Marathonomaku
Kur e njeh poezinë e Jusufit, kur ia lexon përzgjedhjen e librave dhe autorëve që i kishte përkthyer, kopertinat e librave që i kishte dizajnuar, kur ia sheh fotografitë, kur ia dëgjon komponimet e kur ia shijon zërin, të duket se e ke takuar diku, që i keni pirë dy a tri kafe, që ia ke pëlqyer stilin e veshjes, ke dëgjuar për gratë që e kanë dashuruar, që ia ke dëgjuar heshtjen e në atë heshtje të është shfaqur simpati vajzërore.
Po të mos e kishte tragjik fatin, Jusuf Gërvalla, më 1 tetor do t’i mbushte 77 vjet. Do të kishte botuar libra e do të kishte përkthyer libra të mirë. Ai nuk i mbante vjershat vetëm për vete. Për 15 vjet krijimtari, i botoi tri libra me poezi, i shkruajti dy romane (njëri romani u tërhoq nga shtypi në “Rilindje” pas ikjes së tij në Gjermani), një dramë, botoi shumë shkrime, intervista e analiza, u krijua në artist/krijues poliedrik, shijues e plasues i arteve. Po të mos ishte fati tragjik, arti muzikor do të kishte dhjetëra këngë, hite, padyshim, muzika e tij do të krijonte shije muzikore te shqiptarët e zëri i kadifenjtë do të na bënte të dashuroheshim rishtas. Do të shkruheshin nga pena e tij artikuj e opnione kulturore, tekste të interesante për lexuesin shqiptar. Edhe do të na kritikonte. Jusufi nuk do ta kursente asnjërin.
Por, u këputën krahët e poetit për tu kthyer në Marathonomak, një luftëtar që nuk u harrua asnjëherë. Brezat u ndërruan, emrat u harruan, edhe mbiemrat, por letërsia mbet. Ashtu siç mbet i ri, vetëm 36 vjeçar.
Libri i shenjtë
Me këtë polifoni krijimtarie, nga perspektiva e lexuesit të ri, shtrohet pyetja: si ka mundur të ecë binarë paralel qenja intelektuale e Jusuf Gërvallës dhe ajo e njeriut të angazhuar në lëvizje nacionale. Për Jusufin, angazhimi atdhetar nuk ka qenë ideologji, ka qenë përtej saj; ka mbetur frymëzim, kreativitet, sakrificë.
Në të tre librat e tij poetik të cilat botohen në harkun kohor prej katër vitesh, secila poezi i shfaqet e frymëzuar. Edhe idilika e shtresëzuar me fëmijërinë së cilës i rikthehet herë pas herë, edhe urbanja, shquhen prajshëm me frymëzim pa të cilin duket që autori i ri, nuk mund të shkruajë. “Megjithatë, mendoj se frymëzimi është një akt i domosdoshëm, të cilit krijuesi nuk i shmanget dot”, shquan Gërvalla në një intervistë për revistën “Zëri i rinisë”. Pra, secili varg i tij mbet i frymëzuar, secila poezi. Njeri, autor i mbushur frymë, me frymëzim e rikthen dhe fëmijërinë, si te poezia Libri i shenjtë:
druri i vetmuar më tutje ca hithër
ia djegin këmbët fëmijës që ëndërron
Mjeshtër i përzgjedhjes së fjalëve, i ndërtimit të togfjalëshave, Gërvalla, po t’i ishte përkushtuar poezisë, sot do të kishim nën emrin e tij krijimtari të bollshme e poezi edhe më të arrira. Togfjalëshat e tipit: flijim i begatshëm, tëmbli i detit, zgjim i heshtur, djep i vjetër, etj, fshehin atmosferë fëmijërie, lajtmotive të cilave u rikthehet në të tri librat. Fëmijëria, herë e nxjerrur jashtë hullinave, herë e thelluar në hullinat e saj bashkë me hithërat që ia djegin këmbët fëmijës ëndërrimtar, e risjellin në një ditë kur do ta ndiqte rrugën e dëshirave të veta, do të bëhej poet plot muzikalitet e të shkruante për fëmijërinë.
Nëna
Lojërat e fëmijërisë të ndërtuara si përralla, aso që fëmija inteligjent me emër Jusuf i dëgjonte orëve të vona në kullën e gjyshit në Dubovik, i mbetën të pashlyera në tërë krijimtarinë. E mbi to po qëndronte Nëna. Ajo grua e cila u kthye shënjesë e qëndrestarisë, ishte person i gjallë, i prekshëm, pas vrasjes së të bijëve, e dyfishoi ashtin e qëndresës e të kujtesës dhe u bë ngushllimtare e qindra nënave shqiptare që i humbën bijat e bijtë për ta luftuar armikun. Nënën Ajshe, lexuesi, më parë e njohu si personazh poetik, pastaj si qëndrestari. Motivi për nënën ka mbetur më sublimi, e më i fuqishmi, personazh i dashur muzikor e poetik krijuar nga zemra e mendja e Jusufit. Nëna Ajshe u përballoi rrebesheve, ashtu siç i shkruan në një letër Jusufi së ëmës duke ia kujtuar që në fund të përrallave të fëmijërisë, mesazhi i tyre ishte i gjithmonshëm si përfundim: “Rruga e nderës asht ma e zorshmja por ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njeriun. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë”! Në këtë letër të bukur e plot inkurajim, nuk e ndeshim skofiaritetinn e Jusufit si krijues por qëndrestarin, gati gati revolucionarin. Ndryshe nga vargjet për nënën që i ka botua te libri i dytë dhe i ka kthyer në vargje kënge tashmë të njohur, në këtë letër i drejtohet: “Kur i kujtoj këto, më del se ti, në vend se të mërzitesh, duhet të gëzohesh e të përtërihesh. Ma në fund, veç tuj mos u dorëzue në këtë kohë të vështirë, ti nanë, do ta qitësh edhe hapin tand të fundit burrnor, që të bon si të gjitha ato nana trimnesha e fisnike shqiptare, të cilat, kur e ka lypë puna e vatanit, s’e kanë kursye e s’e kanë kajtë me lot jetën e djemve të tyne dhe kanë këndue kur kanë kukatë qyqet”.
Shijeholli e stilisti
Edhe vokacioni poetik dhe tematik i Jusufit është kombëtar. Këto i pasuroi edhe me dijen e bollshme që kishte për poezinë botërore. Në muzikë, ndonëse një pjesë e këngëve të tij ishin të përshtatura, tekstet e këngëve të Jusufit ishin origjinale, me vargje të autorëve shqiptarë e pjesa më e madhe tekste të shkruara nga vet ai.
Jusuf Gërvalla është autor modern për kohën, modern në të kënduar, në përgatitjen e kopertinave të librave, të autorëve shqiptarë që i ka përzgjedhur për t’i pëkthyer (Teki Dërvishin, Zejnullah Rrahmanin, etj.), autorët botëror që i ka shqipëruar (Xhojsi, Kafka, Zllobeci, Kishi, etj).
Jusufi fëmijë dhe Jusufi adoleshent, një pjesë të verave i kishte kaluar në Dubrovnik. Nga bisedat private me zonjën Suzana Gërvalla, Jusufi është rritur te daja i tij në Pejë. Meqenëse daja ishte martuar me kroate e çifti nuk kishte fëmijë, nipin e marrin përherë gjatë verave në Dubrovnik. Në qytetin e njohur të antikitetit, djali shijehollë e kurreshtar mëson shumë hire të kulturës, qytetërimit, të modës, sjelljes, përzgjedhjes. Prandaj, në fotografitë bardh e zi të Jusufit, ne e shohim një djalë modern, të veshur me shije, duke pozuar simpatik e hedonist para aparateve fotografike, herë herë edhe me kitarë.
Me gjithë figurën atdhetare, Jusufi mbetet poet, shkronjës, artist. Duke qenë me dije të gjërë artistike, Jusufi shoqëron në vargjet e tij atmosferë muzikore, përshkrim që reflektojnë artet pamore duke krijuar vizuelisht katër dimensione.
A mjafton arti për të qenë i lirë
Jeta e tij ndalet në moshën 36 vjecare, atëherë kur një pjesë e poetëve e fillojnë krijimtarinë, kur një pjesë e mirë e tyre arrijnë të konsolidohen si krijues pas një periudhe ta zëmë rinore. Jusuf Gërvalla e mbyll opusin krijues në këtë moshë. Duke e sfiduar robërinë, duke qenë armiq të saj, vriten edhe poetë të tjerë shqiptarë: Latif Berisha, Luigj Gurakuqi, Ymer Elshani, Jusuf Gërvalla…
Veprimtaria ta quajmë atdhetare, jetën e Jusufit e ndau në dysh. Përgjatë këtyre gati katër dekadave është shkruar aq shumë për aktin e vrasjes së Jusufit me vëlla e me shok, janë punuar dokumentarë, janë bërë këngë e intervista, akademi e komemoracione, tubime e përvjetorë, janë shkruar libra: romane, novela, drama e mijëra poezi, por është botuar vetëm një herë kompleti i librave të tij. Librat e Jusufit nuk gjenden as në librari, e rrallë në biblioteka publike.
Ndërkaq, fat i madh që incizimet e tij të këngëve janë rujtur në fonotekën e Radio Shkupit, në të kundërtën do të mbeteshim pa fondin e artë të këngëve të Jusufit që i interpretoi me përsosshmëri e sensibilitet, një pjese të të cilave, vet ishte autor i vijës muzikore dhe i teksteve. Me të ikur në Gjermani për t’i shpëtuar burgosjes, pothuaj të gjitha këngët, intervistat dhe incizimet që mbanin emrin e Jusuf Gërvallës ishin asgjësuar nga fonoteka e Radio Prishtinës. Mund të thuhet se tekstet e këngëve të Jusufit ishin poezi në vete. Djali i imtë me shpirtin plot botë artistike e kulturore, ai kitaristi që shkruante poezi me tinguj sublim, nga perspektiva e sotme, zor se një të huaji, njohës të arteve do t’i shkonte në mend se ai kishte milituar dhe ishte i organizuar në një grup për t’i bashkuar të gjitha për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Edhe një të riu të sotëm, do t’i dukej absurde që një penë e një pamje skofiare e këngëtarit të ishte i veshur së brendshmi me mantelin e një nacionalisti. Jusufi nuk linte udhë pa rrahur e shtigje pa hapur për ta bërë të lirë vendin e tij. Nuk i mjaftoi kënga, as kultura e as poezia.
Pak biografi
Jusuf Gërvalla (1945) u lind në Dubovik të Pejës. Është shquar si: poet, kritik i arteve, dramaturg, publicist, kompozitor, përkthyes, këngëtar, autor këngësh… Pas përpjekjeve të pasuksesëshme për tu burgosur nga policia serbe, bashkë me familjen emigrojnë në Gjermani ku e vazhdon veprimtarinë atdhetare. Vritet më 17 janar 1982 në një atentat të organizuar kundër tij dhe të vëllaut Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka të dy veprimtarë në emigracion të çështjesh shqiptare në Untergrupenbah (Gjermani). Kanë kaluar 40 vjet dhe vrasja nuk është zbuluar ende nga drejtësia gjermane.
Jusuf Gërvalla është autor i librave me poezi: “Fluturojnë e bien” (1975), “Kanjusha e verdhë”, (1978), “Shenjat e shenjta”, (1979). Ka përkthyer në gjuhën shqipe autorë, si: Danillo Kish, Zllobec, Marinkoviq, Asturias, etj.
Poezi nga Jusuf Gërvalla
LIBRI I SHENJTË
Shpuzë e errët matanë qelqeve që avullojnë
mesnatës së ngjyer me tëmbëlin e detit
në oborr po fshihej një hije dhe qerrja e drunjtë
kuajt sonte askund s’do të marrin udhë
në mur ndrit dhe pipërrin kandili
e në letër mes dy vijash të zeza si përherë
druri i vetmuar më tutje ca hithër
ia djegin këmbët fëmijës që ëndërron
drita e praruar gjerdan me guaca
hën’ e verdhë atje lart në tavan – dhe teja
tok me djepin e vjetër që s’përkundet – e ha
nuk shihet atje rrëzë gardhi një vogëlush
që shiu i tetorit e qull ngadalë
në vatër u dogjën urët – s’ka mbetur më prush
frika nga trupi im në shtrat po më fton
mbi tryezë ora e vogël rrah e s’pushon.
QENIE, VARR AS FRYMË
Një shishe hermetike
grykëngushtë
lëfytgjatë
në murin prej argjile
në detin e ëmbël
në lëkurën me pore drite
në ballsam të largët egjipti
një një të miliontin yll
në çdo kristal
në çdo gur të çmuar.
Bima mugullon në terrin e tokës
në qullin e baltës
qenie, varr as frymë
sy i zbrazët
nga gjithë bukuria mbeti vetëm kjo
e prekshme e flakët dhe e pakuptueshme. Seç po lebetitem po më dridhet buza
zëri im i djeshëm se ku u bë
amshim i zbrazët
si syri që më sodit me plotëninë e trilluar
i ndritshëm e i thatë si mermer i zi
dashuria e të çmendurit nga frika
mes të gjithëfuqishëmve
një gogol druri mbuluar me të tharat e vjeshtës
një leckë e një enë e ndryshkur
ca pulla sedefi.
Në shesh i nxora gjithë rekuizitat e parajsës
e syri i zbrazët në roje sodiste
dhe përgjonte pamundësinë time të mundshme.
FLETË TESTAMENTI
Në zgjimin tim të heshtur të më ngurosin
në flijimin tim të begatshëm të verës
në nisjen time në fillimin tim të ri
në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë
le të më puthë rrezja e qartë ngazëllyese
e druvarit të fjetur në rudinë
myshku le të jetë gjithmonë i blertë mbi gurë
emër të mos ketë e shkronja le të flasë
në gjuhën e vjetër të kafshës së zezë
guaca e kërminj le të vijnë për dasmë
mbi rrasën time
le të shtrihen edhe ata si dy yje
ftohtë le të bëjë dimrit e verës verë
e me një pikë ujë verdhësisë së barit tim
le t’i mëshirohen
vërmeni atje tek do të tregojë guri për udhën
deri te shtëpia ime bërë me dru e kashtë le të thyhet çdo pasqyrë që ka ballsamosur
ballin tim e mërrolën e çastit plot mllef
se ja tek po zgjohet er’ e re e dashurisë së tokës
se jam i parrezikshëm kaq i pafuqishëm
mumje përfytyrim që krahasohet me rrahun
tek do të më vini përsëri ju pas
le të më lënë të fle qetë si pranë stufe
dimrit të madh të dashurisë sime
nuk do të përpëlitem s’do të rrotullohem
s’do të shplohem natën nuk do të kollitem
me fjalët e mia le të më mallkojnë
në rrasën time atë rrasë të zezë të ftohtë
në duart që i kam prekur le të më lëshojnë
rrjedhës të qetë të fatit që pret
shigjet’ e mërisë le të bjerë mbi dhe
në shkretëtirën e moskuptimit le të fiket
kurrë të mos vijnë kur unë nuk i pres
ata që tërë jetën i prita, të dashurit
ç’po flas kështu pash zotin?
BEKIMI I NËNËS
le të piqen pemët kur të kesh ardhur sërish
bari i zverdhur fare le të jetë
nën çatitë e kullës le të pikojë shi
le të vërë trashë cipa e tëmblit në kusi
le t’i marrë lumi urat e trerët le të thyhen
në cung le të ketë një shtëpi për dru
lulet e verës le t’i ketë prerë me barë kostari le të ftohet
ka stinë kur veç parzma e nënës do të ngrohet.