyre speciet e rralla të shpendeve të Europes, të gjarprinjve të Afrikes, të breshkave gjigande në Galapagos të Ekuadorit. E si mos të ruhen traditat e popujve, gjuhët e rralla, kënget dhe legjendat, veshjet dhe gjithe kultura materiale e shpirterore e popujve?

    A.Z.— Goranet. Si janë ata?

    N.D.— Do të doja t’u përgjigjesha me fjalët e Majkës, përsonazhi kryesor i romanit “Vajzat e mjegullës”: E sa për fshatin tonë, mund të thuash apo të shkruash, se kam dëgjuar që ti shkruan… shkruaj pra se në fund të botës apo në askund, fshehur në mjegull, ndodhet një fshat i quajtur Bukojna, ku lindin burra të cilëve u zbardhen flokët që femije dhe qe shohin naten më mirë se ditën. A e di, o Mësues, se çfarë thonë për burrat dhe djemtë e fshatit tonë? Nuk i ka lindur nëna prej barkut, por i ka lindur mjegulla e Kallabakut. Qëkur lindin dhe derisa vdesin janë fëmijë të mjegullës. Në pelena mjegulle i mbështjellin, kur dalin nga barku i nënës dhe në qefin mjegulle i fusin, kur i përcjellin në varreza. Dhe e gjithë jeta mjegull u shkon nëpër botë, i rrëmbejnë erërat e vjeshtës ku të munden, përqafohen më shkëmbinjtë në grykat e lumenjve, hanë bukë me natën dhe grinden me ditën…E vrasim mendjen shumë, për këtë botë dhe për atë tjetrën…”

    A.Z.-Po boshnjakët në Shqipëri?

    N.D.— Boshnjakët e parë në Shqipëri kanë ardhur para më shumë se 160 vjetësh. Ishin nisur për në Turqi, por ndaluan në portin e Durrësit sepse anija e tyre pësoi një defekt të rëndë. Dhe mbetën aty e më vonë themeluan Makondon e tyre në dy fshatra, Borakë dhe Koxhas. Ikën nga Bosnja, por ajo nuk iku prej tyre, e ruajtën në shpirtin dhe zemrën e vet, ruajtën zakonet dhe traditat, këngët e tyre të përmalluara për vendin e të pareve. “Me ty jetoj në çdo pike gjaku…” ka shkruar poeti i lindur mes tyre , Fatmir Baçi.

      Janë bërë shumë të njohur në Shqipëri si njerëz të ndershëm dhe punëtore, njerëz të paqtë që u rrinë larg ngatërresave, duan arsimin, kulturën, përparimin. Shume personalitete të njohura të ekonomisë dhe bujqësisë, të publicistikes, artit, arsimit në Shqipëri janë me origjine boshnjake.

      Ngjajnë shumë me Goranët. Janë dy komunitete me numrin më të vogël të divorceve në Shqipëri. Për një arsye shumë të thjeshtë; martohen me dashuri dhe për dashurinë. Dasmat e tyre janë festivale të mirëfillta folklori dhe gëzimi .

    Edhe Goranet që jetojnë në Kosove (në 18 fshatra) kanë marrëdhënie shumë të ngrohta e vëllazërore me boshnjaket; duket sikur i lidh e i afron një fije mëndafshi  e jetës se përbashkët, të dramave dhe historisë se përbashkët dhe nuk habit shprehja e përkatësisë boshnjake të tyre, ani pse ka edhe të tjerë qe kane një këndvështrim ndryshe për identitetin e vet. Të gjithë të ndryshëm, të gjithë të barabarte, thotë filozofia europeiste. Askujt mos i bëni pyetje nga vjen, por pyeteni se ku dëshiron të shkojë.

    A.Z.— Na thoni diçka për letërsinë e sotme shqipe?

    N.D.-Tashme dihet botërisht qe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është prej vitesh kandidat për çmimin Nobel. Edhe në vitet tridhjete të shekullit të kaluar letërsia shqipe kishte një tjetër kandidat për Nobel, poetin e madh Gjergj Fishta ( po kujtoj qe një pjese të studimeve i ka kryer në Bosnje) një letërsi qe ka emra të tille, natyrisht qe është një letërsi e mire, qe zhvillohet me hapin e kohës dhe të simotrave të saj në botë. Krahas Kadaresë në Shqipëri ka patur dhe ka edhe shumë shkrimtare të tjerë të njohur si Dritëro Agolli, Petro Marko (bashkëluftetar me Heminguein në Spanje), lirike të mëdhenj si Lasgush Poradeci e Frederik Reshpja, dhe shumë të tjerë qe tashme shkruajnë në liri, pa censure, si Zija Çela, Fatos Kongoli, Besnik Mustafaj, Luljeta Lleshanaku, Flutura Açka, Ylljet Aliçka etj. Shume autore shqiptare tashmë jetojnë neper Europe dhe Amerike dhe shkruajnë e botojnë jashtë duke e pasuruar letërsinë shqipe.

        Por edhe të ne ekziston vështirësia e “letërsive të mëdha të vendeve të vogla” për të cilat nuk është e lehte të çajnë “rrethimin që sjell globalizmi”.

    A.Z— A ka përkthime të autoreve boshnjake në Shqipëri?

    N.D.— Pak, shumë pak do të thoja. Të rrallë janë shkrimtaret boshnjake të përkthyer në shqip, po ashtu edhe shkrimtare shqiptare në Bosnje. Në shqip është përkthyer pak nga Mesha Selimović (Dervishi dhe vdekja, Keshtjella) janë përkthyer dy romane të Enes Karić (Varrezat çifute dhe Këngët e zogjve të egër) e ndonjë tjetër. Për fat të keq lexuesi shqiptar nuk ka patur mundësi të lexoje shkrimtare të tjerë të shquar boshnjake.

      E njëjta ndodh edhe me autoret shqiptare në Bosnje, ka pak ose aspak përkthyes. Ismail Kadare është përkthyer nga frëngjishtja dhe jo nga origjinali në shqip. Unë kam qene me fat, fale përkthyesit Sadik Idrizi qe ka bere një punë të madhe duke i sjellë tre romanet e mia në gjuhen boshnjake.

    A.Z.— Si është situata në Shqipëri?

    N.D.—Si në të gjitha vendet e Ballkanit qe presin prej shumë vitesh perpara portave të Bashkimit Europian. Me ekonomi në rritje, por akoma të dobet, me veshtiresi në fushat sociale si shendetsia, arsimi, punesimi. Jane ndermarre disa reforma shpresedhenese, por rezultatet nuk jane akoma ato qe priten. Megjithate shqiptaret nga natyra jane optimiste për rrugen europiane, edhe të durueshem ndaj vonesave të politikes. Humorin na e prishin politikanet qe grinden, por njeheresh behen edhe personazhet kryesore të humorit televiziv dhe popullor.

    A.Z.—Po marredheniet e Shqiperise me Kosoven?

    N.D.— Me shtetet e tjera ballkanike jemi fqinj, me shtetin e pavarur të Kosoves jemi vellezer. Qe ketej percaktohet edhe natyra e marredhenieve tona, me shumë dashuri por… duhen me pak fjale dhe me shumë vepra për të ndihmuar njeri-tjetrin.

    A.Z.— A ekzistojnë prirje serioze për krijimin e Shqipërisë së madhe, për bashkimin me Kosovën?

    N.D.— Besoj se tashmë të gjithe e kanë të qartë se politikat e Shqiperise së madhe, Serbise se madhe, Greqise se madhe apo Bullgarise së madhe, vlejnë vetem për arkivat e historise. Ato kohe kane perenduar. Tani të gjithe synojme drejt Europës së madhe, drejt bashkimit të madh.  Ka natyrisht në të gjitha vendet ballkanike idhtare dhe parti qe perkunden akoma në djepin e “megali-ideas”, të asaj qe në gjuhen greke quhet idea e shteteve “të medha”. Por ajo ide është e vjeteruar dhe e papershtatshme për zhvillimet e sotme integruese.  Në këtë prizme shikohen aktualisht edhe idete e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë.

    A.Z.—Janë botuar tre romanet tuaja në Bosnje-Hercegovine. A keni informacion si janë pritur?

    N.D.—Kritika i ka pritur mire tre romanet. Edhe lexuesit po ashtu, sikurse me kane shkruar shumë prej tyre. Siç me ka njoftuar ambasadori i Bosnjes për Shqiperine, në kohen e botimit të romanit VAJZAT E MJEGULLES, për një periudhe ka qene një nga librat e huaj më të kërkuar. Në panairin  e librit ne Sarajeve, në fund të vitit 2019, isha i ftuar nderi dhe u bë një promovim i tre romaneve me logon “Atje ku dielli lind dy here“, kjo sipas një legjende të Gores. Kohet e fundit, pas pushtimit të krejt botes nga armiku i padukshem covid-19, informacionet janë me të pakta. Dua të kujtoj edhe faktin që dy nga tre romanet (VAJZAT E MJEGULLES dhe DITET E LAKURIQEVE TË NATES) jane perkthyer nga gjuha boshnjake ne turqisht dhe, pas një pune krahasuese me origjinalin, janë botuar ne Turqi. Falënderoj perkthyeset Sanela Crnovršanin dhe Mirela Crnovršanin Kurtali qe mundesuan botimin e tyre ne një vend të madh. Aktualisht  VAJZAT E MJEGULLËS  është në proces botimi ne Bullgari dhe Spanje.

    Falemnderit!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË