More
    KreuIn memoriamNamik Dokle: Bota origjinale e Moikom Zeqos

    Namik Dokle: Bota origjinale e Moikom Zeqos

    Moikom Zeqo është nga të paktët krijues të letrave shqipe që ka arritur të krijojë botën e vet origjinale, shumë dimensionale, të shumëkohëshme dhe, me gjasë, të pavdekshme. Në veprën e tij të jashtëzakonshme, e denjë për studime të thelluara dhe të gjithanëshme, takohemi me historianin e palodhur, kërkues dhe ngulmues mbi tokë e nëntokë, te të vdekurit e lavdishëm dhe viktimat e pangushëlluara, në det dhe në thellësitë e tij të errëta, për të na ndriçuar njëherësh të kaluarën dhe të ardhmen. Takohemi me filosofin e pasionuar në kërkim të thelbit të jetës dhe të vërtetës, me studiuesin e përmasave të papërsëritshme, në kaleidoskopin e të cilit vështrohet çdo skaj dhe cep i jetës njerëzore.Takohemi me poetin e pazakontë dhe me “perandorinë e tij të frikshme të figurave”(Bedri Islami). E po aq e ndritshme sa galaktika e tij poetike, është edhe proza e tij që vetëtin në liri të plotë: e lirë nga skemat dhe tabutë, e lirë nga gënjeshtrat dhe hamendjet, e lirë nga grackat dhe poshtërimet e politikës, e lirë nga pushteti dhe shtrëngesat e çdo gjëje që është shkruar deri më tani, qoftë edhe nga emrat gjenialë. Me erudicionin e tij, Moikom Zeqo vë pikëpyetjen e tij në çdo gjë dhe për çdo gjë, për të ardhur tek e vërteta e të gjithë të vëtetave.

    Për veprën e tij është shkruar e do të shkruhet edhe më shumë në të ardhmen. Poetika, eseistika, proza dhe publicistika e Moikom Zeqos ngërthen, në vetvete, gjithë botën tonë; aty gjen jetën dhe kundërjetën, përballjen e kulturës me antikulturën, njerëzoren përkundrejt jonjerëzores. Vepra të tilla si përmbledhjet poetike disavëllimshe “MISHELANEAT”, “apo librat e tjerë si:

    -Blici i engjëjve

    -Sagë palimpsestesh-Anima mundi

    -Libri i sinopseve

    -Vetullat hyjnore

    -Grishja e Florimontit

    -Kështu foli Mona Liza

    -Mjeshtri i labirinthit

    -Letra në errësirë

    -Futuristë në mungesë

    -Papagajtë e Nembrotit

    -Eunukët ëngjëllorë

    -Centauri i ri;

    … janë ajo botë e madhe, e krijuar nga Zeqo, të cilën ai na e la ne dhe, siç ka shkruar diku…”do të vijë një ditë e fundit, ditë e ngushëllimit; unë do t’ju nxjerr një nga librat e mi si një kuti cigaresh, në ritin mortor, dhe do u them: Ndizeni një!…” Duket që ai e ka parandjerë se vepra e tij do të vijë gjithnjë e më afër nesh, më afër njeriut, edhe pse në të lëvrijnë edhe ëngjëj edhe djaj, centaurë dhe minotaurë, qengja dhe pantera, meduza dhe krimba shiu.

    Analizat e të gjitha këtyre veprave të bëra me profesionalizëm dhe kulturë, me përgjegjëshmëri dhe vëzhgime të thukta estetike nga shumë studiues të letërsisë, kanë arritur të zbulojnë ide dhe pamje të reja, domethëniet filosofike dhe ekzistencialiste, figurshmërinë e patjetërkund të veprës poliedrike të Moikom Zeqos, te papriturat e shpirtit të tij si prodhues dhe konsumues i letërsisë. Megjithse e vështirë të realizohet kjo gjë në rastin e Moikom Zeqos, për faktin e lidhjeve organike jetë-vepër tek ai, por edhe për atë çka ka theksuar poeti Wayne Miller se, “ imazhet dhe metaforat e Zeqos grumbullohen dhe ngatërrohen për të formuar labirinte marramendëse gjuhësore.” Është kjo ndjenjë e ekztazës tjerrëse që të jep një kënaqësi hipnotizuese kur lexon librat e tij. E gjithë kjo buron nga alkimia e gjurmimeve të reja letrare, nga eksperimente të guximshme, vizione të reja letrare dhe, mbi të gjitha, nga zbulimi i shpirtit të një kohe të tërë të pakohë.

    Të lexosh Miokomin nuk është e lehtë, duhet të lodhesh, të të djerësijë truri, të tronditet mendja, të hapësh sytë dhe të futesh në botëra të panjohura më parë. E në këtë udhë, mos u tremb, Miokomi të kap përdore e të udhëheq, në errësirë dhe rrëpirë, si dikur Virgjili udhëhoqi Danten nëpër Ferr. Në dalje, të jesh i sigurt, Moikomi të nxjerrë në dritë, ashtu si në rininë e tij nxirrte amforat nga fundi i errësirës detare në dritën e diellit.

    Zeqo, si askush tjetër, energjikisht rizgjon nga letargjia kujtesat historike, jo vetëm shqiptare, por edhe ballkanike e më gjërë. Për të kozmosi është një mjedis njerëzor, krejt i zakonshëm dhe, duke e lexuar, ndjehemi si në rrugët tona të përditëshme. Ndëkohë ai ngulmon në shkrimin e një letërsie ndërqytetare, me sharm botëror, duke shpjeguar raportet psikoanalitike që ndjekin rregullsinë dhe ligjshmërinë globaliste dhe autentike të popujve në të gjitha kohërat. Në konceptin e Moikom Zeqos ekziston një lidhje e përherëshme ndërmjet mitikes, epit të shkruar dhe gojor, me kohërat e sotme dhe në vazhdimësi. Shpesh herë vepra e tij synon të marrë pamjen dhe përmbajtjen e një ngrehine enciklopedike.

    Është nga të rrallët arkeologë diturak, që synon të zbulojë çdo gjë shqiptare, ta pastrojë nga myku, pluhuri, apo bëzhdilet e kohërave dhe të na e ofrojë të bukur e të pastër, në dritën e artit madhor. Si e shpjegon poeti Miller, “Zeqo përpiqet të artikulojë për hir të pasardhësve, shtrirjen e tij të plotë në rrënjët e kulturës shqiptare dhe mesdhetare- ashtu si dhe shtrirjen e plotë të rrënjëve të kësaj kulture në të.”

    Moikom Zeqo, duke qenë:

    -mendimtar i thellë i të ardhmes,

    -gjithnjërendës i modernes në poezi,

    -mjeshtër i temave liriko-sociale,

    -antiskematik dhe antiprovincial në art,

    … ai, në të njejtën kohë, është edhe i pakrahasueshëm në sistemin metaforik të poezisë së tij. “Këtë perëndim të diellit, mbi Currila, shkruan , “ e shpall si ESTETIKË HYJNORE të shpirtit.” Dhe më tej: “ Kapem pas qerpikut të hënës, si i rëni në det mbas litarit të shpëtimit…” për të ardhur deri te lirizmi i paskaj në vargun: “ Ah, fëminia ime,- me erë mendre dhe borziloku,- me personazhe si gjysmëzota!” Kondensimin poetik dhe filozofik të veprës së tij, figurshmërinë befasuese, zbulimet drithëruese, rallë hasësh në autorë të tjerë.

    Do të shtoja edhe një tipar tjetër të Moikomit: Ai është studiuesi dhe

    promovuesi më dashamirës dhe më i sinqertë i emrave të mëdhenj të letrave shqipe, që nga Budi, Migjeni, Kadare, Lasgushi, Reshpja etj. Ka, natyrisht, studiues të shquar të letërsisë shqipe, por për sa i përket letërsisë së krahasuar, Moikomi është në krye të rendit dhe i pakrahasueshëm.

    Duke lexuar Moikom Zeqon, bindemi se e ardhmja nuk është më ajo që ishte. Diçka krejt tjetër e pret këtë botën tonë. Dhe për këtë, ai na bind duke e parë botën në një projeksion tredimensional: dimensionin e mendimit, dimensionin e ndjenjës dhe dimensionin e perspektivës, drejt të cilit na ka grishë me veprën e tij të paharruar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË