Kreu Opinion Nadine Gordimer: Imagjinata e shkrimtarit dhe imagjinata e shtetit

Nadine Gordimer: Imagjinata e shkrimtarit dhe imagjinata e shtetit

Shteti nuk ka imagjinatë.

Shteti nuk ka imagjinatë sepse e sheh imagjinatën si diçka që mund të vihet në punë.

Shkrimtari vihen në punë nga imagjinata e vet, shkruan nën diktatin e saj.

Shteti është inteligjencë kolektive. Kjo është kështu edhe kur ka Komitet Qendror të Partisë edhe kur ka proces të shumëfishtë zgjedhor në një rend shumëpartiak. Kur shteti projekton një vizion shoqëror, dhe asnjëherë nuk ka një vizion të njësuar, e bën këtë si pasojë e perceptimit të planifikuesve, këshilltarëve, komisioneve, ekspertëve në këtë dhe atë fushë, ministrat e këtij dhe asaj ministrie, anëtarëve të gjykatës, përfaqësuesve, politikanëve. Formimi i vizionit të shtetit është proces që përfshin shumë individë. Produkti i tij është inxhinieri shoqërore.

Imagjinata s’mund të jetë kurrë produkt i një kolektivi. Ajo është veprimtaria më e përqendruar e veprimtarive trunore, më e veçanta, më e brendshmja dhe individualja. Ndër shpjegimet fiziologjike për të, asnjëherë s’kam lexuar një që përputhet me përvojën time, po ashtu as me përvojën e shkrimtarëve të tjerë. Imagjinata përshkon rrugën e të kaluarës, të fëmijërisë, të asaj që ndodhi dje, apo edhe para një ore, kalon nëpër terrin e kohës ku shkrimtari, ndryshe nga njerëzit e tjerë, ndjehet gjithmonë mirë, ashtu si i verbëri në terrin e tij, dhe këto fitila ndizen një e nga një, për të shkuar në shpellën ku dëgjohen zëra që s’e përfunduan atë që nisën të thonë, dhe me ato zëra flasin, në vende që s’kanë qenë kurrë të hapura për perceptimin e zakonshëm, ose mund të jenë në të ardhmen.

Sepse shkrimtari është i lidhur me kohën, kjo është imagjinata. Shteti është i lidhur me historinë, shteti ka vetëm projeksion në vend të imagjinatës. Për shkrimtarin, këto dritëza bashkohen në një vizion të vetëm dhe bëhen syri i Ciklopit. Atë që ky sy e sheh s’e sheh askush tjetër. Vetëm shkrimtari mund të hedh dritë aty me anë të një produkti shoqëror, poezi, roman ose histori. Syri i brendshëm i shtetit është një nga ato sferat rrotulluese të përbërë nga copëza pasqyre që dikur ishin kudo në sallat e dikurshme të vallëzimit. Ky sy vrojton të gjithë vendin, duke hedhur nga jashtë mbi të çfarëdo lloj drite që dëshiron duke i paraqitur të shformuara fytyrat e mbikqyrura me të gjelbrën e ndrojtur, vjollcën e tendosur, ose të trëndafiltën e lumtur të perëndimin të diellit.

Çfarë lidhje mund të ketë midis imagjinatës dhe projeksionit? Si është marrëdhënia e shkrimtarit me shtetin? 

E dimë që ka pasur shembuj të imagjinatës që ndjehet mire brenda projeksionit, diçka afër asaj që Lukács e quan tejkalim i dualitetit të brendësisë dhe botës së jashtme. Ky unitet, atëherë, bëhet “rrokja hyjnore-intuitive e kuptimit të paarritshëm dhe, rrjedhimisht të pashpjegueshëm të jetës”. Koha dhe historia takohen. Dhe sigurisht filozofia e rendit shoqëror, nga e cila shteti zgjedh për projeksion çdo gjë që i shërben qëllimit të pushtetit në një rrethanë të veçantë (popullsi rebele, papunësi e lartë, uri apo begati) – filozofia e rendit shoqëror u përfytyrua së pari, në një botë laike, nga shkrimtarët, shkrimtarët e antikitetit.

Dritëzat e shpellës së Platonit ishhin arsyeja e daljes nga hijet në mure për të provuar demokracinë, tek raca njerëzore. Por, ajo që shteti krijoi nga vizionet e lashta të rendit shoqëror i përket sferës së historisë dhe jo të imagjinatës, e ruajtur në format e demokracisë që ekzistojnë në disa vende të Lindjes dhe Perëndimit, dhe gjithashtu në llojin e një shpërfytyrimit të plotë që ekziston në vendin tim, Afrika e Jugut, ku shteti fantazon (gjë që s’është aspak e njëjta gjë sikur të imagjinosh) projeksionin e një “procesi demokratik” si rend shoqëror, ku shumica e popullsisë s’ ka të drejtë vote.

Por besoj se në rastet kur koha dhe historia duket se janë takuar, më shpesh kjo ka ndodhur, të themi, para ngjarjes: imagjinata e shkrimtarit ka përfytyruar një rregullim të jetës njerëzore që duket i arritshëm nga projeksioni i një shteti ende të pa krijuar. Lëvizja për bashkimin e Italisë përbën një shembull. Revolucioni rus, sipas vizionit të Majakovskit, një tjetër. Dhe ka shembuj të ndryshëm. Por sapo krijohet shteti, krijohet edhe dualiteti midis shkrimtarit dhe shtetit. Pse? Unë s’mendoj se i gjithë shpjegimi duhet të gjendet në faktin kaq të dallueshëm se idealet e një revolucioni janë në rastin më të mirë të vështira për t’u jetësuar dhe në rastin më të keq tradhtohen, pasi revolucioni të ketë sukses. Vetë shkrimtari e di se revolucioni i vetëm është ai i përhershmi, jo në aspektin që nënkupton Trocki, por në aspektin e imagjinatës, në të cilën asnjë kuptim s’është i përfunduar një herë e përgjithmonë, por duhet të vazhdojë të shpërbëhet dhe riformësohet me kombinime të ndryshme nëse do të përhapet dhe të kërkoj përgjigje për pyetjet e tmerrshme të ekzistencës njerëzore. Ajo që e tjetërson shkrimtarin nga shteti është se shteti, çdo shtet, është gjithmonë i sigurtë se ka të drejtë.

Imagjinata e Brehtit kishte marrëdhënie jo të lehtë me projeksionin e shtetit në Gjermaninë Lindore, megjithëse bindjet e tij politike ishin ato që ai i shihte të mishëruara në idenë e shtetit, ndërsa projeksioni i asaj ideje nga shteti nuk ishte ai i imagjinatës së tij. Teoria e tij për teatrin epik dukej mjaft ortodokse (ortodoksia gjithnjë i përket projeksionit, natyrisht), ishte, sipas fjalëve të Walter Benjamin-it, “për të zbuluar gjendjet e jetës”. Kjo është ajo që kërkon të bëjë kudo imagjinata e shkrimtarit, dhe kështu ka ndodhur me Brehtin, në përgjithësi s’është saktësisht ajo që shteti do të kishte nga shkrimtari. Shteti kërkon nga shkrimtari forcimin e llojit të vetëdijes që ai ua dikton qytetarëve të vet, dhe jo zbulimin e gjendjeve aktuale të jetës, gjë që mund ta nxjerrë të gënjeshtërt të vërtetën e tij. Shteti synon që kjo të ndodh ose në formën që do ai, ose në formën e letërsisë masive, ku individualizmi kanalizohet në një larmi mallrash  konsumi dhe ideali i arritjeve njerëzore s’ndodh aspak në tokë, por është jashtëplanetare, apo nëse është në formën e punëtorit të pakorruptueshëm që nxjerr në pah tregtarin që punon në të zezë, apo nëse Lindja ose Perëndimi është  ndëshkimi i spiunit që shet planet e mbrojtjes, pasi fati i tij i shndërron armët bërthamore të shtetit në shpatën e shenjtë të mbretit Artur.

Aty ku projeksioni i shtetit për rendin shoqëror e lejon, ky projeksion shpesh shkon aq larg sa ta burgos imagjinatën tek shkrimtari si person fizik, ose duke ia ndaluar librin. Aty ku shteti thotë se mirëpret dhe nxit sulmet e imagjinatës ndaj projeksionit, ai e fton poetin të darkoj në Shtëpinë e Shtetit, dhe të shërbej si digë ose e ligjit, ose e atyre që mbahen si virtyte tradicionale të kombit, kundrejt çarave që baticat e mëdha të imagjinatës kanë krijuar në vetëdijen e nënshtetasve.

Imagjinata, e çliruar në kohë, nuk harron asnjëherë atë që projeksioni i shtetit i dikton historisë, duke e fshirë dhe rishkruar vazhdimisht atë.

Përktheu: Granit Zela

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Vladimir Majakovskij: Flauti i shtyllës kurrizore (poemë)

Përktheu nga origjinali: Agron Tufa Vladimir Vladimiroviç Majakovskij (1893 – 1930) gjithmonë është perceptuar në shoqëri si një...

Ai nuk rendi, por zor se ia kalon kush – Nga Fatbardh Amursi (Rustemi)

Poetit, Faslli Haliti, i qëlloi të ndahej nga jeta në 16 tetorin e ditëlindjes së diktatorit, i goditur për vdekje nga “armiku...

Poeti Laureat, një vlerësim i ri në Shqipëri

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli sivjet për të parën herë zgjedhjen e një poeti laureat duke treguar se si ai...

Blini tani në librari ose heshtni përgjithmonë!

Dëmet që shkaktoi pandemia e koronavirusit nuk kursyen as biznesin ku përfshihet edhe ai i librarive. Në shkrimin “Buy from your independent...

KATEGORITË